Ekonomia prodhuese, rritja e punësimit sfidë për Shqipërinë

Intervistë e DW me Adrian Civici, 22 gusht 2015

0,,17196014_303,00

Samiti i Vjenës- tregues nëse BE ka vullnet të qartë politik për të investuar në Ballkanit Perëndimor. Flet për DW Adrian Civici, dr. në shkencat ekonomike, President i Universitetit Europian të Tiranës.

DW: Ka lajme të mira këtë verë për ekonominë: sipas të dhënave zyrtare ka një rritje prej 50,5% të investimeve të huaja në 6 mujorin e parë të këtij viti në krahasim me të njëjten periudhë të një viti më parë. A mendoni se Shqipëria ka hyrë në një trend të qendrueshëm të rritjes së investimeve të huaja, që konsiderohen “karburanti”i rritjes ekonomike?

Adrian Civici: Në 10 -12 vitet e fundit, investimet e huaja direkte (IHD) kanë njohur tre trende të dukshme kryesore: rritje të qëndrueshme në periudhën 2002-2010; ulje në periudhën 2010- 2013; trend i pastabilizuar me rënie në vitin 2014, por veçanërisht pozitiv në dy tremujorët e parë të 2015. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërsë, IHD u rritën me rreth 50% në krahasim me tremujorët respektivë të 2014. Edhe në raport me disa vende të Ballkanit Perëndimor, ka pasur vite kur Shqipëria renditej në vendet e para për thithjen e IHD. Por, përtej këtyre shifrave të përgjithshme, IHD në Shqipëri kanë qenë të lidhura ngushtë me disa faktorë: të ardhurat nga privatizimet janë llogaritur si IHD, pra në vitet kur kemi realizuar privatizime masive ose privatizime të sektorëve strategjikë kjo është reflektuar direkt tek shifrat e IHD. Nga ana tjetër, pamundësia për të pasur në vazhdimësi privatizime të mëdha apo masive zvogëlon detyrimisht dhe mundësinë e rritjes së IHD; koncesionet, që kanë qenë gjithashtu një burim i rëndësishëm IHD janë përballur me luhatje të mëdha dhe aktualisht duket se nuk përbëjnë prioritet; një pjesë e IHD në Shqipëri përbëhet nga riinvestimet e fitimeve të kompanive, veprim që nuk ka garancinë që do ndodhë në të njëjtat përmasa çdo vit; IHD në Shqipëri reflektojnë ndjeshëm dhe situatat ekonomike, financiare, politike e sociale të vendeve partnere. Kriza globale financiare dhe veçanërisht kriza greke dhe ajo europiane e borxheve reduktuan mjaft mundësi investimesh në vende si Shqipëria, ndërkohë që kriza e Pranverës Arabe orientoi drejt Shqipërisë IHD të konsiderueshme; së fundi, luhatjet dhe debatet e shumta për sistemin fiskal dhe taksat në Shqipëri, sidomos rritja e tyre vitet e fundit, si dhe gjithë problematika që lidhet me qartësinë e pronave, sistemin e drejtësisë, korrupsionin dhe klientelizmin kanë krijuar paqartësi dhe në mjaft raste frenim të IHD. Të gjithë këta faktorë të bëjnë të mendosh se Shqipëria e ka akoma të vështirë krijimin e një trendi të qëndrueshëm rritjeje të IHD për vitet në vazhdim.

DW: Atëhere ku po shkon ekonomia e Shqipërisë, cilat janë sfidat që duhet të përballojë?

Sfida kryesore është rritja ekonomike e qendrueshme. Nivelet 1.8% – 2.5%, ku luhatet ekonomia shqiptare në këta 3-4 vitet e fundit janë pozitive në raport me situata stanjacioni apo reçesioni, që po kalojnë mjaft vende të zhvilluara apo dhe disa vende të rajonit tonë, por gjithsesi janë shifra të ulta për një vend me një nivel borxhi të jashtëm rreth 70%, papunësi 17-18%, të ardhura për frymë rreth 3000 euro, nivel të lartë varfërie relative, të shoqëruar me diferencime sociale të konsiderueshme, dhe mbi të gjitha për një vend që ka nevoja urgjente për investime publike në arsim, shëndetësi dhe ka një nivel konsumi të reduktuar. Thelbësore mbetet zbatimi i atij që tashmë cilësohet si “modeli i ri ekonomik”, që fatkeqësisht barazohet apo reduktohet vetëm me klimën e biznesit, sistemin e taksimit dhe luftën ndaj informaltetit, ndërkohë që është shumë më tepër se kaq. Është ndryshimi i kontributit të sektorëve dhe degëve të ndryshme të ekonomisë në krijimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Plotësimi i boshllëqeve apo gropave të krijuara nga ezaurimi apo tkurrja e sektorit të ndërtimit, rënia drastike e remitancave kryesisht nga Greqia dhe Italia, zvogëlimi i mundësive për privatizime dhe krijime të ardhurash prej tyre kërkon reforma strukturore e projekte vizionare politike e ekonomike për zgjerimin e intesifikimin e disa sektorëve të tjerë, apo dhe krijimin e shërbimeve e aktiviteteve të reja që me kontributin e tyre në PBB, jo vetëm të mbushim gropat e krijuara, por edhe të krijojnë punësim, të ardhura të qendrueshme shtesë, gjë që reflektohet menjëherë në rritjen ekonomike. Gjatë këtyre 25 viteve që konsiderohen si “periudhë tranzicioni”, në Shqipëri u ndërtua një ekonomi që bazohej kryesisht tek konsumi dhe disa lloj shërbimesh, ndërkohë që sfida bazë për 5-10 vitet e ardhshme mendoj së duhet të jetë ndërtimi i një ekonomie prodhuese me fuqi të lartë eksportuese, duhet të jetë zëvendësimi i një pjese të konsiderueshme të importeve (sidomos ato bujqësore e ushqimore, energjia, materialet e ndërtimit, etj.) me prodhim vendas. Ne mund ta financojmë shumë mirë zhvillimin tonë nëpërmjet aplikimit të atyre politikave ekonomike që cilësohen si “financimi i rritjes ekonomike nëpërmjet prodhimit dhe konsumit të brendshëm”. Kjo do të ndikonte pozitivisht edhe në kryesfidën ekonomike e sociale të Shqipërisë: rritjen e punësimit. Miliarda euro kursime e depozita të brendshme “flenë” në bankat tregtare në Shqipëri, ndërkohë që stimulimi që ato të investohen nëpërmjet kanalit të kreditimit është akoma i ngurtë dhe relativisht i bllokuar.

DW: Në këtë peizazh të situatës ekonomike futet edhe ekonomia informale me pasojat e saj. Betejat e shtetit në luftën kundër saj kanë qenë më së shumti të humbura. Si mund të tkurret ajo? Kryeministri Rama sapo e ka shpallur luftën kundër saj pririotet të vitit në vijim?

Është pa dyshim një nga prioritetet më të mëdha dhe një nga sfidat më të domosdoshme për t’u fituar. Nuk mund të ketë ekonomi, financa, shtet apo qeverisje korrekte institucionale në një vend ku niveli i informalitetit në rastin më të mirë vlerësohet rreth 40%. Analizat e specializuara në këtë drejtim evidentojnë shifra “humbjeje” apo “mos-realizim të ardhurash” që shkojnë mbi 1 miliard euro në vit si pasojë e informalitetit, për të cilin duhet thënë se ka një shtrirje vertikale në sektorët dhe aktivitetet e ekonomisë shqiptare. Lufta kundër informalitetit është konsideruar shpesh si “një betejë e humbur” jo si pamundësi për t’u reduktuar informaliteti në maksimumin e mundshëm por si një qokë politike apo tolerim që ka bashkëshoqëruar zgjedhjet politike në Shqipëri, si një “pazar” ndërmjet atyre që kërkonin pushtetin qeverisës dhe bizneseve apo individëve që dhënien e votës dhe financimet e dukshme apo të padukshme të partive e materializonin me shkallë të lartë informaliteti, ose e thënë më direkt, kompesonin dhe shtonin të ardhurat e tyre në kurriz të të ardhurave publike. Rruga kryesore për zvogëlimin e ekonomisë informale, në përputhje me prioritetin e vënë nga kryeministri Rama, është lufta pa kompromis ndaj saj, e shoqëruar me tre elemente thelbësore që mund të garantojnë suksesin: aplikimi i parimit të “shkopit dhe karrotës” që nënkupton një shtrirje relative në kohë të këtij procesi dhe jo objektivi i realizimit të tij për dy javë apo dy muaj; plotësimi i vullnetit politik me masa ligjore e institucionale të qendrueshme që nuk lejojnë rrikthim të situatave në pikën zëro; edukim i vazhdueshëm i bizneseve dhe individëve për të kuptuar rëndësinë e eleminimit të informalitetit dhe bashkëpunuar me qeverinë dhe strukturat specifike në këtë drejtim.

DW: Bashkëpunimi rajonal është një mundësi dhe shans për ritme më të larta të zhvillimit ekonomik. Çfarë duhet bërë që ky shans të kapet më mirë se deri tani?

Bashkëpunimi rajonal është ndoshta rruga e vetme që na krijon premisa e na hap portat e zhvillimit ekonomiko-social. Jetojmë në një rajon të përbërë nga shtete të vogla (Shqipëria 3 milion banorë, Maqedonia 2 milion, Kosova 1.9 milion, Mali i Zi 0.76 milion, etj.), premisat e të cilave për t’u zhvilluar të vetme, dhe mbi të gjitha, për të përballuar të vetme krizat ekonomiko-financiare apo globalizimin, janë gjithnjë e më të vogla. Sot është koha e entiteteve të mëdha rajonale, dhe në këtë kuadër, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të lenë mënjanë të kaluarën dhe historinë konfliktuale të tyre dhe të shohin nga e ardhmja. Vlera dhe cilësia e liderëve politikë të Ballkanit duhet të matet me nivelin e bashkëpunimit ekonomik, financiar, teknologjik e inovativ që ata stimulojnë dhe zhvillojnë. Është gabim të mendohet se gjithçka do të zgjidhet kur të integrohemi në BE. Rruga jonë e zhvillimit ka si stacion të parë dhe të domosdoshëm bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Kosova duhet të fillojnë të flasin e veprojnë më shumë për autostrada të përbashkëta, hekurudha, porte, aeroporte, sisteme energjetike, konvejerin ushqimor, harta turistike të përbashkëta, uzina, fabrika, shërbime komplekse, etj.

DW: Për këtë duhen disa parakushte kur flitet për krijimin e një tregu të përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Cilat janë ato? Çfarë pritmërishë mund të kemi nga Samiti i Vjenës, si vijim i procesit të Berlinit?

Samiti i ardhëm i Vjenës është një moment thelbësor për të ardhmen e rajonit. Ai pritet të jetë fillimi i konkretizimit të procesit të Berlinit, ose e thënë ndryshe, fillimi i bashkëpunimit konkret BE-Ballkan Perëndimor në kuptimin tërësor të fjalës, d.m.th., bashkëpunim i BE, në këtë rast me një rol prioritar gjerman, me Ballkanin Perëndimor si një i tërë. Nisur nga eksperiencat e deritashme, në Vjenë duhet të gjejnë përgjigje tre elemente thelbësorë: vullnet i qartë politik i BE për të investuar masivisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor si një etapë që çon në zhvillimin më të shpejtë ekonomiko-social të këtij rajoni dhe e përgatit më mirë atë për integrimin e ardhshëm europian; inteligjenca dhe kapaciteti i përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të paraqitur projekte rajonale zhvilluese sa më bindëse e eficente; garancia e vendeve ballkanike për angazhimin e tyre pa kompromis për reformimin e sistemeve të drejtësisë, funksionimin e shtetit ligjor, reduktimin e korrupsionit, modernizimin e politikës, etj. Krijimi dhe konsolidimi i një tregu të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, elementë të veçantë të të cilit tashmë egzistojnë në rajon, është rruga kryesore e integrimit dhe zhvillimit të qendrueshëm të rajonit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi