Reformë për hir të reformës, apo për hir të së vërtetës?
Nga Redi Shehu, botuar në Panorama Online, 18 gusht 2015
Që kur Shqipëria doli nga formati i një shteti që funksiononte me një paketë kushtetuese dhe hartoi kushtetutën e një vendi që aspironte të udhëhiqej nga sistemi demokratik i sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, kanë kaluar pothuaj 17 vite. Gjatë këtyre viteve, uljet dhe ngritjet e sistemit tonë politik kanë shënuar historinë moderne të mënyrës se si bëhej drejtësia në një vend si i yni, ku shkelja e të drejtës së tjetrit, asfiksimi i hapësirës demokratike, si dhe veprimet autoritare të kamufluara me gjuhë demokratike, kanë qenë tipari themelor i sistemit të së drejtës te ne.
Gjatë kësaj periudhe, reforma në Drejtësi ka qenë konsideruar si “perpetum mobile”, pashmangshmërisht e lidhur me ndërrimin apo ndërthurjen e pushteteve. Pra, një raport i drejtë mes alterimit të pushteteve dhe reformave në Drejtësi, kanë përbërë atë që quhet sot sistemi ynë problematik i Drejtësisë për të cilin është vendosur edhe kushti kryesor në etapat e fundit tonat drejt integrimit europian.
Drejtësia është konceptuar si pika strategjike, e cila garanton mbarëvajtjen e shtetit të së drejtës, e cila u kthehet qytetarëve si respekt dhe njëkohësisht si mbrojtje ndaj tyre. Kjo, në vetvete përbën garancinë për një shoqëri të mirërregulluar. Mosfunksionimi apo keqfunksionimi i Drejtësisë, në një shoqëri përmes korrupsionit në formën e “taksidarëve të Drejtësisë”, dëmton pikërisht modelin e shoqërive të mirërregulluara si shoqëri të virtytit. Mirëpo, “taksidarët e Drejtësisë” e kanë të vështirë të fitojnë këtë status nëse politikisht nuk ekziston një mbrojtje për ta.
Për këtë arsye, gjejmë që diskursi mbi reformën në Drejtësi gjatë këtyre viteve ka qenë vetëm arsyetimi politik ndaj partnerëve ndërkombëtarë, dhe duke qenë se dëshira për reforma nuk shquhej për ndonjë sinqeritet të madh, atëherë si e vetmja zgjidhje u panë gjysmëreformat, reforma që kanë nevojë të reformohen, pra, reforma të përhershme sipërfaqësore, reforma të vogla që nuk zgjidhin problemet e mëdha si sistem brenda sistemit të Drejtësisë, për të ruajtur ato favore që politikanët dhe administratorët e Drejtësisë ia taksin njëri-tjetrit.
Sot, ne jemi të vetëdijshëm se korrupsioni është problemi kryesor në destabilizimin e Drejtësisë dhe konceptit të saj te ne. Por ama, ryshfeti nuk është problemi më i madh korruptiv i Drejtësisë shqiptare. Korrupsioni i motiveve, i qëllimeve dhe trafiku i influencave drejtësi-politikë është korrupsioni më i madh dhe më vrastar në sistemin tonë të Drejtësisë. Sepse është e pamundur që një klasë politike e korruptuar të investohet për një sistem të pakorruptueshëm drejtësie. Nëse kjo është e vlefshme për politikanë që blejnë votën e popullit në një pazar primitiv, çfarë mund të thuhet për një pushtet politik, i cili korrupton në masivitet me anë të blerjes së votës përmes premtimeve elektorale të pambajtura. Kështu pushteti politik i korruptuar, së pari ka korruptuar moralin e lirisë në shoqërinë e vet, e për pasojë edhe moralin e drejtësisë së saj.
Jo rastësisht, gjykatës të cilët kanë gjykuar çështje të rëndësishme që kanë pasur të bëjnë me probleme të mëdha politike dhe shoqërore, janë promovuar dhe përkrahur në nivelet më të larta të sistemit të Drejtësisë. Ky fakt, por edhe të tjera pa fund në lidhje me favoret e ndërsjellta mes politikës dhe administruesve të Drejtësisë, tregojnë që të dyja palët gjenden në një ambient komod të ndërsjelltë dhe asnjëra prej tyre nuk është realisht e interesuar që të ndryshojë pozicione përmes kulturës së reformimit të thellë dhe të sinqertë.
Nën presionin e ndërkombëtarëve, Kuvendi, si pasojë e marrëveshjes pozitë-opozitë, ngriti Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi, që pritet të bëjë edhe ndërhyrje të domosdoshme në Kushtetutë për të reformuar sistemin aktual të Drejtësisë. Pra, ne sot gjendemi para përpjekjeve politike për t’u dhënë fund gjysmëreformave në Drejtësi, përpjekje të cilat shoqërohen me tërë frikën dhe skepticizmin tonë, sidomos duke kujtuar ndërhyrjet e fundit kushtetuese të 2008-s. Ajo që vërtet do ta bënte këtë reformë të vlefshme, efikase dhe do ta restauronte edhe besimin e qytetarit te ky sistem i yni i Drejtësisë, do të ishte zgjidhja përfundimtare që kjo reformë do të shënonte në katër përbërës.
Së pari, korrupsionin si sistem brenda sistemit, së dyti elementin e favoreve dhe ndërhyrjeve politike, së treti rregullimin efikas të organizimit të brendshëm të gjykatave dhe së katërti, rishikimin e buxhetit për Drejtësinë te ne. Korrupsioni shtrihet kryesisht në këto dimensione në sistemin tonë të Drejtësisë: në korrupsionin gjyqtar-qytetar, gjyqtar-politikë, dhe korrupsionin brenda institucionit të Gjykatës në lidhje me emërimet dhe transferimet e punonjësve të saj. Në të tëra këto dimensione ekziston perceptimi se këto forma të korrupsionit janë të pranishme, përjashto rastet sporadike të dënimit të ndonjë gjykatësi, shifrat dhe statistikat e luftës ndaj këtij fenomeni, nuk të ndihmojnë, ndonëse denoncimet nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë dhe ambasadorë nuk kanë munguar për fenomenin.
Pra, reforma do të duhej të ndërhynte me anë të mekanizmave të ligjit, që të evitojë pagesën që qytetari duhet t’i bëjë gjykatësit për të fituar të drejtën e tij, për të zgjidhur hallin e tij, krimineli që paguan për lirimin apo uljen e dënimit të tij. Reforma do të duhej të pamundësonte protektoratin e politikës ndaj Gjyqësorit, duke eliminuar së pari zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga një shumicë e thjeshtë parlamentare, favor që këta gjykatës u detyrohen maxhorancave politike në Kuvend. Reforma duhet sa më shpejt të zvogëlojë kompetencat e ministrit të Drejtësisë, të ulë ndjeshëm ndikimin dhe pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të rrisë pavarësinë e këtij të fundit duke e shkëputur këtë organizëm kaq të rëndësishëm nga çdo ndërvarësi me funksionarë politikë.
Po ashtu, një kuadër i përcaktuar qartë lidhur me obligimet, përgjegjësitë, si dhe shkarkimet e anëtarëve të KLD-së në Kushtetutë, do të ndihmonte po ashtu. Institucioni i Akuzës do të duhet të jetë ndër pikat kyçe të reformës që pritet të nisë këtë fillimvjeshtë. Pa përcaktuar se si do të zgjidhet prokurori i Përgjithshëm, duke eliminuar dominotë parlamentare për zgjedhjen e tij, ky institucion do të vazhdojë të ngelet peng i fuqisë politike mbi të, dhe një paralizues jo vetëm i akuzës në përgjithësi, por edhe vetë marrëdhënieve të pavarësisë së prokurorëve brenda këtij institucioni.
E rëndësishme është që të përcaktohet qartësisht përmes formalizimit të kompetencave të kryetarëve të gjykatave, por edhe kontrollit të tyre, administrimi i brendshëm i gjykatave. Rritja e transparencës së këtij institucioni të rëndësishëm ndaj qytetarit me anë të dixhitalizimit të plotë të kalendarëve të proceseve gjyqësore, por edhe të vendimeve të gjykatave. Një mundësi më e madhe e qytetarit për informim në këtë institucion do të ndihmonte në ruajtjen e interesit publik lidhur me zbatimin e drejtësisë në këtë vend.
E gjitha, nuk do të mund të bëhej nëse Shqipëria do të vazhdojë të jetë vendi me buxhetin më të ulët në të gjithë rajonin për sistemin e Drejtësisë. Një shtyllë kaq e rëndësishme e funksionimit të shoqërisë nuk do të duhej të lihej e pambuluar mirë financiarisht nga buxheti. Një Drejtësi e pafinancuar, është një Drejtësi e ekspozuar ndaj burokracisë, korrupsionit dhe varësisë politike.
Megjithatë, në Shqipëri përcaktuesi kryesor për këtë reformim mbetet vullneti politik. Në këtë pikë: A duhet ne të besojmë se do të bëhet reformë për hir të reformës apo reformë për hir të së vërtetës? E vërteta thotë se një shoqëri me Drejtësi të korruptuar është një shoqëri e pabarabartë, që minon dinjitetin e njeriut dhe pacenueshmërinë e këtij dinjiteti, si bazë për një shoqëri të lirë demokratike. Po ashtu, e vërteta e reformave të mëparshme në Shqipëri, na thotë se mosvendosja e drejtësisë në këtë vend, ka bërë që të adoptohet lirshmëria e shkeljes së këtij dinjiteti.
A është klasa politike e interesuar të instalojë rendin e së drejtës te ne? Çfarë e bën këtë përpjekje të fundit që të ndryshojë nga gjysmëreformat e para, dhe pse kjo maxhorancë qenka më e interesuar për rendin dinjitoz të shqiptarit? Reforma në Drejtësi do t’i largohet rutinës dhe do t’i afrohet të vërtetës varur nga këmbëngulja dhe intensiteti i presionit që partnerët ndërkombëtarë dhe Komisioni i Venecias do t’i bëjnë procesit. Kjo, në të njëjtën kohë, do të tregojë edhe interesin real të partnerëve tanë që në Shqipëri të funksionojë vërtet Drejtësia.