Evazioni i aksioneve

Nga Mero Baze, botuar në gazetën Tema, 26 gusht 2015

downloadKa një përpjekje të qeverisë dhe zyrtarëve të saj, të cilët duan të shmangin përballjen me problemet që ka shoqëria jonë, ose duke shpikur aksione, ose duke shpikur arsye të tjera nga ato realet, që i prodhojnë këto probleme. Për shembull, sot janë paralajmëruar së paku tre fushata kundër informalitetit, që do të nisin në shtator. Ajo kundër evazionit fiskal në biznese, ajo kundër evazionit fiskal në mjekësi dhe ajo kundër mospagesës së faturës së ujit. Të treja janë paralajmëruar sikur në shtator, do të nisë një erë e re, pas së cilës në vend nuk do ketë më informalitet.

Mënyra si thuhet, mënyra si lajmërohen ato, mënyra se si trashet zëri pas paralajmërimeve, duket si një lloj justifikimi për atë që nuk ka funksionuar.

E vërteta është se informaliteti ka triumfuar në taksa- tatime, në produktet mjekësore apo dhe në furnizimin me ujë, por ky nuk është shtatori i parë i qeverisë. Është shtatori i tretë i saj, dhe si i tillë, nuk është i përshtatshëm për t’u shpallur muaj aksioni.

Një administratë serioze dhe efiçente nuk shpall aksione, por axhenda veprimi që zbatohen dhe prodhojnë në fund një bilanc pozitiv. Aksionet janë mekanizma revolucionare, të cilat sjellin rezultate të përkohshme, por nuk sigurojnë një disiplinë shtetërore.

Fjala vjen, sistem i taksa- tatimeve, nuk mund të korrigjohet me aksion. Nëse ai ka prodhuar një gropë në buxhet, do të thotë se ka qenë i korruptuar, ose i paaftë. Nëse është i tillë, aksioni duhet të nisë ndaj administratës tatimore, pastaj ndaj biznesit, pasi udhëheqësit e korruspionit, nuk mund të jenë dhe udhëheqësit e “revolucionit” antievazion.

E njëjta situatë është dhe në tregun e barnave, aty ku ka informalitet apo në tregun e shkatërruar të ujit të pijshëm.

Probemi është se aksionet shpallen nga kompleksi i mungesës së suksesit, më shumë se sa nga nevoja e një fillimi të ri. Pra, ato ngjajnë më shumë si justifikim për çfarë nuk është bërë, se sa si premtim për çfarë do të bëhet.

I njëjti kompleks ndjehet në deklaratat e Ramës dhe Tahirit, dhe për azilantët tanë. Të kompleksuar përse ndodh ky fenomen, ata fillojnë e prodhojnë statistika të padobishme, se nga cili kufi kanë arritur emigrantët në Gjermani. Është e vërtetë se ata kanë përdorur çdo lloj manovre për të mos u identifikuar rrugës si emigantë, por ama kanë ikur. Dhe kur dikush vendos të iki nga vendi i vet, ky nuk është problem policor. Enver Hoxha krijoi klon elektrik dhe po të mos krijonte mekanizmin e persekutimit të familjeve që mbeteshin këtu, do t’i kishte ikur gjysma e Shqipërisë. Pra, problemi i ikjes nuk është problem pse ne nuk ruajmë dot kufirin. Ne nuk duhet ta ruajmë biles kufirin për këtë fenomen. Kjo do të ishte më e tmerrshme. Ne duhet të ruajmë shoqërinë dhe ekonominë shqiptare dhe ta bëjmë këtë vend sa më të jetueshëm. Kjo është e vetmja mënyrë të ulim numrin e atyre që duan të ikin çdo vit nga vendi.

Mua nuk më duket tragjedi pse ikin, pasi emigracioni është një gjymtyrë e pandashme e çdo kombi, por më vjen keq që harxhojmë energji të prodhojmë arsye policore për ikjen, ose mbajtjen e tyre brenda kufijve. Shqiptarët kanë ikur më shumë kur nuk kishin viza. Kanë çarë detet me gomone dhe malet me borë për t’i ikur varfërisë. Tani po ikin më pak, por me avion. Është e pashmangshme derisa vendi të jetë nën efektin e një krize të gjatë ekonomike dhe mungesës së shpresës. Kriza rajonale e bën dhe më të ndjeshëm këtë fenomen. Por, për këtë nuk ka arsye ta minimizojmë, duke thënë se ata kanë ikur nga Greqia, Maqedonia apo Mal i Zi më shumë se nga Rinasi. Ata thjeshtë kanë ikur si shqiptarë dhe problemi duhet zgjidhur këtu. Dhe për këtë nuk ka nevojë për justifikime. Ky është një realitet që duhet pranuar së pari nga qeveria, sidomos me partnerët ndërkombëtar, dhe ta shikojë këtë si një alarm për një vemendje më të madhe ndaj Shqipërisë.

Valët e emigracionit askush në botë nuk i ka ndalur me polici apo masa policore. Policia mund të luftojë trafikantët e qënieve njerëzore ose ata që përdorin fatkeqësinë njerëzore për trafiqe, por jo të ndalë vullnetin e një njeriu që do të iki nga ky vend.

Qeveria nuk ka pse vuan nga kompleksi i sukseseve me çdo kusht. Sukses është të pranosh problemet dhe t’i zgjidhësh ato, jo të fshehësh shkaqet e dështimit dhe të paralajmërosh aksione.

Të gjithë e dinë pse nuk paguajnë taksa, të gjithë e dinë pse nuk paguajnë ujin apo pse blejnë ilaçe nën dorë, dhe mbi të gjitha e dinë pse po ikin. Paralajmërimi i aksioneve për çdo dështim kundër evazionit, mund të kthehet në evazion aksionesh. Dhe pastaj duhet aksion politik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi