A do të kthehet morali në politikën shqiptare?
Nga Agim Nesho, botuar në Panorama Online, 22 korrik 2015
Po kalojmë një kohë të gjatë që politika shqiptare mbetet e akuzuar se nuk po shkëputet dot nga elementët e inkriminuar, të cilët janë prezentë që nga Parlamenti, administrata publike deri në bashkitë e vendit. Kjo situatë vjen si rezultat i luftës pa princip për pushtet i interesave të grupeve klienteliste e oligarkike që i janë bashkangjitur si një simbiozë klasës politike.
Opinioni publik në Shqipëri e vlerëson situatën të rëndë për zhvillimin demokratik të vendit dhe në ndonjë rast të pashpresë për mënyrën se si po reagon politika. Në opinionin ndërkombëtar, gjithashtu ndihet shqetësimi për funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Pyetja e tyre më thelbësore është: “A do të ketë mundësi që kjo klasë politike të shkëputet nga lidhjet me të inkriminuarit, apo do të mbetet peng i tyre?”
Lidhjet me krimin – vullnet i materializuar i liderëve të partive politike
Në çdo shoqëri demokratike vihen re lidhje të krimit me politikën, por asnjëherë të shprehura hapur, në mënyrë prepotente dhe me pasoja katastrofike për institucionet demokratike. Në Perëndim, këto përpjekje mbeten në përfitimet e grupeve të interesit dhe organizatave të ndryshme për të përfituar nga fondet publike, të avantazheve klienteliste, si dhe të veprimtarisë joligjore që ushtrohet në zotërimin e tregut dhe përfitimeve të tjera. Këto lidhje mbeten në fokusin dhe goditjen e shoqërisë civile, medias dhe denoncimit qytetar për një ndëshkim sa më të shpejtë dhe rikthim të hapësirave demokratike.
Në Shqipëri, në të kundërtën, elementët e inkriminuar zgjidhen pjesë e strukturave legjislative e administrative të shtetit, duke zhdukur edhe atë moral të domosdoshëm që politika duhet të ruajë para opinionit publik. Kjo dukuri është shfaqur që në fillim të procesit të tranzicionit, duke u zgjeruar e marrë formën e një fenomeni. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 arritën kulmin, duke u vendosur si përfaqësues të popullit mbi 18 veta me të shkuar të errët, lidhje me krimin. Sakrifikimi i moralit ndaj interesave “pragmatiste” të politikës e solli politikën shqiptare përpara një absurditeti, atij të mos përfaqësimit të elektoratit dhe interesave të tij. Të zgjedhurit e rinj në Parlament do të përfaqësonin de facto interesat e klientelës së tyre, por de jure ata do të mundësonin reformat institucionale dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Dhe këta përfaqësues nuk u zgjodhën vetë, por me vullnetin e liderëve të partive politike, të cilët kishin detyrimin dhe përgjegjësinë për të caktuar përfaqësuesit e popullit. Pra, kjo lidhje me elementët e inkriminuar u realizua në funksion të pushtetit, të marrjes dhe blerjes së votës, në krijimin e “balancave të nevojshme” me qeverinë. Kjo do të ishte klasa e re oligarkike që do të bënte reformën në drejtësi, do të vendoste shtetin ligjor dhe do të luftonte korrupsionin. Ata që duhej të jepnin llogari sot drejtojnë shtetin dhe shteti qëndron i gjunjëzuar prej tyre.
Mbrojtja e interesave oligarkike
Ngritja e problemit të dekriminalizimit të pushtetit nga ana e opozitës ishte një hap i nevojshëm për të kthyer moralin në politikë. Arritja e një deklarate nga ana e Parlamentit Europian dukej se do ta përshpejtonte këtë proces. Asnjëri nuk doli kundër marrëveshjes, por pëlqeu të ruajë këtë status quo. Në mendjet sipërfaqësore të disa liderëve, jo vetëm kishte bindje se “edhe Amerika është produkt i ‘të fortëve’”, apo se “nuk jemi laboratorë për eksperiment, por kemi individualitetin tonë”, por besohej në atë që kishin prodhuar vetë, si alternativa më e mirë për të marrë dhe mbajtur pushtetin. Alarmi i dhënë nga Ambasadori Amerikan, Donald Lu, për të mos votuar elementët e inkriminuar në zgjedhjet lokale u përkrah vetëm nga opozita.
Mosveprimi i maxhorancës u duk si sfidë ndaj demokracisë më të fuqishme në botë, jo vetëm duke mos i tërhequr kandidatët, por edhe duke i lënë në procesin e votës popullore për të bërë riciklimin e tyre. Në një shoqëri demokratike ky është një veprim i patolerueshëm, ku media, institucionet demokratike dhe shoqëria civile duhej të ishin ngritur fuqishëm për ta shkatërruar këtë fenomen dhe të rikthenin balancën e besimin tek institucionet. Në Shqipëri, presioni i politikës dhe interesat e përbashkëta me oligarkët vazhdon të ruajë këtë situatë.
Nga duhet filluar
Marrëveshja e iniciuar nga opozita dhe e përkrahur nga Parlamenti Europian për dekriminalizimin e politikës është pranuar në parim nga maxhoranca. Por mënyra e zgjidhjes së këtij problemi serioz në politikën shqiptare është i ndryshëm. Për politikanët që duan të mbajnë pushtetin me klientelën e tyre të inkriminuar shikohet si një proces që do të mbarojë kur interesat e tyre të jenë të garantuara. Ata nuk e konceptojnë këtë fenomen si krim ndaj demokracisë dhe mbajtje peng e vendit nga interesat oligarkike, por si një proces që duhet rregulluar në kohë e që duhet të marrë parasysh “etikën, të drejtën e zgjedhjes dhe respektimin e të drejtave të njeriut”. Pra, kemi një afrim demokratik për zgjidhjen, pa reflektuar që ata vetë, për interesa pushteti, kanë krijuar këtë situatë jodemokratike.
Rikthimi i principeve dhe vlerave morale në politikë, në një shoqëri demokratike, mbetet një detyrim absolut për klasën politike, dhe jo një vlerësim subjektiv në vullnetin e liderit, në kohën dhe momentin që ai e shikon të arsyeshme. Reagimi ndaj kësaj situate tregon për shkallën e demokracisë në Shqipëri dhe tendencën për një pushtet autoritar në rritje. Shteti ligjor si koncept qëndron në zbatimin e ligjit dhe jo në përdorimin e ligjit për interesa të pushtetit. Mosndarja e politikës nga interesat e oligarkëve dhe grupeve të inkriminuara duket se është e vështirë, pra, përpjekjet për dekriminalizimin e politikës nuk duhet të priten nga lëvizje nga lart-poshtë. Klasa politike në përgjithësi vazhdon të mbetet e ndrydhur dhe e pafuqishme përpara sistemit klientelist të ndërtuar me kujdes nga liderët partiakë.
Nevoja për të përfituar diçka ose për të mos dalë nga loja, e bën atë të jetë apatike në korrigjimin e sistemit dhe deformimet e tij. Sistemi elektoral i vitit 2008 ka shtyrë drejt sistemit klientelist, ku demokracia e brendshme e partive është e zhvlerësuar përpara interesave politike-ekonomike të klientelave. Sistemi partitokratik gjithnjë e më shumë po gjeneron pushtet autokratik dhe kultin e liderit. Lëvizja për dekriminalizimin e pushtetit politik duhet të fillojë si një lëvizje qytetare me angazhime serioze për të ardhmen e vendit. Vendi sot nuk ka luksin të vazhdojë të marrë pjesë në një show të madh politik të luftës së improvizuar ndërmjet dy kampeve, por të punojë për të çuar përpara aspiratat e tij demokratike europianiste. Pritshmëritë e qytetarëve për ndryshim janë të mëdha, por shpresa e tyre gjithmonë e më shumë po shuhet. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Asnjë demagogji apo propagandë nuk mund të mbajë në kontroll atë që sot përbën detyrimin qytetar për rikthimin e vlerave morale demokratike të shoqërisë sonë.