Hoffman: BE, e lodhur nga zgjerimi? Bëhuni shtet i pjekur, lërini filozofimet

Intervistë e ambasadorit gjerman Helmut Hoffman dhënë gazetarit Skender Minxhozi, 3 shtator 2015

Hofman

Ambasadori Helmut Hoffman është një diplomat që aktualisht ndodhet në një pozitë disi delikate. Atij i duhet të menaxhojë rritjen e bashkëpunimit mes Berlinit dhe Tiranës, në kuadër dypalësh apo edhe në kuadër të Nismës së Berlinit, por të gjejë gjithashtu kohë të merret me problemin tejet sensitiv të fluksit të azilkërkuesve që sa vjen e rritet. Në këtë intervistë për Javanews, ambasadori Hoffman flet për të dy aspektet në fjalë. Pa harruar të komentojë edhe zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, ku spikat reforma në drejtësi.

Si i konsideroni rezultatet e Samitit të Vjenës?
Unë do ta konsideroja si tejet pozitive konferencën e Vjenës, si vijim i procesit që e pati pikënisjen e vet me konferencën e Berlinit, vitin e kaluar. Në këtë kontekst dua të sjell në vëmendjen tuaj dokumentin përfundimtar të Konferencës së Vjenës, ku dëshiroj të përmend ose të theksoj disa prej pikave kryesore. Në këtë konferencë pati një konfirmim të qartë nga ana e të gjithë pjesëmarrësve se Ballkani është duke marrë një vëmendje edhe më të madhe prej BE. Pati një konfirmim të qartë të perspektivës së anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, çka shërbeu si një shenjë e rëndësishme për shpresën, veçanërisht në kohë kaq të vështira siç janë ato që jemi duke kaluar dhe këtu kam parasysh zhvillimet e fundit në çështjet e emigracionit. Si pikë të tretë dëshiroj të përmend mbështetjen e veçantë që u dha për procesin e reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor, vlerësimit që u bë për progresin e arritur në këto vende, në mënyrë të veçantë sa i përket bashkëpunimit rajonal. Në mënyrë tejet pozitive u vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Pati një obligim të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rregulluar në mënyrë të pavarur konfliktet që kanë midis tyre. U diskutua për projekte konkrete në mënyrë të hollësishme, dua të përmend vetëm dy prej tyre: Korridori blu dhe projekti i autostradës së paqes Nish-Prishtinë-Tiranë. Në kuadër të këtyre projekteve, KE ka marrë përsipër të akordojë një shumë prej 1 mld euro deri në vitin 2020.

A ju duk e ashpër gjuha e Kryeministrit Rama?
Në përgjithësi, unë në raste të tilla jap këshillën që rreth të gjitha gjërave do të ishte mirë të shpreheshim në mënyrë pozitive. Unë kam mirëkuptim për faktin se për Shqipërinë është mjaft e rëndësishme lëvizja e lirë edhe për qytetarët e Kosovës, por në këtë proces lidhen shumë faktorë të tjerë. Ju me siguri i keni parë se si në Gjermani kanë lindur sërish zëra të cilët thonë se liberalizimi i vizave me Shqipërinë duhet hequr. Lidhur me çështjen e lodhjes nga zgjerimi, të përmendur nga Rama, unë mendoj se jam shumë i qartë lidhur me faktin se Shqipëria ka interes në përshpejtimin e hapave të këtij procesi, por edhe shtetet anëtare të BE-së janë po kaq të interesuara që kandidatët për anëtarësim të arrijnë pjekurinë e nevojshme për t’u anëtarësuar. Nuk jam aq i bindur lidhur me nevojën e të filozofuarit mbi lodhjen nga zgjerimi. Do ta konsideroja shumë të rëndësishme të treguarit kujdes ndaj të gjitha atyre proceseve që do ta bënin një shtet, kandidat të pjekur.

Gjermania dhe Europa ndodhen në një krizë për emigrantët. Pse ikin sot ballkanasit dhe shqiptarët, sipas jush?
Unë mendoj se situata është dramatike. Në fund të vitit 2015 parashikohet që në Gjermani të kenë mbërritur rreth 800 mijë azilkërkues. Një zhvillim ky i paprecedentë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në mënyrë informale kam marrë disa shifra që kanë të bëjnë me muajin gusht. Për fat të keq e theksoj se shifra e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Gjermani e ka kaluar atë të muajit korrik. Bëhet fjalë për rreth 8 mijë shqiptarë. Duke përllogaritur të gjitha prurjet e azilkërkuesve të Ballkanit Perëndimor, rezulton se ata përbëjnë pothuajse 40 për qind të të gjithë azilkërkuesve në Gjermani. Është mjaft e rëndësishme që kjo çështje të trajtohet në opinionin publik shqiptar, pse largohen shqiptarët, cilat janë arsyet që i shtyjnë ata të marrin këtë vendim. Kjo është diçka që po ndodh pak në politikën shqiptare, po ndodh pak në shoqërinë shqiptare. Ne në fakt kemi bërë analizat tona rreth këtij fakti, faktorët janë pjesërisht ato që i quajmë të tërheqjes dhe pjesërisht të shtyrjes. Lidhur me faktorët që i tërheqin shqiptarët për të kërkuar azil në Gjermani, do të konsideroja në mënyrë autokritike faktin që ligji gjerman për azilkërkimin është ndjellës për qytetarët e vendeve të varfra. Kam parasysh këtu shërbimet që ata marrin, strehimin, një farë asistence financiare të përditshme, apo kohëzgjatja e tepërt e përpunimit të kërkesave të azilit. Më tej është shpresa që kanë njerëzit për t’ia dalë, përkundër të gjitha të dhënave statistikore apo paralajmërimeve, pasi gjithsecili mendon se është njëri ndër 100 njerëzit që mund të arrijë të gjejë një vend pune apo të sigurojë një të ardhme për veten. Gjermania është duke punuar në mënyrë intensive për modifikimin e këtyre kushteve dhe thelbi i këtij procesi është fakti që emigrantët me sfond ekonomik, do të futen në struktura të mëvetësishme të pranimit. Procedura do jetë e përshpejtuar, synimi është që kjo të ndodhë brenda 4 javëve dhe pas kësaj kohe të rikthehen në vendin e tyre. Ndoshta keni dëgjuar për njoftimet, pothuajse çdo ditë vjen një avion me persona që riatdhesohen. Nëse ka ende persona të tjerë që po qëndrojnë edhe për afate më të gjata, kjo ka të bëjë me faktin se ka pasur një lloj akumulimi të këtyre rasteve, të cilat mendohet të përpunohet sa më shpejt. Ndaj më lejoni të shfrytëzoj rastin që edhe në këtë intervistë t’ju bëj një apel qytetarëve të Shqipërisë: Ju lutem mos e ndërmerrni këtë iniciativë, mos bini në kurthin e të gjithë atyre personave që i kanë kthyer këto zhvillime në biznesin e tyre, pasi e gjithë kjo iniciativë nuk ka asnjë shpresë për sukses dhe ajo që do të përfitoni do të jenë vetëm problemet! Më lejoni të përmend dhe disa nga faktorët shtytës. Dihet që shumë qytetarëve nga ana ekonomike nuk u shkon puna vaj. Nga ana tjetër, ata shikojnë një Gjermani e cila është në prosperitet të vazhdueshëm, po kështu dihet se Shqipëria ka një traditë për lëvizjet migruese. Për mendimin tim, është e rëndësishme që përmes reformave të krijohet një prosperitet ekonomik, i cili të bazohet mbi shpërndarjen e drejtë të të mirave materiale. Shqipëria, nëse e shikojmë për nga burimet dhe potencialet e veta, është një vend që duhet të kishte një mirëqenie tjetër nga kjo që ka. Është një vend me burime të shumta nafte, gazi, metale, fuqi hidrike. Ndodhet gjeografikisht mjaft tregjeve të Europës, që kanë një mirëqenie të konsideruar. Ka dhe njerëz të mirarsimuar dhe kjo në një vend me tre milionë banorë. Unë mendoj se nëse të gjitha forcat politike do të përqendronin energjinë e tyre në ndërtimin e vendit dhe më pak në vënien e stërkëmbëshave në mënyrë reciproke njëri-tjetrit dhe nëse do përqendroheshin në ndërtimin e shtetit ligjor, do të isha mjaft optimist që Shqipëria do të kishte një perspektivë mjaft të mirë.

Kryeministri ka deklaruar disa herë që janë shqiptarë nga Greqia që shkojnë në Gjermani. Si e mendoni këtë pohim?
Unë e njoh këtë tezë të Kryeministrit lidhur me shqiptarët që janë në Greqi dhe që emigrojnë në Gjermani për arsye ekonomike, madje kemi folur të dy së bashku rreth kësaj çështjeje. Për fat të keq nuk kemi statistika mjaft të mira rreth këtij pohimi, por kemi shumë indice që na lejojnë të bëjmë analizat tona. Përshtypja e Kryeministrit është e drejtë në një farë mase, ka shqiptarë që jetojnë për një farë kohe të gjatë në Greqi dhe për arsye ekonomike kanë vendosur të marrin rrugën e emigrimit drejt Gjermanisë. Por ka dhe shumë indice që shumë e shumë shqiptarë largohen nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë, ndaj mendoj që është mjaft e dobishme që çështja e emigrantëve shqiptarë në drejtim të Gjermanisë të bëhet objekt i diskutimit publik. Në fund të fundit, shtetasit shqiptarë janë shtetas shqiptarë dhe është shteti shqiptar ai që mban përgjegjësi për ta.

A mendoni se mesazhet tuaja për azilkërkuesit janë keqkuptuar?

Që prej momentit që jemi marrë me këtë çështje jemi të vetëdijshëm me konfliktin e brendshëm që mund të ketë lindur lidhur me këtë zhvillim. Ajo që mund të bëjmë ne dhe gjithë kolegët e mi, është që të shpjegojmë gjithnjë me durim se cili është ndryshimi. Të gjithë ata të cilët nuk marrin statusin e azilantit në Gjermani, duhet të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Kjo është pika e parë e rëndësishme dhe pika e dytë është që emigrantët që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, janë emigrantë që vijnë në Gjermani për arsye ekonomike dhe si të tillë ata nuk kanë të drejtë të marrin statusin e azilantit. Azili në Gjermani jepet vetëm për të përndjekurit politikë, apo ata që janë nga zona që ndodhen në gjendje lufte. Është i saktë pohimi që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar, por kjo gjë nuk mund të arrihet përmes rrugës së emigrimit apo duke kërkuar azil. Punësimi në Gjermani arrihet përmes tre hapave: personi i interesuar duhet të shkojë në Gjermani dhe të kërkojë atje një vend pune, të gjejë një punëdhënës potencial me të cilin duhet të lidhë një kontratë; përmes autoriteteve gjermane do bëhet verifikimi i dokumenteve dhe si hap i tretë dhe i fundit ai duhet të rikthehet në Shqipëri, të paraqitet në ambasadën gjermane e të bëjë këtu një kërkesë për vizë pune. Pra kjo gjë nuk mund të ndodhë në Gjermani, ata duhet të rikthehen në Shqipëri dhe të bëjnë aplikimin pranë ambasadës. Nëse ky proces ndjek këtë rend hapash, mendoj se shanset për t’u punësuar janë të mira.

Rama tha në Vjenë se rajoni nuk ka fuqi financiare për të çuar para ekonominë dhe ka shumë nevojë për BE-në. Cili është opinioni juaj?
Unë nuk do të isha plotësisht i sigurt që volumi i mjeteve financiare do të ishte faktori vendimtar në këtë kontekst. Nga këndvështrimi im, shumë e rëndësishme do të ishte që të krijoheshin kushte ligjore të arsyeshme që do t’u mundësonin njerëzve të zhvillonin aktivitetin e tyre ekonomik. Me rëndësi qendrore është një sistem drejtësie i cili të punojë në mënyrë të besueshme për qytetarët. Po kështu është mjaft e rëndësishme të kemi një polici e cila të punojë në mënyrë luajale dhe korrekte. Po kaq e rëndësishme është të kemi një klasë politike, e cila do jetë e fokusuar në mbarëvajtjen e vendit, në mirëqenien e popullit të vet dhe jo në mirëqenien e vet personale. E rëndësishme është gjithashtu që në politikë të mos kemi njerëz, integriteti personal apo morali i të cilëve vihet në dyshim. Dhe këtu nuk e kam fjalën domosdoshmërish vetëm për rekordet penale. Disa njerëz nuk duhet jenë pjesë e listave të zgjedhësve dhe ca më pak të zgjidhen prej tyre. Duhet thënë që nuk më duket e saktë që vendet e Ballkanit Perëndimor janë lënë pas dore apo janë diskriminuar nga komuniteti ndërkombëtar. Them që e kundërta është e vërtetë, pasi komuniteti ndërkombëtar është angazhuar fuqishëm në Shqipëri. Mbështetja gjermane për shembull, për frymë të popullsisë, është më e madhja që Gjermania jep në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Vendimtare në perspektivën time do të ishte fakti që njerëzit duhet të përveshnin mëngët dhe të krijonin raporte ekonomike dhe sociale, prej të cilave të mos të përfitonte vetëm një klasë e lartë tepër e pakët në numër, por dhe një klasë e mesme. Kjo shikohet në numrin e lartë të makinave, apo apartamenteve ndërtuar rishtazi. Shqipëria nuk ka një stad ekonomik si ka qenë ai para 25 viteve, ka një farë arritje në këtë drejtim. Në këtë pikë do të ishte mjaft e rëndësishme që të krijoheshin kushtet që të përfitonin në mënyrë të drejtë dhe të barabartë edhe njerëzit e thjeshtë e të ndershëm. Kështu këta do të kishin mundësi të rrisnin raportet e tyre ekonomike dhe të ishin optimistë për të ardhmen.

BE-ja ka vënë kusht që Shqipëria mund të hapë negociatat vetëm pas reformës në fushën e drejtësisë. Cila është përshtypja juaj për reformën?
Unë dëshiroj të përshëndes punët që janë bërë deri më tani për realizimin e reformës në drejtësi. Është një pikë me rëndësi mjaft qendrore për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Është dhe një rast klasik prej të cilit BE ka nxjerrë mësimet e veta. Jam i impresionuar nga ritmi dhe intensiteti me të cilin po zhvillohet kjo reformë. Mendoj se është bërë një punë mjaft e mirë deri më tani, dëshiroj të përmend punën e EURALIUS në këtë kontekst, një kontribut mjaft i mirë.

Përshëndes gjithashtu edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në këtë proces. Të them të drejtën nuk i kam pasur plotësisht të qarta arsyet pse opozita deri më tani kishte qëndruar larg këtij projekti. E rëndësishme është që shumica parlamentare dhe pakica të mund të përballen me njëra-tjetrën, në përpjekjen e tyre të përbashkët për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme.

Nuk duhet që kjo reformë të ketë as pamjen ku një shumicë parlamentare kërkon patjetër të arrijë qëllimet e veta dhe t’i dalë në fund reformës dhe as nuk duhet të ketë pamjen ku një opozitë të besojë se konsensus do të thotë që anija e fundit e një vargu anijesh, është ajo që përcakton edhe ritmin e këtij karvani. Më duket e rëndësishme të theksoj se termi konsensus shpeshherë keqkuptohet. Bëhet fjalë për një përpjekje të sinqertë të të dyja palëve, që përmes një procesi intensiv diskutimesh të mund të arrihet një përputhje e të dyja varianteve. Nuk mund të jetë kurrsesi që kërkesa për një konsensus të nënkuptohet me të drejtën e vetos.

Një shënim përmbyllës: mendoj që në mes të popullsisë shqiptare ka një shkallë shumë të ulët besimi te sistemi i drejtësisë, i cili bazohet më së shumti në perceptimin e faktit që shumë gjykatës dhe shumë prokurorë janë të korruptuar. Besimi nuk mund të fitohet përmes ndryshimit të ligjeve, por përmes faktit që populli duhet të shikojë që këta prokurorë apo gjykatës të korruptuar, të largohen nga vendi i tyre i punës. Ky lloj fakti për vite të tëra është marrë si i mirëqenë prej popullsisë dhe nëse kjo nuk ndryshon, atëherë të gjitha përpjekjet për reformën në drejtësi do të ishin të padobishme. Në realizimin e këtyre masave disiplinore është Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe kryetari i tij, Presidenti i Shtetit, të cilët kanë një përgjegjësi vendimtare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi