Pse demokracia mund të ketë qenë vetëm një fazë kalimtare

Nga John Lloyd, Reuters, 16 korrik 2015

4382_john_lloydKoha kur udhëheqësit autoritarë ishin paksa të ndrojtur dhe përpiqeshin të prezantoheshin si liberalë ka mbaruar. Gjithnjë e më shumë prej tyre po shfaqin krenari në të qenit autoritarë…

Përgjatë 50 viteve të fundit, disa nga mendjet më të ndritura të çështjeve ndërkombëtare kanë parashikuar fundin e ndarjeve të forta botërore të bazuara te ideologjia. Daniel Bell publikoi librin e tij “Fundi i ideologjisë” në vitin 1960; Francis Fukuyama publikoi “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” më 1992; dhe Thomas Friedman librin “Bota është e sheshtë” më 2005. Veçanërisht në rastet e Bell dhe Fukuyama, mesazhi qe shumë i qartë: E gjithë ajo energji e derdhur te ideologjia është më së shumti për dukje. Këtë nuk mund ta thuash më tashmë. Marshimi përpara drejt demokracisë është ndalur dhe në mënyrë vendimtare.

Për të qenë të drejtë, disa forma të kapitalizmit janë pak a shumë botërore – edhe Kuba tashmë është duke ecur drejt saj, duke lënë Korenë e Veriut edhe më të ftohtë, më të uritur dhe më të vetmuar se kurrë. Por supozimi se kapitalizmi dhe rritja e klasës së mesme që ai siguron, do të shtyjnë në mënyrë natyrore dhe të pashmangshme drejt një klase politike po aq konkurruese sa edhe tregu ekonomik dhe konsumerist tashmë po duket i dyshimtë. Ai supozim mund të funksionojë me raste por është ende herët për ta thënë se funksionon në të gjitha rastet.

Xi Jinping, kreu i Partisë Komuniste Kineze, kryetar i komitetit për forcat e armatosura dhe presidenti i Kinës ka deklaruar armiqësinë e tij ndaj demokracisë goxha hapur, duke këmbëngulur te besnikëria absolute ndaj rregullave dhe qëllimeve të partisë dhe duke i dhënë fund çdo lloji aktiviteti të organizuar politik jashtë këndvështrimeve të pastra të partisë. Të ashtuquajturat demokraci liberale dhe liri e medias nuk janë të vlefshme për Kinën. Siç e tha një studiues kinez me të cilin u takova në një konferencë: “Stabiliteti në fillim pastaj demokracia.” Dhe kur unë e pyeta se nëse demokracia nuk vjen tani, atëherë kur do të vijë? Dhe ai nuk qe në gjendje të më përgjigjej. Ai nuk e dinte.

Në rusi, presidenti Vladimir Putin ka krijuar një ideologji neo-nacionaliste, duke ushqyer mënjanësinë shekullore të Rusisë nga Europa dhe preferencën e tij për një pushtet qendror të fuqishëm. Një ligj i vitit 2012 një ligj kufizoi me ashpërsi organizatat joqeveritare që merrnin para të huaja dhe punonin në një hapësirë politike pak të kufizuar. Një ligj tjetër që sapo është miratuar synon të bëjë të njëjtën gjë për shoqatat “e padëshirueshme”, ligj që duket se shënjestron para së gjithash zyrën e Moskës të Carnegie dhe Memorial, një organizëm i krijuar vonë në vitet 1970, me qëllimin e regjistrimit të represioneve të shumta të viteve të Stalinizmit e më pas, veçanërisht në Gulag. Stili i Putinit duket joshës edhe për udhëheqës të tjerë. Rastet më të dukshme janë presidenti Tayyip Erdogan i Turqisë dhe presidenti Abdel Fattah al-Sisi i Egjiptit; prurja më e re te klubi i fansave të Putinit është kryeministri i Hungarisë, Victor Orban.

“Era po fryn nga Lindja”, deklaroi ai kur i dha një mikpritje të ngrohtë presidentit rus në Budapest. E gjitha kjo është shqetësuese, për shkak se Turqia është një vend anëtar i NATO-s, ndërsa Hungaria është edhe vend anëtar i Bashkimit Europian: Stili i shfaqur brenda këtyre organizatave ka vënë pengesa të mëtejshme për demokracinë. Pastaj kemi xhihadizmin, një ideologji e ndryshme e propaganduar nga grupime shumë të ndryshme, në disa raste armiqësore me njëra-tjetrën. Shteti Islamik është më dramatiku mes këtyre grupeve dhe më i suksesshmi, falë marshimit të një pjesë të Sirisë dhe të Irakut. Por të gjitha organizatat xhihadiste janë bërë gjithnjë e më joshëse për disa të rinj islamikë radikalë nëpër të gjithë botën: një raport nga OKB thotë se këto grupime po rekrutojnë aktualisht nga më shumë se gjysma e vendeve të botës.

Ëndrra e shumicës së këtyre organizatave xhihadiste është që të themelojnë një kalifat dhe ta shtrijnë atë nëpër botë, në mënyrë që i gjithë njerëzimi t’i falet profetit dhe për rrjedhojë, ndasitë, pakënaqësitë dhe luftërat t’i përkasin të shkuarës. Kristianët mendonin njësoj përgjatë pjesës më të madhe të ekzistencës së religjionit të tyre. Tashmë, shumë vende “kristiane” po humbasin besimin e tyre – ose së paku po humbasin entuziazmin për fenë të tyre. Çfarë mbetet për demokracinë liberale? Nuk është se është një specie në rrezik zhdukjeje, por në vendet ku ajo është e re – në ato pjesë të Europës Qendrore, Afrikës dhe Azisë – ajo është ende e dobët.

Dhe më e rëndësishmja, ajo po dobësohet në dy zona të cilat kanë qenë motorët e saj: Amerika e Veriut dhe Europa. Shtetet e Bashkuara po përballen me një Kinë që jo thjesht ka besim tek autoritarizmi i vet, por gjithnjë e më shumë është proaktive ushtarakisht. Bashkimi Europian, i cili gjendet në një rimëkëmbje të dobët në shumicën e ekonomive, është shumë larg nga objektivi i vet themeltar për krijimin e një shteti të ri të quajtur Europë. Me raste, ai flet ashpër ndaj Rusisë për ndërhyrjen e Moskës në Ukrainë, por në praktikë redukton kapacitetet e veta ushtarake – veçanërisht në Britaninë e Madhe, vendi që ka qenë më i fuqishmi mes shteteve të Europës.

Pesëdhjetë vjet më parë, në librin e tij “Fundi i ideologjisë”, Bell shkroi se ideologjia “është një sistem gjithëpërfshirës i një realiteti gjithëpërfshirës, një sërë besimesh të përziera me pasion dhe kërkon të transformojë të gjithë mënyrën e jetesës”. Ky përkufizim është i vlefshëm për shumicën e xhihadizmit – por ai përfshin komunizmin dhe nacionalizmin autoritar gjithashtu, për shkak se këto janë koordinata morale dhe rregulla mbi atë se si duhet të jetosh. Ditët kur sundimtarët ëndërronin të prezantonin sundimin e tyre si në përputhje me normat liberale dhe demokratike apo që thjeshtë nuk flisnin për autoritarizmin e tyre po mbarojnë. Shumë nga udhëheqësit më të fuqishëm të kohës sonë janë tashmë krenarë që janë autoritarë dhe ia rekomandojnë autoritarizmin si shembull për të tjerët. Shpresa është që jo shumë udhëheqës të tjerë do t’i bashkëngjiten këtij klubi ekskluziv.

Marrë nga Diaryoftirana.com

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi