Samiti i Vienës dhe përfitimet që mori Shqipëria

Nga Ardian Haçkaj, drejtor ShtetiWeb, intervistë për Revistën Monitor, 14 shteator 2015

10x15_ES15_WBCSFPR_581

Në Samitin e Vjenës u diskutua edhe çështja e Korridorit të kaltër, ku u kërkua nga liderët e rajonit ndihmë nga BE-ja për financimin e tij, por në renditjen e projekteve ( 6 në infrastrukturë) nuk ka të përcaktuar asnjë fond për Shqipërinë (ne jemi të përfshirë vetëm në projektet e energjisë). Çfarë është ky projekt, cili është qëllimi i ndërtimit të këtij Korridori?

Pavarësisht nga emri egzotik, Korridori i Kaltër (KK) nënkupton rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjetit rrugor ekzistues që mundëson lidhje me superstradë si mes vendeve të Ballkanit Perëndimor: nga Kroacia në Shqipëri; ashtu dhe mes vendeve të BE-së: mes Evropës Qendrore dhe Italisë së Veriut nëpërmjet Sllovenisë, Kroacisë, BIH, Malit të Zi, Shqipërisë për të arritur në Greqi. Pjesa e këtij korridori në Shqipëri, fillon nga pika doganore në Murriqan, duke vijuar në rrugën Shkodër-Lezhë, dhe ndërlidhet me pjesën Vorë-Durrës-Lushnjë-Fier-Levan-Gjirokastër-Kakavijë. KK e zgjeron dhe e sjell rrugën egzistuese në parametrat e një superstrade në nivele evropiane. Përsa i përket fondeve, në fazën e tanishme nuk egziston studimi i realizueshmërisë dhe prioritarizimi / kostimi real i investimeve të cilat do të bëjnë të mundur kthimin e rrjetit rrugor egzistues në një KK. Përsa i përket tipologjisë së ndihmave financiare, studimi dhe projektimet financohen nëpërmjet granteve. Ndërsa punimet duhet të mbulohen nga kredi nga BERZh, BEI, dhe detyrimisht me bashkëfinancim nga buxheti i shtetit.

Kjo inisiativë është përfshirë në strategjinë e zgjerimit indikativ të Rrjetit Kyc TEN-T (TEN-T core netëork) sipas deklaratës së përbashkët të gjashtë ministrave të Ballkanit Perëndimor në prill 2015 në Bruksel.

 Në çfarë faze është Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit në lidhje me SPP? Çfarë vështirësish po hasen për të qenë koherent me ata?

Aktualisht në Shqipëri është aprovuar ligji për investimet strategjike dhe nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë po punohet për përgatitjen e një liste projektesh për çdo sektor aktiviteti. Serbia e ka të ngritur sistemin për përzgjedhjen e projekteve dhe investimeve strategjike; në Mal të Zi janë ngritur strukturat dhe pritet të përfundojë një liste indikative projektesh brenda shtatorit. Në BiH po punohet vetëm me sektorin e trasportit dhe sektorët e tjerë janë lenë jashtë. Në Kosovë kjo detyrë i është ngarkuar një projekti asistence teknike pranë Kryeministrisë. Kjo listë nuk është fikse – mund të ndryshojë në varësi të prioriteteve dhe të nevojave. E rëndësishme është ndërtimi dhe aplikimi i procedurave – angazhimi i institucioneve në pergatitjen profesionale dhe sipas kushteve të BE-së të projekteve, transparenca në përzgjedhjen e prioriteteve, dhe përdorimi efikas i burimeve të ndryshme financiare, buxhet shtetëror/kredi apo ndihma. Përsa i përket bashkëpunimit ndërqeveritar, qeveritë shqiptare dhe malazeze kanë dërguar një aplikim të përbashkët për fonde për të siguruar asistencë teknike nga Western Balkans Investment Fund (WBIF) për të bërë studimin e KK, i cili pritet të japë një kosto më të saktë të investimit të nevojshëm,

Si duhet të lobojë praktikisht Shqipëria, çfarë duhet të ketë parasysh qeveria shqiptare?

Lobimi më i mirë është pergatitja me profesionalizëm të lartë të projekteve të përfshirë në listën e vetme të projekteve strategjike. Sa më të sakta kërkesat aq më të financueshme janë ato. Në Samitin e Vienës, Komisioneri Hahn përmendi dhe shtrirjen e Fondit të Investimeve Juncker (rreth 300 mld euro) dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kur e pyeta pas mbledhjes, nëse ishte me të vertetë nje mundesi reale apo thjesht një deklaratë për të na bërë të ndjehemi më mirë, Z. Hahn m’u përgjigj që nuk është e pakonceptueshme që një pjesë e këtij mekanizmi financiar të alokohet për Ballkanin. Besoj që një lobim i koordinuar mes qeverive të Ballkanit së bashku me përfaqësues të biznesit dhe të shoqerisë civile, do të kontribuonte realisht për zgjerimin e fondeve në dispozicion për zhvillimin e Ballkanit si dhe në pershtatjen e procedurave të perzgjedhjes sipas veçorive të rajonit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi