Komisioni i Ekonomisë, 5 kritika qeverisë për gjendjen buxhetore
Sipas Monitor, 11 korrik 2015
Me miratimin e aktit normativ për ndryshimet në buxhet, kur të ardhurat e pritshme të këtij viti u shkurtuan me mbi 16 miliardë lekë, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka lëshuar kritika ndaj qeverisë në pesë drejtime që vlejnë për përmirësimin e situatës fiskale.
Parlamentarët socialistë në Komisionin e Ekonomisë i ka përqëndruar kritikat ndaj ministrisë së Financave për planifikimet tejet optimiste, duke rekomanduar me këtë rast përmirësimin e metodologjive të parashikimit.
1. Parashikimi optimist i PBB dhe i të ardhurave është një tendencë që vijon prej viteve të mëparshme, por për vitin 2015 duket edhe më i theksuar. Ky fenomen cënon përdorimin efektiv dhe efikas të burimeve financiare publike, dëmton qëndrueshmërinë e buxhetit dhe procesin e planifikimit të buxhetit vjetor e të kuadrit fiskal afatmesëm. Saktësimi i parashikimit të të ardhurave dhe frenimi i kësaj tendence gjatë viteve të ardhshme duhet të jetë prioritet. Përmirësimi i metodologjisë së planifikimit, si dhe vendosja e rregullave ligjërisht detyruese në këtë proces janë disa nga kërkesat e Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike.
2. Vijimi me ritëm më të shpejtë i reformave strukturore dhe i prioritizimit të ekonomisë i shërben rritjes ekonomike me ritme më të larta, rritjes së punësimit, përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjes së besimit të investitorëve.
3. Një prioritet tjetër mbetet përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të administratave tatimore e doganore, si dhe forcimit të luftës kundër informalitetit, kontrabandës dhe evazionit fiskal. Nisma e nisur e Qeverisë për këtë çështje nuk duhet të ndalet, përkundrazi duhet të intensifikohet më shumë.
4. Rritja e investimeve publike dhe e cilësisë së tyre është një ndër faktorët kryesorë të rritjes ekonomike, të punësimit, të ardhurave dhe mirëqenies së qytetarëve. Menaxhimi i projekteve të investimeve nga ministritë dhe institucionet buxhetore duhet të përmirësohet më tej, veçanërisht i projekteve me financim të huaj, për të cilat shkalla e disbursimit të fondeve duhet të rritet. Respektimi i kuadrit ligjor e nënligjor dhe i kontratave nga njësitë e zbatimit të projekteve vijon të mbetet problematik dhe duhet të vihet në rrugën e zgjidhjes.
5. Rishikimi i ligjit organik të buxhetit, në drejtim të vendosjes së rregullit fiskal dhe përmirësimit të funksionimit të financave publike, është një ndër detyrimet e parashikuara 11 në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 dhe duhet të trajtohet me përparësi