Koncesionet, përshpejtim zhvillimi apo grabitje pasurish
Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online, 1 shtator 2015
Siç dihet, thelbi më i përgjithshëm i çdo partneriteti publik-privat në formën e një marrëveshjeje koncesionare është marrja ërsipër mbi baza konkurruese e riskut të investimit në një pasuri kombëtare nga ana e kapitalit privat (domethënë e mungesës së burimeve financiare të menjëhershme nga sektori publik) përkundrejt garantimit të moslicencimit të operatorëve të tjerë të të njëjtit aktivitet ekonomik për një periudhë kohe, si dhe fiksimit të çmimit të shërbimit për të mbrojtur konsumatorin. Domethënë, përmes procedurave transparente dhe konkurruese të partneritetit publik-privat krijohet një situatë “win-win”, – shoqëria/shteti fiton në kohë, duke investuar mjetet financiare të privatit (që nuk i ka qeveria), ndërsa privati fiton mundësinë për t’u futur në një treg të garantuar, por me çmim të rregulluar, pra që mbron edhe konsumatorin, domethënë ky çmim nuk mund të ndryshohet lirisht nga investitori privat. Çfarëdolloj interpretimi tjetër mendoj se është abuziv dhe synon ose përfitime politike (kur kontrata të caktuara u jepen kompanive nga vende “mike”, në këmbim të mbështetjes për udhëheqës të caktuar politikë në pushtet), ose përfitime të tërthorta korruptive financiare përmes transferimit në duar private, siç ndodh në shumicën e rasteve me kompani të huaja dhe me partnerët e tyre vendës të afiluar politikisht. Në këtë kategori përfshihen, p.sh., kontratat koncesionare tejet të favorshme dhe jokonkurruese për biznese të caktuara. Në vijim po rendis disa observime të thjeshta rreth këtyre kontratave në vendin tonë.
Së pari, ndërhyrjet në legjislacionin që rregullon koncesionet. Ndërhyrjet në legjislacionin shqiptar, deri tek ato më të fundit, kanë sjellë jo vetëm zgjerimin e fokusit të veprimtarive ku mund të aplikohet ky partneritet, si dhe është zgjatur afati i koncesioneve tej çdo limiti kohor (p.sh., 501.9 hektarë – jo 200 ha siç u tha para një viti – të Spitallës pritet të jepet për 99 vjet). Për karakterin tepër të diskutueshëm të asaj çfarë quhet strategjike dhe përfshirjen e gjerë të qeverisë qendrore në mënyrë të përqendruar në përzgjedhjen e projekteve investive dhe licencimit përkatës, jam shprehur edhe tre muaj më parë, kur ligji tashmë i kthyer nga Presidenti i Republikës ishte ende draft për shqyrtim fillestar në Kuvendin e Shqipërisë (http://www.panorama.com.al/ dy-ligje-dhe-dhjete-probleme/)
Së dyti, kriteret përzgjedhëse për kontratat koncesionare. Shembuj të ndryshëm të dekadës së fundit tregojnë se kriteret mbi bazën e të cilave përzgjidhen kompanitë fituese në kontratat koncesionare janë të ndryshme nga ato që i ofrohen publikut. Zakonisht, në propagandën qeveritare flitet gjerësisht, p.sh., për zgjerimin e punësimit, për hyrjen në vend të teknologjisë së avancuar, për rritjen e fuqisë eksportuese të vendit etj., por në kriteret e shpallura në shtypin e huaj dhe në dokumentet e tenderimit pesha më e madhe e pikëve u jepet kritereve të “cilësisë së plan-biznesit” (kur dihet se me plan-biznesi, d.m.th. në letra, shqiptarët dhe partnerët e tyre të huaj në biznes të lënë peng edhe “Kullën e Sahatit”), “kapacitetit financiar të firmës fituese, 12 domethënë aftësisë për të financuar projektin” (që në fakt plotësohet lirisht nga çdo kompani e madhe apo shumëkombëshe e ftuar/përzgjedhur paraprakisht), ose vihen kushte të tjera jo më pak të rëndësishme që “çojnë ujin në drejtimin e duhur”, si, p.sh., të pasurit e “një kompanie partnere lokale” (këto zakonisht krijohen për këtë qëllim dhe merret me mend lehtë pronësia de jure dhe ajo de facto e tyre)…
Së treti, afati i shpalljes së ftesave të projekteve koncesionare. Praktika botërore sugjeron se kontrata të kësaj natyre, për shkak të rreziqeve që paraqesin, diskutohen për një periudhë të gjatë kohe, që zakonisht është deri në dy vjet përpara marrjes së vendimit përkatës për shpalljen e dhënies me koncesion. Në rastin e vendit tonë, përvoja tregon se kontrata të tilla janë ndër “shpërblimet” e majme të sponsorëve të padukshëm elektoralë, gjë që lë të kuptohet se këtu ecet pa ndonjë strategji zhvillimore dhe jepen kontrata për shërbime publike që në propagandën parazgjedhore dhe në programet politiko-qeverisës as që i gjen gjëkundi ta parashikuara. Të krijohet përshtypja se mbasi përfundoi, përgjithësisht pa sukses dhe në mënyrë korruptive, procesi i privatizimit të aseteve strategjike të trashëguara nga periudha socialiste dhe disa mbetje aksionesh në pronën shtetërore, grupet e interesit janë duke pushtuar “me ligj” edhe mjaft shërbime publike tejet normale për të qenë publike në çdo shtet, apo që nuk janë eksperimentuar në asnjë shtet të botës deri më sot… Ndërkaq, në mjaft raste të tjera lihet vetëm një afat i shkurtër për shpalljen e konkurrimit formal që kryhet me këtë rast etj. Vihet re lehtësisht se vendime të tilla merren në fillim të mandatit qeverisës, por edhe në fund të tij, siç qe, p.sh., vendimi (nëse është i vërtetë) i Këshillit Bashkiak të Vlorës për parkimet e atij qyteti, pa mbajtur asnjë përgjegjësi minimale për dëmin potencial të interesave publike që përmbajnë kontrata të tilla jotransparente dhe jokonkurruese.
Së katërti, ekskluzivitete të paligjshme. Në raste të tjera (p.sh., koncesioni për Aeroportin e Rinasit), investitorëve u janë ofruar disa ekskluzivitete, që duke deformuar konkurrencën, pengojnë zhvillimin dhe zgjerimin e tregut, duke sjellë rritjen e ndjeshme të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve – në rastin e Rinasit, duke penguar zhvillimin e aeroporteve të tjera brenda vendit dhe duke mbajtur çmime të larta të biletave, që e bën vendin jokonkurrues dhe detyron qytetarët të fluturojnë nga Prishtina, Podgorica dhe Shkupi drejt Europës etj.
Së pesti, është interesante të vihet në dukje se, me gjithë reagimin kundërshtues apo mosaprovues të ndonjë institucioni rregullator të tregut (p.sh. Autoritetit të Konkurrencës) përsëri disa vendimmarrje të qeverisë dhe të Kuvendit janë të pambështetura në ligjet në fuqi, madje edhe bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Vlen të theksohet se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe akte të tjera juridike ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është palë, prevalojnë mbi legjislacionin vendës dhe janë një premisë e mirë për rishikimin e kontratave koncesionare të dhëna më herët, por që gjykohet se cenojnë konkurrencën dhe përkeqësojnë çmimet e mallrave dhe të shërbimeve për qytetarët. Vihet re lehtë se deri më sot, këto referenca pak ose aspak janë përdorur nga qeveria për të rinegociuar kontrata të ndryshme koncesionare për sjelljen e tyre në standardet normale të funksionimit të tregjeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Së gjashti, si rezultat i mbështetjes dhe interesave politike, investitorët që nuk respektojnë ligjet e vendit as që ndëshkohen ligjërisht, p.sh., me sekuestrimin e garancisë bankare. Gjithkush mban mend investitorët fantazmë që “fituan” ARMO-n dhe heshtjen “shembullore” që e pasoi atë akt në politikën shqiptare, majtas dhe djathtas, dhe në institucionet rregullatore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar mbas këtij dështimi (përveç KLSH që denoncoi dëmin ekonomik). Deri më sot nuk rezulton asnjë zyrtar i ndëshkuar dhe asnjë lek i rikthyer në arkën e shtetit… Ndoshta “operacioni” kundër informalitetit që fillon këto ditë do të përfshijë edhe nxjerrjen e detyrimeve nga kompanitë e naftës…
Së shtati, spekulimet në treg. Të dhënat dhe studimet e ndryshme tregojnë se në Shqipëri nuk mungojnë edhe rastet ku investitorë të rëndësishëm përdorin rritjen e qëllimshme të vlerës së investimit – baza mbi të cilën llogaritën afatet e vetëshlyerjes (p.sh. në sektorin energjetik), si mjetin përmes të cilit rritin artificialisht çmimin për njësi prodhimi me të cilën u shitet malli (energjia elektrike) enteve shtetërore. Siç dihet, ky çmim fiksohet në ligjin përkatës të koncesionit nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo rrugë deformon konkurrencën dhe nxjerr çmimin e energjisë tërë- sisht jashtë kushteve të tregut dhe është dëshmi e korrupsionit politik dhe përfshirjes së institucioneve që duhet të mbrojnë tregjet (enteve rregullatore), me ose apo vetëdije, në një proces korruptiv që cenon interesat publike dhe mbron me ligj përfitimet e padrejta private. Do të mjaftonte një auditim i thjeshtë i të dhënave zyrtare të kompanive të ndryshme të kësaj fushe në Tatime-Taksa, Dogana dhe në Sigurimet Shoqërore për të rivlerë- suar vlerën e ligjshme të investimit, përmes së cilës mund të rinegociohen kontrata duke ulur çmimin në nivelin real (të tregut) të tyre e pse jo, edhe të ndëshkohen penalisht shkelësit e ligjit dhe institucionet e përfshira drejtpërdrejt ose tërthorazi në favorizime të kësaj natyre. Kjo do të bënte një diferencë nga historia jonë e tranzicionit në të cilën shumë institucionet rregullatore të tregut nuk janë gjë tjetër, veçse “refiugium pecatorum” për qoka politike, por edhe “gardiane” të monopoleve dhe oligopoleve që shoqërojnë maxhorancat qeverisëse… Por, për këtë nevojitet pak më shumë ekspertizë profesionale në institucionet përkatëse dhe kuptohet, edhe pak më shumë vullnet politik…
Këto ishin disa konsiderata të përgjithshme, nisur nga përvoja shqiptare e dy dekadave të fundit rreth rreziqeve në marrëdhëniet shtet-pritat, për të cilat, në mënyrë të përmbledhur, mund të thuhet se kanë degjeneruar në shumicën e rasteve në cenim të interesit publik, pra të përgjithshmes në favor të privates… Konkluzione të tilla janë arritur edhe në shtete të tjera të dobëta, me shkallë të gjerë të shtrirjes së korrupsionit, sidomos atij politik dhe me një opinion publik të painformuar, me mungesa të theksuara në vlerat e komunitetit dhe shpirtit të protestës për të përbashkëtën, si dhe lehtësisht të manipulueshëm si yni. Ja përse integriteti personal dhe profesional, si dhe kapaciteti përkatës për drejtimin e institucioneve duhet të predominojnë përzgjedhjet politike të individëve në drejtimin e institucioneve të shtetit, sepse vetëm kështu mund të korrigjojmë sadopak deformimin që ka pësuar vetë shteti në ruajtjen e balancës së interesave të ligjshme ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve dhe të frenohet nxitimi i përfaqësuesve të oligarkëve për të marrë nën kontroll edhe të ardhmen ekonomike të vendit e integrimin europian të tij. Është pikërisht ky nxitim ndër burimet kryesore të polarizimit social në rritje, varfërisë që shtohet, papunësisë që rritet, shpresës për një jetë më të mirë brenda vendit që venitet përditë në radhët e shqiptarëve. Kjo është gjithashtu edhe një ndër arsyet që shqiptarët marrin rrugët e azilit drejt Gjermanisë, duke lënë pas “Shqipërinë tmerrësisht demokratike”, siç thotë jo pa humor z. E. Tupe…