Kjo është hapja e premtuar e vendeve të punës?

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 18 gusht 2015

ish-presidenti-rexhep-meidani-150x150Kërkesat në rritje të mijëra qytetarëve shqiptarë për azil politik (në fakt, për azil ekonomik!) këto muajt e fundit flasin për një shqetësim madhor në familjet shqiptare .pikërisht për problemin serioz të punë- simit dhe, lidhur ngushtë me të, të varfërisë, të pamundësisë së garantimit të kushteve minimale të jetesës për vete, fëmijët, familjet e tyre. Dhe punësimi, në thelb, nuk është thjesht e vetëm hapje zyrash pune përpara kamerave, as thjesht dhe vetëm futje në skemën e sigurimeve, por hapje reale vendesh të reja pune, që nënkupton marrje page për qytetarë të tjerë dhe ushqim e jetesë për familjet e tyre. Ky punësim i ri, sipas premtimeve të bujshme kongresore e elektorale, do të duhej të kapte rreth 300.000 vende të reja, për një mandat qeverisës, pra, në mesatare, afro 150.000 vende për gjysmë mandati. Gjë që kërkon mend dhe goxha para! Për ta mbuluar atë, krahas sofizmit tipik, propagandës “krenare”, rregullimeve statistikore, gënjeshtrave kalimtare etj., një justifikim radhe është dhe ai i përmirësimit apo freskimit të teknologjisë, që po vështirëson plotësimin e këtij premtimi!…

PO RRITEN APO PO ZVOGËLOHEN SHANSET PËR PUNËSIM?

Në Shqipëri, punësimi mbetet një shqetësim serioz; por dhe në shumicën e vendeve të zhvilluara, lidhur me hapjen e vendeve të reja të punës, përgjigja nuk është optimiste. Për shumë arsye, por, për ne, jo ato me përmbajtje teknologjike, sepse ekonomia shqiptare po e vuan ende prapambetjen e saj në futjen e teknikave dhe teknologjive të reja. Në fakt, fuqia punëtore apo “forca e punës” është formësuar në mijëvjeçarë, duke pasqyruar vetë progresin teknologjik, por dhe duke u krijuar e zhvilluar paralelisht me të. Ishin, p.sh., teknologjitë bujqësore që çuan në industrializimin e fermave dhe, më vonë, ishte revolucioni industrial, që i zhvendosi njerëzit drejt uzinave, fabrikave e kombinateve.

Ndërsa, sot, globalizimi e automatizimi, gradualisht, po i nxjerr ata prej tyre, duke shtuar masën njerëzve të punësuar në shërbime të ndryshme, gjë që, përgjithësisht, është normale dhe evolucionare. Një proces i tillë zëvendësimi e riorientimi ka bërë që, deri vonë, në një mesatare botërore, vendet e punës të kishin rritjen e tyre. Veç, tashmë, vihet re një ngërç, një ngecje në punësim! Por, si do të ecet më tej? Në të vërtetë, në shumë vende, krahas shtimit të papunëve për mungesë vizioni politik dhe paaftësi organizative e politike-administrative, shkalla konkrete e punësimit po vuan, po ashtu, evazionin e korrupsionin shoqërues (që në Shqipëri po shfaqen me të gjithë “fuqinë” e tyre)? Ndërsa, në vende më të zhvilluara, ajo po “vuan” dhe atë me orgjinë teknologjikerobotike, “vuajtje” kjo që, hap pas hapi, do të pushtojë dhe vende të tjera, të mbetura më prapa. Por, cila është prognoza për të? A do të ketë në të ndikim të afërt vetë teknologjia dhe shtrirja e saj, numri i vendeve të punës në vende të tilla si Shqipëria?…

FRIKË E HERSHME

Një frikë e tillë nuk është aspak e re (ndoshta, jo ende për ne, me nivelin aktual teknologjik). Në të vërtetë, kudo në botë, makinat i kanë liruar dhe po i lirojnë njerëzit nga vështirësi të shumta, sidomos nga ato me natyrë fizike. Por, a mund ta nxjerrin ato njeriun nga “loja” e punës? Është akoma herët dhe, përgjithësisht, këto makina janë ende në favor të tij! Por, për çudi, afro 85 vjet më parë, gjatë Depresionit të Madh, Kejnes (John Maynard Keynes), një nga kokat ekonomike të kohës, bëri një parashikim turbullues. Sipas tij, rreth viteve 2030, progresi teknologjik do të bënte të mundur një kohë zyrtare pune prej afro 15 orësh, duke lënë mjaft kohë të lirë për pushim, trajnime e argëtime; parashikim ky që, mesa duket, është relativisht i parakohshëm për 15 vjetët e ardhshëm. Po në atë periudhë, Presidenti Huver (Herbert Hoover) mori një letër, ku revolucioni teknologjik industrial konsiderohej si një “mostër frankenshtajne”, që do ta “gllabërojë qytetërimin”. Ndërsa në vitin 1962, Presidenti Kenedi (John F. Kennedy), duke e ndier këtë shqetësim njerëzor, theksoi prerë: “Nëse njeriu e ka talentin për të shpikur makineri të reja që heqin punëtorët nga puna, ai duhet të ketë edhe talentin për t’i rikthyer ata njerëz në punë”.

