Banka Botërore: Ekonomia shqiptare mbetet nën potencial, konsumi pritet në rënie
Prezantohet Raporti i Bankës Botërore për Evropën Juglindore, 28 shtator 2015
Aktiviteti ekonomik në të gjashtë shtetete Europës Juglindore, po shkon përpara, dhe rritja në rajon pritet që të arrijë mesataren e 1.8 përqind në vitin 2015, e krahasuar me vetëm 0.3 përqind në vitin 2014, sipas Raportit të fundit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore (RRrE – EJL). Investimet private janë bërë shtysë kryesore e rritjes rajonale në të gjashtë shtetet e Europës Juglindore
Sot Koordinatorja e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, dhe udhëheqësja e Programit për Makroekonomi dhe Menaxhment Fiskal për Evropën Juglindore, Gallina Andronova Vincelette , ben paraqitjen e Raportit nëpërmjet video-lidhjes nga Zyra e Bankës Botërore në Sarajevë. Ndërsa për Shqipërine znj. Tahseen Sayed paraqiti një panoramë të situatës ekonomike në vend, plotësuar nga të dhënat e hollësishme nga ekonomistja e BB Znj. Hilda Shijaku.Raporti i Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore del dy herë në vit nga stafi i ekonomistëve në Praktikën Globale për Makroekonomi dhe Menaxhim Fiskal të rajonit, Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore.
Sipas raportit, gjatë vitit 2015, rritja ekonomike në të gjithë rajonin është nxitur nga rimëkëmbja e kërkesës së brendshme dhe zhvillimet në ekonominë globale. Vlerësohet se ekonomia e Shqipërisë ka vijuar të zgjerohet gjatë gjysmës së parë të 2015, si rezultat i investimeve të brendshme të mëdha. Megjithatë, mbetet nën potencialin e saj. “Ekonomia duhet të nxitet nga investimet dhe eksportet neto. Duhet pasur parasysh se konsumi privat ka mbetur i ulët e po kështu edhe besimi i konsumatorëve”, bën të ditur zyrtarët e BB-së.
Sa i përket konsolidimit fiskal, raporti bën të ditur se ai po mbështetet tek shpenzimet. Gjatë gjysmës së parë të 2015, shpenzimet janë tkurrur me 0.9% në bazë vjetore, me 195,6 mld lekë. Ne të kundërt, shpenzimet kapitale u rritën me 5.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014. Për të ardhurat, raporti tregon se përpjekjet për konsolidim kanë qenë më
Pak efektive se sa ato për shpenzimet, për shkak të mbledhjes së dobët të të ardhurave, si dhe inflacionit më të ulët se sa parashikimi. Shkak është edhe çmimi i naftës.
Sipas raportit të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë tkurrur me 4.1 dhe 3 % në terma vjetorë. Me gjithë rënien e të ardhurave (shkak kryesisht edhe i pengesave të administatës tatimore), zhvillimi i tyre është disi më e qëndrueshme. Kjo nga kërkesa e brendshme e nxitur nga investimet. Deficiti fiskal pritet të arrijë 5.1 % në 2015. Borxhi pritet të zbresë në nivelin 57.1% e PBB-së deri në 2019.
Banka Botërore vlerëson se rritja e PBB pritet të jetë 2.7 % në 2015 nga 2.1 që ishte për 2014-ën. Rreziqet më të mëdha për rritjen ekonomike janë: Niveli i lartë i kredive të këqija, gjë që kufizon rritjen e kreditimit dhe çmimet e ulëta të naftës.
Inflacioni mesatar ka qëndruar nën parashikimin prej 2-4 % si shkak i presione e deflacioniste nga jashtë dhë konsumit të brendshëm të ulët. Inflacioni tregoi tendenca pozitive gjatë muajve të parë të 2015 si shkak i paqëndrueshmërisë së ushqimeve të papërpunuara. Duke filluar nga maji 2015, çmimet e ulëta të importeve e kanë ulur inflacionin, duke arritur 1.3% në korrik. Norma e ulët e interesit e mbajtur nga BSH në 2%, pritet të nxisë kreditimit.
Kreditë e këqija janë ulur në 20.9% nga 22.4 që ishin në 2014. Por mbetet ende ndër më të lartët në rajon.
Sa i përket punësimit ai ka pësuar rritje me 10.6% krahasuar me 2014, por TM2 i 2015 tregoi nivel papunësie prej 17.3%, shifër që është ndër më të lartët në rajon, sikurse pohoi edhe ekonomistja e BB në vendin tonë, znj. Shijaku.
Sipas saj, vendi duhet të vijojë me reforma që të mund të rrisë konkurrueshmërinë dhe të ardhurat, pasi kjo do të mund të sjellë rritje më të lartë ekonomike.
Ndërsa, në panoramën e paraqitur për tregtinë e jashtme, shifrat tregonin se vlera e importeve ka pësuar ulje në terma vjetorë, importet e makinerive dhe pajisjeve kanë mbetur të larta, gjë që tregon rritjen e investimeve, IHD janë rritur me 53 % gjatë TM1 2015 dhe prurjet neto janë rritur me 26.5 % në vit. Kjo ka kontribuar pozitivisht në financimin e deficitit të llogarive korente, pavarësisht, citon raporti, uljes së të ardhurave nga eksporti, remitancave dhe prurjeve të investimeve të huaja direkte nga Greqia.
Shih tekstin e plotë të këtij raporti: