Me ekonominë kombëtare nuk mund të luhet kumar

Editorial i Monitor, 31 gusht 2015

big_banner_10-dhjetor-rama-kmEkonomia kombëtare sot përfaqësohet jo vetëm nga biznese të zhytura në borxhe, por nga sektorë që po shkojnë drejt shterimit dhe ecja përpara është fare e rastësishme.

Në një nga botimet e fundit, revista “Monitor”, nëpërmjet të dhënave të detajuara dhe intervistave të drejtpërdrejta, nxirrte në pah fakte tronditëse se shumë biznese të mëdha shqiptare dhe emra të njohur të tregut janë zhytur në borxhe që ngjasonin me ortekun që sa më shumë të jetonin, aq më shumë i rriteshin përmasat e aq më i rëndë dhe shkatërrues po bëhet. Këtë radhë, tabloja do të bëhet më e plotë. Duke renditur 200 kompanitë më të mëdha të vendit, këtë radhë pamë se burimet e vjetra të rritjes ekonomike janë drejt shterimit apo se disa tregje të tjera janë të maturuara. Nga ana tjetër ka biznese që akumulojnë xhiro të mëdha, por shumë pak fitime dhe me fare pak ndikim në punësim apo në rritjen ekonomike.

Këto ishin fakte të ditura, por sa janë rënduar në vite. Këtë radhë, vërejmë dy tipare që janë më të rënda për perspektivën ekonomike. Së pari, sepse lindja e bizneseve në disa sektorë është rastësore, që lidhen me koniunktura të përkohshme të tregut të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Së dyti, sepse paraja e konsumuar po rrjedh me shpejtësi drejt bizneseve të lojërave të fatit, që si sipërmarrje nuk janë të pista, sepse janë thjesht biznese, por që zhvillimi ekonomik nuk mund të mbështetet mbi to, pasi bjerr rëndë bazën konsumatore, e cila në mungesë të perspektivës së punësimit, ka zgjedhur të provojë fatin. Por nëse për individët, zgjedhja e fatit është rastësore, për ekonominë kombëtare kjo nuk mund të jetë e tillë, sepse do të ishte e rëndë nëse do të pranojmë se po luajmë kumar me mirëqenien tonë.

Në fakt, detajet e shkrimit special në “Monitor” përfshihen në një titull të vetëm. Ekonomia shqiptare është dukshëm e orientuar keq. Dhe struktura aktuale nuk premton zhvillim të qëndrueshëm.

A është kjo një situatë që doli rastësisht dhe ndodhi brenda një kohe të shkurtër? Jo! Kjo është pasojë e një dritëshkurtësie në bërjen e politikave dhe ndërhyrjeve shtetërore, të cilat kanë kanalizuar fuqitë e pushtetit, por jo të sipërmarrjes. Tani jemi në një situatë edhe më të vështirë. Ekonomia, me një strukturë të keqorientuar, ka nevojë për profil. Prej shumë vitesh dhe në shumë rrethe politikanësh e ekspertësh është ngritur kjo çështje, por asnjëherë nuk u ndërmor një projekt për të krijuar profilin ekonomik të vendit. Sot kemi vetëm modelin, atë të konkurrencës së lirë, por jo profilin. Edhe ndryshimi i pushteteve rreth dy vjet më parë nuk po rezulton pozitiv. Megjithëse u premtua për një riorientim të ekonomisë që, për hir të së vërtetës ishte i mirëpritur nëpërmjet politikave stimuluese në sektorë që mbështeten në prodhimin vendas, rrisin punësimin dhe shfrytëzojnë avantazhin krahasues, sërish kjo nuk ka ndodhur. Është e dukshme që ka një “hallakatje” në politikëbërje. Edhe nisma e vetë bizneseve për të kaluar në sektorë të tjerë, është deri diku e asfiksuar. Mjedisi pritës nuk është i përshtatshëm, sepse është i pastimuluar, i parregulluar dhe i pambështetur me legjislacion, p.sh. bujqësia. Ndaj sot në ekonomi mbizotërojnë lojërat e fatit. Por, me ekonominë kombëtare, nuk mund të luhet kumar.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi