Drejt privatizimit të partive politike
Nga Fabian Zhilla, botuar në Panorama Online, 29 korrik 2015
Në një studim të fundit vihet re se partitë politike shqiptare po shkojnë drejt një klientelizmi politik gati ekstrem.
Në komentin që i bën këtij studimi, Krasniqi nënvizon se “Në Shqipëri dy partitë e mëdha deklarojnë 206 mijë anëtarë, por marrin vetëm 731 mijë vota, së bashku me LSI-në raporti shkon – 3.6 vota për çdo anëtar partie!”. Dhe ky raport në partitë simotra në Europë, sipas studimit të mësipërm, shkon “Në Gjermani 1 anëtar partie është baras me 40 vota (CDU), në Britani është baras me 75 vota (Cons), në Itali është baras me 93 vota (Forza Italia)”.
Krasniqi e cilëson këtë një deformim politik të demokracisë në Shqipëri, që po prodhon një politikë të orientuar dhe të bazuar te militantizmi. Në fakt, më shumë së “demokraci militantësh” duket sikur, në kontekstin shqiptar, kemi të bëjmë me një “demokraci klienteliste”.
Sot në fakt ka qëndrime të ndryshme rreth termit “militant politik”. Politologu i njohur Maurice Duverger e dallon anëtarin e thjeshtë të partisë politike, duke u nisur nga intensiteti i angazhimit të tij gjatë fushatës elektorale dhe organizimeve të ndryshme të karakterit politik.
Pra anëtari i thjeshtë është simpatizanti, i cili mbështet dhe voton partinë e tij politike. Këtë kategori Duverger e quan “masa”, ndërsa “militant”, sipas tij është ai që ka një angazhim më aktiv dhe organizativ. Në ndryshim nga “masa”, militantët kanë ndikim dhe rol të rëndësishëm në parti pasi ata, ndër të tjera, nëpërmjet prezencës së tyre aktive gjatë fushatave elektorale, shpesh përcaktojnë dhe identifikojnë elektoratin e partisë.
Ndërsa për Charles Micaud, militanti politik dallon nga anëtari i thjeshtë më shumë nga indoktrinimi ideologjik sesa nga aktivizmi në kuptimin administrativ dhe organizativ. Militanti, dhe këtu ai i referohet si shembull strukturës së Partisë Komuniste Franceze, është ai i cili beson te doktrina politike dhe e mbështet partinë e tij duke u nisur nga pikëpamja ideologjike. Një ndër veçoritë më të spikatura të militantit, dhe që e dallon atë nga një anëtar apo simpatizant i thjesht i partisë, është propagandimi i ideologjisë së forcës politikë në të cilën ai militon.
Një term tjetër i përdorshëm që shpesh i vishet termit “militant politik”, është edhe ai i “aktivistit politik”. Megjithëse, ky i fundit, njihet më shumë në literaturë si dikush që merr një qëndrim publik për një kauzë të natyrës politike nëpërmjet formave jo konvencionale, siç është votimi. “Aktivisti politik” e shikon votimin si një formë pasive, e cila nuk është e mjaftueshme për të sjellë ndryshim. “Aktivisti politik” merr qëndrime publike nëpërmjet daljes në shtyp, organizimeve publike, mësimdhënies, mediave sociale, studimeve dhe çdo lloj forme tjetër të komunikimit publik. “Aktivisti publik” është “militant” i kauzës dhe doktrinës politike dhe jo i partisë politike.
Për t’iu kthyer modelit politik shqiptar, referuar gjetjeve të studimit të mësipërm, ai më shumë i ngjan një regjimi demokratik të mbështetur në klientelizëm politik.
Jonathan Hopkins bën një pasqyrë të përcaktimeve teorike të cilat shpjegojnë termin “klientelizëm politik”. Sipas tij, historia e këtij termi lidhet me marrëdhënien hierarkike të pronarit dhe klientit në zonat rurale, ku “pronari” i siguron “klientit” akses në të mirat bazike materiale dhe ky i fundit, në shkëmbim, i ofron besnikëri dhe mbrojtje.
