Edukimi është thelbësor për prosperitetin e vendit

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 12 shtator 2015

Rexhep MeidaniMe hapjen e sesionit parlamentar, shumica është deklaruar për një rivotim të menjëhershëm, pa reflektim e korrigjim, të ligjeve të kthyera nga Presidenti i Republikës. Me që jemi në prag të nisjes së vitit shkollor, me interes është ligji i arsimit, që krijoi mjaft pështjellim brenda trupës pedagogjike, por dhe tension e konflikt midis universitete publike e atyre private, drejtimeve të tyre. Sidoqoftë, përveç mangësive të ligjit, për të cilët janë shprehur specialistët, një shqetësim më vete, në gjykimin tim, mbetet dhe përkujdesja politike e qeveritare, buxheti i përcaktuar për edukimin.

A mjafton ky buxhet për edukimin?
Mbështetja financiare e përcaktuar për edukimin flet për rëndësinë që i kushtohet atij nga shoqëria, pra dhe Qeveria e Parlamenti. Kështu, përqindja e buxhetit për edukimin, ndaj PBB-së, është një tregues i prioritetit për këtë sektor të rëndësishëm të zhvillimit të vendit, të sotmes dhe të ardhmes së tij. Kjo para e taksapaguesve nuk shkon vetëm për institucionet arsimore, trupën pedagogjike e administratat e tyre, por dhe për veprimtari të tjera (qendrore e vendore) të lidhura me edukimin.

Në Shqipërinë e tranzicionit, edhe pse nevojitej një mbështetje financiare shumë më e lartë për riorganizim sistemi e rritje cilësore, ky buxhet ka qenë relativisht i reduktuar. Për krahasim, ky shpenzim për edukimin ndaj PBB-së, para e pas tranzicionit, ka lëvizur në këto vlera: 5% (1980), 5.5% (1985), 6% (1990), afro 3.7- 3.3 % (1991-1999), 3.3-2.9 % (2000-2002) apo 3.4% më 2004 (ndërkohë që mesatarja e vendeve të zhvilluara, atë vit, ka qenë mbi 4.5%).

Kjo vlerë, në Shqipëri, ra në 3.2%, më 2007 (ndërkohë që kjo mesatare e vendeve të zhvilluara u rrit deri në 4.6%). Po ashtu, më 2009, për edukimin u parashikua një buxhet prej 3.2% të PPB-së; dhe më tej ai ra nën vlerën 3% në 2010, në 2.8% në 2011 (pra, shumë poshtë mesatares së vendeve të zhvilluara). Ndërsa, përqindja e buxhetit për edukimin ndaj buxhetit të plotë, nga 11.3% më 2002 u bë 15.5% më 2003, me një rritje në 2-3 vitet pasuese dhe afro 16% më 2011. Kurse, sipas të dhënave të fundit, mesa duket, ai është afro 9.4% (2015). Pra, ka rënie të dukshme, ndryshe nga ajo që po ndodh në mjaft vende, ku krizës po i përgjigjen me investime më të rritura në kapitalin njerëzor, si çelës ky për të minimizuar ndikimet e krizës ekonomike, pra krejt ndryshe nga përafrimi ynë…

Disa shembuj të tjerë
Në fakt, buxheti i shteteve të ndryshme për edukimin është i larmishëm. Sipas të dhënave të periudhës 2014-2015, përqindja e buxhetit për edukimin ndaj atij të përgjithshëm, është, p.sh.: Në Kanada 12.7 % e të gjithë buxhetit, në SHBA 17.1%, në Meksikë 24.3%; në Norvegji 16.2 %, në Suedi 12.8%, në Mbretërinë e Bashkuar 11.5%, në Francë 11.4%, në Spanjë 11.3%, në Itali 10.3%, në Gjermani 9.5%, etj. Apo, akoma, në Marok buxheti për edukimin është 26.4% e buxhetit të plotë, në Emiratet e Bashkuara ai ka arritur vlerën 22.5% të tij, në Afrikën e Jugut 18.5%, në Iran 17.7%; në Korenë e Jugut 15.5%, në Zelandën e Re 15.1%, në Australi 13.3%, në Indi 12.7%, në Kinë 12.1%, në Rusi 11.5%, në Japoni 10.5%, etj. Natyrisht, krahas përqindjeve relative, e rëndësishme është dhe vlera absolute e tij.

Kurse, në përqindje të PBB-së, për buxhetin e arsimit të viteve 2011-2012, disa të dhëna, sipas Bankës Botërore, janë si më poshtë: Austria 5.6% (2011); Belgjika 6.4% (2011); Kroacia 4.2% (2011), Çekia 4.3% (2011); Finlanda 6.5% (2011), 7.2% (2012), Franca 5,5% (2012), Gjermania 4.8% (2011); Japonia 3.8% (2000-2013), Malta 6.8% (2012), Moldavia 8.3% (2012), Zelanda e Re 7.4% (2012), Norvegjia 6.6% (2011), Rumania 3% (2012), Sllovenia 5.6% (2011), Zvicra 5% (2012), Suedia 6.5% (2011), UK 5.8% (2011), USA 5.2% (2011) etj. Sidoqoftë, në periudhën 2011-2012, shumë nga këto vende kanë përjetuar situata të vështira ekonomike, sidomos në Europë, ndërkohë që SHBA-të arritën përmirësime të dukshme.

Edukimi është thelbësor për prosperitetin e vendit
Në Shqipëri, disa politikanë, edhe pse nuk kanë kryer shkolla të vërteta apo kanë vazhduar gjysmëshkolla, po tentojnë sot me arrogancë ta “demonizojnë” shkollën, trupën e mësuesve e pedagogëve, vetë sistemin tonë të edukimit, më shpesh për synime të qarta politike. Pa dyshim, nuk mohohet që në disa aspekte të edukimit, ashtu si në fusha të ndryshme, është ecur relativisht mirë, në disa të dyta ka vendnumëro, dhe në aspekte të tjera ka ecje të qartë prapa.

Por, ajo që kërkohet sot nuk është mohimi e diskriminimi, por mbështetja e inkurajimi. Aq më tepër që për qytetarin shqiptar si karakteristikë parësore mbetet dëshira për shkollim. Edukimi, pra, mbetet një orientim e angazhim serioz për familjen e shoqërinë. Dhe kjo ndeshet në çdo komunitet e grup social-politik në Shqipëri.
Mund të mos bihet dakord për reforma e struktura konkrete shkollimi, për programe e subjekte të caktuara në mësimdhënie, për thellësi të trajtimit të tyre në klasë, për orët ose ngarkesën mësimore (p.sh., a duhet të shtohen orën e Fizkulturës apo ato të Matematikës e Fizikës, njohuritë sociale-filozofike apo ato teknike-teknologjike?!) etj.

Apo, p.sh., cila qeverisje duhet ta financojë kryesisht edukimin? Por, ama, asnjë komunitet, shtresim, grup e parti politike nuk e mohon se edukimi universal është sa fitore qytetare, po aq dhe e drejtë njerëzore e kushtetuese. Dhe ky edukim, pa dallim, është parësor për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, sidomos rritja e cilësisë së tij. Ky konceptim është bazë e idealeve civile e demokratike; ai luan një rol të madh në formësimin e qytetarit në funksionimin e demokracisë dhe pjesëmarrjen aktive të tij.

Po ashtu, një shkollim cilësor, përfshirë edukimin profesional, e fuqizon ekonominë, duke e bërë qytetarin punonjës e administrator të aftë, të drejtë, produktiv e efektiv. Parë me këtë sy, që politikat ekonomike të orientohen drejt, ky orientim ka nevojë për forcim të cilësisë së edukimit, pa atë ai nuk mund të rezultojë premtues. Në fakt, jemi ende shumë larg!

Vetë politika mund të shfaqë mangësi të theksuara në konceptim, por ato mund të korrigjohen nga “rrethimi” i specialistëve, që formulojnë orientimet politike-ekonomike. Në mënyrë të veçantë, duhet pasqyruar me ndershmëri realiteti ekonomik në debatin publik, pra jo me propagandë, por me diskutime profesionale midis ekonomistëve. Sepse, gjithmonë, nëpërmjet debatit gjendet hapësirë për përmirësim e përzgjedhje, ndërkohë që një përafrim i tillë metodik nuk duket rasti ynë!…

Pa para të mjaftueshme nuk arrihet cilësi
Shpesh mendohet se qeveria nuk duhet të ndërhyjë në ecurinë konkrete ekonomike, për korrigjimin e “lajthitjeve” të saj. Ajo duhet të angazhohet vetëm në zhvillimin e mjedisit të duhur për një ecuri normale. Ndërkohë, për të tjerë, kjo ndërhyrje është e nevojshme në shmangien e deformimeve të tregut. Ekziston dhe një kategori tjetër që e parapëlqen dhe e çon këtë ndërhyrje në ekstrem, duke cenuar parimet bazë të ekonomisë liberale të tregut.

Ka mjaft shenja, veprime e konceptime, në kushtet tona, për këtë të fundit. Madje, synohet që gjithçka të zgjidhet me “shkopin” e policit dhe “uniformën” e tij! Por, le të kthehemi përsëri tek edukimi, pesha e tij në zhvillimin e vendit. Mesa shihet, për këtë të gjithë janë dakord, pavarësisht përafrimeve e orientimeve ideologjike e krahëve politikë-partiakë. Edhe pse qejfi mund t’ia ketë për një dorë te “byreku”- shkollë , te komuniteti i madh i mësuesve!…

Po të analizohen vende të ndryshme, mund të flitet për dy kategori të arritjes së prosperitetit të tyre. Një kategori është ajo e vendeve që kanë burime të shumta natyrore, p.sh., rezerva ari, nafte etj.; dhe kategoria tjetër është ajo e vendeve, që kanë nivel të lartë qytetarie e edukimi, por pasuri natyrore relativisht të kufizuara. P.sh., shumë vende të Europës Veriore e Perëndimore, gëzojnë një standard të lartë ekonomik, social e kulturor, jo nga burimet e tyre natyrore, që i kanë modeste, por nga niveli i lartë i shkollimit, krahasuar me vende të pasura, p.sh., ato arabe me rezerva të mëdha nafte, që bëjnë ende pak për edukimin e rinisë së tyre.

Përvoja e shumë vendeve të zhvilluara tregon se, që një vend të ecë mirë ekonomikisht, duhet të ndërtojë një sistem shkollimi funksional e koherent, të mbështetur mirë nga ana financiare. Tipikë janë Singapori e Hong Kongu, por dhe Japonia me burime natyrore të pakta. Ecuri tepër pozitive ka dhe Finlanda në Europë. Por, Japonia, në fakt, ka arritur një standard të lartë teknologjik, me të cilin konkurron të gjitha vendet e tjera. Dhe të mos harrohet që, deri në fund të shekullit XIX, ekonomia e saj ishte thjesht peshkimi!

Madje dhe pas kapitullimit, Japonia, si një vend me bazë industriale krejtësisht të shkatërruar, “shpëtimin” e saj e kërkoi te ndërtimi i një sistemi edukimi të rangut të parë. Si rezultat, u arrit shumë shpejt një nivel i lartë teknologjik e ekonomik, duke e bërë Japoninë, për një periudhë të gjatë, ekonominë e dytë botërore. Këtë vend tashmë po e zë Kina me popullsi shumë herë më të madhe (duke konkurruar tashmë vetë ekonominë amerikane), por dhe me një shtrirje e cilësi edukimi në rritje. Vendnumëroja e Japonisë, vitet e fundit, nuk ka të bëjë me edukimin, por me faktorë të tjerë, përfshirë dhe vjetrimin e popullsisë së saj. Prandaj, mjaft vende e kanë ndjekur rastin e Japonisë. I tillë është, p.sh., Tajvani, ku arritjet ekonomike lidhen ngushtë dhe me rezultate të dukshme në shkollim. Sepse është edukimi që favorizon konkurrencën e shpejton progresin.

Por cili duhet të paguajë për edukimin?
Gjithkush që përfiton prej tij. Pra, të gjithë! Në fakt, shekuj më parë, revolucioni industrial e zhvendosi edukimin nga një grusht njerëzish të privilegjuar në të gjithë masën e popullsisë. Megjithatë, po t’iu lihet njerëzve zgjedhja individuale për të blerë direkt, me para të nxjerra nga xhepi i tyre, aq shkollë e edukim sa ata dëshirojnë, rezultati nuk mund të jetë premtues, për mjaft arsye, por dhe për ato ekonomike-financiare. Në të vërtetë, përgjigja duhet të kërkohet te po ato parime ekonomike bazë.

Sepse, vetë edukimi nuk vlen thjesht për personin që shkollohet, por dhe për të tjerët rreth tij; madje kur qytetari është më produktiv, ai kontribuon më mirë për ekonominë duke kontribuar për shoqërinë përtej pagesës konkrete. Ndërkohë, edhe me formësimin e tij sa më adekuat, ai i shërben një klime e mjedisi më moral, me më pak akte vjedhjeje e abuzimi, dhune e krimi. Pra, sipas ekonomistëve, ka mjaft aspekte pozitive të lidhura me edukimin, apo “eksternalitetet” pozitive të tij. Sepse, të mirat e krijuara në një mjedis të shkolluar u shërbejnë të gjithëve; ato shpërndahen te të gjithë (d.m.th. dhe te njerëzit e tjerë, që janë “eksternalë” për individin që po harxhon para për shkollim).

Në këtë kuptim, është e rëndësishme për qytetarët e një vendi që të japin kontributin e tyre kolektiv, taksën ose paranë e përbashkët për edukimin, përtej asaj paraje që disa individë kanë vendosur ta shpenzojnë individualisht për këtë qellim. Si problem mbetet përcaktimi i drejtë i rëndesës financiare mbi supet e qytetarit, pikërisht për kontributin e përbashkët, veç shpenzimeve të veçanta të individit jashtë skemës së parë. Por, ama, nuk mund të mohohet nevoja për financimin e edukimit, përfshirë dhe atë të lartë, në një përqindje të lartë nga buxheti (i përbashkët) i qeverisë, qoftë si shpenzim brezash, qoftë si borxh për t’u shlyer me punë e shërbim në të ardhmen.

Nga ana tjetër, me vlerë është dhe përdorimi i parasë së përbashkët për shkollimin e të rinjve me talent të veçantë, brenda e jashtë vendit, nëpërmjet bursave e mbështetjeve të tjera, apo për të reduktuar borxhin për pagesë shkolle. Pa këtë kontribut shtesë mund të humbasin potenciale të tilla. Ato duhen mbështetur e zhvilluar me përkujdesje e dashuri, por kjo nuk mund të arrihet pa mbështetje serioze financiare! Një mbështetje të veçantë kërkojnë dhe shkollat e reja profesionale, edhe pse njëanësimi i tepruar mund të konsiderohet si “pasqyrë” e thyerjes së tregut të punës.

Së fundi, pavarësisht çfarë thuhet, në shumë fusha, sidomos ato matematiko-natyrore e teknike, cilësia e shkollimit është, sot, larg arritjeve të dikurshme. Me këtë rezultat shqetësues të dekadës apo dy dekadave të fundit, një përgjegjësi të drejtpërdrejtë duhet të ndiejë politika, aq më keq që me të lidhet dhe cilësia e mësimdhënies, sidomos në shkollën e mesme. Pra, në shumë fusha që lidhen me të ardhmen e vendit, nuk po ecet në drejtimin e duhur, si në aspektin politik-ekonomik, ashtu dhe atë social-ekonomik; nga një gjë e tillë nuk ka shpëtuar dot as edukimi. Në të vërtetë, ai nuk mund të jetë një “perpetuum mobile”, se pa para ai nuk shkon dot gjëkundi, jo më të rilindë!…

Edukimi s’e gëlltit arbitraritetin e nënshtrimin
Dy-tri vite më parë, debati politik mbi sistemin e taksimit, edhe pse tepër specifik, pati ngjyrosje të qartë politike. Dhe kjo, kur vetëm një elitë e ngushtë specialistësh mund ta vlerësonte në detaje atë! Ende, sot, nuk është i qartë rezultati, aq sa kanë filluar të dëgjohen zëra edhe nga pozita qeverisëse për zëvendësim të tij! Një përafrim i ngjashëm, apo ai populist, do të ishte akoma më i gabuar për shkollimin, rrugët e realizimit të tij, përzgjedhjen e programeve mësimore, teksteve mësimore të huaja pa eksperimentin e domosdoshëm paraprak etj.

Kështu, nuk mund të motivohet lufta kundër mediokritetit apo “anti-intelektualizmit” në edukim, brenda shoqërisë e administratës publike. Në të vërtetë, shkollimi i mirë, në një mënyrë apo tjetrën, i shërben rritjes ekonomike. Ai nuk arrihet vetëm nga një elitë profesorësh e shkencëtarësh, por nga një shtresim i konsoliduar mësuesish të talentuar në një proces të vazhduar formësimi(formation permanente (fr.) apo continuing education (ang.)) Krahas profesionalizmit, me rëndësi është dhe aplikimi e transmetimi i koncepteve liberale në shkollë, transmetimi i sjelljes qytetare e demokratike, larg indoktrinimit e ngjyrosjeve politike-partiake.

Për t’i imponuar këto të fundit, në regjime hibride e autoritare vihet re një trysni deri sulm i ashpër ndaj këtij orientimi liberal e demokratik të shkollimit. Atje, në vend të përgatitjes së nxënësve e studentëve si mbrojtës të lirisë, dinjitetit njerëzor, drejtësisë e demokracisë, si kundërshtarë të autoritarizmit, arbitraritetit e arrogancës, dëshirohet e synohet e kundërta: të rinj të nënshtruar, të bindur, deri të indoktrinuar. Përvoja e së kaluarës moniste është ende e gjallë, madje, pavarësisht çfarë propagandohet, shenja të tilla vazhdojnë të vihen re në regjimet hibride të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Në situata të tilla, paraja publike për edukimin, edhe sikur të ishte e bollshme, shpenzohet pa efektivitet civil e qytetar. Prandaj, nuk duhen mbyllur sytë, nuk duhet lejuar, në asnjë mënyrë, sulmi politik mbi shkollën, sidomos atë të lartë, këtë djep të fuqishëm zhvillimi e liberalizmi. Çdo reagim demokratik ndaj këtij sulmi apo ndaj çdo abuzimi politik të ngjashëm në fushën e edukimit është përgjigja e duhur, shndërrimi i saj në thelbin apo zemrën e edukimit.

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi