Shkollimi, shqiptarët paguajnë katër herë më shumë së në BE

Sipas Top Channel, 24 shtator 2015

Shkolla_Fan-S-Noli_01

Ndonëse janë populli i dytë më i varfër në Europë, shqiptarët janë ata që sakrifikojnë më shumë financiarisht për t’u arsimuar.

Përfundimi del nga krahasimi i të dhënave zyrtare mbi shpenzimet mujore të familjeve, që publikojnë institutet respektive të statistikave, Eurostat i Bashkimit Europian dhe Instituti Shqiptar i Statistikave.

Sipas Eurostat, në vitin 2014 familjet e Bashkimit Europian shpenzuan mesatarisht 1.1 për qind të buxhetit mujor për shkollim.

I marrë sipas vendeve, niveli më i ulët i këtij treguesi është në Lituani, ku familjet shpenzojnë mesatarisht 0.5 për qind të buxhetit për shkollim, ndërsa ekstremi më i lartë shënohet në Greqi me 2.1 për qind.

Kjo i bën grekët popullin që shpenzon më shumë për t’u arsimuar brenda Bashkimit Europian si përqindje ndaj buxhetit të disponueshëm.

Por nëse krahasohen me Shqipërinë, kampionët e BE-së mbeten dy herë pas. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2014, familjet shqiptare dedikuan për shkollim 4.2 për qind të shpenzimeve konsumatore për arsimin. Kjo është 2 herë më shumë se sa Greqia dhe gati 4 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Të dhënat zyrtare tregojnë se pesha e shpenzimeve për arsim në buxhetet e familjeve shqiptare është rritur me ritme të shpejta nga viti në vit.

Sipas Instat, në 2007 familjet shpenzonin 1.7 për qind të buxhetit për arsimin. Në 2009-ën shifra u rrit në 2 për qind, ndërsa vitin e kaluar arriti rekordin 4.2%.

Rritja e fortë e peshës së shpenzimeve për arsim gjatë viteve të fundit mund të jetë e lidhur me disa fenomenë. Së pari zgjerimin e universiteteve private dhe së dyti me faktin që shqiptarët tani kryejnë më shumë vite shkollimi.

Sipas Instat, gati gjysma e fondeve që familjet shpenzojnë për arsimin shkojnë për programet master. Por cilado qoftë arsyeja, shifrat tregojnë se në Shqipëri të shkollohesh është një sakrificë jo e vogël, të paktën nga ana financiare.

Dhe pas miratimit të ligjit të ri për arsimin, gjasat janë që në vitet e ardhshme shkollimi të bëhët edhe më i shtrenjtë, duke marrë gjithmonë e më shumë nga buxheti i familjeve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi