Azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani në rritje të pandalshme
Nga reporter.al, 21 gusht 2015
Shih gjithashtu: “Lufta” që detyron shqiptarët të arratisen
Gjermania shënoi një rritje të mëtejshme në numrin e shqiptarëve të aplikojnë për azil gjatë muajit korrik, pavarësisht përpjekjeve të qeverive të të dy vendeve për të ndaluar këtë problem. Në korrik, 7633 shqiptarë mbushën aplikimet për azil ndërsa nga janari i këtij viti numri i aplikimeve ka arritur në 29,857, bëhet e ditur nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë. Dhe tendenca është për rritje të mëtejshme. Në janar të këtij viti, kur problemi filloi të flitej për herë të parë në publik, qenë regjistruar 1,648 aplikime ndërsa në korrik qenë katër herë më shumë.
Nga vendet e tjera të Ballkanit, numri i aplikantëve nga Kosova ra në korrik në më pak se 1,400 vetë, ndërsa për periudhën janar-korrik, gati 33 mijë kosovarë shpresuan për dokumente gjermane. Aplikimet nga Serbia, Maqedonia e Bosnja u rritën gjithashtu në korrik, por në numra shumë më të vegjël se sa Shqipëria.
Autoritetet gjermane kanë njoftuar se do të shpejtojnë me riatdhesimet e shqiptarëve duke ‘premtuar’ se brenda katër javëve të ardhshme do të kthejnë 1,600 vetë. Por numri i kthimeve duket shumë i vogël në krahasim me numrin e atyre që po ikin.
Shqipëria kishte 2.8 milionë banorë në censusin e fundit të popullsisë të organizuar në vitin 2011. Numri i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani për këtë vit është më shumë se 1 për qind e të gjithë popullsisë. Gjermania është vendi me numrin më të madh të aplikimeve, por shqiptarët po kërkojnë azil edhe në shumë vende të tjera apo po emigrojnë me rrugë të tjera si bashkim familjar. Të dhënat e agjencisë europiane të statistikave Eurostat, tregojnë se gjatë vitit 2014, mbi 13 mijë shqiptarë kërkuan azil në 15 vende të ndryshme europiane. Rreth 1 mijë prej tyre morën përgjigje pozitive.