“Lufta” që detyron shqiptarët të arratisen
Nga Mentor Kikia, botuar në BallkanWeb, 21 gusht 2015
Çështja e azilantëve në BE, veçanërisht në Gjermani, po merr përmasat e një lufte. Vetëm se armiku nuk është një ushtri të armatosurish që mësyjnë, por një armatë njerëzish të dëshpëruar që ikin nga sytë këmbët për t’i shpëtuar luftës që vazhdon të mbajë të mbërthyer një pjesë të vendeve të Lindjes së Mesme. Plazhet e shumë ishujve në Greqi janë shndërruar në vendfushime të klandestinëve që flenë në rërë dhe ushqehen sa për mbijetesë. Nuk është shumë më e mirë gjendja e atyre që kanë mbërritur deri në Gjermani, e strehohen nëpër kapanone e çadra.
Refugjatët e luftës janë një problem i përhershëm për shtetet e pasura apo OKB-në, pasi njerëzit shpërngulen masivisht për t’i shpëtuar vdekjes apo jetesës së vështirë, duke prodhuar katastrofa humanitare. Por Perëndimit dhe veçanërisht Gjermanisë nuk i janë sulur vetëm njerëzit që arratisen nga lufta. Mes atyre që kanë populluar kapanonet e azilantëve në Gjermani janë në masë shtetasit nga vendet e Ballkanit, të cilët siç theksonte analistja e “Dojce Vele”-s, Verica Spasovka, nuk janë as në luftë, as nën torturën e diktaturës. Mes tyre janë të paktën 30 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë arratinë vetëm gjatë këtij viti dhe që tashmë presin avionin e kthimit. Shifrat e bëra publike nga Ministria e Brendshme gjermane tregojnë se Shqipëria është në vend të dytë, pas Sirisë. Këto shifra kanë ardhur duke u rritur nga muaji në muaj dhe vetëm për korrikun janë 7633 kërkesa për azil, kundrejt 9413 nga Siria, duke lënë pas Irakun, Afganistanin e Eritrean. Pa dyshim që shqiptarët do të kthehen, pasi autoritetet gjermane e kanë bërë të qartë se ata nuk kanë asnjë arsye për të marrë statusin e azilantit. Por kjo nuk mjafton që politika shqiptare ta bëjë gjumin të qetë. Kryeministri Rama, në një intervistë për gazetën italiane “L’Unita”, duke komentuar situatën e emigrimit në BE, flet si një lider europian, madje kritik i Europës, që nuk po di të menaxhojë valën e eksodit, dhe jo si udhëheqës i një vendi që prodhon klandestinë më shumë se shumica e vendeve që janë në luftë.
Duhet të jemi të sinqertë me veten. Ne shqiptarët do të kemi gjithmonë arsye ekonomike të ikim nga vendi ynë, pasi, sado të zhvillohemi, ne do të mbetemi sërish më të varfrit e Europës. Por, a është posaçërisht varfëria ajo që i bën njerëzit të marrin rrugët njësoj si para 25 vjetësh? A është varfëria një arsye e barabartë me terrorin e ISIS-it në zonat e pushtuara në Siri e Irak? Unë mendoj që jo. Sado të varfër, shqiptarët nuk janë në kushtet e urisë që të përleshën për një copë bukë në kampet gjermane, apo të preferojnë më mirë të vrasin veten sesa të rikthehen në vendin e tyre. Sado të varfër, ata nuk kanë askënd nga pas që i kërcënon me vrasje apo me djegien e shtëpisë. Sado të varfër, sot shumica e shqiptarëve jetojnë shumë më mirë se, të paktën, 10 vjet më parë. Por, përse detyrohen ata të ndërmarrin të tilla sakrifica atëherë? Në mesin e azilkërkuesve shumica janë çifte të reja me fëmijë të vegjël, ose të rinj, djem e vajza, kryesisht nga zonat rurale. Janë njerëz të zhgënjyer nga gjithçka dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen tashmë, jo vetëm të tyren, por mbi të gjitha të fëmijëve të tyre. Azilkërkuesit e sotëm nuk janë prindërit e tyre që në vitet ’90 morën rrugët për të siguruar bukë dhe rroba për fëmijët. Ata sot kërkojnë një jetesë më të mirë dhe janë të bindur se ajo nuk do të jetë kurrë në vendin e tyre. Një çift i sapodeportuar ishte intervistuar brenda një shtëpie, që mund të konsiderohet normale në çdo vend. Por ata donin të iknin që t’i integronin fëmijët në një tjetër vend që tani, sepse ata nuk shikojnë tjetër perspektivë për ta veç profesionit të emigrantit, i cili është sot kontribuuesi më i madh i ndryshimit të jetesës së shqiptarëve.
Shqiptarët, pas çerek shekulli nga rrëzimi i komunizmit, nuk mund dhe nuk duan të kënaqen më vetëm se kanë një shtëpi më komode dhe televizor brenda, apo se kanë mundësi të vishen e të hanë më mirë. Duhet të kuptojmë se ka edhe një ndryshim të madh mes prindërve që emigruan 25 vjet më parë dhe bijve që duan të emigrojnë sot. Prindërit ikën për t’u kthyer me ca para për të ndërtuar shtëpinë, për të siguruar ushqim dhe veshmbathje për fëmijët. Ndërsa fëmijët duan të ikin për të mos u kthyer më, për t’i larguar njëherë e përgjithmonë fëmijët e tyre nga vendi i tyre. Dhe kjo nuk lidhet vetëm me rritjen e “standardit” të kërkesave, por me mungesën e shpresës për të ardhmen në këtë vend. Duhet kujtuar se nga Shqipëria nuk ikin vetëm ata që kërkojnë thjesht një vend pune apo një pagë më të mirë, por ka edhe nga ata që kanë gjithçka, por nuk shikojnë dot të ardhmen e fëmijëve këtu. Nuk ka sot vetëm nga ata që mbushin kapanonet në Gjermani, por edhe nga ata që paguajnë para për t’i shkolluar fëmijët në Gjermani me pikësynimin e qartë që të mos kthehen më në Shqipëri.
Nuk ka nevojë për shumë arsyetim të kuptosh se ata që mendojnë kështu kanë të drejtë. Dhe sërish kjo nuk lidhet vetëm me nivelin ekonomik dhe shkallën e lartë të papunësisë te një brez që jo vetëm nuk ka punë, por as nuk di se çfarë pune mund të bëjë. Përpos kësaj, sot ne kemi një demokraci më pak funksionale sesa në fillimet e saj. Kemi një politikë më të korruptuar dhe më të inkriminuar. Kemi një sistem drejtësie të kalbur këmbë e kokë. Kemi një burokraci të korruptuar e të politizuar deri në palcë. Kemi një politikë të shtrirë si kancer në trupin e shoqërisë dhe që kontrollon çdo fushë të jetës së saj, së cilës po i imponohet më keq se në kohën e komunizmit. Ndërsa kuptojnë realisht se ku jetojnë, shqiptarët kanë kuptuar edhe se janë gjithnjë e më pak të fuqishëm të ndikojnë në mjedisin politik të vendit të tyre, në kushtet kur është paraja që vendos për çdo gjë. Ata kanë kuptuar se, më shumë se çdo gjë, këtu nuk ka shpresë. Dhe kjo është më e trishtueshme se çdo mjerim ekonomik dhe po aq e keqe sa edhe një luftë. Në fakt kjo është lufta që i ndjek ata të ikin nga vendi i tyre. Ky është “ISIS”-i që ka pushtuar qytetin e fshatin dhe i kërcënon çdo ditë.