Militanti kundër qytetarit
Nga Artan Fuga, botuar në Dita, 29 korrik 2015
Militanti si perkufizim eshte dhe duhet te jete nje qytetar aktiv politikisht, me i ndergjegjeshem për rolin e vet në shoqëri, të sakrifikojë për të mirën e përgjithshme, aktivizohet në parti politike dhe mobilizohet për të mbrojtur interesat e qytetarit, që lufton për parime deri në sakrifica.
Kështu thonë librat së paku, kështu mësojnë edhe brezin e ri në shkolla kur i flasin për të kaluarën, por unë duke parë të sotmen nuk i besoj më historisë.
Militanti i sotëm vështirë se ka ideale, ideali i tij shpesh është përfitimi personal.
Kur janë manipuluar zgjdhjet, kush e bën thoni ju? Militanti.
Kur bëhen antimitingje dhe formulohen sharje në media kundër të tjerëve, kush e bën thoni ju? Militanti.
Kur për cdo gjë që thotë shefi, ka bindje të verbër, kush rreshtohet thoni ju? Militanti.
Kush nuk pranon të hajë logjikë, por i thotë të bardhë të zezës, derrit dajë, dhe nëpër tavolina cirret dhe mbron cdo gjë symbyllazi si i verbër, thoni ju? Militanti.
Kush e braktis lidershipin sapo sheh se i rrëshket këmba, thoni ju, Militanti.
Militanti shpesh është armiku i qytetarit, ndërkohë që librat dhe demagogjia e konsideron atë si në shërbim të qytetarit.
Militanti i merr qytetarit vendet e punës në administratë.
Nuk voton qytetari, punë e madhe, voton militanti dhe zgjedhjet janë të rregullta.
Militanti merr tenderat dhe punëson si skllav qytetarin.
Cmimet e para, bursat, projektet i merr militanti për shërbime të cmuara ndaj bosit.
Militanti ka gjithmonë të drejtë edhe në gjyq.
Karrierë bën i riu militant, ai shkon në kamp pushimi, të tjerët i kanë harruar që kanë pas ekzistuar.
Militanti bëhet edhe antar i këshillit bashkiak dhe shpreson në mos ndonjë leje ndërtimi, sëpaku ndonjë licence dyqani a ndonjë shtesë oborri. E braktis qytetarin për kryetarin.
Kur pesë veta janë në një zyrë, shef do të bëhet militanti.
Pse mos t’i duket e bukur jeta militantit?
Për cfarë flitet nëpër tavolina raporton militanti.
Militanti del edhe si analist në media dhe pastaj gufmohet në lagje si intelektual dhe bukurosh.
Bordet e pavarura, të lidhura me zinxhira, formohen me militantë.
Militanti hiqet nga puna kur vjen partia kundërshtare, por gjyqi e paguan pa punuar se i jep të drejtën e kthimit në punë. Fut lekët publike në xhep.
Kur flitet për të drejtat e qytetarit në fakt nënkuptohen të drejtat e militantit.
Takimet me popullin nëpër stola lagjesh, në fushata elektorale në fakt bëhen me militantët.
Militanti është dekor, fshesë me korrent, korrupsionin militantët e bëjnë në administrata.
Militanti militar.
Qytetari qyqar.