12 deri në 15 kushtetuta në 100 vjet?!
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli Online, 18 gusht 2015
Një Kushtetutë për më pak se një dekadë, një eksperiment i vazhdueshëm në marrëdhënien e brishtë të shqiptarëve me shtetin dhe regjimet e tyre. Kushtetuta është “e shenjtë”, – thonë politikanët, të cilët kanë perceptim tjetër mbi “shenjtërinë” nga ai që përcaktohet në fjalorin politik dhe fetar. Të gjithë e dimë se Kushtetuta është baza ligjore mbi të cilën ngrihet shteti dhe funksionon qeverisja. Ekzistenca e saj nuk tregon se shteti e shoqëria ecin në rrugë ligjore. Shembulli shqiptar është ilustrues: në 100 vjet shtet shqiptarët kanë pasur rastin të kenë 12-15 kushtetuta, por është e vështirë që në shekullin e tyre shqiptarët të gjejnë 12-15 vite të lumtura!
Pra Kushtetuta është tregues e normë pozitive, por jo garancia e pozitivitetit. Parimet e saj, fryma e saj, konsensusi rreth saj dhe vullneti për bindje e sjellje me integritet ndaj saj përbëjnë çelësin e suksesit dhe natyrës kushtetuese. Tradita jonë është modeste: më shumë kemi besuar e ndjekur me besnikëri udhëheqësit e pushtetet e radhës sesa Kushtetutat mbi të cilat ata sunduan! Kushtetuta aktuale u miratua më 1998. Kushtetuta nuk mori shumicën e votave të qytetarëve, por shumicën e atyre që shkuan në votim, pra votat e një krahu politik. Gjithsesi miratimi i saj ishte sukses, ndryshim pozitiv dhe tregues serioziteti në mentalitetin ndaj shtetit.
Përpjekjet e njëanshme 1993 dhe 1994 dështuan, kjo e fundit përmes votës popullore. Gjithsesi, më 2008 dy palët politike, bazuar në interesat e tyre thellësisht partiake dhe të momentit, si dhe në ambiciet personale të secilit lider politik, – ndryshuan norma e praktika me rëndësi kushtetuese, me ndikim të madh në sistemin zgjedhor, politik, përfaqësues dhe balancues të pushteteve. Shoqëria civile ishte kundër, disa parti të vogla ishin kundër. Pra, kontrata sociale e politike (kushtetuta 1998) u ndryshua nga njëra palë e kontratës (politika), pa pyetur palën tjetër (qytetarët). Më 2012 konsensusi politik ndryshoi Kushtetutën në pjesën për imunitetin. Në fakt, pasi u kufizua imuniteti asnjë zyrtar i lartë nuk është përballur me drejtësinë për korrupsion, pra ndryshimi nuk ishte as funksional, as historik dhe as dobiprurës.
Me ndryshimin e strukturës administrative të vendit (2015) ka mbetur në fuqi institucioni i qarkut, i cili, pranohet nga çdo palë politike dhe aktor publik, se është i tepërt, jo efikas dhe duhet shfuqizuar. Procesi i integrimit të vendit dhe detyrimet shtetërore që burojnë prej tij nxjerrin në pah nevojat e rishikimit të disa elementëve dhe praktikave kushtetuese, sidomos referuar çështjeve të sigurisë dhe angazhimeve ndërkombëtare të vendit. Krahas tyre, ekzistojnë edhe detyrime kushtetuese, për shembull, nevoja për ligje organike për institucionet kushtetuese, të cilat megjithëse citohen në dokumentin kushtetues të vitit 1998, ende nuk janë miratuar dhe as nuk janë pjesë e axhendës afatshkurtër parlamentare. Pra, Kushtetuta do ndryshohet përsëri. Më 2015 pothuajse të gjitha palët politike flasin për ndryshime kushtetuese. Nuk ka dilemë se do ketë ndryshime, dallimet gjenden vetëm në detajet, – për çfarë dhe sa. Preteksti është reforma në drejtësi dhe çështja e dekriminalizimit.
