Pikat e forta dhe të dobëta të reformës në drejtësi
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli Online, 18 korrik 2015
Nga pesë përpjekjet e mëparshme në 25 vjet për të bërë reformë në sistemin gjyqësor dhe në sistemin e drejtësisë nisma e këtij viti është më seriozja, më e mbështetura politikisht dhe nga partnerët ndërkombëtarë, më e detajuara në njohjen e problemeve dhe analizën në detaje të defekteve të sistemit. Një Komision ekspertësh të njohur dhe më pas një Komision parlamentar kanë arritur të krijojnë klimë pozitive dhe përgjithësisht përfshirëse në proces. Një dokument analitik i reformës është publik dhe përbën bazë të mirë gjykimi e referimi. Opozita politike e pranoi procesin, ambasadorët e vendeve kryesore strategjike janë investuar direkt në proces, kancelarja Merkel apo kreu i parlamentit evropian Shultz gjithashtu u investuan në këtë tematikë.
Parë nga ky këndvështrim, duket se jemi pranë një reformë historike, pozitive dhe profesionale. Një sistem drejtësie dhe i së drejtës efikas dhe i besueshëm është garanci për një demokraci funksionale dhe të qëndrueshme. Gjithsesi tej pamjes së jashtme, asaj që lexojmë dhe shohim, konferencave të shumta dhe fjalimeve pa fund, retorikës politike dhe presionit diplomatik, – rruga për tek reforma reale është shumë më e gjatë sesa paraqitet, shumë më komplekse dhe me shumë të panjohura.
Ne kemi tashmë një model që rezultoi i gabuar. Një vit më parë një komision për arsimin e lartë prezantoi një dokument strategjik analize dhe reforme. Të gjithë e mbështetën. Në fazën e dytë komisioni e skicoi raportin në terma e nisma konkrete. Të gjithë e kontestuan. Pas një viti numri i mbështetësve dhe kontestuesve është thuajse i njëjtë, kurse produkti i reformës në legjislacion e akte konkrete është shumë larg vizionit dhe pritshmërisë që pati krijuar raporti analitik mbi gjendjen në arsimin e lartë. A është ky një kazus që po përsëritet tashmë edhe në reformën në drejtësi?
Gjatë debatit publik më është dhënë rasti të shpreh mendime lidhur me dokumentin strategjik të reformës në drejtësi. Përveç prurjeve pozitive, e përsëris, ndër më pozitivet në 25 vjet, – dokumenti orientues përmban edhe disa elementë kritikë. Autorët premtojnë se shumë prej sugjerimeve do merren në konsideratë, por përvojë e kaluar nuk është shumë optimiste. Përgjithësisht vendimmarrja politike dominon vendimmarrjen profesionale, dhe kam frikë, se është do jetë një tjetër rast. Rreziqet, me të cilat përballet një reformë e suksesshme në drejtësi janë disa.
Së pari, faktori politik. Sistemi ynë i drejtësisë është difektoz dhe i korruptuar sepse politika e ka dashur dhe e ka krijuar të tillë. Sistemi i karrierës së lartë në gjyqësor është mbi të gjitha produkt politik, gjykatësit kushtetues, të lartë, KLD, kryeprokurori, etj, zgjidhen nga parlamenti, pra nga deputetët me mandat politik. Dhe më tej, deri dje opozita ishte bojkotuese, tani është pjesë e procesit. Praktika 25 vjeçare tregon se kur ka konsensus rrallë ndodh që të ketë produkt pozitiv në fund. Sepse palët balancojnë interesat e tyre në emër të konsensusit, shpesh, duke injoruar sistemin e vlerave dhe të mirën publike. Për më tepër, asnjë parti, as koalicioni në qeveri dhe as ata në opozitë nuk kanë një strategji të shkruar politike e profesionale mbi vizionin e tyre mbi drejtësinë. Kanë kritika, kanë premtime, kanë slogane, por jo platformë, jo alternativa dhe jo produkte konkrete.
Së dyti, reformën po e bëjnë kryesisht ekspertët e vetë sistemit, pra një ndryshim nga brenda sistemit, kur shumica qytetare beson se vetë sistemi është defektoz, jo funksional dhe pa besueshmëri. Mungon ekspertiza jashtë sistemit, zëri i të drejtave të njeriut, garancia për qytetarin, mekanizmi i transparencës publike dhe ikja nga konflikti i interesit. Iniciuesit mendojnë se kjo tejkalohet me vullnet të mirë, gjë që mund të ndodhë, por sipas traditës ndodh një herë në 100 raste, dhe nuk ka garanci se ky është rasti fatlum. Në sistemin e drejtësisë luhen interesa të mëdha financiare të djeshme, të sotme dhe sidomos të ardhme, ndaj vështirë të besohet se kurimi vjen nga vetë i sëmuri.
Së treti, ekziston ende risku që një pjesë e ndryshimeve, ashtu si më 1998 dhe 2008, të bëhen nisur nga interesat dhe raportet politike me emra konkretë që drejtojnë institucionet aktuale. Për shembull, disa nuk pëlqejnë Presidentin aktual dhe janë gati që të ndryshojnë Kushtetutën për ti hequr kompetenca, disa nuk pëlqejnë Kryeministrin, KLD, Kuvendin apo Prokurorin dhe janë gati të bëjnë të njëjtën gjë. Reformat e mëdha, funksionale dhe afatgjata nuk bëhen duke u lidhur me perceptime mbi emra të përveshëm. Reforma duhet të funksionojë në 10-30 vitet e ardhshme kur asnjëri nga krerët aktualë të shtetit dhe sistemit të drejtësisë nuk do jenë më aktorë dhe as zëra publikë. Parimet nuk lidhen me individë, lidhen me sistemin e vlerave dhe vizionin, diçka që duhet të udhëheqëse procesin e reformës aktuale.
Së katërti, Shqipëria është vend në krizë të përhershme ekonomike, me potenciale të pakta financiare dhe me lista të gjata kërkesash për financim. Të gjithë flasin për reformën por askush nuk flet për koston e saj financiare. Procesi duhet të ecë paralel, në mënyrë që të evitojmë praktikat e gabuara të së kaluarës, kur pasi miratojmë ligjet kujtohemi se nuk kemi para për ti mbajtur premtimet që tashmë janë detyrime ligjore. Siç ndodhi me ish të përndjekurit, me ish ushtarakët, me gjykatën e krimeve të rënda, me gjykatën administrative, etj, dhe siç rrezikojmë të ndodhë edhe tani.
Së pesti, që në fillim të tranzicionit Shqipëria nuk ndoqi një model evropian drejtësie, por bëri gërshetimin e disa modeleve, – me produkt, një sistem miks, unikal, eksperimental dhe për pasojë, edhe jo funksional. Reforma e tanishme rrezikohet nga ky mentalitet. Shqipëria nuk është shteti i vetëm demokratik në botë, ka të tjerë përpara nesh. A nuk është më praktike të marrim një model të përafërt që i përshtatet sistemit tonë politik, traditës, të shkuarës, kapaciteteve tona dhe sfidave të së ardhmes? Kroacia, Sllovenia, Rumania dhe disa vendet baltike, etj, janë modele që po funksionojnë. Përse të vijojmë të miksojmë në një model eksperimental sistemin norvegjez, italian, franzez etj, siç kemi bërë deri tani?
Së fundi, politikës i lejohet të gabojë në vendime politike të ditës, por gabimi në reformën e sistemit të drejtësisë nuk mund të tolerohet. Reforma duhet, me çdo kusht, me çdo çmim, sa më shpejt dhe pavarësisht nga kosto politike apo financiare. Janë themelet e një shtëpie, pa to, e gjithë shtëpia sado zbukurohet, rrezikon çdo çast të bie, duke na zënë brenda saj. Grupi i ekspertëve dhe komisioni i reformës duhet ta shfrytëzojnë këtë nevojë e konsensus publik për veprime të shpejta, të besueshme dhe efektive.
Të propozojë drafte konkrete, zgjidhje konkrete, vendime konkrete, secila shoqëruar me vlerësimin e grupeve të institucioneve të ekspertizës ndërkombëtare, të atashuara në proces dhe të njohura nga shteti shqiptar. Koha deri në dhjetor është ideale, më pas nisin kalkulimet për Presidentin e ardhshëm, për parlamentin e ardhshëm, për të besuarit e ardhshëm në sistemin e drejtësisë, – gjë që do ta minonte konsensusin publik dhe emergjencën e reformës.
Afrim Krasniqi