BB: Pse ekonomia shqiptare po mëkëmbet ngadalë
Intevistë në Zerin e Amerikës e Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv në Bordin e Drejtorëve të Bankës Botërore, 18 korrik 2015
Shqipëria, ashtu sikurse vende të tjera të rajonit të Ballkanit, ka lidhje biznesi dhe financiare me Greqinë, pra, ekzistojnë kanale të shumëfishta, të cilat bëjnë që gjendja e ekonomisë greke mund të ndjehet në Shqipëri. “Grupi i Bankës Botërore ka miratuar një program të ri për Shqipërinë, i quajtur Diagnoza Sistematike e Vendit, i cili përfshin një seri reformash, që mund ta ndihmojnë ekonominë shqiptare të shënojë rritje më të shpejtë në afat të mesëm dhe të gjatë”, – kështu u shpreh në një intervistë për “Zërin e Amerikës” Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv në Bordin e Drejtorëve të Bankës Botërore për Italinë, Portugalinë, Shqipërinë, Greqinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor.
Zoti Pagano, fillimisht desha të di opinionin tuaj për çfarë po ndodh në Greqi. Më në fund, kemi një marrëveshje mes qeverisë greke dhe vendeve të Eurozonës. Megjithatë, kjo nuk përbën një zgjidhje për problemet me të cilat përballet Greqia, por vetëm një përpjekje për të gjetur një zgjidhje…
Parlamentit dhe qeverisë iu desh të merrnin vendime të vështira dhe këto janë hapa të rëndësishme drejt zgjidhjes së problemeve që ka Greqia. Zgjidhja do të vijë vetëm kur vendi të bëhet më kompetitiv dhe të fillojë rritja ekonomike. Mesazhi i marrëveshjes është se po shkohet në drejtimin e duhur, por kjo nuk është diçka e lehtë; nuk ka për të qenë një zgjidhje brenda një dite, por rruga është e hapur.
Zyrtarët grekë kanë shprehur shqetësime se nga zbatimi i masave të reja shtrënguese Greqia mund të rrezikojë të përballet me një krizë më të rëndë ekonomike. Cili është mendimi juaj?
Zbatimi i reformave strukturore merr kohë, prandaj ekziston mundësia që ne nuk do të shohim që ekonomia të bëjë kthesë brenda një dite, siç thashë më parë. Por është e rëndësishme të zbatohen reformat, sepse vetëm me zbatimin e masave vjen besimi, me besimin vijnë investimet dhe me investimet vijnë vendet e punës dhe rritja ekonomike.
Kriza greke nuk është thjesht një problem i Greqisë dhe ka shqetësime se ajo mund të vazhdojë të ndikojë tek vendet e tjera fqinjë, përfshirë Shqipërinë. Nëse situata në Greqi përkeqësohet më tej, a ka rrezik që ajo të ketë një impakt tek vendet e tjera, si Shqipëria?
Shqipëria, ashtu sikurse vende të tjera të rajonit të Ballkanit, ka shumë lidhje me Greqinë, para së gjithash, me remitancat, që sjellin në vend shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi; po ashtu ka lidhje përmes kanaleve të tregtisë: ka shumë lidhje biznesi mes të dy vendeve; gjithashtu, ekzistojnë lidhje përmes kanaleve financiare: një numër bankash greke operojnë në Shqipëri. Pra, ekzistojnë kanale të shumëfishta që bëjnë që gjendja e ekonomisë greke mund të ndjehet në Shqipëri. Është e rëndësishme të theksohet se qeveria shqiptare ka punuar shumë për ta mbrojtur vendin nga pasojat e mundshme të krizës. Kjo është një punë që nuk ka filluar dje, por ajo po vazhdon të paktën që prej dy vjetësh, me ndihmën e Bankës Botërore, FMN-së, Bashkimit Evropian dhe donatorëve të tjerë.
Ashtu sikurse edhe vendet e tjera ballkanike, Shqipëria vazhdon të përballet me vështirësi ekonomike, për shkak të krizës së vitit 2008. Rritja ekonomike është anemike, niveli i papunësisë është shumë i lartë, sidomos mes të rinjve. Çfarë mendoni se duhet të bëjë Shqipëria që të dalë nga kjo situatë?
Ka dy mënyra të mundshme, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj. Njëra që lidhet me një këndvështrim afatshkurtër, me situatën ciklike; tjetra, që lidhet më tepër me një vështrim afatgjatë, me situatën strukturore. Nga pikëpamja ciklike, jo vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni është ndikuar nga një krizë e dyfishtë: fillimisht nga kriza financiare, pastaj nga kriza e Eurozonës. Faktet tregojnë se kur ka krizë dhe sektori financiar përfshihet në të, rimëkëmbja ekonomike është shumë më e ngadaltë. Ky është një këndvështrim, përmes të cilit ne shohim një mëkëmbje të ngadaltë. Tjetri është se duke qenë se Shqipëria është një ekonomi e hapur, ajo ndikohet së tepërmi nga marrëdhëniet tregtare me vendet e tjera. Ne e dimë që jo vetëm Greqia dhe Italia, por edhe partnerë të tjerë evropianë kanë një ngadalësim në rritjen e tyre ekonomike. Kjo është arsyeja përse ekonomia shqiptare po përjeton një rritje më të ngadaltë. Pastaj është pjesa strukturore e çështjes dhe për t’iu përgjigjur kësaj, është e rëndësishme të theksohet se, me ndihmën e donatorëve, qeveria është duke punuar për të fuqizuar rritjen e ekonomisë. Analizat e kohëve të fundit që ka bërë Grupi i Bankës Botërore ka miratuar një program të ri për Shqipërinë, i quajtur Diagnoza Sistematike e Vendit. Programi i ri i miratuar kohët e fundit nga Bordi i Drejtorëve përfshin një seri reformash, që mund ta ndihmojnë ekonominë të shënojë rritje më të shpejtë në afat të mesëm dhe të gjatë. Me qëllim që të arrihet ky ritëm rritjeje, është e rëndësishme që të gjitha këto reforma dhe programe të zbatohen dhe për këtë është i rëndësishëm përkushtimi i qeverisë. Unë shoh një përkushtim të madh nga qeveria shqiptare në këtë aspekt.
Megjithatë, vendi përballet me mjaft probleme, si borxhi i lartë buxhetor, niveli i lartë i kredive të këqija në sistemin bankar, niveli i lartë i papunësisë dhe kriza greke. A mendoni se në 3-5 vitet e ardhshme Shqipëria do të mund ta përmirësojë këtë situatë ekonomike?
Ekonomistët, dhe unë jam ekonomist, zakonisht nuk bëjnë parashikime. Ne bëjmë parashikime të kushtëzuara. Kjo do të thotë, që nëse reformat zbatohen dhe mjedisi i jashtëm përmirësohet, kjo mund ta ndihmojë edhe ekonominë shqiptare. Pra, nëse të gjitha masat zbatohen sipas planit, unë kam shpresa se rimëkëmbja ekonomike do të jetë e mundur në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, ka ende shumë pasiguri në ekonominë globale, ka një ngadalësim në ekonomitë e mëdha në zhvillim, si Kina dhe Brazili. Pra jo gjithçka është bardh e zi. Diçka e rëndësishme që ndihmon vendin, është rigjallërimi i bashkëpunimit rajonal. Shoh që qeveritë e të gjitha vendeve të rajonit po fillojnë ta shtojnë bashkëpunimin mes tyre dhe unë mendoj se kjo është një shenjë shumë e mirë për zhvillimin.
Banka Botërore është e pranishme prej vitesh në Shqipëri, cili është fokusi i programeve që ajo ka aktualisht?
Programi i ri sapo është miratuar nga Bordi i Bankës Botërore. Projektet specifike do të prezantohen në muajt e ardhshëm. Fokusi, siç thashë, është për ta bërë ekonominë më elastike ndaj goditjeve dhe kjo është e lidhur direkt me reformat që duhen bërë në sektorin financiar dhe bankar. Ju përmendët kreditë e këqija, diçka që duhet prekur dhe pakësuar sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse kreditë janë një faktor shumë i rëndësishëm në ekonomi si ajo e Shqipërisë. Po ashtu, ana strukturore, me qëllim që të promovohet biznesi, dhe konkurrenca e qëndrueshme. E rëndësishme për një ekonomi të hapur si ajo e Shqipërisë, është të sigurojë kornizën e nevojshme për investime, qofshin ato shqiptare, apo të huaja. Sigurimi i nxitjes së nevojshme është rruga e duhur për t’u ndjekur dhe korniza që ne kemi miratuar synon pikërisht këtë.
Ju përmendët investimet. Të gjitha vendet e Ballkanit përpiqen të tërheqin investime të huaja. Sipas jush, përse një investitor i huaj do të ishte i interesuar të investonte në Shqipëri?
Unë jam skeptik kur është fjala për të zgjedhur një sektor specifik. Mendoj se mënyra efikase është të zbatohen reformat e nevojshme, me qëllim që të tërhiqen çdo lloj investitorësh; pastaj avantazhet që ka vendi do të përcaktojnë në se investimet do të jenë në bujqësi, apo në ndonjë sektor tjetër. Prandaj, mënyra e duhur është për ta bërë mjedisin miqësor për biznesin, siç është një sistem taksash i qartë dhe eficent, një gjyqësor eficent, të drejtat e qarta të pronësisë, këta janë faktorët më të rëndësishëm dhe të nevojshëm për tërheqjen e investitorëve.