Për drejtësinë ka konsensus e ndërgjegje që duhet reformë përfshirë ndryshime kushtetuese (dallimi është: sa, çfarë dhe si), por për dekriminalizimin retorika është fyese dhe pa sens. Kriminelët në politikë nuk kanë ardhur nga jashtë sistemit, por nga vetë sistemi: ata janë emëruar nga 2-3-4 emra që janë liderit kryesorë politikë. Tani kërkohet të ndryshohet kushtetuta që t’i bindim këta 2-3-4 emra që të mos na sjellin më kriminelë në vendimmarrje. Në fakt i sollën 4-5 të rinj në zgjedhjet lokale dhe sapo kanë nisur mandatin 4 vjeçar. Ata i emëruan vetë, i mbrojnë vetë, i kanë miq e sponsor, i mbrojnë më mirë se avokatët e tyre dhe kështu, sikur 1000 ndryshime kushtetuese të bëhen, 2-3-4 liderit politikë nuk do ndryshojnë mendje as praktikë, sepse i përkasin këtij sistemi të kalbur, janë produkt i këtij sistemi dhe sponsor jetësor të tij. Debati mbi drejtësinë është më serioz: ndryshime kushtetuese për KLD? Për Presidentin? Për Gjykatën e Lartë e Kushtetuese? Për Prokurorinë?
Po, janë ecje në drejtimin e duhur, por jo me përgjegjësinë, vizionin dhe sensin e duhur. Sepse ne kemi nevojë të zgjerojmë demokracinë: më shumë demokraci direkte, deputetët të zgjidhen nga qytetarët, Presidenti të zgjidhet nga qytetarët, drejtuesit e institucioneve të zgjidhen me votim alternativ (90% zgjidhen pa kandidatë rivalë), numri i deputetëve të shkurtohet, institucioni i qarkut të shkrihet, detyrimet në emër të integrimit në BE të kryhen në kohë, etj, etj. Qytetarët? Kush ka kohë të merret me ta, – ata nuk kanë gojë, nuk kanë zë, nuk kanë vendimmarrje, nuk kanë mekanizëm mbrojtës, nuk kanë vila në Lalz dhe as nuk bëjnë tendera. Pra, palët de facto mendojnë sesi të përfitojnë më shumë pushtet dhe jo të transferojnë pushtet, sesi të kontrollojnë sistemin dhe jo ta bëjnë atë më transparent dhe të besueshëm, sesi ti detyrojnë qytetarët të votojnë të preferuarit e tyre dhe jo e anasjelltë, që qytetarët të përzgjedhin udhëheqësit dhe vendimmarrësit në emrin e tyre!
Çfarë rëndësie ka nëse ndryshon skema e zgjedhjes së institucioneve kushtetuese (nga Kuvendi) nëse vetë Kuvendi nuk është produkt direkt i votës qytetare? Ky është një kontrast i thellë, shumë domethënës dhe paralajmërues se ndërhyrja kushtetuese 2015 nuk do jetë e fundit dhe as zgjidhje e plotë e funksionale. Në gjuhën profesionale: Kushtetuta dhe nocionet kushtetuese në jetën politike, institucionale dhe publike në Shqipëri janë përballur po me ato tipare të vetë vlerave të sistemit demokratik: mosnjohje, traditë të brishtë, krijimin e liderëve të fortë në vend të institucioneve të forta dhe kritika mbi legjitimitetin dhe produktet konkrete të tij. Kritikat e vazhdueshme, p.sh, se partitë shqiptare kanë më shumë pushtet sesa u njeh kushtetuta, se hapësira të interpretueshme në Kushtetutë përdoren e keqpërdoren nga politika e ditës për të justifikuar akte të njëanshme politike të tyre dhe se brishtësia e sistemit përfaqësues buron nga vetë brishtësia e nocioneve, normave dhe institucioneve kushtetuese, – janë tregues se Kushtetuta, me gjithë progresin dhe retorikën populiste e televizive të politikës, ende nuk është bërë pikë referimi e pakontestueshme nga politika dhe qytetarët.
Afrim Krasniqi