Evazioni dhe korrupsioni

Nga Mero Baze, botuar në Tema, 20 gusht 2015

downloadBeteja e paralajmëruar kundër evazionit fiskal në muajin shtator, po merr formën e një paralajmërimi represiv policor, kundër të gjithë atyre që shmangin kasat fiskale dhe prodhojnë evazion me skema në biznesin e madh. Beteja kundër evazionit fiskal është themelore për këtë qeveri, e cila përveçse e gjeti ekonominë në gjendje të keqe vazhdon të përballet me një ekonomi anemike, ende pa fuqi për t’u ringritur.

Për këtë shkak, beteja kundër evazionit fiskal duhet të jetë një betejë, e cila duhet ta nisë punën nga formalizimi dhe pastaj nga represioni.

Në këtë pikë, beteja është paksa e vonuar. Muajt e verës janë muajt vendimtar për biznesin e vogël informal, sidomos në zonat turistike të vendit, ku evazioni mund të ketë qenë deri në 90 përqind. Askund në jug e veri, nga Ksamili në Valbonë, nuk të jep njeri një faturë tatimore për çdo shërbim turistik, deri dhe tek dhoma e hotelit apo shtëpia me qera.

Qindra restorante tre mujore që funksionojnë vetëm në verë, po ashtu nuk të japin asnjë faturë tatimore. Fillimi i betejës në shtator është një shans i humbur për miliona lekë të shkuara në xhepat e biznesit të paregjistruar, i cili ka dhjam ta shtyjë deri qershorin tjetër pa kasa fiskale. Paralajmërimet për represion mund të krijojnë një klimë dyshuese për të vazhduar punë dhe mund të krijojë një tkurrje të tij për të investuar, pasi kanë fituar boll pa taksa.

E vërteta është se kjo qeveri ka favorizuar dukshëm biznesin e vogël me politikat e saj fiskale, duke i përgjysmuar taksat. Efekti, i cili duhet të ishte pozitiv është negativ. Përgjysmimi i taksave duhet të shoqërohej me një maksimalizim të formalizimit të bizneseve, duke mos lejuar askënd të ishte paregjistruar. Pra, nëse ka një politikë pozitive ndaj biznesit nga kjo qeveri, është ajo ndaj biznesit të vogël dhe ai nuk duhej toleruar më.

Por, këtu lindin pikëpyetje jo për biznesin, por për administratën tatimore. Është korrupsioni i saj që ka lejuar të shmanget formalizimi thuajse 100 përqind i biznesit të vogël, i cili nuk është nën presionin e taksave dhe skemës fiskale të biznesit të madh. Për këtë arsye, formalizimi i tij, natyrisht dhe në mënyrë represive, duhet të shoqërohet me represion dhe mbi administratën tatimore aty ku të konstatohet biznesi i paformalizuar. Çdo rezultat pozitiv i këtij aksioni duhet parë dhe si korrupsion i administratës aktuale dhe paaftësi e saj për të qenë në krye të detyrës.

Sezoni turistik që po mbyllet është një shëmbull i përkryer i pafuqisë së kësaj administrate, ose korrupsionit të saj për të mbledhur taksa. Ka restorante në jug të Shqipërisë, që mund të kenë pasur dhe radhë për të ngrënë një drekë dhe as që e dinë fare ç’është kasa fiskale. Ka qindra hotele të paregjistruara dhe mijëra apartamente që jepen me qera jashtë çdo kontrolli. Sistemi ka dalë jashtë kontrollit, pikërisht se administrata tatimore lokale nuk ka funksionuar, ose është korruptuar nga ky lloj biznesi.

Ndryshe nga biznesi i madh, i cili është i formalizuar dhe borxhet e tij janë të verifikueshme, biznesi i vogël, i superprivilegjuar nga qeveria, është jashtë kontrollit dhe prodhuesi më i rëndësishëm i evazionit.

Por, dhe biznesi i madh ka probleme që lidhen me evazionin fiskal, por që lidhen me transparencën e tij. Kjo, dhe për shkak të një sistemi taksash të rënduara në raport me të kaluarën dhe vendet fqinje. Nëse në rastin e parë funksionon represioni, në rastin e dytë duhet të funksionojë anti-depresioni i biznesit, duke stimuluar një qëndrim pozitiv ndaj tij dhe nxitje për përsosje të paketës fiskale.

Ndryshe nga aksioni kundër energjisë, ku funsionon mos-toleranca ndaj borxhit, në aksionin kundër evazionit fiskal duhet betejë për formalizim dhe pastaj për vjelje taksash. Dhe që të bëhet kjo, duhet doemos ndëshkim për korrupsionin që ka prodhuar këtë situatë. Ndryshe do të rikthehemi sërish në pikën zero.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi