Rikardo Hausman: Prioritetet e zhvillimit shqiptar
Konference e perbashket Qendres për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit dhe qeverise, 2 gusht 2015
Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit dhe një grup studiuesish të saj publikuan sot në Tiranë një seri studimesh mbi zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare dhe sfidat e rritjes së saj. Në një konferencë të përbashkët me qeverinë, ata paraqitën përfundimet e vëzhgimit në fushën e energjisë, zhvillim teknik, bujqësi, investimet e huaja të drejtpërdrejta, integrimi rajonal dhe përfshirja e diasporës në zhvillimin e atdheut. Drejtuesi i “Ekipit Shqipëria”, profesor Rikardo Hausman, theksoi se Shqipëria duhet të kujdeset më shumë për mikroekonominë, sepse të dhënat makro-ekonomike si inflacioni apo shpenzimet janë të qëndrueshme. Sipas tij, Shqipëria po lë pas modelin e vjetër të jetesës me remitanca nga emigrantët dhe me ndërtime të rregullta ose, jo dhe po kërkon një rrugë të re.
Përparësitë e ekonomisë shqiptare
“Ky vend ka nevojë për një rritje normale të bazuar në mundësitë për të prodhuar në Shqipëri dhe për t’i eksportuar në botë; këtu hyjnë bujqësia, miniera, manifaktura, nafta, energjia dhe turizmi. Në këto fusha duhet punuar fort për të mbledhur gjithë kapacitetet prodhuese, që të përballet me konkurrencën e tregjeve botërore”, tha profesori Hausman në krye të grupit të studiuesve. Zoti Hausman tha se të gjitha këto fusha, duke nisur nga bujqësia dhe me radhë duhen shndërruar krejtësisht që të japin prodhim kombëtar për tregjet moderne, por të mos mbeten më si barrë me humbje të mëdha në shpinë të ekonomisë si deri tani. Ai tha se mundësi të shumta për zhvillim sjell edhe bashkëpunimi më i mirë midis sektorit publik dhe atij privat për të rritur prodhimin, konkurrueshmërinë. “Tani që Shqipëria po forcon institucionet demokratike, me zgjedhje të rregullta dhe mandate të qarta, pritet që të zhvillohet ekonomia, sepse edhe kjo është një kriter i ecjes përpara, ndërkohë që ka mbështetjen dhe kujdesin e FMN dhe Bankës Botërore.
Burim i pashfrytëzuar diaspora e shkolluar
Një burim i madh zhvillimi i pashfrytëzuar është diaspora e shkolluar, e cila nuk po arrin të ndërtojnë atdheun me dijet e veta”, tha ai. Sipas zotit Hausman, diaspora shqiptare ka një potencial të madh ekonomik. Ajo mund të sjellë kontakte tregtare, marrëdhënie ekonomike me ato shtete ku gjendet diaspora. Diaspora, tha ai, mund të sjellë më shumë investime nga ato shtete, sepse ka shumë më tepër lidhje dhe nivel profesional dhe ekonomik. Studiuesit thanë se diaspora është burim i madh mundësish për integrim. Sipas tyre, më shumë e gjysma e tyre në SHBA dhe në vende të tjera kanë kryer studime të larta, se ata duan të punojnë dhe ta ndihmojnë Shqipërinë, por nuk gjejnë rrugët se si të përfshihen në sfidat për ta modernizuar Shqipërinë, ndaj u duhen krijuar mundësitë.