Kur kryeministrave tanë u mungon formimi bazë!
Nga Ben Andoni, botuar në BallkanWeb, 29 gusht 2015
Në Plavinac, ku Tito kalonte pushimet e tij verore, kronikat na kanë lënë evidenca për shumë dinjitarë, politikanë dhe artistë të njohur ……botërorë, që dëgjonin udhëheqësin e madh jugosllav teksa u jepte këshilla dhe… benefice. Tito shpjegonte sistemin e tij të vetadministrimit me një siguri e patos, që e besonte vetëm vetë. Shumë syresh, që i qëndronin përballë, e dinin se ishte në një qerthull, që do ta çonte drejt kolapsit. E megjithatë dëgjonin, argëtoheshin dhe iknin, duke u lënë vendin të tjerëve të dëgjonin të njëjtat.
Shumë vjet më vonë, disa nga politikanët ballkanikë, s’janë aspak më të varfër se Tito, por njësoj shpalosin ide dhe mundësi, që kanë pak gjasa të ndodhin. Më së shumti, janë të huajt që i marrin dhe u tregojnë udhën ballkanasve, pa ditur se shumë syresh, janë më të sofistikuar dhe e njohin politikën, biznesin dhe të ardhmen e kontinentit shumë më mirë sesa ata. Pa përmendur rastin e kryeministrit kroat Sanader, liderit malazez Gjukanoviç apo maqedonasit Nikolla Gruevski, këta të dy ende në fuqi, mjaftohemi me dy kryeministrat tanë të fundit. Pa formimin bazë në shkencat politike, jurisprudencës dhe ekonomik, ata i kanë besuar shumë talentit të tyre oratorik e mendimit, dhe i kanë dhënë vetes shpesh leje të artikulojnë gjëra që i kalojnë këllqet e tyre. Duket se rastin më flagrant e pati z. Berisha kohë më parë, kur pohoi se Shqipëria gjatë kohës që qeverisej prej tij ishte i vetmi vend në Europë që kishte rritjen më të madhe ekonomike pas Gjermanisë!! Edi Rama nuk është aq i çartur në dukje, por para Samitit të Vjenës, arriti të bënte një deklaratë gati të pabesueshme edhe për veten, kur pohoi se azilkërkuesit shqiptarë që shkojnë në Gjermani nuk nisen nga tokat e tyre, por nga vendet e BE-së, kryesisht nga Greqia!!! Këto mini-dëshmi janë në bazë të argumentit që e shpjegon formimin e munguar politik, juridik dhe ekonomik, që i bën shpesh politikanët shqiptarë, jo vetëm të stonojnë në artikulimet e tyre, por më shumë se kaq, të jenë zorshëm patetikë. Ndërkohë që vendi ka nevojë për liderë më kokulur, që e shikojnë realisht problematikën e vendit dhe nuk mbahen me propagandë boshe. Dhe, retorika e liderëve tanë, sidomos në takimet ndërkombëtare, është një palimpsest i gjërave që shkruajnë dhe përcjellin mendimtarët e njohur, pa qenë asnjëherë vetvetja.
Dhe, të kthehemi në aktivitetin e fundit, ku Serbia mori maksimumin e gjërave falë një politike pas Berlinit më kokulur, më të bindur dhe me më pak fryrje. Beogradi arriti që falë lëshimeve (të detyruara) ndaj Kosovës të marrë benefice, por edhe të shikojë gati të hapur procesin e saj evropian shumë shpejt. Gjithsesi s’është vonë edhe për Shqipërinë, megjithëse Vjena e kaloi në plan të dytë. Samiti më 27 gusht ishte i dyti, pas një serie prej pesë samitesh që janë planifikuar të zhvillohen deri në vitin 2018 dhe ku nuk besohet se të gjithë këta personazhe politike që e nisën, do e përfundojnë.
Në argumentin tonë, vendi ka nevojë për liderë që të mendojnë për shumë më tepër jashtë fryrjeve, pasi objektivat e samiteve janë tashmë disi jashtë kontekstit, kur Evropa po mësyhet prej lëvizjeve të mëdha migruese prej të gjitha anëve. Mesazhet e Vjenës në letër ishin të bukura, por kur Rama artikuloi sipas mendimit të vet “të hapur”, mori përgjigjen e zakonshme se: “para mbështetjes financiare, Evropa ishte aplikim vlerash dhe kjo ishte sfida kryesore.”
Në terren, qëndrimi i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit është tepër cinik. Një shifër që llogaritet e rrumbullakosur në rreth 85 miliardë do i jepet Greqisë me 10 milionë banorë dhe për tre vjet, ndërkohë që kjo masë e madhe e Ballkanit Perëndimor do përfitojë vetëm 1 miliard për 5 vjet. E më shumë, kjo do shkojë, për hir të së vërtetës, për të trasuar udhën që qarkullimi i tregtisë së Evropës të jetë më i shpejtë.
Në argumentin tonë, një lider i mirë, që i di limitet e veta dhe caqet e formimit politik, mund të ishte i kursyer, jo thjesht për të konstatuar problematikën, por për të përcjellë realisht kërkesa reale të vendit, pa i fshehur fare problemet e vërteta.
Është afërmendsh që BE-ja i di mirë sot gabimet e saj, ku dallon Euro dhe politika e jashtme evropiane. Por, nga ana tjetër, e dimë mirë se Evropa ka frikë dhe sot është e pafuqishme.
Pas Luftës së Ftohtë, Evropën e kapi një gjumë letargjik sikur gjithçka u zgjidh dhe tashmë nuk ekzistonte rreziku. Ndërkohë që Evropa, si shkak i kësaj mungese vizioni, nga muret imagjinare, në kontinent po ngre mure reale kudo. Teksa Rusia e kërcënon dhe e sfidon hapur, njësoj si Lindja e Mesme me valët e refugjatëve dhe krimin e ISIS-it. Ndaj, i gjithë ky cinizëm i kohës e bën të vogël artikulimin shpresëdhënës të liderëve ballkanikë, që tashmë, edhe pse u thonë se nuk ka Evropë pa ta, askush prej tyre nuk e beson realisht hapjen shpejt të derës. Kontinentit i mungon strategjia, por më shumë liderët që vërtet dinë të bëjnë diferencë. E kur dëgjojnë patetizmat e ballkanasve, si liderët tanë, që s’kanë ç’t’u bëjnë deputetëve të tyre, funksionarëve të inkriminuar, kur s’dinë të bëjnë një reformë si duhet, gjithçka e bën më të pamundur. Dhe, s’është detyrë e Shqipërisë, si në rastin e Ramës, të tregojë defektet e Evropës, sesa t’i mbulojë qoftë edhe një andrallë të vogël kontinentit, që edhe pa të ka shumë.
Ndaj, diskurset e politikanëve tanë, më shumë se i tundin evropianët, i vënë më në letargji për të besuar se rruga e integrimit është e vështirë dhe e ardhmja e kontinentit është sërish e zymtë. Por, edhe pse Rama ka sharm, mungesa e formimit bazë, ashtu si paraardhësi i tij Berisha, e bën tejet patetik dhe pak të besueshëm. Qoftë edhe për qytetarët e vet që ikin dhe ikin dhe janë gjithnjë e më të stresuar prej mungesës së shpresës. Sepse nuk mund të thuash më bëma si ato të Titos, që gënjente për një sistem gati irreal.