Pak më vonë, një komitet shkencëtarësh dhe aktivistësh shoqërorë i dërguan një letër të hapur Presidentit Xhonson (Lyndon B. Johnson), duke i argumentuar atij shqetë- simin se “revolucioni kibernetik” do të “gjeneronte një komb ku do të margjinalizoheshin njerëzit e varfër, të pakualifikuar, të papunë”. Këta të fundit do ta kishin praktikisht të pamundur gjetjen e një pune për përballjen e nevojave minimale jetësore (!). Sidoqoftë, për disa studiues, makinat nuk mund të arrijnë gjithçka. Për ta, te njeriu mbizotërojnë forca të veçanta, në trajtën e mendimit dhe ndërgjegjes, ndjenjës e dhembshurisë, të kuptuarit në thellësi, kreativitetit etj., që janë të paimitueshme në kuptimin teknologjik e virtual. Por, ama, kush do ta besonte, më 2005, se dy vjet para se të lëshohej iPhone, smartfonët do të kërcënonin shumë shpejt, p.sh., vendet e punës në sistemin e hotelerisë (nëpërmjet tyre, tashmë, pronarë të thjeshtë mund të japin me qira apartamentet ose shtëpitë e tyre private për turistë të vendit ose të huaj). Shumë i “shifruar” duket dhe parashikimi i vitit 2013, prej disa kërkuesve të universitetit të Oksfordit, sipas të cilit, në dy dekadat e ardhshme, makinat do të mbulojnë gjysmën e vendeve të punës në SHBA. Madje, pritet që kompjuteri të përdoret dhe në zona që më parë janë konsideruar “vetëm për njerëzit”. Në këtë histori zëvendësimi, një “paralele e bukur” është ajo e kuajve! Në të vërtetë, në shekuj janë shpikur pajisje e teknologji për ta bërë më produktive apo me vlerë të shtuar punën e kuajve në bujqësi, transport e luftë. Por, ishte po vetë teknologjia që nxori kalin nga loja, duke e zëvendësuar atë me traktorin, makinën e tankun. Dhe me këtë zëvendësim u zvogëlua dhe popullata e kuajve, mushkave e gomarëve me afro 50% në vitet ‘30 dhe me afro 90% në vitet ‘50. Po të kishte ndonjë planet tjetër më pak të zhvilluar, ata do të dërgoheshin atje!…

REDUKTIMI I KOHËS SË PUNËS

Në fakt, në dekadat e fundit, për të mbrojtur e ruajtur punësimin apo për të zvogëluar shkallën e papunësisë, konstatohet, në mesatare, një reduktim global i kohës së punës. Kështu, sipas statistikave zyrtare, koha mesatare javore e punës në Kanada vlerësohet 36.6 orë për javë, me dallime jo të vogla në moshë, gjini e zonë (p.sh., në Kebek ajo është 35.4 orë, disa orë më e ulët krahasuar me 39 orët në Alberta). Në SHBA, koha (vjetore) e punës është afro 1,700 orë, që rezulton më e lartë se ajo në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore. Kurse në Europën Jugore e Lindore, mjaft vende si, p.sh., Greqia, Rusia, Polonia, Estonia, Hungaria e Republika Çeke e kanë këtë kohë javore disa orë më të lartë. Nga ana tjetër, p.sh., Franca ka namin për një kohë tepër të shkurtër pune, nisur dhe nga standardi javor prej 35 orësh, i vendosur nga qeveria Zhospë (Lionel Jospin) afro 15 vjet më parë, por që nuk po zbatohet tashmë si më parë.

Nisur nga kjo kohë pune, por dhe problemet e ndeshura me zgjatjen e krizës ekonomike financiare, përfshirë dhe zonën euro, gabimisht është ndërtuar dhe një lloj stereotipi qytetar me nuanca kombëtare për shtetet anëtare, p.sh., në krahasimin e punë- torit të zellshëm gjerman me atë të pazellshëm grek (!). Kjo edhe pse statistikat flasin ndryshe, sepse, sipas tyre, punëtori grek e ka kohën e punës disa orë më të gjatë se ajo e homologut përkatës në vende të tjera të BE-së. Pra, ai shpenzon, në mesatare, më shumë kohë në punë se punëtori në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar (që është gati një orë më e lartë se ajo gjermane) apo Francë. Megjithatë, shumë i rëndësishëm është një tregues tjetër i punës – produktiviteti për orë. Ky i fundit është shumë më i ulët në Greqi në krahasim me vende të tjera si: Luksemburg, Holandë, Francë, Gjermani etj. Dhe, nga ana tjetër, në disa raste, është rritur dukshëm abuzimi në ndërmarrjet private, duke detyruar punonjësit të punojnë më gjatë, nën trysninë e papunësisë, të “hedhjes në rrugë”! P.sh., në Shqipëri, koha javore e punës është vendosur 40 orë, por, përgjithësisht, bizneset private nuk e respektojnë atë. Pavarësisht ndryshimeve konkrete në vende të ndryshme, po të studiohen në mënyrë më të detajuar të dhënat për kohën e punës në këto vende, në dekadat e fundit, konstatohet një tendencë zyrtare për uljen në vazhdimësi të kësaj kohe. Edhe në Shqipëri del nevoja e një studimi të detajuar me prirjen e argumentuar për uljen e kësaj kohe pune.

PAPUNËSIA ËSHTË VARFËRI E DEPRESION

Në thelbin e vet, reduktimi tej disa kufijve të pranueshëm i kohës së punës, pra një kohë pune në vlera minimale apo njëfarë “kohe zero” e punës së paguar, është ende një ide “futuriste”, të paktën në kushtet e Shqipërisë. Por, kjo nuk do të thotë se një reduktim i saj i mëtejshëm është i pamundur. Në kushtet e sotme, papunë- sia reale, qoftë dhe duke e reduktuar kohën e punës, jo vetëm është pasqyrë e rënies ekonomike, por është shoqëruar dhe me thyerje të tjera me natyrë psikologjike e kulturore, duke e tronditur thellë kohezionin social brenda bashkësive të ndryshme dhe vetë shoqërisë shqiptare.

Madje, po të studiohet rasti shqiptar i tranzicionit, në zonat me papunësi të lartë, në plan të parë kanë qenë përplasjet e grabitjet, vrasjet e vetëvrasjet, depresioni, abuzimi në familje etj., madje janë shtuar dukshëm të sëmurët me shqetësime mendore. Si rrjedhojë, si dhe në vende të ngjashme, në raste të tilla, të bie në sy shtimi i burgjeve dhe spitaleve psikiatrike. Si dilet nga kjo situatë? Në vend të “dënglave oratorike”, kërcënimeve policore apo pandjeshmërive sociale, angazhimi kryesor politik duhet të jetë përmirësimi në vazhdimësi i sistemit fiskal, pse jo dhe korrigjimi tërësor i tij, shoqëruar dhe me largimin e shpejtë të atyre personave, që mbajnë përgjegjësi në koncept e praktikë për dështimin aktual.

Po ashtu, duhen lehtësuar rregullat e procedurat dhe, mbi të gjitha, detyrimet tatimore krahasuar dhe me rajonin, për të nxitur një rritje të shkallës së investimeve vendore ose të huaja. Natyrisht, duke ecur shpejt, se me kalimin e viteve, situata mund të rëndohet më tej. Aq më tepër me futjen e teknologjive të reja tepër të domosdoshme që do të zëvendësojnë, në një mënyrë apo tjetrën, vetë punën e njeriut. Sidomos, në një të ardhme të afërt shumë më të automatizuar, të një Shqipërie më europiane!

A ËSHTË KUPTUAR EVOLUCIONI I PUNËSIMIT?

Sipas statistikave të Policisë, në zona të tilla ku mungon puna, ku janë mbyllur fabrika, kombinate, miniera etj., jeta është bërë një ferr për qytetarin e thjeshtë. Aty janë shtuar ngjarjet tragjike, madje disa qytete apo qendra të vogla urbane janë shndërruar në “metafora” kombëtare për varfëri e mungesë punësimi. Dhe, mbi të gjitha, në vende të tilla, vazhdon procesi i shkatërrimit të kohezionit kulturor e social. Në thelbin e vet, kjo thyerje e fundit është shumë më problematike se ajo ekonomike, sepse atje papunësia e varfëria janë bërë gati-gati vrastare. Këtë kanë dëshmuar largimet e muajve të fundit dhe kërkesat për azil, prej të cilave duhej të skuqej faqja e politikës shqiptare, veçanërisht e asaj qeverisëse. Por, dhe vizioni (jo teatri) ka peshën e vet. Normalisht, njerëzit vazhdojnë të kryejnë punë dhe atje ku nuk ka makineri të sofistikuara; por, ndërkohë, përgatitja e mirë kompjuterike e teknologjike dhe aftësitë e nevojshme në shumë zyra janë bërë, sot, thelbësore. Tashmë, aty kërkohet më tepër aftësi e kapacitet, më shumë mend se forcë!

Pra, dhe më shumë shkollim e formim! Por çfarë do të thotë, sot, reduktim i kohës së punës apo i ashtuquajturi “fund i punës”? Me sa shihet, kuptimi njerëzor nuk është vetëm shkalla e lartë e papunësisë, por, më shpesh, vetë presioni i teknologjisë, i kësaj “bishe” virtuale kundër punësimit që godet në çdo derë. Në të vërtetë, lufta kundër shkallës së lartë të papunësisë për arsye të ndryshme duhet të zhvillohet në tri shfaqje kryesore të saj. Konkretisht, brenda mundë- sive financiare, duhet të dimensionohet fakti i zvogëlimit të punës së njeriut si motor i rritjes ekonomike. Ky zvogëlim ka ndodhur dhe po ngjet, sepse ndërhyrjet teknologjike, në një mënyrë apo tjetrën, e reduktojnë punën e njeriut, duke e zvogëluar rolin e tij të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike. Këtë po e bëjnë sot robotët, pajisjet kompjuterike dhe softuerët përkatës.

Thjesht për ilustrim: një nga kompanitë e mëdha amerikane AT&T, me kapital 267 miliardë dollarë, më 1964-n punësonte 758,611 punonjës, kurse sot gjiganti i sotëm i telekomunikimit, Google, ka një kapital prej 370 miliardë dollarësh, me vetëm 55,000 punonjës, pra afro 10 herë më pak punonjës se AT&T. Mjafton ky fakt për të menduar ndryshe. Ai duhet të merret parasysh në rritjen (ose ruajtjen) e punësimit apo hapjen (mbrojtjen) e vendeve të punës, përfshirë, po ashtu, vetë sistemin e mbrojtjes sociale. Sidomos, kjo e fundit nuk duhet neglizhuar, për vende me ekonomi të dobët dhe varfëri të lartë si Shqipëria. Po ashtu, duhet të intensifikohet angazhimi politik-institucional dhe ligjor-financiar në luftën kundër rritjes së papunësisë, përhapjes vendore të saj, sidomos asaj në radhët e rinisë, përfshirë orientimin e riformimin profesional për veprimtari, ku teknologjia i ka thjeshtuar mjaft procese ndërhyrjeje. Kjo është vuajtur seriozisht në rastin shqiptar, veçanërisht në fillimet e tranzicionit, me mbylljen e mjaft uzinave, fabrikave e kombinateve, duke krijuar probleme serioze papunësie në rajonet e vendosjes së tyre, por dhe në moshat dhe gjinitë përkatëse.

Më shumë parapërgatitje e vizion kërkohet për të ardhmen e afërt, për vetë procesin e zhvillimit ekonomik, sidomos për punën, kohën e saj, nivelin e punësimit. Dhe, për këtë, duhet të vlerësohet drejt: fuqia e softuerit, që nënkupton shkollim më të mirë të gjithanshëm, krahas një edukimi profesional në përmasa të nevojshme dhe në fusha të mirëstudiuara, për të cilat ka nevojë Shqipëria. Por, te formimi tërësor duhet fokusuar më shumë vëmendja dhe paraja. Në fund të fundit, duhet kuptuar mirë historia. Revolucioni robotik në Perëndim filloi në fabrika në vitet ‘60, por punësimi u ruajt gati i paprekur deri në vitet ‘80. Më tej, nisi rënia e tij, sidomos me përdorimin e gjithanshëm të kompjuterëve në aktivitetin administrativ, në fillim të viteve ‘90.

Ky fakt u bë i dukshëm gjatë recesionit të fundit, por nuk ka dyshim se diçka e ngjashme do të ketë ndikime shumë më të mëdha në recesionin e ardhshëm. Pikërisht, këtë evolucion teknologjik, numerik e virtual duhet ta kuptojë dhe politika shqiptare, që parapëlqen më shumë mbetësit dhe gjysmë-të shkolluarit, të paaftët dhe servilët, se ata që kanë integritet, kapacitet e përgatitje të duhur në përballimin e situatave të reja gjithnjë e më të “stërholluara”. Për më tepër, ajo duhet të analizojë me kujdes e maturi, të gjejë zgjidhje e rrugëdalje të shpejta për rimëkëmbjen, dhe jo të humbë kohë në vetëkënaqësi e mburrje, aq më keq, me gjoja batuta “hollivudiane” apo me hedhje-pritje banale replikash të pabuka!…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi