96 milionë euro deficit në të ardhurat për gjashtë muaj

Nga Gjergj Erebara, botuar në reporter.al, 4 gusht 2015

gjergj-erebara

Të ardhurat nga administratat doganore dhe tatimore për periudhën janar-qershor 2015 qenë 13.4 miliardë lekë ose 10 për qind më të ulëta se sa plani i qeverisë dhe kanë shënuar një rritje minimale prej vetëm 2.9 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Të ardhurat nga disa taksa të rëndësishme si Akcizat, Tatimi mbi të Ardhurat Personale, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar apo Taksat Nacionale shënuan rritje zhgënjyese ose rënie gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti në krahasim me vitin e kaluar, bëhet e ditur nga raporti i detajuar statistikor që u publikua nga Ministria e Financave më 3 gusht.

Qeveria shqiptare po përballet me vështirësi të mëdha në mbledhjen e taksave dhe tatimeve, pasi i rriti ato për dy vjet me rradhë me shpresë që të krijonte kushtet për reduktimin e borxhit publik të vendit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Por rritja e taksave nuk është konvertuar në rritje të të ardhurave të qeverisë për arsye që mbeten të debatuara.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, e cila është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave të qeverisë, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti solli vetëm 58 miliardë lekë, nivel ky më i ulët se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2014. Të ardhurat nga Akcizat qenë 17.4 miliardë lekë ose gati 25 për qind më të ulëta se sa plani. Qeveria e rriti akcizën e cigareve këtë vit nga 90 në 110 lekë për paketë. Kjo rritje me 22 për qind e taksës duhej të siguronte një masë po kaq të madhe të ardhurash shtesë, por konsumi i taksueshëm i cigareve aktualisht ka rënë. Sipas të dhënave të doganave, importi i taksueshëm cigareve ra në 1,083 tonë për periudhën janar-qershor 2015, duke qenë në nivelin më të ulët në së paku pesë vjet.

E njëjta gjë duhej të ndodhte me të ardhurat nga Taksat Kombëtare, ku regjistrohen të ardhurat nga taksa e qarkullimit për karburantet. Taksa e qarkullimit mbi karburantet u rrit në vitin 2014 nga 7 në 17 lekë për litër dhe në vitin 2015, në 27 lekë për litër. Problemi është që importi i karburanteve për gjashtëmujorin e parë qe 190 mijë tonë, niveli më i ulët që nga viti 2012.

Të ardhurat qenë të dobëta edhe te Tatimi mbi të Ardhurat Personale, të cilat shënuan një rritje vjetore prej vetëm 7 për qind dhe janë 22 për qind më të ulëta se sa plani, pavarësisht se tatimi u rrit me 50 për qind në fillim të këtij viti për të gjitha të ardhurat përveç pagës.

Shkaqe të debatueshme

Kryeministri Edi Rama, ndërsa premtoi luftë kundër informalitetit, deklaroi se qeveria është duke studiuar arsyet e performancës së ulët. “Jemi në proces dhe drejt përfundimit të një analize shumë të thelluar të të gjitha arsyeve të rënies së të ardhurave, në raport me parashikimin”, tha ai.

Por ndërsa qeveria është ende duke analizuar shkaqet, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka një ide paraprake. “Disa nga arsyet reflektojnë faktorë të jashtëm, si rënia e çmimit të naftës, interesat apo dhe inflacioni i ulët. Por disa të tjera lidhen me zbatimin e ligjit dhe rregullave tatimore. Pra, ka një problem administrimi. Taksat nuk janë aq të ulëta në Shqipëri, por performanca e të ardhurave nuk është e fortë”, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Jens Reinke në një intervistë për Top Channel.

Por pavarësisht se cilat janë shkaqet, FMN i ka kërkuar qeverisë të marrë masa, duke sugjeruar ose ulje të shpenzimeve publike të parashikuara në buxhetin e këtij viti ose rritje të mëtejshme taksash.

Qeveria ndërmorri një hap në drejtim të rritjes së taksave përmes një vendimi të publikuar së fundmi, qeveria ka rritur masën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga disa kategori kontribuesish. Kështu, kontributi i sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit është rritur me 10 për qind, 4246 lekë në muaj që qe përgjatë gjashtë muajve të fundit në 4696 lekë.

Deficiti nën kontroll

Pavarësisht ecurisë së keqe të të ardhurave nga tatimet, qeveria gjatë këtij viti shijoi shitjen e licencave të telefonisë së brezit 4G, të cilat siguruan mbi 6.1 miliardë lekë të ardhura. Ndërkohë, shpenzimet janë mbajtur shumë më të ulëta këtë vit në krahasim me planin duke bërë që deficiti buxhetor të jetë nën kontroll. Shpenzimet e qeverisë qenë 195.6 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë, ose 21 miliardë lekë (150 milionë euro) më të ulëta se sa plani. Ndonëse deficiti është nën kontroll, këto shpenzime të munguara kanë gjithashtu efekt negativ në rritjen ekonomike të vendit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi