Përse nuk po shter konfliktualiteti?
Nga Kiço Blushi, botuar në Ballkanweb, 18 korrik 2015
Jo vetëm militantët e ISIS, po edhe krerët ballkanikë, posaçërisht ata shqiptarë, që nga ‘90-ta e tëhu vazhdojnë të quajnë politikë efektive mbajtjen gjallë të konfliktualitetit e sherrpolitikës. Ata besojnë se sa më konfliktual të shfaqesh në publik, d.m.th sa më i ashpër, vrazhdar, mospajtues, idhnak e i mosmarrëveshur të tregohesh me kundërshtarin-armik, aq më i pëlqyeshëm do të jesh për popullin, aq më afër fitores dhe lavdisë nesër. “T’i përmbysim qelbësirat!”, bëri thirrje Topalli pardje. Protesta, bojkot, akuza që nuk provohen kurrë, kriminelë që nuk ndëshkohen kurrë, sharje e shpifje që mbajnë erë më të keqe se ujërat e zeza të plazheve…Nëse militantët ISIS vrasin dhe hedhin në erë me tritol njerëz të pafajtë, krerët tanë vrasin, pa e bërë qejfin qeder, të ardhmen, harmoninë, bashkëjetesën, sigurinë, normalitetin, besimin te demokracia. Zoti Martin Shulc nuk ishte as i pari dhe as i fundit ndër personalitetet e larta euro-amerikane që i kërkoi Kuvendit, përfaqësuesve tanë, përçorëve tanë, të heqin dorë nga politika konfliktuale e të bien në ujdi për reformat…
Po a është i mundur një paqtim mes bajlozësh?
U duk sikur Presidenti Shulc i bindi (më saktë i detyroi) palët të pranonin, së paku për reformën e Drejtësisë dhe atë kushtetuese, që të bashkëpunojnë e bashkëveprojnë në një komision të përbashkët kuvendor; por ende pa ikur nga Rinasi, krerët e politikës u ndërkryen sërish, duke nxjerrë jo shkaqe, po sebepe, si p.sh dekriminalizmin e pakryer, blerjen e votës më 21 qershor, ligjin për arsimin e lartë, etj, për të prishur bashkëpunimin, për të shkuar te kuota zero, për të rinisur bombardimin e ndërsjellë nga llogoret e luftës verbale që nis me: “Kush je t’i e kush jam unë?” e përfundon me: Njëri më zi se tjetri.
Për ne qytetarët kjo nuk është një dukuri e rastit, po e tejpërsëritur. Kështu ka ndodhur edhe pas fjalës së zonjës Klinton, zotit Prodi, zotit Fyle, e së fundi edhe zonjës Merkel. Sa të dashur, zëëmbël, të përkorë sillen ata me udhëheqësit perëndimorë, aq të hidhtë, zemërakë, cinikë, fodullë e agresivë të papajtueshëm bëhen me njëri-tjetrin. O Zot, sa të lumtur paskemi qenë kur kombëtares tonë i bëri gol skuadra gjermane e ndërsa ne humbëm, gjermanët u kualifikuan për në botëror!…Sa shumë i paskemi dashur gjermanët, më shumë se veten; por ama këtu, në Shqipëri, jemi të idhnuar, vazhdojmë të sillemi si armiq të përbetuar…Zonja Merkel i detyroi Ramën dhe Bashën të uleshin e dëgjonin si qingja në një qendër biznesi, por me të ikur ajo në Rinas, qingjat ndërruan qimen e nxorën dhëmbët e ujkut…Kërkoi falje për masakrën e Borovës pas 72 vitesh gjermani Shulc, pa ia kërkuar njeri, bash për të na treguar e provuar se pa ndjesë nuk mund të ketë mirëkuptim, nuk mund të shuhen konfliktet e vjetra e të garantohet një paqe e qëndrueshme dhe harmonike. Zoti Shulc nuk e di se krerët tanë vdesin dhe nuk kërkojnë kurrë falje, jo vetëm për krimet e hajdutëritë që i bëjnë popullit, por as për gabimet prej padijes!
***
Në fillimet e demokracisë, qeveritë binin njëra pas tjetrës, edhe pse vendi ishte në ditët më të vështira. Demokratët (të cilët asokohe mbaheshin si antikomunistë të përbetuar) këshilloheshin nga qarqe ekstremiste e mbetje të Luftës së Ftohtë jashtë Shqipërie që kurrsesi të mos uleshin në bisedime e të mos ndërtonin qeveri të përbashkëta me socialkomunistët. Edhe pse u krijua qeveria e stabilitetit, edhe pse më pas u tentua për një tjetër të pajtimit kombëtar, edhe pse u organizuan takime paqtuese të tipit “San Egidio” në një vend asnjanës, në Trieste, për të zbutur konflitualitetin e për të dalë sa më butë nga tranzicioni, ato përpjekje dashamirësish e idealistësh ishin e mbetën jetëshkurtra, të dështuara, sepse pajtimi dhe bashkëpunimi për të mirën e përbashkët mes bajraktarësh qe mison i pamundur. Bashkëpunimi me socialistët, të cilët konsideroheshin ish-komunistë të parinovuar e nostalgjikë, me gjasë do të provonte se të djathtët po bënin tradhti kombëtare, duke përligjur “Katovicën”, duke rikthyer e mbajtur në pushtet komunistët, etj. etj…Me gjasë një bashkëveprim i tillë do të përfundonte në humbjen e pashmangshme e përfundimtare të besimit të elektoratit të djathtë te PD-ja e Berishës. Si rrjedhojë, nisën grevat e urisë, zgafellat, vrasjet në 2 prill, bojkotet, gjuajtjet e makinave në rrugë me gurë, lufta me shpif-sharje të ndërsjella, hedhja në erë e shtyllave të tensionit të lartë, ikjet masive nga Shqipëria kryesisht për shkak të pasigurisë së jetës.
Edhe “Krokodili” i Fyles, edhe “ngjalat” e Gjirit të Lalzit, pas disa vitesh, edhe dakordësia për ndryshimet e Kushtetutës brenda një nate, edhe takimi “i habitshëm” Nano-Berisha për zgjedhjen e presidentit, të cilat u dukën si tentativa për zbutje të klimës, patën të njëjtin fat: “U kthyen në identitetet”, si përpjekja e dështuar e “San Egidios”. Pësuan dhe sollën të njëjtin përfundim: Nga sherret e mosmarrëveshjet vijmë drejt sherreve e konflikteve të reja shkojmë.
Kësisoj edhe sot, pas 25 vitesh, teksa kanë rrjedhur shumë ujëra e janë ndërruar disa “kuaj karroce”, fatkeqësisht vazhdon i njëjti avaz: Me “armikun e klasës” nuk mund të ulesh të bisedosh; nuk mund të ketë pajtim; as dialog; as marrëveshje e mirëkuptim, por vetëm luftë, konflikt, sherr, kundërshti, mospajtim në gjithçka e për gjithçfarë. Ndryshe, je i falimentuar. Pse jo, edhe i pabesë, i shitur, bukëshkalë, karrigethyer, mosmirënjohës, etj, etj…
Fakti që në të dy partitë kryesore, si kur janë në pozitë edhe në opozitë, bëjnë karrierë vetëm skifterët e fajkojtë e partisë e të kryetarit, pavarësisht nga meritat dhe aftësitë; vetëm ata rishtarë, që provojnë se janë të gatshëm të hidhen në zjarr, në sulm e në mësymje për të bërë blozë kundërshtarin, armikun e kryetarit, gjë që provon se krerëve tanë nuk u leverdis aspak zbutja e klimës politike. Besohet se kjo sjellje primitive, ekstremiste, paranojake, kjo luftë e pasosur dhe e pakompromis i pëlqen popullit, zgjedhësve, militantëve, njëlloj si në vitet e para të demokracisë kur antikomunizmi ishte kryefjalë e politikës dhe kur shtresat e persekutuara sapo kishin nisur të ishin në avantazh.
Por nëse populli ka ndryshuar, sepse ata që patën lindur në vitet ‘90-të tani janë 25- vjeçarë, krerët partiakë thuajse janë po ata. Ndryshimi i tyre i vetëm është në fjalor, jo në mendësi, as në politikëbërje. Ata kanë zëvendësuar dekomunistizimin me dekriminalizimin, ndërsa mjetet e qëllimet janë po ato.
Synimi i krerëve ka mbetur i njëjtë: Të jenë sa më të pranishëm, të paprekshëm, të pazëvendësueshëm. Ata e dinë tashmë se vetëm falë klimës së vazhdueshme të konfliktualitetit mund të mbijetojnë sa më gjatë në pushtet. Kryetarët e partive besojnë sinqerisht se vetëm sherr-politika dhe jo konkurrenca e ndershme “e ngop” elektoratin. Në Ballkan konfliktualiteti të jep imunitet, të bën të ndjehesh i paprekshëm e madhështor, të pajis me forcë dhe siguri për një të ardhme të ndritur e të paluajtshme. Historia jonë e afërt ka provuar mëse njëherë se ata krerë që kanë qenë arrogantë në pushtet, kur janë dorëhequr e tërhequr, e kanë pësuar keq më së pari nga ndjekësit, nga të vetët.
Brenda partive konfliktualiteti i shuan zërat kritikë (provo të kritikosh kryetarin) ngjall frikë dhe amplifikon idhujtarinë për udhëheqësin të cilit “i vete pas historia”. Në shoqëritë parademokratike, si e jona, udhëheqësve konfliktualë e karizmatikë jo vetëm që u hapet kollaj rruga, si një të çmenduri, por me kohë, ky lloj tipi quhet model suksesi, pathyeshmërie, burrërie, mençurie e qëndrese të pashembullt. Jo, ky nuk është e nuk duhet quajtur populizëm; ky është dumbabizëm i trashëguar.
Ngaqë kanë aftësi t’u hedhin hi syve zgjedhësve dhe vartësve, ngaqë i mposhtin dhe i thyejnë kundërshtarët, duke dalë përherë pa lagur, falë intolerancës dhe konfliktualitetit, qytetarët i dorëzohen fillimisht trysnisë propagandistike të klimës konfliktuale e më pas edhe destinit historik: Këta udhëheqës i meritojmë. Berisha është shembulli më i përkryer i zbatimit me përpikmëri, pa u lodhur kurrë, i politikës konfliktuale. Sipas tij sulmi është gjysma e fitores. Dhe deri tani nuk i ka dalë pa dobi.
***
Rezultati i humbjes së PD-së, pavarësisht nga dorëheqja e Berishës dhe zëvendësimi i tij me një fytyrë më të buzëqeshur, fakti që mëkëmbësi vazhdoi me të njëjtën metodë përplasjet e konfliktet, sherret dhe shpif-sharjet, si me dhe pa Berishën në skenë, duke mbetur nën hijen dhe me modelin e tij, provoi se zgjedhësit shqiptarë, më së shumti, pavarësisht nga bindjet dhe kultura, nuk e durojnë dhe nuk e pranojnë më si zgjidhje dhe ofertë politikën e konfliktit të përhershëm. Radikalët në PD, me në krye Berishën, me siguri fajin ia venë faktit që Basha nuk bëri fushatë të fortë e të egër, si Berisha, por kjo nuk është e saktë. Po të kishte drejtuar fushatën zëri dhe portreti i ndërkryer i Berishës edhe më 21 qershor, humbja do të qe edhe më e thellë. Sepse qytetarët nuk ndikohen më nga klithmat nëpër sheshe e mikrofonë, nuk sugjestionohen duke dëgjuar të njëjtat daulle për 25 vjet rresht, ata janë të lodhur, të zhgënjyer, mosbesues, të paduruar e alergjikë. Votat që mori Bojaxhiu në Tiranë, më shumë se për të, ishin për një fytyrë të re që dëshmon e premton paqe, qetësi dhe normalitet.
Kjo mendësi tribale e trashëguar e bajraktarëve tanë partiakë, që e vlerësojnë popullin si një kope pa tru (së cilës i ndikojnë në psikikë vetëm klithmat e bërtitjet e çobanit), bën që bashkëpunimi, edhe për reforma jetike, edhe për integrimin, edhe për paqen e mirëqenien sociale, edhe kur kërkohen me ngulm nga aleatët, si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat, të quhet paburrëri. Më keq akoma: Tradhti e nivelit të lartë. Prandaj parashikimet e ditëve të fundit se mund të ketë një qeveri të përbashkët PD+PS, për të shmangur një krizë të mundshme si ajo e Greqisë, për të bërë reforma të thella, për të afruar integrimin dhe nxjerrë shoqërinë nga bota e krimit, korrupsionit, fukarallëkut, pabarazisë dhe padrejtësisë, qoftë edhe për të nxjerrë jashtë loje LSI-në, në këtë kontekst, janë absurde, të parealizueshme, ëndrra në diell…
Në Greqi, Demokracia e Re dhe Pasoku që u mundën keq jo një, po dy herë, së dyti edhe me referendum nga Syriza dhe Tciprasi, edhe pse kishin në dorë të rrëzonin qeverinë, po qe se do të votonin kundër, pasi një pjesë e deputetëve të Tciprasit e quajtën tradhti kombëtare marrëveshjen me BE-në dhe votuan kundër, ja dhanë votat për hir të daljes nga kriza me sa më pak kosto. Në Maqedoni, pas muajsh trysnie të ndërkombëtarëve, pas ngjarjeve tragjike të Kumanovës dhe skandalit të përgjimeve, më në fund edhe Gruevski duket sikur po lëshon udhë…Po a do të jetë e mundur vallë që edhe tek ne të jetë e mirëseardhur një klimë më paqtuese, më bashkëpunuese për reformat, në dobi të interesit kombëtar dhe jo të dy a tri krerëve partiakë, të cilët nuk pranojnë të hapin rrugë edhe kur dështojnë me turp, edhe kur e fusin shoqërinë në prag të luftës civile, si në vitet ‘96-‘97-të?
Noli ka thënë dikur se krerëve tanë mund t’ua largosh të ndenjurat nga kolltuku i pushtetit vetëm po të sharrosh këmbët e kolltukut. Që në gjuhën e sotme do të thotë: Mos vallë lipsen ndryshime të tilla kushtetuese dhe ligjore për të garantuar rrotacion normal të pushtetit dhe elitave, gjë që automatikisht do të sjellë, si pasojë, normalitet në politikëbërje, drejtësi në shoqëri dhe zbutje të klimës së konfliktualitetit…Vetëm kësisoj do të shteret, me ligj, pra jo me dëshirë të krerëve, nepsi i përjetësisë së tyre për të mbetur sa më gjatë e me çdo çmim në pushtet. Rrjedhimisht do të mpaket edhe konfliktualiteti e shoqëria do të futet, më në fund, në normalitet. Konflitualiteti tek ne nuk buron nga poshtë, nga populli, as nga shtresat e persekutuara, po nga lart, nga të pazëvendësueshmit. E pra, a do të ishte SHBA ajo që është po qe se nuk do të ishte i kufizuar me Kushtetutë mandati i Presidentit?