Qeveria dhe evazioni fiskal
Nga Kasem Seferi, botuar në Monitor, 29 gusht 2015
Tatimpaguesit këta dy vjet të qeverisjes prisnin një lloj shërbimi ose përfitimi më të mirë si përgjigje për votat dhe tatimet që paguajnë, por meqenëse qeverisja ka dështuar në sigurimin e të mirave bazë publike ose në sigurimin e tyre në mënyrë të mjaftueshme, tatimpaguesit nuk kanë qenë të gatshëm për t’i paguar tatimet dhe si pasojë rezulton nivel i lartë i evazionit tatimor
Adam Smith më shumë se dy shekuj më parë do të vinte në dukje: “Atje ku të paktën ka një dyshim të zakonshëm për shumë shpenzime jo të domosdoshme dhe keqzbatim të shpenzimeve publike, legjislacioni që e ruan atë respektohet pak.“.
Përpjekjet e qeverisë në bisedimet me misionin e FMN – së në lidhje me luftën kundër ekonomisë në hije/evazionit, nuk duhen parë dhe analizuar vetëm në aspektin politik që nuk u arrit firmosja e një marrëveshje, por te fakti se ekonomia në hije/evazioni po bëhet gjithnjë e më shumë shqetësues në kursin e integrimit të vendit në BE si dhe në kuadër të globalizimit, për arsye se zvogëlimi i nivelit të evazionit është një parakusht vendimtar për të siguruar një proces të qëndrueshëm zhvillimi dhe politikash kundër varfërisë. Së dyti, një sistem tatimor dhe doganor me një nivel të ulët të evazionit kontribuon për një qeverisje më të mirë, për përgjegjshmëri të institucioneve shtetërore dhe për demokraci me anë të vendosjes së një kontrate ndërmjet shtetit dhe qytetarëve të tij, me qëllim që të luftohet evazioni i pastër tatimor (veprimtari ligjore që kryhen në mënyrë ligjore, por tatimet nuk paguhen), ekonomia në hije (veprimtaritë ligjore që kryhen në mënyrë të paligjshme) dhe ekonomia kriminale (veprimtaritë e paligjshme). Ndryshimi në rritje i përqindjeve tatimore, i detyroi tatimpaguesit të kërkojnë dhe të gjejnë rrugëzgjidhje të reja për të ndryshuar mënyrën e deklarimit të detyrimeve për administratën tatimore, për të ndryshuar kohën e transaksioneve dhe për të ndikuar tërësinë e veprimeve të tjera që prekin fitimet e tyre. Këto ndryshime modelohen si një lojë kundër masave shtrënguese të qeverisë dhe, në këtë kuptim, evazioni kontribuon në ndjenjën e trajtimit të padrejtë dhe mungesës së respektit për ligjin, duke krijuar një cikël vetëgjenerues që ushqen vetveten dhe të çon në më shumë evazion; evazioni ndikon gjithashtu saktësinë e të dhënave makroekonomike. E thënë më troç, nuk është e mundur të kuptosh ndikimin e vërtetë të të tatuarit, ose të së drejtës së shtetit për të tatuar, pa njohur ekzistencën, arsyet dhe faktorët që ndikojnë dhe influencojnë evazionin.
Me qëllim që të zhvillohen metoda dhe instrumente për të luftuar evazionin është e rëndësishme që më parë të vendoset të kuptuarit e gjerë të arsyeve të ndryshme që mbështesin evazionin tatimor. Ato grupohen në dy kategori: e para, përmban faktorët që ndikojnë në mënyrë negative në përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor nga tatimpaguesit, si përsa i përket kontributit për një gadishmëri të ulët për të paguar tatimet (morali i ulët tatimor) ashtu dhe kostove të mëdha që u rezultojnë tatimpaguesve në përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor. Kategoria e dytë përmban arsye që lidhen me aftësinë e ulët të administratës tatimore për të detyruar përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor, faktorë këto që mund të përmblidhen si rezultate të pamjaftueshmërisë në administrimin dhe mbledhjen e tatimeve si dhe të një kapaciteti të dobët të kontrolleve tatimore dhe të monitorimit të pagimit të tatimeve që kufizojnë mundësinë e zbulimit dhe dënimit të shkelësve të legjislacionit tatimor.
Publikimi i Indeksit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Hotel Sheraton, në 3 qershor, 2014, lidhur me shumë probleme që shqetësojnë komunitetin e biznesit, ndër të tjera, solli dëshmi në lidhje me perceptimin e nivelit të lartë ekzistues të evazionit tatimor dhe domosdoshmërinë e një strategjie për punën e administratës tatimore për të luftuar një dukuri të tillë negative. Në mënyrë të veçantë, vendet pa ndonjë kulturë të rrënjosur thellë dhe pa zakonin e të paguarit të tatimeve e kanë të vështirë të kenë një moral të lartë tatimor. Gatishmëria e ulët për të paguar tatimet influencohet nga shumë faktorë si marrëveshja institucionale me të cilën qeveria funksionon, politikat tatimore dhe administrimi i saj (sjellja e administratës tatimore dhe barra tatimore e perceptuar, struktura tatimore në përgjithësi si dhe strategjia e përdorimit të masave shtrënguese), që ndikojnë mbi gatishmërinë e tatimpaguesve për të paguar tatimet; kësisoj evazioni tatimor, si shfaqje e moralit tatimor, nuk është vetëm një veprimtari e paligjshme, por, gjithashtu, ka një lidhje të fortë me vendimet e politikës tatimore të qeverisë, me sjelljen e zyrtarëve tatimorë dhe me aspektet kulturore.
Në përgjithësi, tatimpaguesit këta dy vjet të qeverisjes prisnin një lloj shërbimi ose përfitimi më të mirë si përgjigje për votat dhe tatimet që paguajnë, por meqenëse qeverisja ka dështuar në sigurimin e të mirave bazë publike ose në sigurimin e tyre në mënyrë të mjaftueshme, tatimpaguesit nuk kanë qenë të gatshëm për t’i paguar tatimet dhe si pasojë rezulton nivel i lartë i evazionit tatimor. Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit tatimpaguesit nuk janë të sigurt nëse tatimet që ata paguajnë po përdoren për të financuar të mirat dhe shërbimet publike e kanë ulur gatishmërinë e tyre për të paguar sidomos kur tatimpaguesit vërtetojnë se pagimi i tatimeve në raport me koston e mitmarrjes të një zyrtari tatimor është më e vogël.
Struktura e dobët e ankimit/apelimit tatimor nuk i ka mbrojtur të drejtat e tatimpaguesit nga arbitrariteti i zyrtarëve tatimorë dhe për arsye se sistemi tatimor nuk ka operuar mbi bazën e ligjit, tatimpaguesit i janë ndrojtur arbitraritetit, diskriminimit, trajtimit të pabarabartë, etj. Mungesa e sundimit të ligjit ka zvogëluar transparencën e veprimit publik dhe ka forcuar mosbesimin te tatimpaguesit dhe, si rezultat, tatimpaguesit nuk kanë dëshirë që ta financojnë qeverisjen me anë të pagimit të tatimeve, por kanë bërë evazion tatimor. Pagimi i tatimeve dhe i kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ka krijuar emocione negative për shkak të ndjenjës të të qenit të kontrolluar në mënyrë negative dhe të qenit të dyshuar nga ana administratës tatimore janë prirur larg prej motivimit real për të vepruar si tatimpagues të ndershëm.
Pengesa ka gjithashtu në dy aspekte të ndryshme: në njërën anë, me qëllim që të ruhet një kontratë tatimore psikologjike ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesit, tatimpaguesit e ndershëm kanë pasur besim se ata nuk do të shfrytëzohen nga tatimpaguesit e pandershëm sepse, në këtë mënyrë, pengesa për shkelje madhore të legjislacionit tatimor e zvogëlon evazionin. Por praktika e përditshme tregon se bizneset që merren me tendera, ato të importeve dhe eksporteve, që lidhen direkt me interesa korruptive me qeverisjen, janë të trajtuar me preferencë, në raport me bizneset e prodhimit dhe të shërbimit. Ndjenja që zotëron ndërmjet shumë tatimpaguesve se “kështu bëjnë të gjithë’, natyrisht, tregon se të gjithë kanë rënë në ujdi për vepruar në këtë mënyrë dhe nuk ka gjëkundi tjetër kuptim më të qartë se të gjithë mashtrojnë me tatimet, sidomos në rastet kur atë e bëjnë edhe zyrtarë të nivelit të lartë, ose të afërmit e tyre.
Keqdrejtimi i legjislacionit tatimor, ka shërbyer për qëllime korruptive, gjë që ka bërë të mundur që shumë tatimpagues e kanë arsyetuar evazionin që kanë bërë duke ia vënë gishtin padrejtësisë së sistemit dhe keqpërdorimit të të ardhurave. Nevoja e mbijetesës ka pasur një influencë të madhe mbi përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor nga ana e tatimpaguesve, për arsye se veprimtaria e tatueshme ka rrezikuar kushtet e mbijetesës së tyre dhe për pasojë kanë ngritur nivelin e sjelljes së mosbindjes karshi ligjit për arsye se barra tatimore është e tepruar dhe ka kërcënuar mbijetesën e veprimtarisë ekonomike, gjë që i ka inkurajuar tatimpaguesit të prodhojnë motive afatgjata për evazion tatimor.
Kultura tatimore e një vendi është tërësia e institucioneve formale dhe informale që lidhen me sistemin tatimor dhe ekzekutimin e tij praktik, të cilët historikisht janë rrënjosur thellë brenda kulturës së vendit, e cila përfshin varësitë dhe lidhjet që shkaktohen nga ndërveprimi i vazhdueshëm i tyre. Nëse do të analizonim rrënjosjen e kulturës tatimore në Republikën e Shqipërisë, së pari duhen marrë në konsideratë “aktorët” e saj duke e nisur shtjellimin nga kultura e përgjithshme e vendit, te kultura tatimore, te legjislacioni tatimor, për të parë se si ndërveprojnë “aktorët” ku ndërmjet të tjerëve do të veçohen: politikanët, akademikët, zyrtarët tatimorë, ekspertët (ekspertët kontabël të autorizuar, kontabilistët e miratuar, juristët tatimorë) dhe tatimpaguesit. Kultura e një komuniteti tatimpaguesish diktohet: së pari, nga kultura e administratës tatimore; së dyti, nga shkalla e përmbushjes me dëshirë të kërkesave të legjislacionit tatimor, përzierje komplekse e traditës, historisë dhe mjedisit ku punon administrata tatimore. Klima tatimore në shoqërinë shqiptare këta dy vjet ka qenë vazhdimësia e një klime antagoniste dhe jo e një klime sinergjike, në të cilën tatimpaguesit dhe administrata tatimore kanë punuar kundër njëri – tjetrit; mungesa e një klime sinergjike nuk i ka krijuar të gjitha kushtet për të punuar së bashku. Besimi i tatimpaguesve te administrata tatimore është varur nga njohuritë subjektive tatimore, qëndrimet kundrejt administratës tatimore dhe qeverisë, normat personale, shoqërore dhe tradita, drejtësia e perceptuar. Drejtësia e perceptuar lidhet me dimensionin e besimit për arsye se një trajtim i drejtë i tatimpaguesve ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e besimit, ndërsa drejtësia ndëshkimore lidhet gjithashtu me dimesionin e pushtetit për arsye se varet gjithashtu nga zbulimi dhe ndëshkimi me gjobë i tatimpaguesve që nuk kanë përmbushur kërkesat e legjislacionit tatimor. Ushtrimi pa kufi i pushtetit ndërhyrës të administratës tatimore e ka zvogëluar besimin e tatimpaguesve. Tatimpaguesit i përgjigjen në mënyrë sistematike mënyrës me të cilën i trajton ata administrata tatimore dhe, në veçanti, gadishmëria e tatimpaguesve për të paguar tatimet mbështetet, madje rritet kur zyrtarët tatimorë i trajtojnë ata me respekt; në kontrast me këtë, kur zyrtarët tatimorë i konsiderojnë tatimpaguesit si persona që duhen detyruar t’i paguajnë detyrimet e tyre tatimore, tatimpaguesit priren t’i përgjigjen duke bërë në mënyrë aktive përpjekje për t’i shmangur tatimet dhe, një dukuri e tillë përkufizohet “moral tatimor”. Kompleksitetet e financës publike dhe legjislacionit tatimor, si dhe dykuptimësitë në interpretimin dhe ekzekutimin e tij kanë diktuar një tjetër prirje specializimin gjithnjë e më shumë të këshilltarëve tatimorë në fusha të veçanta pasi kompleksiteti e bën të pamundur që tatinmpaguesi të jetë ekspert i legjislacionit të përgjithshëm tatimor.
Legjislacioni tatimor është bërë kaq i ndërlikuar sa që ekspertët kontabël/kontabilistët e miratuar/ekspertët tatimorë kanë vështirësi në interpretimin e shumë prej kushtëzimeve ligjore. Madje, legjislacioni kompleks tatimor është më i vështirë për t’u kuptuar nga tatimpaguesit e zakonshëm për shkak të nivelit të lartë të abstraksionit të gjuhës, fjalive të gjata dhe komplekse si dhe kuptimit shumë profesional të termave, kur dihet se ka një ndryshim thelbësor ndërmjet nivelit arsimor të zyrtarit tatimor dhe një tatimpaguesi të vogël dhe të mesëm. Për t’i dhënë më shumë kuptim përdorimit të masave shtrënguese, sikundër është deklaruar nga qeveria, ia vlen të kujtohet thënia e një eksperti të njohur tatimor se historia ka treguar se kur tatimet e një kombi përafrojnë rreth 20 për qind të të ardhurave të njerëzve, këtu fillon mungesa e respektit për qeverinë dhe kur ato arrijnë në 25 për qind atëhere vjen rritja e paligjshmërisë. Në artikullin “Përpjekjet e Greqisë për të kufizuar evazionin tatimor kanë një sukses të pakët – Greece’s efforts to limit tax evasion have little success” të gazetës New York Times vihej në dukje se agjentë nga Njësia e Krimit Ekonomik dhe Financiar (rreth 2355 agjentë specialë), sipas një ligji të ri të viteve 2010 – 2001, ushtruan një kontroll 48 orësh në disa nga kafenetë, restorantet dhe klubet e natës së Athinës, për të parë nëse lëshoheshin fatura tatimore që vërtetonin pagimin e TVSH – së. Për rrjedhojë, u mbyllën të gjithë ato biznese që nuk lëshonin fatura tatimore, u reklamuan në gazeta dhe spote televizive duke treguar kësisoj se autoritetet greke po bënin një prej përpjekjeve të shumta për të ndryshuar nivelin e evazionit galopant (rreth 30 miliard US$ në vit), që për një kohë të gjatë kishte qenë mënyrë jetese në Greqi. Ilias Plaskovitis, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave atëkohë do të pohonte: “Ne kemi një sukses të madh në identifikimin e atyre që duhet të paguajnë tatime, por shumë pak në mbledhjen e tyre.”. Në një vend ku ka korrupsion, kur pjesa më e madhe e veprimeve tregtare bëhen me para në dorë, ku nuk lëshohet faturë për TVSH – në, ose edhe kur lëshohet ajo është me një çmim më të madh se çmimi pa faturë, në një vend, pra, ku për vete dhe familjen qeveritarët bëjnë gjithçka dhe për qytetarët shumë pak, duhen siguruar nxitës që bizneset të lëshojnë faturë dhe të paguajnë tatimet. Niveli i ekonomisë në hije/evazionit tregon se legjislacioni tatimor është adaptuar varfërisht në raport me ekonominë e vendit, për arsye se konflikti i pritshmërive që parashikohet të bashkëpunojnë mbetet i vështirë dhe mosmarrëveshjet kanë konsumuar burimet. Në të kundërtën, në qoftë se legjislacioni tatimor do të ishte adaptuar mirë në ekonominë e vendit, tatimpaguesit do të bashkëpunonin me administratën tatimore dhe do të harmonizonin pritshmëritë e tyre dhe do t’i përdornin burimet në mënyrën më të mirë dhe më krijuese.