Delegacioni i BE pranë OSBE: Korrupsioni mbetet një problem serioz

Sipas BallkanWeb, 18 shtator 2015

132156

Teksti i plotë i Raportit

Delegacioni i Bashkimit Europian pranë OSBE-s në Vjenë, ka mirepritur raportin e mbajtur përpara Këshillit të përgjithshëm të kësaj organizate, nga kreu komisionit të OSBE-s në Tiranë, ambasadori Florian Raunig.

“Siç pranohet edhe nga Kryetari i Prezencës së OSBE në raportin e Shqipërisë, janë bërë përpjekje të konsiderueshme, por janë të nevojshme edhe disa reforma të tjera në një numër fushash të rëndësishme, të tilla si: Reforma e administratës publike, reforma në sistemin gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar, mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë edhe ato kundër diskriminimit, si dhe e drejta për lirinë e fesë apo besimit”, thuhet ne deklaraten e BE-se.

Ashtu si OSBE-ja, dhe BE vëren se korrupsioni mbetet një problem serioz me të cilin Shqipëria duhet të luftojë, edhe në nivelet e zyrtarëve të lartë. “Pavarësisht përparimit në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin e kaluar, ai është ende i përhapur në shumë fusha duke përfshirë edhe gjyqësorin, dhe mbetet një problem veçanërisht serioz. Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj dhe të zbatojë strategjinë dhe planin e veprimit anti-korrupsion, të miratuar rishtazi. Lufta kundër krimit të organizuar tregon një trend pozitiv në një numër fushash, me një intensifikim të aktiviteteve të zbatimit të ligjit, duke përfshirë krimet e lidhura me drogën, krimin ekonomik, dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mesin e zyrtarëve të nivelit të lartë, duhet të mbetet një prioritet i lartë”.

Një tjetër pikë ku ndalet vëmendja e BE-së është vijimi me reformën në drejtësi, një angazhim i marrë tashmë nga Shqipëria. “Një reformë e plotë në gjyqësor mbetet vendimtare. Përpjekje më e madhe është e nevojshme për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur, me gjyqtarë të përgjegjshëm që respektojnë sundimin e ligjit. Reforma efektive në drejtësi është potencialisht transformuese për Shqipërinë dhe do të mbështesë veprime të tjera për të trajtuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ajo gjithashtu do të inkurajojë investimet e huaja dhe rritjen ekonomike, përmes një klime të drejtë, të bazuar në rregullat e biznesit”.

Bashkimi Evropian ndan vlerësimin e Kryetarit të Prezencës së OSBE-se se një dialog i qëndrueshëm politik mes qeverisë dhe opozitës dhe puna konstruktive në Parlament mbeten elemente të rëndësishme për një proces reformash të suksesshme. Në këtë drejtim, BE-ja i bën thirrje të gjitha partive të përqendrohen dhe të rifillojnë dialogun politik në frymën e transparencës dhe moderimit.

Në raport theksohet se, “Ne i mirëpresim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it me qëllim përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri në përputhje me angazhimet dhe standardet e OSBE-së. Bashkimi Evropian inkurajon Shqipërinë për të zbatuar këto rekomandime dhe ato të raporteve të mëparshme. Ne i përgëzojmë përpjekjet e Shqipërisë në njohjen e sfidave të përballjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe në organizimin e një samiti mbi këtë çështje në Tiranë më 19-21 maj 2015. Në fushën e të drejtave të njeriut, Bashkimi Evropian vë në dukje se ndërsa korniza e përgjithshme ligjore ekziston, zbatimi i saj mbetet ende një sfidë dhe janë të nevojshme disa rishikime. Adoptimi i legjislacionit në mënyrë që të sigurojë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues ndaj personave që i përkasin të gjitha minoriteteve mbetet vendimtar. Ne theksojmë vlerën e bashkëpunimit rajonal dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në këtë drejtim. Ne mirëpresim përpjekjet e Prezencës për cuar më tej bashkëpunimin rajonal”

“Bashkimi Evropian i kërkon Prezencës së OSBE-së që të përdorë të gjitha kapacitetet e institucioneve të OSBE-së dhe të punojë ngushte dhe bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë relevantë në mënyrë që të optimizohet rezultati në kuadër të aspiratave të Shqipërisë për t’u integruar në BE”, thuhet në komunikatën e delegacionit të unionit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi