Dështimi i elitave politike në Ballkan
Nga DW, 17 gusht 2015
Luftë, uri apo tortura nuk ka as në Kosovë dhe as në Shqipëri, Serbi, Maqedoni apo Bosnjë dhe Hercegovinë. Që prej dy dekadash e gjysmë shtetet e dala nga ish- Jugosllavia dhe fqinjët e tyre jetojnë në paqe. Kroacia dhe Sllovenia janë ndërkohë anëtarë të BE-së. Vendet e tjera të Ballkanit kanë prej vitesh perspektivë për anëtarësim në BE.
Nuk ka krahasim pra me Sirinë, Irakun, apo Afganistan, ku çdo ditë njerëzit vdesin nga terrori dhe lufta. Dhe megjithatë njerëzit po largohen në masë prej Ballkanit për të kërkuar azil në Gjermani. Ato duan të shpëtojnë sidomos nga varfëria dhe mungesa e perspektivës, janë të zhgënjyer dhe të desiluzionuar nga stanjacioni politik dhe ekonomik në atdheun e tyre. Dhe për këtë mbajnë në rradhë të parë përgjegjësi elitat politike.
Ndihma e BE e shkuar dëm
Ndihmat miliardëshe të BE për zhvillimin nuk kanë sjellë vërtet zhvillimin ekonomik dhe demokratizimin. Edhe perspektiva e anëtarësimit në BE nuk duket se frymëzon shumë zellin e aktorëve politikë për reforma. Për aq kohë sa ato nuk janë në BE, por marrin fonde nga BE, nuk duhet t’ia dorëzojnë kompetencat Brukselit dhe mund t’i ruajnë favoret e tyre.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor papunësia që prej dy dekadash është midis njëzet e pesëdhjetë për qind. Në Bosnjë dhe Hercegovinë më shumë se gjashtëdhjetë për qind e të rinjve janë pa punë. Edhe të rinj të diplomuar e të mirëarsimuar nuk gjejnë punë të përshtatshme, sepse korrupsioni dhe nepotizmi pengojnë mundësitë në tregun e punës. Partitë politike janë shtrirë në shoqëri në mënyre të rrezikshme. Ato janë të paktën në mënyrë indirekte, punëdhënësi më i madh: Se kush bëhet drejtor apo portier, e përcakton partia qeverisëse, pavarësisht nga kualifikimet profesionale të kandidatëve.
Duke pasur parasysh këtë gjendje tek shumë njerëz rritet ndjenja e pafuqisë. Duke pasur një tesër partie shumëkush shpreson se do të ketë më shumë shanse në profesion dhe jo se do të marrë pjesë aktive në politikë. Nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia duan të emigrojnë më shumë se gjysma e të rinjve të arsimuar.
Mungesë e infrastrukturës sociale
Pas rënies së sistemeve të vjetra është lënë pas dore që të investohet në infrastrukturën sociale, për shembull në një shëndetësi funksionale. Kjo mund të thuhet veçanërisht për romët, të cilët kanë në Ballkan nivelin më të ulët shoqëror. Ato shpesh janë të diskriminuar jo vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike, por ato vuajnë rëndë edhe kolapsin e rrjetit të sigurisë shoqërore. Ato shpesh nuk mund t’i përballojnë shpenzimet e mjekut. Vijnë në Gjermani, sepse “paratë e xhepit”, që marrin në procedurën e azilit, janë për to joshëse. Dhe sepse në Gjermani mund të shkojnë falas te mjeku.
Struktura autokratike ka ndërkohë në shumë vende. Për shembull në Mal të Zi, i cili prej dekadash ndodhet fort në duart e klaneve të kryeministrit Gjukanoviç. Apo në Maqedoni, ku qeveria e djathtë akuzohet për spiunim masiv të qytetarëve dhe ku kërcënimet me vdekje ndaj gazetarëve të pavarur shërbejnë për të tulatur shtypin.
Struktura autoritare dhe autokratike
Kushte të ngjashme autoritare mbizotërojnë në Kosovë, e cila që nga pavarësia e saj në vitin 2008 është de facto një protektorat i BE-së. Por pavarësisht nga prania shumëvjeçare e EULEX-it, misionit të asistencës ligjore të BE-së, peizazhi politik dominohet nga korrupsioni dhe lidhjet e ngushta midis elitës politike dhe krimit të organizuar. Shumë deputetë dhe anëtarë të partisë në pushtet në Kosovë kanë dalë nga rradhët e ish-UÇK-së. Sipas hulumtimeve të raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ushtria duhet të ketë qenë e përfshirë në krime të shumta lufte, si vrasje dhe rrëmbime.
Në republikën multietnike të Bosnjë Hercegovinës politikanët edhe njëzet vjet pas përfundimit të luftës i bien ende daulles së inateve nacionale, në vend që të ndërmarrin reforma ekonomike. Gjysma e të gjithë boshnjakëve të rinj duan të largohen nga vendi. Gjithnjë e më pak vetë janë në gjenje të vendosin për të krijuar familje. Për vendin, i cili gjithsesi ka probleme demografike, ky është një kërcënim serioz.
BE mund dhe duhet të ushtrojë presion
Tranzicioni i ngadaltë në rrugën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkan kuptohet që ka shkaktuar pakënaqësi në BE, i cili e ka kthyer vemendjen në vatra të tjera krizash si Greqia dhe Ukraina: Por ndoshta eksodi masiv nga Ballkani do ta kthejë përsëri vëmendjen te ky rajon: Do të ishte mirë, sikur në Bruksel të merreshin përsëri intensivisht me ngecjen e reformave në oborrin e pasëm të Evropës. Në rast nevoje ta mbyllin edhe rubinetin e parave, nëse reformat nuk zbatohen.
Ndërkohë elitat politike me egoizmin e tyre e çojnë dëm kapitalin më të rëndësishëm shoqëror. Sepse sa më shumë të vazhdojë eksodi i të rinjve të arsimuar, aq më pak ato angazhohen për ndryshime shoqërore në vendet e tyre. Për elitat politike atje kjo është një situatë e rehatshme. Për shoqëritë, interesat e të cilave ato përfaqësojnë, është në fakt një katastrofë. Megjithëse në Ballkan nuk ka as luftë, as uri e as torturë edhe dëshpërimi mund të bëhet një diktaturë, nprej së cilës dëshiron të amarrësh arratinë.