Pagat bazë: Një parashikim i pamatur

Sipas Monitor, 8 gusht 2015

dc0d72ad2ec2ee39f5980318fdedaf03b4e5a7f0

Një lëvizje globale drejt pagave shumë më të larta bazë është e rrezikshme

Kur çmimet rriten, kërkesa bie. Përjashtimet nga rregulli më themelor i tregjeve janë kuriozitete – ajo lloj gjëje me të cilën një ekonomist mund t’ju mërzisë gjatë një darke festive, shkruan The Economist. Duke parë me kujdes, pagat minimale mund të japin një shembull të tillë. Por politikëbërësit nuk duhet të supozojnë se ky është një ligj i hekurt. Rritjet e mëdha në pagat minimale (shpërblimi më i ulët për orë, ditë apo muaj që punëdhënësi i paguan ligjërisht punëtorit) janë si të luash me të ardhmen e njerëzve.

Pagat modeste bazë nuk duket se e ‘minojnë’ kërkesën për punë. Një sërë studimesh, si nga Amerika ashtu dhe Europa, tregojnë se në nivele të ulëta – nën 50% të mesatares së të ardhurave me kohë të plotë, me një normë më të ulët për të rinjtë – pagat bazë nuk ‘shkatërrojnë’ shumë vende pune. Kur Britania vendosi një pagë minimale të re në vitin 1998 tregtarët parashikuan rënie të vendeve të punës. Punësimi dëshmoi të jetë elastik. Pagat minimale ndihmuan që firmat të neutralizojnë fuqinë e tyre negociuese ndaj punonjësve ngurrues të rrezikonin për të lëvizur diku tjetër. Ato madje mund të rrisin produktivitetin dhe të reduktojnë lëvizjet e stafit duke i bërë punëtorët të vlerësojnë vendet e tyre të punës.

Të inkurajuar nga kjo dëshmi, ka shumë nga ata që kërkojnë me ngulm t’i bëjnë pagat minimale shumë më bujare. Në Amerikë, aktivistët duan që paga minimale federale aktuale të rritet më shumë se dyfish nga paga e ulët prej 7.25 dollarë në orë në 15 dollarë një orë, ose 77% e të ardhurave mesatare për orë. Ata kanë pasur njëfarë suksesi; disa qytete të mëdha, përfshirë Nju Jorkun, së fundmi kaluar, planifikuan të aplikojnë rrogën bazë prej 15 dollarësh në orë, dhe dy rivalët e Hillary Clinton për emërimin demokratik e mbështetën këtë politikë.

Në Britani, qeveria konservatore po shpërfill teknokratët të cilët zakonisht kanë vendosur që paga bazë të variojë nga 47% në 54% të pagës mesatare. Gjermania ka aplikuar një pagë minimale e cila është e arsyeshme le të themi në Cologne, por në vlerë është një shifër bujare prej 62% e pagës mesatare në pjesën lindore më të varfër të vendit.

Duke lëvizur në drejtim të pagave ndjeshëm më të larta minimale, politikëbërësit po nxitojnë drejt një tymnaje. Dihet fare pak për efektet afatgjata të pagave minimale modeste. Dhe askush nuk e di se çfarë mund të sjellin rritjet e mëdha në të ardhmen. Është e papërgjegjshme të supozosh se për arsye se pagat minimale janë perceptuar si të padëmshme, po kështu do të jenë edhe ato shumë më të larta.

Një rrezik qëndron në faktin se një pagë e lartë minimale do t’i nxisë disa punëtorë të largohen nga fuqia punëtore, pasi kanë pritshmëri të larta. Një punëtor ndërtimi, i cili humbet punën e tij gjatë një recesioni, mund të presë të gjejë një punë të re kur të rimëkëmbet ekonomia. Një arkëtar me disa aftësi, i cili, pas aplikimit të një page më të lartë minimale, bëhet përfundimisht më i shtrenjtë se sa një makinë arkëtimi me vetëshërbim nuk do ta ketë një fat të tillë.

Mbrojtja e qeverisë britanike ndaj politikës së saj të re – që një ekonomi e fortë do të gjenerojë vende të mjaftueshme pune për të zëvendësuar ato të humburat ndaj një page më të lartë minimale – është e pasinqertë: punët tashmë kanë humbur. Kjo është arsyeja se pse Milton Friedman e përshkruan pagën minimale, si një formë diskriminimi kundrejt personave të pakualifikuar.

Kjo është koha më e keqe për të rritur koston e punëtorëve. Përparimet teknologjike po mundësojnë që firmat të zëvendësojnë gjithmonë e më shumë njerëzit me kompjuterë dhe robotë, duke rrezikuar vendet e punës.

Disa pozicione pune që kërkojnë kualifikime të ulëta, të tilla si pastrimi, është vështirë të automatizohen. Por miliona punëtorë me kualifikim në pozicione si recepsionistë, mbledhës të produkteve nga raftet e depove dhe madje edhe shoferët e kamionëve janë të prekshëm ndaj zëvendësimit. Një pagë gjithnjë e më e lartë minimale do të inkurajonte investimet në teknologji t’i zëvendësonin ata. Paga më të larta minimale do të ndikonin edhe te punëtorët në sektorë si turizmi dhe prodhimi, ku ata rrezikojnë të humbasin terren ndaj konkurrentëve të huaj. Ironia qëndron në faktin se pagat minimale janë një mënyrë e keqe për të luftuar varfërinë.

Zyra e Buxhetit të Kongresit llogarit se vetëm një e pesta e përfitimeve të të ardhurave shkojnë për personat nën nivelin e varfërisë. 10% e familjeve më të pasura britanike do të përfitojnë më shumë nga norma më e lartë se 10% i më të varfërve, për shkak se shumë njerëz me paga të ulëta përfaqësojnë fituesit e ‘dorës së dytë’ të familjeve të tyre.

Për më tepër, një pagë minimale nuk është e lirë. Dikush duhet të paguajë. Refreni i zakonshëm që kompanitë do të mbajnë mbi supe barrën është produkt i shpresës dhe jo dëshmia. Nëse kostoja kalon tek konsumatorët, paga minimale kthehet në një subvencion të financuar nga taksa e akcizës (taksa mbi shitjen e mallrave dhe shërbimeve) – që përsëri rëndon fort mbi të varfrit.

Mendimi minimal

Tashmë janë në dispozicion mjete më të mira. Kreditimi i taksave (të ardhura për njerëzit me fitime të vakëta) janë një mënyrë shumë më efikase me të cilën qeveritë ndihmojnë të varfrit – rreth tre të katërtat e përfitimit përfundon te punonjësit. Për aq sa firmat përfitojnë, ato inkurajohen që të punësojnë punëtorë me kualifikim të ulët dhe jo automate. Pagat minimale ndajnë një apel të fuqishëm emocional dhe politik. Por qeveritë duhet të trajtojnë provat jo ndjesitë. Pagat minimale mund të funksionojnë si pjesë e përzierjes së politikës vetëm nëse ato janë modeste. Nëse janë tepër të larta, ato dëmtojnë njerëzit që supozohet të ndihmojnë./Monitor

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi