E bukura (tatimorët) dhe bisha (bizneset)!
Nga Monitor, 7 gusht 2015
Nuk ka asnjë dyshim që informaliteti në Shqipëri është i lartë. Shifrat zyrtare e llogarisin atë në nivelin e 35%, por vlerësohet se ai është më i lartë, duke gllabëruar deri në gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto, e duke e privuar qeverinë nga mundësia për të rritur pagat, pensionet e investimet kapitale. E në këtë situatë, çdo veprim për të ulur informalitetin në ekonomi, pa asnjë dyshim që do të ishte i mirëpritur.
Por, skenat e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë përtej normalitetit. Deklarata të drejtpërdrejta të kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë për luftë nuk duket se japin mesazhin e duhur për biznesin, që po vepron në një ekonomi që prej disa vitesh po rritet tepër ngadalë. Ajo për të cilën të vjen më tepër keq është fakti që biznesi është shndërruar në një “bishë” dhe po fajësohet për evazionin e lartë dhe tatimorët ata që po shfaqen si “e bukura”, që po shpëtojnë ekonominë nga ky ves i sëmurë. Nëse informaliteti është i lartë, fajtorë janë të dyja palët, madje pak më shumë përfaqësuesit e institucioneve qeveritare, që kanë mbyllur njërin sy, apo janë bërë palë e manovrave të pafund për devijimin e taksave nga buxheti i shtetit.
Sinjalet e frikës që po dërgohen te të gjithë lojtarët në treg u shtuan dhe më shumë pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurave me gjoba të imagjinueshme prej deri në 10 milionë lekë për mospërdorimin e kuponit, që nuk do ta përballonte as një biznes me aktivitet të qëndrueshëm (një ftesë e hapur kjo për të mbyllur biznesin, apo për të rritur ryshfetin, këtë nuk e ndajmë dot?!).
Nuk duhet anashkaluar as ndikimi i mundshëm në rritjen ekonomike të këtij aksioni të radhës. Viktima e parë, që u shfytyrua dhe u “mbyll në kështjellë” është biznesi i vogël. Pa i marrë në mbrojtje ata që për vite kishin operuar pa pasur as dokumentin minimal të operimit të aktivitetit, pikëpyetja qëndron nëse sipërmarrjet e vogla, që u gjendën në frontin e parë të betejës dhe që në pjesën më të madhe veprojnë në kushtet e mbijetesës, do të arrijnë të amortizojnë, apo t’i mbijetojnë kësaj “goditjeje” të fortë. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar përbëjnë më shumë se 90% të totalit dhe kanë një rol të rëndësishëm në punësim, me rreth 35% të të punësuarve gjithsej, por shumë më të ulët në ekonomi, pasi ato realizojnë rreth 16% të shitjeve neto dhe po aq të investimeve.
Në frontin e fundit, por jo më pak të rëndësishëm, ndodhen ndërmarrjet me 80 e më shumë të punësuar, që ndonëse zënë vetëm 1% të totalit të ndërmarrjeve, kanë 31,5% të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizojnë gati 40% të shitjeve neto dhe ajo që është më domethënëse kryejnë rreth 54% të investimeve. Dhe pas bombardimeve në media për LUFTË, perceptimi i biznesit është që “pse tani që filloi lufta do investoj unë?”….
Pas një efekti në letra pozitiv në rritjen ekonomike dhe punësim (që pritet të vijë nga rritja e deklarimeve), bilanci përfundimtar i betejës nuk është çudi të dalë me dy të humbur. Qeveria, duke ndrydhur rritjen ekonomike, nuk do të marrë në afatin e gjatë rezultatin e pritshëm për të ardhurat: një ekonomi që nuk investon dhe si rrjedhojë nuk punëson, nuk krijon rritje të qëndrueshme.
Bisha, nga ana tjetër, do të vazhdojë të mbetet gjithnjë e strukur dhe e fshehur dhe nuk do të arrijë të kthehet asnjëherë në princin energjik, që do të ringjallte ekonominë e sëmurë!