Ky lloj modeli klientelizmi ishte forma e parë e një modeli politik në shoqëritë feudale ku marrëdhënia midis përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit ishte hierarkike dhe mbështetej thjesht në shkëmbim interesash dhe besnikëri. Gradualisht, me forcimin e partive politike(kjo pas Luftës së Dytë Botërore), këto të fundit zëvendësuan njeriun influent të zonës (të fortin) duke sjellë një farë modernizimi apo institucionalizimi të klientelizmit politik. Nën ndikimin e konkurrencës, partitë politike, sidomos në Itali, do të ofronin shërbime dhe përfitime direkte në shkëmbim të votës.
Dhe klientelizmi politik mori një qasje tjetër nga një klientelizëm i orientuar nga individi (i forti zonës), në një klientelizëm të karakterit tregtar, ku partitë politike silleshin si biznese dhe votuesit si klientë. Ky lloj klientelizmi politik e kthen garën elektorale në një marrëdhënie tregtare midis partisë dhe votuesit. Ky komunikim politik prodhon një votim që në literaturë njihet “vota si mjet shkëmbimi”, apo “vota si monedhë”.
Studimi i mësipërm nxjerr në pah një hibrid të formës së vjetër dhe të re të “klientelizmit politik” në Shqipëri. Pasi akoma sot kemi parti politike të forta, por dhe individë të fortë në nivel lokal. Jo pa qëllim shohim se numri i klientëve besnikë orientohet drejt numrave që zakonisht i përkasin një familjeje, pasi kjo përkon edhe me kontekstin kulturor shqiptar, ku familja zëvendëson rolin e shtetit, pra ofron mbrojtje ekonomike dhe fizike.
Duhet cilësuar se te ne marrëdhënia politike midis partive politike dhe votuesit sa vjen dhe po komercializohet. Sot zgjedhjet politike janë kthyer në një biznes politik. Kjo u evidentua edhe në zgjedhjet lokale. Në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto zgjedhje vumë re që tregu politik ishte sofistikuar duke krijuar edhe një bursë të “monedhës politike”. Tashmë dihet pak a shumë se sa është vlera e një vote në zonat rurale dhe se sa është në zonat urbane, apo se sa është në qytetet e mëdha dhe se sa është në qytetet e vogla. Megjithëse mungesa e dhunës në këto zgjedhje u përshëndet, askush nuk nënvizoi faktin se kjo mungesë dhune erdhi edhe si rezultat i pazarit me votën. Pra influenca e muskujve u zëvendësua nga influenca e parave.
Edhe studimi më sipërm nxjerr në pah se gara e partive politike, në fakt, nuk është garë programi qeverisës, por një garë e bazuar në skema të suksesshme punësimi për klientët. Koalicionet përcaktojnë zonat, duke u nisur nga interesat e bizneseve apo investimeve të cilët i mbështesin. Partitë politike planifikojnë dhe orientojnë fushatat elektorale të “punësimit” në publik bazuar në këto projekte private dhe jo projekte për interesin e gjerë publik. Deri tani një parti ka arritur të jetë e suksesshme në këtë lloj modeli. Ajo ka arritur të krijojë një klientelë gjithnjë në rritje, duke marrë klientë edhe nga partitë e mëdha. Dhe, fatkeqësisht, ky lloj modeli po tërheq edhe partitë e tjera politike, të mëdha apo të vogla.
Aktualisht, zgjedhjet po zhvendosen nga gara politike në një konkurrencë të pastër biznesi të një pazari politik. Jo pa qëllim sot dhe në të ardhmen, profili i deputetit ka tendencën të shkojë drejt profilit të një biznesmeni apo hibridit midis biznesmenit dhe kriminelit. Dhe në këto zgjedhje lokale këto kategori ishin prezente. Gradualisht deputeti tregtar po kthehet edhe deputet influencues në politikat e partisë nga vetëm financues apo klient që ishte deri dje. Pra, deputeti tregtar është kthyer në një aksioner të partisë politike.
Nëse biznesmenët politikanë apo politikanët biznesmenë të tranzicionit do të jenë ndërmjetësues të votës së qytetarëve në partitë politike, ata do të përçojnë edhe konfliktet e tyre të vjetra në partitë e mëdha, të cilat aktualisht drejtohen nga një lidership i ri. Dhe kjo, pa dyshim, do të vijojë shkallën e lartë të devijimit të demokracisë në Shqipëri edhe për një kohë të gjatë. Ky fenomen do të formësojë gradualisht në mënyrë të pashmangshme mini-oligarkët, duke konsoliduar oligarkinë, e cila nga privatizimi i partive politike do të kalojë në monopolizimin e demokracisë.