Varufakis: Dalja e Greqisë nga eurozona është e pashmangshme

Intervistë e ish-ministrit grek të financave Varoufakis, botuar në El Pais, 5 gusht 2015

Yanis-Varoufakis-009

Disa ditë më parë ju dhatë doreheqjen nga posti i ministrit të financave. Si ka ndryshuar jeta juaj e përditshme?

Gazetat mendojnë se jam penduar që u largova nga qeveria. Por në fakt, unë nuk jam në politikë për të bërë karrierë, por për të ndryshuar gjërat. Dhe ata që përpiqen të ndryshojnë diçka, e paguajnë një çmim.

Që është ?

Urrejtja, urrejtja e thellë e lidershipit të BE. Ata që hyjnë në politikë pa dashur të bëjnë karrierë, përfundojnë duke krijuar probleme të tilla.

Ndërkohë, Greqia do të vazhdojë të vuajë nën tutelën e Trojkës …

Ne i ofruam FMN, BQE dhe Komisionit Evropian mundësinë për të qenë sërish institucionet që kanë qenë në fillim, por ata këmbëngulën të rishfaqen si Trojka. Marrëveshja e fundit, bazohet në vazhdimin e një farse, pasi bëhet fjalë vetëm për ta zgjatur krizën, përmes kredive të reja të paqëndrueshme, duke bëjë gjoja sikur po e zgjidhin problemin. Mund të mashtrosh njerëzit apo edhe tregjet për disa kohë, por jo një kohë të pacaktuar.

Cfarë prisni të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm?

Marrëveshja është e përcaktuar të dështojë. Dhe do të dështojë. Le të jemi të sinqertë:…ministri gjerman Volfgang Shojble, nuk ka qenë kurrë i interesuar për një marrëveshje që funksionon. Ai deklaroi prerë se plani i tij është të reformojë eurozonën:një plan që parashikon përjashtimin e Greqisë. Unë e konsideroj këtë një gabim të rëndë, por Shojble ka shumë peshë në Evropë. Dhe një nga gënjeshtrat më të mëdha të gatuara javët e fundit, ka qenë paraqitja e paktit mes qeverisë sonë dhe kreditorëve, si një alternativë ndaj planit Shojble. Nuk është kështu. Kjo marrëveshje është pjesë e planit Shojble.

Dalja e Greqisë nga eurozona është tashmë diçka e sigurtë?

Le të mos shpresojmë që jo. Por unë pres shumë debate, dhe pastaj shtyrje, dështimi për të arritur qëllimet që në fakt janë të paarritshme, dhe thellimi i recesionit, përfundimisht do të përkthehen në probleme politike. Atëherë do të shihet, nëse Europa dëshiron vërtetë të vazhdojë para me planin e Shojbles apo jo. Shojble ka sugjeruar heqjen e kompetencave të Komisionit Evropian, dhe zbatimin e rregullave me një ashpërsi më të madhe. Nëse ai do të fitojë, a është Greqia e dënuar? Ka një plan në tryezë, që tashmë ka filluar të zbatohet. Shojble dëshiron të mënjanojë Komisionin dhe të krijojë një lloj super-komisioneri të taksave, me autoritetin për të thyer prerogativat kombëtare, madje edhe në vendet që nuk mbulohen nga programi. Pra është një mënyrë, që të gjithë t’i nënshtrohen këtij programi. Plani i Shojbles, është të imponojë kudo Trojkën:Në Madrid, Romë, dhe mbi të gjitha në Paris.

Në Paris?

Parisi është pikësynimi kryesor. Është destinacioni përfundimtar i Trojkës. Grexit, do të shërbejë për të rrënjosur frikën e nevojshme dhe imponuar konsensusin e Madridit, Romës dhe Parisit.

Të sakrifikohet Greqia për të ndryshuar fizionominë e Evropës?

Do të jetë një akt demonstrativ:ja çfarë ndodh, nëse nuk i nënshtroheni diktatit të Trojkës. Ajo që ndodhi në Greqi, është padyshim një grusht shteti:asfiksia e një vendi, përmes kufizimeve mbi paratë e thata, duke ia mohuar ristrukturimin jetik të borxhit kombëtar. Në Bruksel, nuk ka patur kurrë interes për të ofruar një marrëveshje reciprokisht të dobishme. Kufizimet e likuiditetit, mbytën gradualisht ekonominë, ndihma e premtuar nuk erdhi, dhe duheshin përballuar pagesat e vazhdueshme ndaj FMN-së dhe BQE. Presioni vazhdoi pa rreshtur derisa mbetën pa para. Tani na kanë imponuar një ultimatum. Në fundmi, rezultati është i njëjtë me rastin kur përmbyset nje qeveri ose detyrohet të dorëzohet.

Cilat janë efektet për Evropën?

Askush nuk është i lirë, kur edhe një person i vetëm është i skllavëruar:është paradoksi i Hegelit. Evropa duhet të jetë shumë e kujdesshme. Asnjë vend nuk mund të përparojë, të jetë i lirë, të mbrojë sovranitetin dhe vlerat e tij demokratike, kur një shtet anëtar privohet nga zhvillimi, sovraniteti dhe demokracia.

Edhe pse është e vërtetë se Greqia ka ndryshuar kushtet e debatit, në politikë nevojiten rezultate konkrete. A ju kënaqin këto të fundit?

Euro u themelua 15 vjet më parë. Ishte keq-konceptuar, siç e zbuluam në vitin 2008, pas rënies së bankës amerikane “Lehman Brothers”. Që nga viti 2010, Evropa ka një sjellje mohuese:Evropa zyrtare ka bërë pikërisht të kundërtën e asaj që duhej. Një vend i vogël si Greqia, që përfaqëson vetëm 2 përqind të PBB-së evropiane, ka zgjedhur një qeveri që vendosi në tryezë disa çështje thelbësore dhe vendimtare. Pas gjashtë muajsh luftë, jemi përballë një humbjeje të madhe, e kemi humbur betejën. Por do fitojmë luftën, sepse arritëm të ndryshojmë kushtet e debatit.

Ju kishit një plan B:një monedhë paralele, në rastin e mbylljes së bankave. Pse Cipras nuk i dha dritën jeshile atij plani?

Puna e tij ishte ajo e një kryeministri. E imja, në cilësinë e ministrit, ishte të ndërtoja mekanizmat më të mira, nëse do të merrnim atë vendim. Kishte arsye të forta për ta bërë atë, por edhe anasjelltas.

Ju do e hidhnit atë hap?

Sigurisht, dhe e kam thënë publikisht, por kam qenë në pakicë. E respektoj vendimin e shumicës.

Cipras ritheksoi se nuk kishte alternativë ndaj paketës së tretë të shpëtimit; ndërsa ju me planin B, pohonit se kishte një rrugëdalje…

Që kur kam qenë i ri, e ka refuzuar gjithnjë konceptim politik “theçerian” të “mungesës së alternativave”. Ka gjithmonë një zgjidhje.

Cila do të jetë trashëgimia e Angela Merkelit për Evropën?

Ideja evropiane, nuk është ndëshkimi i një kombi krenar, për të frikësuar të tjerët. Kjo nuk është Evropa e Gonzales, Giskard dhe Shmid. Ne kemi nevojë të vlerësojmë drejt kuptimin e asaj, çfarë do të thotë të jesh evropian, gjetja e mënyrave për të rikrijuar ëndrrën e prosperitetit të përbashkët në demokraci. Ideja se frika dhe urrejtja, duhet të jenë gur themeli i Evropës së re, na çon prapa në vitet ‘30. Evropa është në rrezik për t’u shndërruar në një kafaz hekuri. Shpresoj që kancelarja nuk do dojë të na lërë një trashëgimi të tillë.

[shqiperoi bota.al]

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi