Thirrje – sfidës së një ftese bërë nga Europa

Nga Ndriçim Kulla, botuar në Mapo Online, 31 korrik 2015

ndricim-kulla-135x150Europa dhe qytetërimi perëndimor na e kanë bërë sinqerisht ftesën për të hyrë në gjirin e tyre. Mirëpo, përtej marrëveshjeve dhe kushteve politike apo ekonomike, para së gjithash, kjo do të thotë “thëthitje” e ajrit të mendimit dhe filozofisë së qytetërimit të tyre; do të thotë njohje, “përvetësim” dhe “bashkim” dinjitoz me atë korpus gjigant dijesh dhe veprash me anë të të cilit brezat e tërë të mendimtarëve dhe njerëzve të vet të shquar ngritën shtatoren e një botëkuptimi të lirë dhe mbrujtën formën e një zemre të hapur e të kultivuar.

Rruga është e gjatë, shumë më e vështirë dhe komplekse se integrimi institucional; ndaj që kjo ndërmarrje të mos na kthehet në një gur Sizifi, por në një çlirim shpirtëror, na lipset patjetër një bazë ku të mbështetemi.

Në këtë kuptim, nevoja jonë më kryesore në pikëpamjen kombëtare është përtëritja e një jete të qytetëruar dhe fitimi i kulturës së një jete të tillë. Mirëpo, që t’ia arrijmë këtij qëllimi final, çka do të kërkojë përpjekjen e shumë e shumë brezave, është e rëndësishme të njohim thellë e të përcaktojmë drejt konceptet e kulturës dhe qytetërimit, për të vendosur mirë paskësaj raportet mes tyre.

Se në fakt, midis kulturës dhe qytetërimit ka mjaft pika të përbashkëta, ashtu siç ka dhe pika që i ndajnë. Kështu, si kultura ashtu dhe qytetërimi përfshijnë tërësinë e socialitetit të shoqërive njerëzore, ku me përcaktimin tërësi e socialitetit lipset të nënkuptohen aspektet e ndryshme të jetës shoqërore: jetën ligjore, estetike, fetare, ekonomike, gjuhësore apo shkencore. Është pikërisht tërësia e të gjitha këtyre aspekteve ajo që mund të emërtojë kulturën dhe qytetërimin.

Kuptohet, se një popull, që të fitojë fuqi politike, më parë duhet të krijojë një kulturë më të lartë. Dhe kjo sepse përfitimi i superioritetit midis popujve ka kryesisht burim kultural. Nga ana tjetër, prej lartësimit të kulturës lind edhe qytetërimi, i cili pavarësisht se në fund është përfitimi i superioritetit dhe i ngritjes së nivelit kulturor, dalëngadalë, përgjatë zhvillimit të tij nis të “huazojë” institucione të ndryshme nga qytetërimi i popujve të tjerë. Mirëpo, që një qytetërim të fitojë një unitet harmonik brenda vetes, duhet patjetër të shartohet me kulturën kombëtare. Kështu, mendimi gjerman, frëng, amerikan apo anglez, duhet patjetër të transformohet e të përshtatet me sociologjinë shqiptare, në mënyrë që të hidhen themelet për një mendim bashkëkohor shqiptar, nga zhvillimi i të cilit të mund të burojë më pas silogjizma shqiptare e një Shqipërie mendonjëse. E kjo sepse qytetërimi nuk është një vepër e imitimit, por vepër e një pune të brendshme dhe harmonike. Madje më tepër, qytetërimi është një krijim. Kjo është ajo çka na duhet të kuptojmë me “thëthitje”, “njohje” apo “përvetësim” dijesh nga arsenali i qytetërimit perëndimor. Po megjithatë, zbatimi praktik i një ndërmarrjeje të tillë kërkon thelbësisht një mëshim të veçantë mbi dy vërejtje kryesore.

Së pari, në raportin midis kulturës dhe qytetërimit, nisja është kultura. E kjo për shkak se përpjekjet politike në mes të një populli me kulturë të shëndoshë, por me një qytetërim të shprishur dhe të një populli me kulturë të prishur, por me një qytetërim të shëndoshë, përfundojnë gjithmonë në favor të popullit të parë. Kultura triumfon kurdoherë. Këtë na e mëson historia. Po gjithsesi, në vazhdën e kësaj udhe, do të qe me vend të vendosnim një tabelë të madhe rreziku, sepse zhvillimi i nxituar kah qytetërimit i një shoqërie sjell veçse dëme dhe rreziqe. Ashtu siç zhvillimi i beftë dhe i tepruar intelektual e prish karakterin njerëzor, po ashtu dhe zhvillimi i përshpejtuar i një qytetërimi e dërmon kulturën kombëtare, i dërmon kombet.

Së dyti, kultura jonë kombëtare në procesin e shartimit me qytetërimin perëndimor, lipset ta rrokë këtë të fundit të tërin, ashtu të plotë e të gjallë siç shfaqet sot. E kjo sepse çdo qytetërim ka një vendosje të caktuar gjeografike, por ka edhe një horizont cilësisht të dallueshëm kulturor, ashtu siç ka një logjikë, një estetikë a një kuptim të tijin karakteristik të jetës. Për të gjitha këto arsye qytetërimet e veçanta nuk trazohen në mes tyre. Për të gjitha këto arsye, ata që s’arrijnë ta rrokin një qytetërim në tërë sistemin e vet, pra jo të pjesshëm a të copëzuar, por të tërin dhe të pacenuar, s’mund të arrijnë dot të rrokin as edhe pjesë të veçanta të tij. Pasi nëse e marrin kështu, të cunguar apo pjesë-pjesë, s’do të arrijnë kurrë as ta tresin në vetvete e as ta përfaqësojnë atë drejt dhe mirë.

Qytetërimi është si një fe: më parë se gjithçka do besim dhe devocion. Do pasion dhe vullnet. Kjo duhet të jetë motoja e ndërmarrjes sonë; jo një vullnet i çastit, por vetëm një vullnet i vazhduar, i përhershëm dhe i pandërprerë. E kjo, sepse vullneti është besimi që tund madje dhe malet nga vendi. E kjo, sepse vullneti është krijonjësi i vërtetë i të gjitha ngjarjeve.

Nga ana tjetër, “ Intelekti nuk është një llambë që shndrit pa vaj, por që ushqehet nga vullneti dhe pasioni”, – thotë Francis Bacon te “Novum Organon”. Po megjithatë, edhe pse vullneti dhe pasioni mund të shërbejnë si një pikënisje e volitshme, përsëri na lipset patjetër një dorë ndihme. E kush tjetër mund të na gjendet pranë përveçse atij universi dijesh të shkencave humane (filozofi, psikologji, sociologji…) që qytetërimi perëndimor ka krijuar në shekuj, përveç asaj etike dhe atij iluminimi që ky qytetërim e ka për horizont të vet kulturor.

E kjo sepse, përtej vlerave të pamohueshme edukativo-estetike të artit dhe letërsisë, janë këta “zëra të ardhur prej këtyre universeve” që duhet të jehonizohen në përgjigjen dhe në orvatjen tonë me zellin më sublim.

E kjo sepse, janë pikërisht këta zëra ata që lëmojnë botëkuptime, formësojnë ide dhe koncepte të reja, thërrasin nga gurra e pashtershme e vitalitetit njerëzor energji të kanalizuara në kredo të reja duke përshtatur veçori karakteristike dhe ç’vargëzuar hallka të tëra paragjykimesh.

E kjo sepse, vetëm kredhja në hapësirat e dijeve teorike dhe praktike të këtyre shkencave, të këtyre dimensioneve të reja, mund t’i shtyjë gjithnjë e më tej sinorët e horizontit tonë mendor dhe shpirtëror, që ne të mos mbetemi të verbuar prej mirazhit të bukurisë së kësaj ftese dhe miratimit ndoshta vite më vonë të saj, të përfshirë në ethet e dëshpërimit tonë të zjarrtë dhe të prehur në shtratin e vetëkënaqësisë mikluese që na ngjall shpresa.

Sipas një filozofie të njohur të lindjes, në jetë ekzistojnë dy lloj dimensionesh. Le t’ua lëmë politikanëve apo jetës materiale – nëse munden ta arrijnë – dimensionin horizontal. Le të rrokim për veten tonë: shpirt-lartonjësin, mendje-kthjelluesin dimension vertikal.

Thirrja tashmë na është bërë; le të na kthehet pra në fat, ligj, busull për të na orientuar në universet tona të reja.

“E vërteta qëndron te komunikimi: është një tjetër thirrje e hedhur si një dorashkë sfide ndaj njerëzimit, prej filozofit Karl Jaspers.

Se vërtet, përtej të gjitha vështirësive ekonomike dhe andrallave të shtetit dhe burokracisë, është mëse i dukshëm ai vargan “provokimesh” konstante me të cilat arsyeja është e detyruar t’i nënshtrohet “jetës në çdo çast”; për të sjellë kështu ngjizjen e “revoltës”, për të mos heshtur dhe maskuar të tilla kontradikta e ndoshta edhe për të mohuar ngushëllimet sentimentale apo për të përçmuar patetizmat e çdo lloji.

Të ndodhur kështu, nën një trysni të papërballueshme, dyert dhe muret e “shtëpizave” të mendjeve dhe shpirtrave tanë, dalëngadalë mund të fillojnë të jepen e së fundi dhe të shemben në gjëmime lajmesh të tilla si ikje nga atdheu për bukën e gojës, ose për një jetë më të mirë, vetëvrasje, krime e dhunë familjare, pedofili, gjakmarrje, vdekje nga uria, nga braktisja…

Dhe, që të mos hapen “humnera” të tilla përpirëse, e që të mos e gjejmë veten të rrokullisur nëpër thëpirat e tyre, që të mos na dridhet e plasaritet toka nën këmbë, që zemra të na çlodhet nga stresi i përditshëm dhe shpirti të dijë të fashitet në paqë diku e nëse plagët tashmë janë hapur apo janë mavijosur, të mundemi t’u vëmë atyre melhem ose të mundemi të ndërtojmë “ura” për të kapërcyer honet e veseve dhe humnerave të ekzistencës sonë mortore, ne patjetër duhet të dëgjojmë “zërin” e diturisë për të cilën realisht flitet dhe shpenzohet pak tek ne, kur (“Filozofia të shpëton jetën” thoshte Ciceroni), të dëgjojmë “mësimet” e psikologut a psikiatrit, sociologut a estetit shqiptar dhe të huaj.

Prandaj, neve na duhet të përfitojmë këtë lloj eksperience të Europës dhe qytetërimit perëndimor, aq mjeshtërisht të udhëhequr e të ndikuar prej këtyre mësimeve, për të mbrujtur kështu një konceptim të ri mbi jetën e për ta bërë atë, edhe praktikisht, më të mirën që mund të arrijmë të kemi.

Pikërisht, për të gjitha këto dhe ashtu siç thotë Gëtja, “Shpirti ynë është plot nostalgji për diçka më të lartë e më të ndritur” ne duhet t’i mbartim vetes dimensione të reja.

Dhe pikërisht, për këtë arsye, shpalosja e dimensioneve të tilla është përgjigja jonë – brenda asaj hapësire ku mund të lëviznim – ndaj asaj ftese apo thirrjeje që na është bërë.

Ekziston një teori e njohur antropologjike, sipas së cilës qytetërimet dhe morali, veçanërisht në racën njerëzore, mund të krahasohen me një rreth, ku qendra është e keqe dhe periferia e mirë. Është një teori kurioze…Le të shpërngulemi, atëherë, drejt periferisë. Le t’ua shpërhapim, pra, oshëtimën këtyre zërave.

Le t’i hedhim e t’i bëjmë sa më të forta ato “ura”.

Le ta kthejmë sa më të shëndetshëm e të frytshëm ambientin e çdo “shtëpize” të mendjes dhe shpirtit tonë, se paskësaj patjetër që do të na bëhet më e mirë edhe vetë jeta e përbashkët.

Zhak Delëz, një filozof bashkëkohor francez thotë: “Në një ndërmarrje nuk duhet as të kesh frikë e as të shpresosh pa bazë, duhet të kesh vetëm armët e duhura”. Dhe qëllimi im i kësaj thirrjeje është të japë disa mesazhe në shishe për të treguar se dituria është pikërisht arma e duhur dhe vetme që na nevojitet në ndërmarrjen tonë për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin shpirtëror dhe kulturor me qytetërimin perëndimor.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi