Kadare: Ballkani, mes Perandorisë Osmane dhe Europës

Sipas Shekulli Online, 26 shtator 2015

z_9888

Pse në këtë vit të fundit të mijëvjeçarit, bashkë me ballkanasit që rrinë kokulur përpara zonjës-nënë të tyre të dikurshme, Europës, duke pritur që ajo t’i pranojë në shtëpinë e vet, ka zënë radhën e po pret të hyjë edhe Turqia, bërthama e Perandorisë së lemerishme Otomane, ajo që ishte betuar mbi Kuran e mbi shpatë se do t’i shembte kulm e themel Europës së krishterë?

“Është e vërtetë se popujt e Ballkanit i bënë qëndresë Perandorisë, por po aq e vërtetë është se ata u bënë pjesë e saj, pra pjesëtarë në trofetë, në bëmat dhe në krimet e saj”. Kështu shkruan Ismail Kadare në veprën “Arti si mëkat”, e dalë dje në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”. I nxitur nga vepra e piktorit me origjinë shqiptare, Omer Kaleshi, nga kokat e tij mistike, Kadare shtyhet drejt një teme tepër të prekshme: Ballkani dhe Europa. Pritjen e gjatë të ballkanasve në portat e Europës, për t’u bashkuar me familjen biologjike, ai e sheh të pandashme nga raporti që Ballkani dhe ballkanasit kanë me të shkuarën nën Perandorinë Osmane.

Kadare shkruan se ballkanasit e kanë “harruar” dhe kanë spastruar historinë e tyre prej faktit se kanë bashkëpunuar me Perandorinë, duke u bërë pjesë e sundimit, e administratës, e ofiqeve… ndër të tjera shkrimtari vë re edhe një tjetër fakt, që… “të mbërthyer… pas armiqësisë ndaj njëri-tjetrit, ballkanasit, këta shkretanë të pandreqshëm e armiq të vetvetes, nuk arritën të dëshmojnë asnjëherë epilogun e historisë së tyre të gjatë me Perandorinë Osmane”. Bëhet fjalë pikërisht për ndikimin që ata patën mbi Perandorinë Osmane. “Turqia, bërthama e Perandorisë pushtuese, ajo që me shpatë dhe Kuran kishte bërë çnuk e çmos për t’i kthyer ballkanasit nga europianë në otomanë, e nga të krishterë në islamikë, në mbarim të kacafytjes përfundoi ajo vetë në një shtet laik e republikan”, shkruan Kadare. Por jo vetëm kaq, ëndrra e saj është pikërisht t’i bashkohet Europës.

Çka ka ndodhur midis Ballkanit dhe Perandorisë? Çka ka ndodhur midis të dyve dhe Europës? Përse në këtë vit të fundit të mijëvjeçarit, bashkë me ballkanasit që rrinë kokulur përpara zonjës-nënë të tyre të dikurshme, Europës, duke pritur që ajo t’i pranojë në shtëpinë e vet , ka zënë radhën e po pret të hyjë edhe Turqia, bërthama e Perandorisë së lemerishme Otomane, ajo që ishte betuar mbi Kuran e mbi shpatë se do t’i shembte kulm e themel Europës së krishterë? Ç’ka ndodhur? A mund të shpjegohet?A duhet? Le të përpiqemi: Pas gëlltitjes së Bizantit, gëlltitje pas së cilës Perandoria Osmane nuk ishte më ajo që kishte qenë, asaj i doli përpara një det i trazuar popujsh, një lëmsh i vështirë, nga më të vështirët e kësaj bote, qoftë për miqësi, qoftë për armiqësi. Shtriheshin rresht, me gjuhë dhe fytyra të rrezikshme, të ndryshme, heroike dhe groteske, njëkohësisht befasues, të paparashikueshëm.

Ishin, pa dyshim, një ledh mbrojtës i Europës së krishterë, por disa mendje vizionare të Perandorisë e kuptuan shumë shpejt se nga mbrojtës të kontinentit mëmë, mund të shërbenin në sulmin kundër tij. Dhe kështu, ashtu siç kishte bërë më parë me princat bizantinë, Perandoria zhvilloi me princat ballkanas politikën e njohur të fshikullit e të kulaçit. Plagët që hapte shpata e saj ushtuese, rrekej t’ua zbuste me postet e nishanet që u jepte bujarisht. Të rënë kështu në kurth, ballkanasit përjetuan gjatë 400 vjetëve një histori kundërthënëse, të cilën ende sot nuk janë në gjendje ose, më saktë, nuk kanë kurajën ta shpjegojnë. E parë nga një pikëshikim i distancuar, historia e Gadishullit Ballkanik është historia e një gjymtyre të prerë të kontinentit europian.

Një mijë e ca vjet më parë, një tjetër gadishull të prerë, atë të Pirenejve, Europa arriti ta rimerrte, me anë të Riconquistës. Me Ballkanin puna është më e ndërlikuar. Nuk është më Europa që rreket për ta fituar, me shpatë apo me diplomaci, janë ballkanasit vetë që duan të kthehen, ndërsa Europa mëdyshet. Te popujt ballkanas e kaukazianë tregojnë legjendën e shqiponjës së zënë rob, e cila arrin t’i shpëtojë robërisë e të kthehet prapë te familja e saj. Mirëpo, robëruesi i ka vënë shqiponjës një unazë në kthetra. Është kjo shenjë që e bën shpendin e arratisur të huaj për racën e vet. Familja nuk e pranon më shpendin e kthyer. Popujt ballkanas, pas mungesës së gjatë, qëndrojnë përpara portave të Europës, pa mundur ta fshehin dot shenjën që u ka lënë në trup e në ndërgjegje Perandoria Osmane. Ata kanë nostalgji për Europën, por bashkë me nostalgjinë ndiejnë nervozizëm e zemërim.

Nervozizëm për fajet e tyre, që s’duan t’i pranojnë, zemërim për harresën e gjatë të nënës kontinentale. Natyrisht, ashtu si çdo shtëpi që kërkon të dijë se ç’ka bërë në mërgimin e tij të gjatë djali plëngprishës që po i troket në portë, edhe Europa ka dashur të dijë se ç’kanë bërë këta popuj në atë mjegull e në atë terr pesëqindvjeçar. Dhe këtu nis një dramë e re: ajo e shpjegimit ose, më saktë, ajo e përçartjes. Sepse, më shumë se një shpjegimi të besueshëm, ajo që ballkanasit tregojnë për të kaluarën e tyre i ngjet një belbëzimi pa kuptim. Mund të thuhet kështu se as versioni otoman, sipas të cilit Perandoria i zbuti dhe i kultivoi ballkanasit kokëfortë, e as version i këtyre të fundit, sipas të cilit ata paraqiten si popuj martirë, që veç vringëllonin shpatat kundër pushtuesit, nuk i qëndron të vërtetës.

Një version i tretë na e jep atë që ka ndodhur. Është e vërtetë se popujt e Ballkanit i bënë qëndresë Perandorisë, por po aq e vërtetë është se ata u bënë pjesë e saj, pra pjesëtarë në trofetë, në bëmat dhe në krimet e saj. Në shekujt XIX e XX, kur popujt e Ballkanit, njëri pas tjetrit po shkëputeshin nga Perandoria, kur erdhi pra, ora e kujtimeve, secili nga këta popuj nisi të harronte atë pjesë të historisë që quhej e “turpshme”, domethënë bashkëpunimin, dhe të kujtonte veç pjesën “heroike”, atë të rebelimeve. Të mbërthyer kështu pas armiqësisë ndaj njëri-tjetrit, ballkanasit, këta shkretanë të pandreqshëm e armiq të vetvetes, nuk arritën të dëshmojnë asnjëherë epilogun e historisë së tyre të gjatë me Perandorinë Osmane. Ky epilog, ky bilanc përfundimtar i ndeshjes, është i çuditshëm e i madh, e megjithatë, ndonëse ka ndodhur në shekullin XX, në prani të të gjithëve, ende qëndron në terr, i pakapur prej syve tanë të verbër.

Epilogu ka të bëjë me pyetjen se a ka pasur një fitues e a ka pasur një humbës në këtë ndeshje pesëqindvjeçare midis Perandorisë Osmane dhe ballkanasve? Përgjigjja e kësaj pyetjeje përbën një paradoks të madh. Në përfundim të këtij rravgimi shekullor, ballkanasit, ndonëse në shumicën e kohës të mundur e të rrëzuar tragjikisht përtokë, pikërisht në kohën kur gongu i mbarimit të dramës po binte, arritën t’i jepnin një goditje fatale Perandorisë së tmerrshme. Goditja ishte e padukshme, e pabujshme, e tillë që s’kuptohej nga vinte, ndaj ishte e madhërishme: Turqia, bërthama e Perandorisë pushtuese, ajo që me shpatë dhe Kuran kishte bërë çnuk e çmos për t’i kthyer ballkanasit nga europianë në otomanë, e nga të krishterë në islamikë, në mbarim të kacafytjes përfundoi ajo vetë në një shtet laik e republikan. Ishte vepër e ballkanasve? Pa asnjë dyshim. Pesë shekuj përkitjeje pasiononte, një klimë e vazhdueshme zie dhe feste, dashurie dhe urrejtjeje, kur pas goditjes mizore, vinte përqafimi, e pas përqafimit, pra pesë shekuj bashkëjetese të tillë, diçka të tillë do të jepnin. Diçka të epërme, befasuese, që qëndronte sipër dekreteve, flamurëve, minareve e kishave. Në dyluftimin e Perandorisë, ballkanasit u dëmtuan vërtet, u shfytyruan, u gjymtuan rëndë, por ndryshimin më të madh e pësoi Perandoria.

Ndryshimi ndodhi në thellësi: në frymën e saj. Te qendra e shtetit të tmerrshëm, ëndrra e të cilit kishte qenë shfarosja e Europës së krishterë, lindi papritur ëndrra e kundërt: t’i bashkohet Europës, të kthehet në një rajon të saj. Vepër e ballkanasve, hakmarrja e tyre e vonuar? Pa dyshim. Vetëm ballkanasit mund t’ia ngjitnin atë virus. Gjithë ata gjeneralë që morën praktikisht në dorë ushtrinë, ata vezirë që drejtuan shtetin, ata guvernatorë e vezirë të mëdhenj, që komanduan pushtimet e mëdha, ata arkitektë që ndërtuan tempujt, në shumicën e tyre ishin me prejardhje ballkanase. Kishin qenë të krishterë e ishin kthyer në myslimanë, për hir të karrierës. Kështu që ishte e kuptueshme që, bashkë me frymën luftarake, zotësinë profesionale, ambicien e marrëzinë, do të pikonin në dejtë e plakur të Perandorisë nostalgjinë për europianizimin dhe krishterimin e tyre të humbur. Dhe bashkë me të do të pikonin ide të laicitetit e të lirisë. Dukuria nuk ishte e re.

Dihej tashmë nga të gjithë se, në kushte e rrethana të tjera, rreth dy mijë vjet më parë, në marrëdhëniet Romë-Greqi, kishte ndodhur pak a shumë diçka e ngjashme: pushtimi i fitimtarit prej frymës së të mundurit. Por ballkanasit nuk arrijnë ta kuptojnë e, aq më pak, ta shpjegojnë atë që ka ndodhur. Vazhdojnë të qëndrojnë në portat e Europës, dramatikë në moskuptimin e tyre, tragjikë në verbërinë e tyre. Smira për njëri-tjetrin ua errëson mendjen e çartur, përçartja e tyre vazhdon të jetë e pabesueshme. Kështu që ata s’janë në gjendje t’i shpjegojnë zonjës dhe nënës së tyre europiane trofenë që i kanë sjellë, njerkën e tyre të zënë robinjë, Turqinë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi