Pensionisti shqiptar, shteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Nga Zamira Çavo, botuar në Shqip, 12 korrik 2015

Zamira-CavoJetojmë në një epokë globaliste ku duam apo nuk duam do sillemi sipas “ritmeve të tij”. Por kjo sjellje i takon më së pari qeverisë. Nëse bota tenton drejt zhvillimit të qëndrueshëm, kjo do të thotë se dhe qeveria shqiptare duhet të tentojë drejt këtij zhvillimi, parametrat e të cilit i ka vendosur globalizmi dhe nevoja për të qenë pjesë e tij. Qeverisja shqiptare mund të ketë platformën e vet me të cilën sot apo nesër do të ballafaqohet me botën, por ajo që na duhet është platforma e kësaj qeverisje për qytetarët e saj. Çdo strategji, çdo studim apo fjalim i bukur, pa një aksion konkret dhe sidomos pa vënë në qendër nevojat e qytetarit, është thjesht demagogji, së cilës i del “boja” më shpejt se sa boja e gishtit në zgjedhje.

E gjithë bota po tenton të vendosë në qendër të vëmendjes Njeriun, atë të sotmin dhe atë të nesërmin. Çdo Reformë, ligj apo strategji ka në thelb këtë qëndrim. Po a është qeverisja shqiptare në këtë linjë?

Pa marrë përsipër të bëj një analizë të hollësishme, pasi do duhej kohë e një studim i detajuar me specialistë, unë po ndalem në atë që duket e s’ka nevojë për të tilla studime.

– A është qytetari në qendër të reformave që janë marrë këto kohë? Ndryshe për lexuesin do pyesja: A është qytetari në qendër të reformës për Pensione? A është studenti dhe pedagogu në qendër të Ligjit për Arsimin e Lartë? A është qytetari në qendër të reformës territoriale? Dikush mund të thotë se në këto sipërmarrje ligjvënësit janë asistuar nga ndërkombëtarët. Kjo është “formula magjike” që kërkon t’u mbyllë gojën kujtdo që bën ndonjë kritikë. Unë e besoj që mund të jetë kështu. Por jam e bindur se asnjë prej ndërkombëtarëve nuk e njeh të vërtetën e gjendjes sociale dhe ekonomike të individit shqiptar. Nuk di në cilin vend të Europës ka pensione 100 euro! Por shumica e pensioneve në Shqipëri janë të tilla. Madje do jenë të tilla edhe për shumë kohë. Pensionet sociale që u propaganduan si një risi e reformës, janë gati qesharake 45 euro në muaj dhe kjo masë, vetëm nëse nuk ke shtëpi, apo të ardhura të tjera, plus që duhet të kesh kaluar moshën 70 vjeç! Shkresat e ecejaket që duhet të bëjë një i moshuar për ta përfituar këtë lloj pensioni nuk kanë të mbaruar dhe nëse ia vlen t’i hysh kësaj meseleje, këtë le ta gjykojë lexuesi. E sikur t’i shtojmë këtij fakti(pra pensionistëve) dhe ilaçet që detyrohen të blejnë me para, pasi lista e rimbursimeve ka çuar në një përkeqësim të medikamenteve që ata marrin, (për shkak se ilaçet janë zëvendësuar mbi bazë çmimesh të lira dhe jo nevojave për kurim), gjendja ekonomike e pensionistëve është vërtet e mjerueshme. E njëjta gjë do thënë edhe për arsimin e lartë, kur, pas miratimit të Ligjit, tarifat për studime rriten në disfavor të studentëve. Pra kemi një kontradiktë mes pretendimit për një qeverisje me standardet e zhvillimit global dhe gjendjes reale të vetë qytetarit shqiptar. Nuk di nëse këto reforma janë mbështetur mbi një studim real të gjendjes e jo mbi perceptim individual apo të një grupi të vogël (të cilit i ngarkohet të bëjë ligjin). Reformat kudo në botë mbështeten mbi studime konkrete shkencore të gjendjes me synim paraqitjen reale të saj. Kjo për ne shqiptarët vlen dyfish dhe për të hartuar një ligj mbi baza reale, por edhe për të orientuar ndërkombëtarët, të cilët të mësuar në vendet e tyre e kanë të lehtë të sugjerojnë sipas “gjendjes” së tyre. Raporti i shtrembëruar i punës me pagën (si pasojë edhe të mosdeklarimeve të pagës minimale) e ka bërë shoqërinë shqiptare të marrë rrugët e botës. Dhe askush nuk duhet të justifikohet me faktorin “çmim”, sepse mjaft çmime në Shqipëri e kapërcejnë standardin e vendeve të tjera europiane.

– Një qeverisje “smart” sikundër e kërkon zhvillimi i qëndrueshëm bën gjithçka për ta lehtësuar qytetarin e për ta quajtur atë “zot të pushtetit”! Por ç’po ndodh me mjaft zyra të shtetit tonë? Mos paç hall në ndonjë zyrë për të provuar sorollatjet, mungesën e respektit për qytetarin, por dhe arrogancën e zyrtarëve. Kjo lloj arrogance të sjell ndërmend “gjysmëintelektualët” e Nolit, të cilët sikundër thoshte ai, nga injoranca u duket se karrigia e pushtetit i bën “pronarë” dhe jo shërbëtorë të popullit. Kjo lloj arrogance ka filluar të shfaqet edhe te policët në rrugë, ku në mjaft raste, qytetari shihet si qenie pa asnjë vlerë. Në një nga sportelet e zyrave një qytetar pensionist pyeste zyrtaren që rrinte pas një tryeze sesi do ta zgjidhte hallin e tij dhe zyrtarja e bezdisur ia ktheu: Pse me ty do merrem unë, shko shikoje në internet!!! Atëherë më vjen të pyes: Ku është shteti im? Çfarë lehtësish më ka ofruar ai? Si m’i zgjidh ai hallet dhe problemet që kam? Nëse studiohen sa letra shkojnë çdo ditë në zyra të administratës publike dhe sa kohë kalon për të marrë një përgjigje (e cila nuk ta zgjidh hallin) do bindeni se qeverisja në këtë model nuk ka asgjë të përbashkët me modelin “smart”. Për sa kohë që njerëz të punësuar në administratën publike bëjnë sikur punojnë, por ama janë të paparë për të treguar para kamerave që po bëjnë namin duke punuar 23/24 orë, qytetari shqiptar do jetë vërtet qytetar i dorës së fundit. Dhe s’ka pse ankohemi nga shtetet e tjera që na trajtojnë të tillë. Ne na trajton kështu shteti ynë! Dhe sikur të mos mjaftonte kjo vihet re një tendencë, e cila synon “mbrojtjen” e zyrtarëve nga kritikat e publikut!!

– Zhvillimi i qëndrueshëm lidhet me të nesërmen, lidhet me mjedisin; ruajtjen e zhvillimin e tij. Ne Zoti na ka “pasuruar” me male, pyje, lumenj e dete. Një vend tjetër do të na i kishte zili këto pasuri. Por çfarë po bëjmë ne për t’i ruajtur ato e më tepër për t’i zhvilluar? Natyrisht është e vështirë të sjellësh në gjendje normale atë çka i kemi bërë mjedisit në këto 25 vjet për shkak të mosrespektimit të ligjit! Shpesh degradimi ka çuar në gjendje të pakthyeshme. Personalisht, unë kam besuar shumë që qeverisja aktuale do merrte masa serioze në drejtim të ruajtjes dhe zhvillimit mjedisor. Por çfarë vërej? Shteti në vend që të jetë roje e këtij mjedisi shndërrohet në “shkatërruesin” e tij nëpërmjet ligjeve dhe VKM-ve!!! Cilido që lexon Strategjinë ndërsektoriale për Mjedisin (2015-2020) mund të pohojë se Shqipëria është një vend me një zhvillim të qëndrueshëm për t’u marrë shembull. Letrat kështu thonë, por letrat nuk kanë përmirësuar as gjendjen në Marinëz, as në Elbasan e as në Tiranë. Për të mos folur më tej për shfrytëzimin barbar të pasurive nëntokësore!

Të gjitha këto probleme e mjaft të tjera si këto janë pjesë e realitetit tonë të përditshëm. Mjafton që zyrtarët dhe pushtetarët shqiptarë të dëgjojnë emisionet e drejtpërdrejta me publikun dhe me siguri do gjejnë materiale pa fund. Pretendimet se çdo “ankesë” dërgojeni në portalin antikorrupsion, janë shpesh justifikuese sepse pak shpresa ka të gjendet e vërteta dhe sepse shumë qytetarë nuk kanë as aksesin, e as dijen për të ndërhyrë në këtë model të ri qeverisje.

E fundit: nuk mund të realizojmë asnjë tregues të një qeverisje për qytetarin nëse nuk vëmë në qendër edukimin e njerëzve. Ndaj do duhej që ligjet për arsimin, të fillonin nga gjendja reale, nga nevojat e prekshme të sistemit tonë edukativ dhe jo nga përngjasimet me modele të tjera.

Shumë shpejt do dëgjomë të flitet shumë për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe uroj që qeverisja të mos deklarohet si e kërkojnë standardet, por si po reflekton ajo në mjedisin shqiptar!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi