Reforma territoriale miratohet përfundimisht në Francë
Sipas Le Monde, 31 korrik 2015
Pas një procedure parlamentare dy vjeçare, Parlamenti francez përfundimisht ka miratuar, më në fund, më 16 korrik, projekt-ligjin mbi ndarjen e kompetencave në mes komuniteteve. Senati, në fakt, ka miratuar në orët e pasdites tekstin e miratuar në të njëjtat kushte gjatë mëngjesit në Asamblenë Kombëtare.
Pjesa e tretë e reformës territoriale, projektligji NOTRe (për “Organizimin e ri territorial të Republikës”) u miratua nga 259 senatorë, 49 votuan kundër.
Teksti konfirmon fuqinë në rritje të rajoneve dhe ndërkomunave, por pa qenë kjo në dëm të departamenteve, siç ishte parashikuar në fillim. Ai u beson rajoneve ekonominë dhe orjentimet e mëdha strategjike, departamenteve solidaritetin dhe komunave shërbimet e afërsisë.
Lidhur me rajonet dhe departamentet:
– Klauzola e kompetencës së përgjithshme, e cila e lejon një autoritet lokal për të trajtuar çdo çështje që nuk mbulohet nga shteti, është e shfuqizuar për departamentet dhe rajonet. Ajo tashmë ishte shfuqizuar për këto komunitete në periudhën e mandatit të Nicolas Sarkozy, por ishte rivendosur në fillim të mandatit të Francois Hollande.
– Trembëdhjetë rajonet e mëdha të krijuara si metropole me ligjin e miratuar në dhjetor të vitit 2014 do të kenëkompetencën mbi zhvillimin ekonomik, planifikimin e territorit, formimin profesional, menaxhimin e shkollave dhe transportit, duke përfshirë edhe transportin shkollor. Ata mund të luajnë një rol koordinues në lidhje me punësimin, por jo duke prekur prerogativat e Qëndrave për punësim, dhe do të ketë një rol drejtues në çështjet mjedisore.
– Departamentet, që projektligji fillestar parashikonte suprimimin e tyre, janë ruajtur dhe kryejnë menaxhimin e kolegjeve, të rrugëve dhe veprimin social.
– Kultura, sportet, turizmi, arsimi popullor dhe gjuhët rajonale do të mbulohen njëherësh nga rajonet dhe departamentet. Portet do të mbulohen, sipas rastit, prej një lloji autoritet lokal.
– Dy departamentet dhe rajoni i Korsikës shkrihen nga data 1 janar 2018 në një komunitet të vetëm.
Sa i përket komunave, njësive ndërkomunale dhe metropoleve:
– Njësitë ndërkomunale duhet të kenë një madhësi minimale, të fiksuar në 15 000 banorë, me përjashtime (veçanërisht në zonat malore).
– Ato duhet të jenë përgjegjës për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave, promovimin e turizmit, zonat e pritjes për udhëtarët, dhe, nga 2020, edhe për ujin dhe kanalizimet. Kompetencat e tjera do të ndahen me komunat.
– Metropoli i Parisit të Madh (MGP), i krijuar si qytetet e tjera me ligjin e miratuar në vitin 2014, do të nisë zyrtarisht siç ishte planifikuar më 1 janar 2016, por do të marrë pjesën më të madhe të kompetencave të saj një vit më vonë në fillim të vitit 2017.
– Përfaqësuesit e Parisit në këshillin e MGP nuk do të emërohen nga Këshilli i Parisit, siç ishte planifikuar fillimisht, por nga çdo këshill i njësisë bashkiake.