Koha për një shoqëri të dijes
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli, 24 shtator 2015
Këto ditë hyn në fuqi ligji i ri për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë. Është ligji i pestë në tranzicion dhe, me siguri, jo i fundit. Ligji erdhi pas një procesi kompleks debati e kundërshtish politike, akademike dhe publike. Nuk ka dilemë se ligji i ri është shumë më i mirë dhe profesional sesa ligji i mëparshëm, por gjithashtu, se standardet e ligjit të ri mbeten ende larg standardeve të larta për një arsim cilësor, produktiv dhe konkurrues.
Pozitiv dhe risi ishte edhe vetë fakti se për herë të parë në tranzicion pati një debat të hapur dhe pjesëmarrës publik mbi çështjet e arsimit të lartë. Procesi legjislativ në Shqipëri është politik, thellësisht politik, është dukshëm jo akademik dhe kështu, ishte e pritshme që veto politike të përcaktonte përzgjedhjen në pikat e debatuara. Një palë politike ka paralajmëruar se do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, një hap i cili, nëse ndodh, dhe nëse ka vendimmarrje miratuese, do ta ndalojë tërësisht procesin duke larguar zgjidhjen, qoftë atë të pjesshme.
Pala tjetër ka premtuar zbatim transparent e profesional të tij. Le ta monitorojmë. Në fund të fundit, kur politika merr vendime ka një të mirë,-ajo merr përgjegjësi dhe kështu, i kërkohen përgjegjësi për të zbatuar atë që ka premtuar dhe votuar. E njëjta logjikë vlen edhe për ligjin e ri. Duke marrë të mirëqenë vendimmarrjen politike dhe duke theksuar nevojën e madhe për reformim cilësor e profesional që ka sistemi ynë arsimor në çdo nivel të tij, sidomos arsimi i lartë, është koha të përqendrohemi në problematika konkrete me ndikim afatshkurtër dhe afatgjatë në procesin universitar dhe post-universitar.
Së pari, ligji shënon rekord në numrin e çështjeve për të cilat përcaktohet detyrimi i Këshillit të Ministrave ose Ministrisë së Arsimit për përgatitjen dhe nxjerrjen e akteve nënligjore. Në traditën e shteteve të brishta demokratike, siç është Shqipëria, shpesh ndodh që aktet nënligjore të prekin thelbin e ligjit, të devijojnë praktika të mira, të eksperimentojnë dhe të prodhojnë procedura e rregulla jo transparente dhe jo konkurruese. Shumica e akteve do duhej të kishin qenë gati (ligji ka më shumë se 5 muaj që është në debat për vendimmarrje), ose duhet të miratohen këtë vjeshtë në mënyrë që mandatet e reja universitare (shkurt-mars 2016) të nisin me frymën e ligjit të ri.
Pothuajse gjithnjë ato kanë qenë praktika të mbyllura, të publikuara vetëm pas vendimmarrjes, – tani është që praktika të ndryshojë për të ndjekur modelet pozitive të transparencës që vijnë nga të gjitha shoqëritë e zhvilluara dhe demokratike, ku aspiron të bëjë pjesë edhe Shqipëria. Së dyti, ligji i ri është premtuar se do t’i kushtojë vendin dhe vëmendjen e munguar kërkimit dhe kualifikimit shkencor. Aktualisht universitetet japin mësim, nuk bëjnë kërkime shkencore. Unë jam skeptik nëse kjo do ndryshojë në të ardhmen e afërt, por asgjë nuk na pengon të bëjnë diçka për ta ndryshuar.
Duke nisur nga gjëra të thjeshta, si për shembull, krijimin e njësive studimore në çdo universitet e fakultet (jo thjesht formale, siç janë sot), për trajtimin e çështjeve me interes publik, shoqëror dhe të zhvillimit. Aktualisht nuk ka asnjë njësi universitare që trajton çështjet e emigracionit, të monitorimit të demokracisë, të pushtetit vendor, të lirive dhe të drejtave të njeriut, të problematikës së arsimit të lartë, të arsimimit të shqiptarëve që banojnë jashtë, deri edhe të minoritetit, të problematikave fetare, të lidhjes midis shkencës e tregut të punës, etj.
Le të mësojmë nga praktika e ditëve të fundit: Universiteti i Napolit (Itali) asistoi qeveritë italiane dhe shqiptare për të zbuluar zonat e mbjella me kanabis në Shqipëri. Të paktën tri universitete gjermane kanë publikuar ditët e fundit raporte analitike mbi emigracionin përfshirë edhe emigracionin që vjen nga Ballkani. Po tek ne? Asgjë, absolutisht asgjë. Nuk ka studime, nuk ka investime për studime, nuk kërkon askush një rol universitar në këto fusha dhe se nuk ka edukatë ndaj kërkimit shkencor. Së treti, ka kohë që kanë nisur disa fushata kundër informalitetit.
Duke hequr fjalën “fushatë” dhe duke lënë mënjanë keqpërdorimet apo deformimet klienteliste gjatë zbatimit të tyre, në thelb ato synojnë një sistem social e ligjor të barabartë. Jo të drejtë, por formalisht të barabartë. Askush nuk merret me arsimin, një nga fushat më informale në vend. Ne sot kemi deputetë, ministra e zyrtarë të lartë që janë “diplomuar” në universitete të mbyllura si informale nga MAS apo produkte të tregut të diplomave në ndonjë vend fqinj me ne. Askush nuk e verifikon saktësinë e këtyre diplomave, kurse fshatarit që shet ca shishe qumësht ia kërkojmë të gjitha, – burimin, faturën, deklarimin, taksën.
Më tej, ne sot ende kemi shkolla e tekste informale, ende kemi nota e diploma informale, ende kemi një sistem problematik promovimi e rekrutimi, ende kemi trajtim diskriminues ndaj profesorëve dhe auditoreve akademike, ende kemi inflacion të dukshëm të titujve shkencorë dhe botimeve shkencore, ende kemi politika klienteliste monopol në raport me studimet e treta (doktoraturë) si edhe sisteme të mbyllura për konkurrencë të dijes në vetë institucionet universitare dhe akademike.
Këto ditë u bë publike një reviste “shkencore” ndërkombëtare, ku dy persona politikë me gradën më të lartë shkencore kanë botuar nga 4 artikuj në të njëjtin numër, ose së bashku, 8 nga 10 artikujt e revistës. Ne vijojmë të jemi një vend problematik në zhvillim e cilësi demokracie, dhe ndër vendet e pakta ku shumica e liderëve politikë mbajnë tituj të lartë shkencorë ose marrin dhurata tituj të lartë shkencorë nga universitete publike apo private. Fenomeni nuk është vetëm informal, por edhe ushqyes i një sistemi antivlerë.
Nuk është vetëm problemi se shumica paguajnë për të botuar apo se cilësia e këtyre botimeve është shpesh nën nivelin e shkollës së lartë, por është çështja sesi ne vijojmë të mbajmë në këmbë një sistem promovimi dhe “shkencor” korruptiv, informal, abuzues, dhe fyes për shkencën. Së katërti, ka një retorikë gati konsensuale politike kundër dhe gati alergji publike ndaj botës akademike. Shikoni drejtuesit kryesorë në disa institucioneve kushtetuese, gjyqtarët e prokurorët më të promovuar, guvernatorët tanë, drejtues të dhomave të biznesit, etj, dhe rrallë, shumë rrallë gjendet ndonjë që ka simbolikisht një artikull, libër apo kontribut shkencor në fushën ku drejton.
Shikoni strukturat drejtuese të partive: rrallë gjendet ndonjë person që ka një kontribut shkencor, publik apo profesional në jetë ndryshe nga shumica anonime, militante dhe imituese ndaj shefave politikë. Nga ana tjetër, Kryeministri, duke mbrojtur disa deputetë të emëruar prej tij nga bota informale, tha se parlamenti nuk mund të jetë vend shkencëtarësh. Ka vetëm pjesërisht të drejtë. Parlamenti të paktën duhet të jetë vend qytetarësh, produkt qytetarësh dhe pa të inkriminuar. Nëse ka shkencëtar nuk ka asgjë të keqe sepse të paktën ata nuk qëllojnë as me armë dhe as me grushta!
Pala tjetër politike gati sa nuk urdhëron pedagogët: dilni në protestë. Po përse? Cili pedagog serioz mund të protestojë për kauza partiake politike? Asnjë. Referuar politikave zyrtare: kur është hera e fundit që qeveritë kanë ndërhyrë financiarisht për trajtim më të mirë të botës akademike? Daton diku 10 vjet më parë. Prioritet janë zyrtarët e kamur, policët, punonjësit e shërbimit sekret, etj, etj, kurse bota akademike as ka qenë dhe as është pjesë e prioriteteve. Ajo thirret vetëm për dekor e fasadë sa herë politika mban fjalime, dhe thirret në kohë fushatash për tu dhënë politikanëve legjitimitet.
Së fundi, kush i mbron sot të drejtat e pedagogëve, stafeve akademike, institucioneve të shkencës dhe të gjithë atyre që kanë në fokus librin? Ministria e Arsimit? Jo, përkundrazi. Rektorët dhe drejtuesit e tjerë? Ata kanë më shumë interes raportet e mira me politikën vendimmarrëse sesa funksionin akademik. Atëherë kush? Absolutisht askush. Vetë institucionet akademike nuk kanë grupe përfaqësuese, mungojnë tërësisht rrjetet konsultuese dhe të avokatisë, nuk ekziston lidhje horizontale midis shtresës së kërkuesve shkencorë dhe se zëri akademik nuk dëgjohet as formalisht në shumicën e rasteve të vendimmarrjes edhe kur ato lidhen me profesionin apo fushë-aktivitetin e tyre.
Nuk është fjala për sindikata, por organizime përfaqësimi, debati, avokatie dhe promovimi për njerëzit e dijes. Mungesa e përfaqësimit dobëson rolin dhe zërin e tyre, i bën të brishtë ndaj presioneve dhe kërcënimeve ndaj tyre, u mohon mbrojtje në rastet e sulmeve të politikës ndaj tyre, u krijon censurë në promovimin publik dhe i bën ata gati të huaj për shoqërinë dhe debatet publike. Rregullimi i këtij defekti nuk është përgjegjësi ekzekutive, por i vetë botës akademike dhe universitare. Ata duhet të kërkojnë përfaqësim, të krijojnë network-e profesionale në dy nivelet, vertikal (ndër universitar, akademi dhe institute), si dhe horizontal (midis studiuesve të fushave specifike).
Detyra ekzekutive është vetëm ta mbështesë, ta njohë e promovojë për partneritet. Në traditën tonë shtetërore dhe politike numërohen me gishtat e dorës muajt kur vendimmarrja politike dhe shoqëria ka pasur prioritet arsimin dhe njerëzit e dijes. Tranzicioni nuk përbën përjashtim, tradita mbetet e njëjtë. Ne vijojmë t’i kushtojmë më shumë prioritet e vëmendje forcës, betonit, liderit politik, rehatisë personale, luftës për votën, kur në fakt, shoqëria e dijes, arsimi dhe dija janë baza, janë thelbi dhe janë burimi i vetëm i zhvillimit dhe ecjes dinjitoze të një kombi.
Afrim Krasniqi