“Shpëton” Greqia, merr 50 miliardë euro
Sipas Mapo Online, 13 korrik 2015
Mëngjesi i së hënës nisi me një lajm të mirë.
Liderët e Eurozonës bënë të ditur se kanë arritur një marrëveshje unanime për paketën e tretë të shpëtimit për Greqinë.
Lajmin e bëri të ditur presidenti i BE, Donald Tusk.
Ai tha se programi i shpëtimit është gati.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve maratonë, që zgjatën mbi 16 orë.
“Samiti ka arritur një marrëveshje unanime. Jemi gati për implementimin e programit për Greqinë me reforma serioze dhe mbështetje financiare”, shkroi Tusk në rrjetin social.
Një nga kushtet kryesore për zbatimin e marrëveshjes është që Parlamenti i Greqisë të miratojë reformat e propozuara nga vendet europiane. Por, duke qenë se sapo është bërë referendumi që refuzoi reformat shtrënguese, nuk duket se do të jetë i lehtë ky miratim.
Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker është i bindur se Parlamenti grek do e miratojë planin e ndihmës financiare: “Jam i bindur se vendimi ynë do të kalojë në Parlament. Nuk ka fitues apo humbës nga kjo marrëveshje. Nuk mendoj se populli grek është turpëruar dhe nuk mendoj se vendeve europiane i ka ikur fytyra”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, reagoi pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë, duke thënë se 50 miliardë euro do të jetë ndihma financiare në këmbim të reformës së plotë të pensioneve dhe disa ndryshimeve të tjera thelbësore.
“25 miliardë euro do të përdoren për rikapitalizimin e bankave, të cilat më pas do të privatizohen nën vëzhgimin e vendeve europiane. Duhet të mbështesim programin, pasi në të shkuarën kemi parë që ka pasur vështirësi në implementimin e programeve”, tha Merkel.
Në lidhje me pyetjen nëse Parlamenti grek do e miratojë këtë marrëveshje, Merkel tha: “Situata në Greqi është e tensionuar, por është në interesin e Greqisë të zbatojë marrëveshjen. Mendoj se besimi mund të rifitohet”.
Kurse kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, e konsideroi marrëveshjen si një “luftë të ashpër” dhe se tashmë vendi i tij do të përballet me vendime të vështira.
“Morëm përsipër përgjegjësinë për vendimin e shmangies së planeve ekstreme nga rrethet konservative europiane. Arritëm të ristrukturonim borxhin dhe të siguronim një financim afatmesëm”, tha Tsipras në reagimin e tij të parë pas arritjes së marrëveshjes.
“Greqia do të vazhdojë luftën për ringritje”, shtoi kryeministri grek.