Në pragun e rrënimit të pakthyeshëm
Nga Besnik Gjongecaj, botuar në Shqip, 15 korrik 2015
Të qenët profesor për një kohë të gjatë në një nga universitetet shtetërore të Tiranës (më duket shumë po t’i karakterizoj si publike), më ka dhënë mundësinë të jem edhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i rrënimit të tyre në tranzicionin tragjikomik të këtij vendi. Dëshminë e rrënimit të universiteteve e kam dhënë publikisht sa herë që kam pasur mundësi: publicistikë, libra, konferenca, madje edhe para Komisionit të Arsimit në Parlamentin e para tetë viteve, në statusin e përfaqësuesit të Këshillit të Profesorëve. Kam dëshmuar pa pikën e kompromisit, madje edhe kur e kam ndier veten të izoluar prej “bishave të tranzicionit”. Madje edhe pse e kam paguar me një kosto të lartë, me dëmtimin e rëndë të karrierës sime në vite. Si çdo rrënim tjetër, edhe ky i universiteteve mori me vete ç’gjeti; shkuli nga rrënjët gjithçka të mirë që kishte mbetur nga sistemi universitar: dinjitetin, profesionalizmin, moralin, etikën dhe mbi të gjitha, integritetin e të dyve, profesorit dhe studentit të tij. Boshllëku i krijuar nga kjo shkulje, ku s’mbeti gjë pa u përfshirë, u plotësua me procese degjeneruese, për të cilat edhe më parashikuesve nuk do t’u kishte shkuar mendja se do të instaloheshin një ditë aq brutalisht. Gjithsesi, vetëm të dëshmosh nuk është e mjaftueshme për një qytetar; për një profesor universiteti është akoma më pak: është vetëm fillimi i plotësimit të detyrimit të tij ndaj lirisë në përgjithësi dhe asaj akademike në veçanti. Me shumë kolegë të tjerë të universiteteve publike të vendit, për vite të tëra bëmë ç’është e mundur të gjenim rrënjët e së keqes dhe të provonim t’i shkulnim ato. Ishte një betejë që nuk dha kurrë rezultat, sepse e zhvilluam në territorin e gabuar, në frontin e gabuar. E zhvilluam në universitete pa liri universitare, gjë që e bëri betejën tonë të pakuptimtë. Për shkak të pushtimit nga politika, beteja për ndryshimin e universiteteve nuk mund të bëhej brenda tyre, por jashtë, në territorin e vetë politikës. Universitetet e këtij vendi ndryshojnë nëse ndryshohet politika. Ata janë përfshirë aq shumë nga e keqja, saqë shkulja e saj, madje, nuk mund të bëhet më me mjete universitare, me debat universitar, nga vetë universitarët. Në këtë betejë duhet të përfshihen të gjithë qytetarët e këtij vendi, sepse beteja për ndryshimin e universiteteve nuk është më një betejë e vetë universiteteve, por e krejt shqiptarëve, prandaj edhe e produktit të tyre, politikës së vendit.
* * *
Në këtë pikëpamje, jam i sigurt që universitarët e vërtetë bien dakord me z. Kryeministër në dy gjëra esenciale: e para, për gjendjen e mjerueshme të sistemit universitar publik dhe e dyta, që politika duhet të ketë rol determinues në ndryshimin e gjendjes atje. Vetëm se, ekzaktësisht pas kësaj, gjërat fillojnë e ndryshojnë esencialisht, krijohen diferenca të papajtueshme midis universitarëve dhe z. Kryeministër, qeverisë së tij. Perceptimi i z. Kryeministër për gjendjen e universiteteve të vendit është disproporcional dhe jo në thellësinë e pritshme për të ndërtuar politika esenciale, ashtu sikundër ai ka një vlerësim jodemokratik të raportit të politikës me sistemin universitar në përgjithësi dhe me universitetin në veçanti.
* * *
Një perceptim disproporcional dhe sipërfaqësor mbi gjendjen e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri evidencohet qartësisht në fjalën që z. Kryeministër ka mbajtur në tryezën e arsimit privat, më 15 nëntor 2012, (http://www.edirama.al/fjalime/arsimi-i-larte-ne-baze-konkurrencen-cilesine-dhe-meriten/), në statusin e kryetarit të opozitës. Çdo qëndrim i tij i mëpasshëm mbi gjendjen në sistemin universitar të vendit, pra edhe pas shndërrimit të tij nga kryetar opozite në kryeministër, origjinon nga ai fjalim, që fatkeqësisht, universitarët dhe qytetarët e këtij vendi, përfshi edhe autorin e këtij shkrimi, nuk i kushtuan asnjë vëmendje të veçantë. Kristal qartë, z. Kryeministër paraqet idenë e tij se universitetet private në Shqipëri janë shumë më të zhvilluara se ato publike dhe se e gjitha kjo fillon që me pastërtinë e godinave dhe përfundon në katër çështje esenciale. Së pari, liria: në universitetet private ka liri, në universitetet publike nuk ka liri; së dyti, cilësia: në universitetet private ka cilësi, në universitetet publike nuk ka cilësi; së treti, konkurrenca: në universitetet private ka konkurrencë, në universitetet publike nuk ka konkurrencë; së katërti, merita: … universitetet private janë ngritur mbi meritën. Dhe në fund vjen një pohim tronditës i z. Kryeministër: Ndërsa universitetet private janë ndërtuar mbi lirinë, cilësinë, konkurrencën dhe meritën, universitetet publike janë ngritur mbi të kundërtën! Sigurisht, që të jem i drejtë në këtë referencë të fjalimit të tij, duhet të them që vetë universitetet private ai i ndan në ato që i kanë këto cilësi dhe në ato që nuk i kanë këto cilësi. Megjithëse ky është një përfundim që nuk mund ta nxjerrë një politikan pa u futur në konflikt interesi, ai mbetet vetëm një hollësi dhe nuk ndryshon asgjë në gjykimin tim, për sa kohë që perceptimi i z. Kryeministër mbi realitetin e sistemit universitar në vend është ekzistenca e një kënete plot me universitete publike nga njëra anë, dhe “kodra e kulluar mirë” ku ndrisin universitetet private të këtij vendi, nga ana tjetër. Ky perceptim është në një konflikt të qartë me perceptimin e publikut, por kjo është më e vogla, më pak e rrezikshmja. Tronditëse është natyra disproporcionale e këtij perceptimi, që e thënë nga një politikan që sot është Kryeministër i vendit, e shndërron tronditjen në një alarm që paralajmëron rrënimin. Sepse ky perceptim ngrihet mbi një mohim të kapitalit njerëzor të universiteteve publike, i krijuar në një kohë më shumë se gjysmëshekullore, madje, në kuptimin e rrënjëve frymëzuese të tij, i krijuar ndoshta edhe shumë më përpara se kaq. Ky perceptim ngrihet mbi mohimin e kontributit historik të universiteteve publike të këtij vendi, të cilat, në kushtet më të vështira të mbijetesës, pra, në kushtet çnjerëzore të diktaturës, arritën të mbajnë gjallë te shpirti i shqiptarit etjen për dije dhe identitetin kombëtar. Perceptimi tronditës, disproporcional, i cekët, jo realist mbi të gjitha, i z. Kryeministër mbi raportin e vlerave universitet publik – universitet privat, është “materia” prej së cilës është gatuar drafti i arsimit të lartë, gati për t’u shqyrtuar në Parlament. Ngritja e një sistemi universitar mbi hirin e universiteteve publike! Dhe llava që do t’i djegë e bëjë shkrumb e hi universitetet publike të këtij vendi, që do të krijojë pra hirin mbi të cilin do të ngrihet monstra “universitet publik i pavarur”, është ai, Kapitulli XII. Atje, tinëzisht i vendosur, në fund të draftit.
* * *
Është po aq e qartë gjithashtu, se drafti i arsimit të lartë është ndërtuar mbi një perceptim jo demokratik të raportit të politikës me sistemin universitar në përgjithësi dhe me universitetin në veçanti. E gjitha kjo materializohet te konceptimi i Këshillit të Administrimit, i cili edhe vendoset brenda universitetit, edhe ka qeverinë të pranishme brenda tij. E gjitha kjo e nxjerr universitetin jashtë një standardi strukturor me një vlerë universale në ditët tona. Sepse gjymton një parim esencial: parimin “checks and balances”. Qeverisja universitare, sipas standardit, duhet të jetë një kombinim i llogaridhënies së jashtme (external accountability), e cila realizohet me anë të një Këshilli të Jashtëm për të dhënë llogari ndaj qytetarëve, financuesve dhe qeverisë, pra ndaj atyre që quhen stakeholders; me menaxhimin e brendshëm (internal management), që realizohet me anë të Këshillit të Administrimit: menaxhim i burimeve dhe senatit: administrim i çështjeve akademike. Nëpërmjet eliminimit të njërës anë të balancës, pra nëpërmjet eliminimit të Këshillit të Jashtëm, drafti e nxjerr nga funksionimi mekanizmin “checks and balances”, çka deformon plotësisht shpërndarjen dhe kontrollin e pushtetit brenda universitetit si institucion. Por, mbi të gjitha, për shkak të balancës së prishur të pushtetit dhe kompetencave, politika strehohet brenda universitetit, te Këshilli i Administrimit, duke e kontrolluar plotësisht atë, universitetin, të paktën në çështjet më jetike të tij.
* * *
Krejt procesi politik i përgatitjes dhe i miratimit të draftit të arsimit të lartë po zhvillohet pa praninë e opozitës, gjë që e bën këtë proces, aq më shumë produktin e tij, edhe më të pasigurt, edhe më politikisht të motivuar, madje, i rrit shanset për të qenë edhe korruptiv. Heshtja e opozitës, si në përgjithësi heshtjet janë, flet megjithatë. Ajo zbulon raportet e dyshimta që krerët e qeverisjes së saj të djeshme ndërtuan me sistemin universitar privat. Deri në lulëzimin korruptiv të këtij sistemi që shpërtheu nën atë qeverisje. Nën bekimin e saj. Ndërkohë, të hutuar, shqiptarët nuk e kanë kuptuar akoma se ç’përmbysje mund të sjellë ky draft në jetën e këtij vendi. Sepse akoma nuk e kanë ndier peshën e tij, pasi ai të veshë çizmet e hekurta të ligjit.