Ta shkruash emrin në rërë!

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli Online, 25 gusht 2015

afrim-Krasniqi– Kjo shprehje e fëmijërisë mu kujtua ndërsa sot po ndjek bashkëbisedimet online të radhës midis qytetarëve e politikanëve. Dhe të gjithë e dimë: rëra ikën me erën e lehtë të mbrëmjes, dhe bashkë me të edhe emri, edhe halli, edhe modeli demokratik që po na imponohet si gjetje. Në demokraci politikanët e kanë detyrë dhe përgjegjësi të bëjnë transparencë, për çdo vendim. Ata nuk zgjedhin se kur duan të flasin, ata janë të detyruar të japin sqarime dhe nëse refuzojnë, ekzistojnë mekanizma institucionalë garantues, siç ekziston moraliteti publik që imponon. Kjo praktikë normale për një vend demokratik, nuk vlen për Shqipërinë.

Tek ne nuk ka pothuajse asnjëherë akte të dukshme të transparencës publike. Duke filluar nga gjërat e vogla deri të mëdhatë. Për shembull, ne nuk e dimë se kush paguan godinat e partive dhe as pushimet e politikanëve, kush paguan vilat e tyre dhe as jetesën luksoze, kush krijon përmes politikës sistem monopol tregu dhe ku shkojnë paratë publike. Shumica e tyre vijojnë të trajtohen gati si sekret shtetëror, kush heton e shkruan rrezikon gjithçka, përfshirë sigurinë familjare për shkak të presionit të pushteteve dhe turmave militante klienteliste që burojnë, financohen e komandohen prej tyre. Politikanët tanë e shohin detyrimin për përgjigje ndaj akteve të tyre dhe informimin e publikut, si një privilegj, si dhuratë, si risi e sjelljes së tyre si një ndryshim historik. Në fakt, nuk është e saktë as njëra dhe as tjetra.

Kur ka qenë rasti i fundit kur një politikan i lartë, president apo kryeministër, kryetar bashkie apo ministër, kryetar parlamenti apo deputet i është përgjigjur menjëherë shqetësimit mediatik apo publik përmes akteve publike, transparente dhe me ton respekti ndaj kërkesës për informacion e transparencë? Nuk mbahet mend hera e fundit, sepse nuk ka pasur as herë të parë. Ata flasin vetëm kur duan vetë, si duan vetë, me kë duan vetë, për çfarë duan vetë dhe kryesisht janë unanim në vlerësimin, kritikat janë të gabuara, ata janë pre e sulmeve politike dhe se fajtor është gjithnjë pala tjetër politike! Kaq. Si në kohën e qoftë largut, kur edhe për mungesën e shkumësit në klasë për 46 vjet fajësonim Ahmet Zogun apo imperialistët amerikanë!

Ne nuk jemi demokraci funksionale dhe ndaj tek ne politikanët sillen si me masat para-demokratike, i lejojnë të flasin, të pyesin, të kritikojnë dhe të jenë aktiv aq sa nuk cenohet status quo, kur ajo cenohet, ndëshkimi i pushtetit dhe politikës është i ashpër dhe gati asgjësues. Sepse tek ne pushteti nuk ka qenë i qytetarëve, nuk është dhe nuk pritet të jetë në vitet e afërta të së ardhmes. Ai që ka pushtet imponon publikun dhe sjelljen qytetare, ai e përdor pushtetin për dominim e kontroll, ai përcakton çfarë është e mirë dhe e keqe, ai bën paqen e luftën, pjesa midis tyre, viktimat, janë shifra elektorale pa rëndësi. Kur lexon pyetjet dhe shqetësimet pafund që qytetarët ngrenë tek faqet online të shefave të shtetit, partive dhe qeverisë, ndjen keqardhje të shumëfishtë.

Së pari sepse nga hallet e tyre dhe vetë komunikimi e kupton se shteti demokratik nuk po funksionon. Shumica e halleve janë përgjegjësi e segmenteve shtetërorë, ngaqë ata nuk e bëjnë detyrën, njerëzit vijojnë të jenë të prirur të “çlirohen” duke ia treguar hallin e tyre të Madhit, atij që ka pushtet. Ne paguajmë miliona euro për institucione që duhet të merren me shqetësimet qytetarë, që duhet të ofrojnë zgjidhje, që duhet të jenë garante të ligjit, por nga komunikimi virtual qytetar – politikë sheh se shumica janë shpenzime burokracie, pa efekt dhe pa risi pozitive në drejtim të transparencës dhe demokracisë funksionale.

Së dyti të krijon bindjen se loja politike shqiptare me rrjetet sociale është fyerje për teknologjinë dhe atë pakicë njerëzish që kanë inteligjencë e pavarësi sa të refuzojnë të jenë militantë të verbër të partive e shefave të tyre. Udhëheqësi sheh nga ekrani çfarë mendojnë qytetarët e tij dhe argëtohet me ta, me shkrimin e kërkesat e tyre, përzgjedh vetë kujt t’i përgjigjet dhe çfarë të thotë, mund të refuzojë kë të dojë, mund të shkruajë batuta humori në përgjigje, pra sillet si ai turisti në breg të detit që zbavitet me komentet e shumëllojshme në rrjetet sociale, kryesisht për të kaluar kohën. Nuk kthen ai përgjigje, për përgjigje ka stafe të paguara që trajnohen për përgjigje standarde në emër të shefit, dhe që bëjnë dy punë, herë si shef për përgjigjet, herë si popull shkruajnë vetë pyetje e komente në adresarin online ndaj shefit, sidomos kur ka më shumë se 3-4 kritika të njëpasnjëshme nga qytetarët e tjerë. Në thelb, komunikimi virtual i modelit shqiptar është i njëjtë me atë që bënim të vegjël kur shkruanim në rërë! Nuk ka vlerë, nuk është dokument, nuk merret seriozisht, nuk prodhon demokraci, nuk është institucional, nuk ka hierarki vlerash. Është më shumë alibi e argëtim (nga politika) sesa formë revolucionare e zgjidhjes së problemeve.

Së treti në thelb ky komunikim tregon se tek ne dominon “e folura pazari”. Në komunikimin e fundit me kryeministrin (24/8) kishte p.sh, vartës të tij në kryeministri (DSIK) që i shkruanin në FB shefit për probleme pune. Imagjino si funksionon shteti: drejtoria e informacionit të klasifikuar i ankohet shefit të vet në FB, publikisht. Nga ana tjetër, gjenden pafundësisht ankesa zyrtarësh me status civil që flasin si militantë partiakë, akuzojnë shefat se kanë bindje të ndryshme politike, se nuk ishin aktiv në fushatë…etj, etj, kur vetë ata nuk kanë të drejtë ligjore të bëjnë aktivitete partiake dhe se sipas ligjit, janë aty me statusin e nëpunësit civil, të depolitizuar dhe me demek edhe produkt i sistemit të meritokracisë. Po ashtu, gjenden ankesa për ministra e funksionarë të lartë, shumica e të cilave nëse janë reale, janë produkt hetimi urgjent nga prokuroria për korrupsion e abuzim, por siç çdo e shkruar në rënë, nuk kanë vlerë, nuk lexohen, nuk merren seriozisht dhe nuk tërheqin dot vëmendjen e shefit të qeverisë, të ministrit dhe as të prokurorisë.

Së katërti, komunikimi virtual qytetar me vendimmarrësit nxjerr në pah nivelin para-demokratik të një pjese të madhe qytetare ndaj koncepteve të shtetit, të drejtës dhe demokracisë. Ka nga ata që në një lumë hallesh familjare shohin si hallin më të madh, përse nuk arrestohet kundërshtari politik, përse ambasada amerikane bën deklarata politike, përse gjykata ka marrë një vendim kundër interesit të tij, përse ai (personi që pyet) nuk ka fituar një garë në një konkurs, deri edhe tek pyetja përse fqinji ka hyrë në punë përpara tij (atij që pyet). Dhe për ta dëshmuar natyrën tonë solidare me liderit sundues, janë pafund komente që ngrenë në qiell liderin, aftësinë, vizionin, punën, veshjen e deri edhe FB e tij, – përpara se të shtojnë në fund ndonjë konstatim kritik si p.sh, nuk kemi ujë, nuk kemi punë, nuk kemi drita, nuk kemi siguri apo nuk shohim ndryshime, natyrisht duke shtuar se faji për të gjitha këto gjendet tek e kaluara (e kaluara, gjithnjë quhet periudha përpara zgjedhjeve të fundit!).

Të njëjtat tipare gjenden edhe në formën rutinore të konferencave të shtypit që bëjnë modelet rivale politike, me pyetje të gatshme, me më shumë kamera sesa gazetarë të pranishëm dhe me një fjalime patetike që thonë shumë, por “harrojnë” një detaj: nuk thonë asgjë për përgjegjësinë e tyre në keqqeverisjen e djeshme, për modelin klientelist dhe nivelin minimal të demokracisë, produkt i një politike konsensuale e rotacion midis elitave të korruptuara dhe oligarkike në Shqipëri, që ishin, janë dhe vijojnë të mbeten, vendimmarrësit e vetëm në këtë vend. Çfarë mbetet nga kjo histori banale komunikimi virtual/keqpërdorimi të demokracisë/kontrolli të publikut/transparence të munguar kilometra larg standardeve te komunikimit serioz, etik e profesional te liderve perëndimore? Shija e keqe se sa larg ndodhemi standardeve të vërteta të demokracisë, jo thjeshtë si shoqëri e standard jetese, por mbi të gjitha nga mentaliteti që udhëheq dhe ushqen elitën politike që thotë se ka mision standardet e reja, nga logjika para-demokratike dhe jo institucionale që na sundon, nga rreziku që vjen prej turmës militante dhe nga frika e madhe dhe shkatërruese mbi atë se ky është standardi më i lartë i demokracisë që ne mund të prodhojmë!

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi