Kriza e përfaqësimit politik

Nga Ndue Dedaj, botuar në Shqip, 28 gusht 2015

Ndue-DedajPa pikë dyshimi shqiptarët në 2015-n kanë nivelin më të ulët dhe më të diskutueshëm të përfaqësimit të tyre politik, parlamentar, vendor etj. Të gjithë ndihemi të keqpërfaqësuar, e megjithatë asnjëherë nuk e kemi bojkotuar votimin për këtë shkak. Nuk themi për abstenimet e individëve para fletëve të votimit, ku mund të kenë bërë dhe ndonjë shkarravinë përçmuese pranë emrit të kandidatëve, por nuk ka pasur një refuzim publik në bllok të kandidaturave të paraqitura nga politika. Një protestë të një lloji të veçantë: “Ne nuk i votojmë këto kandidatura për deputetë, kryebashkiakë, këshilltarë që na keni sjellë. Gjeni dhe na paraqitni të tjera! Me shkollimin e duhur, me integritet, me dëshmi penaliteti jo formale! Me mundësi për t’i dhënë komunitetit e jo për t’i zhvatur atij copa”. Realiteti nuk ofron alternativën e dëshiruar në asgjë, ndaj njerëzit sot janë në dilemë për të qenë … njerëz! Ngaqë ka dalë sheshit e ulëta, e shëmtuara, korruptivja dhe të ecësh me këmbët e tua, të guxosh për të ndershmen, të fismen, idealen ngjan si të jesh jashtëtokësor. Çfarë po ndodh kështu me ne? Kemi mbetur duke thënë: “Parlament ishte ai i ’91-shit, i 92-shit me kaq e aq profesorë” etj. Kështu ka ndodhur gjithnjë me ne kur ka qenë puna për t’u përshtatur me sistemin e ri, janë thirrur idealistët, fisnikët e përkohësisht dhe “borgjezët”, mjaft që të fitohej besimi. Por pas kësaj, punën e kanë marrë në dorë marifetçinjtë, ata që dinin të luanin lojën e të mëdhenjve dhe të vetes. Ishte vërtet i spikatur Parlamenti i ’91-shit, veçanërisht krahu i opozitës demokratike, siç na duhet të shënojmë me germë të madhe Parlamentin e parë shqiptar me 1921-shin. Deputetët ishin ndër njerëzit më të shquar të Shqipërisë, ku Shkodrën e përfaqësonin Gurakuqi, Fishta, Mjeda, Bumçi, Marlaskaj etj. Por tradita e përfaqësimit të shqiptarëve është shumë më e hershme se ajo parlamentare. Hijet e lisave dhe të rrapeve shekullore janë selitë e para kuvendore, çka e dëshmojnë dhe mjaft toponime që lidhen me to në jug e në veri. Të thuash sot se kemi pasur një traditë përfaqësimi në mesjetë për shumëkënd ngjan si të thuash anakronike, si po na krahason ne me njerëz analfabetë që dinin vetëm të vinin gisht në letër? Nuk po i hyjmë asaj se disa nga përfaqësuesit e sotëm në organet e pushtetit shpesh janë më analfabetë se gjyshërit e tyre, pasi problemi është më esencial. Përfaqësimi asokohe, dhe pse i trashëgueshëm (plaku, straplaku, kapedani, bajraktari) ishte institucion, ku nuk mund të përfshiheshe nëse nuk kishe disa cilësi të kuvendit dhe të kuvenduarit. Mund të depërtoje kudo tjetër, por jo në kuvend. Duhej shumë mund për të kultivuar pleqërimin dhe pleqësinë, të dilje faqebardhë në ballafaqimet publike të kohës. Ai që nuk ishte i zoti për të përfaqësuar tërhiqej, pasi kuvendi ia bënte “bat-bat”. Ndaj janë në zë pleqtë e krahinave të ndryshme të vendit, që vetëm mënyra e përfaqësimit me dinjitet i nxori nga anonimati, duke u përmendur me emër e mbiemër nga Labëria në Malësi të Gjakovës. Tranga e Selitës ishte një lagje e vogël e Selitës / Kurbneshit, por për të thuhej “12 shtëpi e 13 pleq”, në kuptimin që çdo shtëpi e kishte një plak të mençur brenda saj, në mos diku ishin dhe dy-tre të tillë. Përfaqësimi, prija ishin ushtrim i vazhdueshëm. Nuk bëheshe dot “plak” vetëm se doje, nëse nuk ishe në lartësinë e detyrës, mekanizmi i pashkruar përzgjedhës të nxirrte jashtë. Po të mos i përgjigjeshe dot “testit” kuvendor nuk mund të përfaqësoje shtëpinë tënde, jo më fshatin e krahinën. Shqiptarët kanë zhvilluar kuvende krahinore e gjer ndërballkanike në malet e tyre, pa folur për kuvende të një rëndësie të jashtëzakonshme historike, si Kuvendi i Arbnit (Lezhë). Një traditë vetëqeverisëse që nuk u ndal as në kohët më të errëta të sundimit otoman. Por nuk është ky rasti për t’u zgjatur, mjaft që të kuptohet se nuk na lejohet bjerrja e traditës së përfaqësimit. Nuk mund të vazhdohet më me manipulim zgjedhor, këtë “minë me sahat” që e hedh në erë demokracinë. Ende nuk është thënë se si do ta çlirojmë politikën nga diplomat false që prodhojnë skarcitet politik. Shihni vetëm këshillat bashkiakë që na kanë dalë nga votimet e fundit! Të paktën të publikohet një pasqyrë të dhënash e nivelit të tyre arsimor dhe keni për të parë se na qeverisin pesat! …

2

Kriza e përfaqësimit publik vjen nga kriza e përfaqësimit politik. Janë si duar që lajnë (apo dhe e bëjnë pis) njëra-tjetrën. Në biseda njerëzish të thjeshtë që ndihen të pazotët për të ndikuar pozitivisht në zhvillimet politike e sociale, flitet gjithnjë me zemëratë për përfaqësuesit e pushtetit në të gjitha nivelet. Kryetarë partish pa ndonjë prestigj që sjellin pas vetes besnikët. Kryebashkiakë që punësojnë me bekimin e partisë votambledhësit më “prodhimtarë”. Një histori që nuk po ndryshon në 25 vjet. Të rroftë nëse ke kryer shkollime e specializime, postet i merr ai që ka bërë më mirë “shkollën” e Partisë. Rroga e tij është sa dy e trefishi i asaj të pedagogut, mjekut, juristit, ekonomistit, inxhinierit. Ndaj ka një turrje militante si në ’45-n pas gjithçkaje që është publike për ta shtënë në dorë, por në dallim nga atëherë, sot të gjithë militantët janë me “diploma” falë bujarisë së të ashtuquajturve universitete private që, dhe pse tashmë të mbyllura, duhet të hetohen për diplomat e rrejshme lëshuar bijve dhe bosëve të politikës, deri në pezullimin e tyre, pasi kemi një nivel arsimor fiktiv të përfaqësuesve të pushtetit. Gjer sa të jenë në krye të zgjedhurit me vota të mbledhura me tarafe dhe be mbi “ungjill” e “kuran”, askush nga ne nuk përfaqësohet, ata përfaqësojnë as më pak e as më shumë se interesat e tyre personale e familjare. Kjo mënyrë sjelljeje është matësi që tregon se ne si shqiptarë kemi një problem të pakapërcyer me shtetbërjen, njeriun që nuk i delegohet pushteti legjitimisht, por ta rrëmben atë. Kemi shkuar mbrapa për nga cilësia e përfaqësimit dhe kjo është trishtuese. Plot 90 vjet më parë kemi zbatuar votimin me “zgjedhës të dytë”, që do të thotë se populli delegonte përfaqësuesit më në zë të tij të votonin për të.

Pritet në shtator të nisë beteja për dekriminalizimin e politikës dhe pastrimin e drejtësisë së korruptuar, pasi pushteti është bërë jo pak “çiflig” i njerëzve me rekorde kriminale, i gjykatësve të pasuruar në mënyrë të paligjshme etj. Por a do t’ia dalë politika mbanë kësaj nisme të kërkuar nga ndërkombëtarët, si kusht për hapat e anëtarësimit në BE? Ende nuk ka prova se ekziston një vullnet i fortë i palëve politike, por le të mos e paragjykojmë procesin. Ama deri tash nuk kemi dëshmuar mirëkuptim për reformat e mëdha, si ajo territoriale etj. Prandaj punët e Shqipërisë nuk shkojnë asnjëherë mirë. Nga politikanët nuk merret përgjegjësi reale politike dhe publike. I keni dëgjuar qeveritarët të flasin me dorë në zemër për emigrantët e fundit? Sikur ata ikin nga e mira. Sikur problemi është vetëm i sirianëve, irakianëve e jo dhe yni. Por “dielli nuk mbulohet me shoshë”, thotë populli. Në vend që të shtohet popullsia e vendit, ajo po shkurtohet dita-ditës në mënyrë drastike. Kardinali i Këlnit në Gjermani, Rainer Maria Woelki, që vizitoi Shqipërinë në gusht, na kujtoi se kemi qenë 3.2 milionë shqiptarë në 2013-n e tani jemi ulur në 2.8 milionë, ku me këtë eksod shpërthyes nesër mund të zbresim në nivelin e paraluftës. Atdheu po mpaket përditë dhe politikanët shqiptarë grinden dhe bëjnë batuta pa shije, në vend që të përpiqen që shqiptarët të kthehen këtu duke kapur shifrën 4-5 milionë, sa ç’janë në të vërtetë shqiptarët e Shqipërisë me gjithë emigracionin. Kjo ndodh me politika punësimi e zhvillimi e jo me politika që varfërojnë të varfrit dhe pasurojnë klanet politike në pushtetin e tranzicionit. “Nuk mund të kthehemi kur shohim se kush na përfaqëson”, thonë emigrantët, duke nënqeshur me emra këshilltarësh, deputetësh, drejtorësh, zyrtarësh të lartë e të ulët, që janë aty pa asnjë meritë civile e publike. Dhe sjellin shembullin e sivëllezërve të tyre të Europës Lindore që u ka buzëqeshur fati. “Në vitet ’90, polakët ishin po aq emigrantë sa ne në Itali, kurse tani janë kthyer në vendin e tyre që e ka kapërcyer tranzicionin.” Politika e ka për detyrë të projektojë të ardhmen në vend dhe bashkë me faktorët e tjerë zhvillimorë të krijojë mirëqenie, pasi asnjëherë nuk është rruga e duhur ajo përmes azilit ekonomik nëpër vendet europiane. Të ikësh nga një vend potencialisht i begatë, me gjithë vijën kufitare perëndimore bregdet, drejt vendeve të Europës Qendrore, Gjermanisë etj., që nuk kanë një pëllëmbë det, ngjan e habitshme jo pak.

Si përfundim, krizë përfaqësimi nuk do të ketë vetëm kur të kemi kultivuar qytetarinë politike dhe demokracia të jetë bërë më njerëzore. Nga sesioni i shkuar parlamentar mund të harrosh shumë gjëra, por jo një detaj, atë të Lindita Nikollës, ministre e Arsimit, që krejt papritur për sallën e pamësuar me gjeste të larta civile, zbriti nga foltorja e Kuvendit dhe shkoi e ul në rreshtat e deputetëve pranë ish-kryeministrit Berisha, kritik për disa nga punët e asaj ministrie, për të folur nga afër me të. Dhe nuk ishte për shou, por për të dhënë një mesazh. Një sjellje krejt normale, por që ngjan ndryshe, ngaqë nuk ka normalitet dhe qytetari në sjelljen politike të palëve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi