Mosbesimi i thellë mes kosovarëve dhe ndërkombëtarëve
Nga Augustin Palokaj, botuar në Koha.net, 7 gusht 2015
Para dy javësh ish-gazetari i “New York Timesit” dhe ish-bashkëpunëtori i ngushtë i kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Chuck Sudetic, kishte shkruar një tekst mjaft inkriminues dhe negativ për elitën politike të Kosovës dhe politikanin më të fuqishëm në Kosovë, Hashim Thaçi, momentalisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, por praktikisht shef i pakontestueshëm i Qeverisë së Kosovës, edhe pse formalisht këtë rol do të duhej ta kishte Isa Mustafa. Ky tekst i botuar në “Politico” ka shërbyer për të sjellë në kujtesë dyshimet që në raportin e tij famëkeq para disa vjetësh i kishte përmendur Dick Marty e të cilat ishin përfshirë në një raport të miratuar në Këshillin e Evropës. Momenti i botimit, vendi ku u botua dhe autori i shkrimit e bëjnë këtë tekst edhe më domethënës. Ky tekst u botua në kohën kur në Kosovë po zhvillohet një debat i madh rreth votimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të mundësonin krijimin e një Gjykate Speciale e cila do të ngrinte aktakuzat ndaj disa ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Potencialisht në listë mund të gjendeshin edhe disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të zotit Thaçi, të dikurshëm apo të tashëm, ndërkohë që as emri i vet Thaçit nuk mbetet pa u përmendur në spekulime, pasi që atë e kishte përmendur me emër Dick Marty. Teksti u botua në “Politico”, që është bërë pa dyshim mediumi me ndikimin më të madh në institucionet e Bashkimit Evropian. Ky portal dhe gazetë është një investim i përbashkët disamilionësh amerikano-gjerman. Ka ekipin më të madh të gazetarëve në Bruksel dhe tashmë ka burime dhe lidhje jashtëzakonisht të fuqishme me estabilishmentin e BE-së në Bruksel. Kjo bën që tekstet e botuara në këtë medium lexohen dhe merren seriozisht nga njerëzit kryesorë të Bashkimit Evropian. Autori i shkrimit Chuck Sudetic i jep këtij shkrimi një karakter të veçantë. Sudetic, pos që ishte gazetar gjatë kohës së luftërave në ish-Jugosllavi, duke shkruar edhe për gazetën kryesore amerikane “New York Times”, për një kohë ka punuar edhe në Tribunalin e Hagës. Pakkush e di se çfarë ka punuar ai, por spekulohet se atë vend pune, si këshilltar, ia kishte siguruar ish-kryeprokurorja Carla del Ponte. Sudetic ishte bashkautor (apo autor “fantazmë”) në librin e Carla del Pontes, në të cilin ajo kishte përmendur edhe dyshimet për “nxjerrjen e organeve”. Sudetic pa dyshim i takon grupit i cili ka ndikuar që temës së “nxjerrjes së dhunshme të organeve” t’i jepet një publicitet i madh. Në atë grup janë pos tij edhe Carla del Ponte dhe Dick Marty. Nëse do të dëshmohet se akuzat janë ta bazuara, ata do të kenë meritat të mëdha për këtë. Nëse ky tregim është i sajuar me qëllime propagandistike, atëherë ata kanë bërë një manipulim të rëndë. Këtë “tregim” se “pjesëtarë të UÇK-së në bjeshkët e Shqipërisë ua kanë nxjerrë organet të arrestuarve serbë për së gjalli dhe i kanë shitur” e kishin përmendur disa gazetarë të huaj së pari. Por ata as vetë nuk kishin besuar dhe nuk kishin shkruar për këtë temë. Kur këtë e kishte marrë vesh Carla del Ponte ajo kishte bërë hetime, por nuk kishte gjetur dëshmi. Por kur ajo, së bashku me Sudeticin, e botoi këtë në libër, ky tregim filloi të marrë kredibilitet, pasi që e kishte shkruar personi që ishte në krye të Tribunalit të OKB-së për krime lufte. Pastaj libri ishte cituar nga mediat. Dick Marty kishte bërë raport i cili po ashtu ishte cituar nga mediat si raport i Këshillit të Evropës. Dhe kështu këtë tregim bashkësia ndërkombëtare e mori aq seriozisht, saqë BE formoi një ekip të posaçëm, “Task forcë”, më diskrete edhe se vetë Tribunali i Hagës, për të hetuar këto dyshime. Lidershipi i Kosovës, pas sulmeve të para ndaj raportit famëkeq të Dick Martyt dhe paralajmërimeve se do ta padisin atë, u bindën nga bashkësia ndërkombëtare se do të mbështesë krijimin e një Gjykate Speciale, sepse siç thonë tani “Kosova nuk ka çfarë të fshehë”. Nga shkrimet e tij të mëparshme mund të thuhet se autori Chuck Sudetic ka shkruar edhe me paragjykime ndaj shqiptarëve. Por një e vërtetë e hidhur është se sot lehtë mund të gjenden diplomatë të lartë evropianë, të cilët vërtet flasin zi e më zi për politikanët kosovarë. Këtë e bëjnë “jozyrtarisht”. Dhe me siguri ish-bashkëpunëtori i Carla del Pontes dhe ish-gazetari Chuck Sudetic në Bruksel e Washington ka mundur të gjejë të tillë kur ka shkruar tekstin mjaft inkriminues për Hashim Thaçin. “Ne e dimë se ata nuk janë çuna të mirë, por s’kemi rrugëdalje tjetër pos të punojmë me ta, edhe pse nuk u besojmë”, janë fjalë të shpeshta që dëgjohen nga goja e diplomatëve perëndimorë për disa nga figurat kryesore politike të Kosovës. Që të jetë edhe më keq shërben fakti se bashkësia ndërkombëtare, sidomos pas komprometimit të EULEX-it në Kosovë, nuk e ka më besimin që e ka pasur mes kosovarëve. Edhe pse nuk e thonë publikisht, shumë diplomatë perëndimorë nuk besojnë se Thaçi sinqerisht e dëshiron krijimin e Gjykatës Speciale dhe nuk besojnë se ai ka bërë gjithçka që është në mundësinë e tij që ndryshimet kushtetuese të kalojnë në Kuvend. Ata nuk besojnë se Thaçit kanë mundur t’i dalin jashtë kontrolli deputetët e PDK-së, të cilët me votimin kundër, me abstenim apo mospjesëmarrje në seancën kur u votua, pamundësuan kalimin e këtyre ligjeve. Në anën tjetër as kosovarët, jo vetëm ata që mbështesin PDK-në, por edhe më shumë nga partitë opozitare, nuk besojnë se një Gjykatë e tillë mund të jetë vërtet e paanshme, e pavarur dhe profesionale, e cila nuk do të bënte kompromise me drejtësinë për interesa politike, ashtu siç dyshohet se ka bërë EULEX-i. E opinioni i Kosovës ka mbetur i hutuar dhe nuk e di se cilat janë arsyet e vërteta që të votohen ndryshimet kushtetuese. Nuk e dinë a duhet bërë këtë, “sepse nuk kemi çfarë të fshehim” apo “për shkak se këtë e kërkon bashkësia ndërkombëtare” apo “për shkak se gjykatat e Kosovës dhe EULEX-i nuk janë të aftë për të zhvilluara procese të tilla gjyqësore. Debatin e kanë rënduar edhe më shumë ata diplomatë të huaj, të cilët sillen sikur e dinë saktësisht se kush do të akuzohet nga ajo “Gjykatë Speciale”. Nëse vërtet e dinë atëherë ajo Gjykatë është komprometuar rëndë edhe para se të formohet, sepse kjo mund t’u japë edhe më shumë argumente atyre që spekulojnë se disa politikanë kërkojnë garanci se nuk do të akuzohen në shkëmbim me mbështetjen e tyre për krijimin e kësaj Gjykate. Sikur që raporti i Dick Martyt i bëri dëm Kosovës dhe imazhit të saj, ashtu edhe themelimi i një Gjykate Speciale për Kosovën do t’i bëj dëm, pa marrë parasysh se cilat do të mund të jenë verdiktet e saj. Kosova do të mbetet i vetmi shtet nga territori i ish- Jugosllavisë për të cilin bashkësia ndërkombëtare e ka parë të domosdoshme të ketë një Gjykatë Speciale, përkundër faktit se me krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë janë marrë edhe gjykatat vendore, edhe EULEX-i, edhe Tribunali i Hagës për krimet e luftës, e besa edhe gjykatat e Serbisë. Kjo dëshmon se sa pak i besohet Kosovës dhe aftësive të saj për të pasur një sistem të duhur gjyqësor. Koha.net