Deficiti monumental i kryeqytetit shqiptar

Nga Bujar Vani, botuar në Ballkanweb, 10 korrik 2015

mqdefaultNë një vështrim të shpejtë e të përgjithshëm të arredimit me monumente në mjedisin urban të kryeqytetit, me keqardhje bie në sy një mangësi e theksuar e kujtesës identitare, e tillë sa një ciceron në shoqërim turistësh do ta kishte tejet të vështirë t’u shpjegonte atyre ndonjë histori të mirëqenë, duke iu referuar memorialeve, shtatoreve, busteve apo relieveve, mozaikëve e pllakave lapidare të shpërndara në mënyrë sporadike e aspak funksionale apo estetike nëpër sheshe, parqe, lulishte, fasada ndërtesash apo kryqëzime rrugësh. Tregojnë për një ciceron të viteve ‘80 që shoqëronte një turist suedez të fokusuar pikërisht mbi projektimet e monumenteve figurative në mjediset e kryeqytetit. Pasi ai e shëtiti nëpër të gjitha bustet, shtatoret, basorelievet e deri pllakat përkujtimore, duke i shpjeguar episode atentatorësh, bazash guerrilje, partizanësh, luftëtarësh etj., turisti suedez ndali e i tha: “Mjaft, e kuptova, vetëm njerëz që vrasin nderoni ju? A nuk keni njerëz që ndërtojnë a krijojnë?!”. E në një pozitë të tillë, padyshim gjendet edhe ciceroni i ditëve të sotme pas disa dekadash. Tabloja nuk ka ndryshuar në thelb, vetëm se janë hequr disa shtatore e janë vënë disa të tjera. Pothuaj me të njëjtin koncept e të njëjtën filozofi. Pa folur më tej për aspektin funksional e estetik, çka përbën një temë më vete.
Është folur dhe vijon të flitet nga politika, media e grupe të tjera interesi mbi planin urbanistik të kryeqytetit, që për hir të së vërtetës në këto dekada e fundit ka pësuar një anarshi dukshëm të pakthyeshme. Janë hartuar dhe projekte mbi planin rregullues të qendrës së Tiranës, që u ngjajnë në praktikë “pëlhurës së Penelopës”. E në këtë rrëmujë urbanistike, pak mjedise urbane kanë mbetur apo janë planifikuar për arredimin me monumente, që i jep fytyrë identitare kryeqytetit të një shteti europian. Madje, në ato diskutime që thamë, vetëm ky aspekt nuk është prekur, apo është shpërfillur nga protagonistët e debateve. E pra, në gjykimin tonë, ky deficit i madh në planin urban përbën një çështje që duhet analizuar dhe ngritur për diskutim sa herë që flitet për të ardhmen e kryeqytetit, duke qenë një aksesor integral i çdo lloj projekti apo vizioni urbanistik.
Pa pretendimin për të marrë përsipër analizën shteruese të këtij problemi, vetëm në një kuadër vëzhgues të përgjithshëm, mund të themi se tabloja faktike e paraqitjes monumentale në mjedisin urban në fjalë, përballet me një deficit të ndjeshëm në tri aspekte: atë identitar, atë funksional dhe atë estetik. Por në caqet e këtij shkrimi do të ndalemi kryesisht në aspektin e parë dhe të dytë.
Natyrisht, një arredim monumental i një kryeqendre të një shteti ndoshta nuk mund të paraqesë të gjithë kronologjinë historike, qytetërimore apo kulturore të shoqërisë. Por momentet kyçe të saj nuk mund të anashkalohen dhe të mungojnë në mjediset urbane të saj. Dhe më konkretisht, nëse arsyeja ekzistenciale e këtij shteti, pra shtetit shqiptar, është baza kombëtare, rrjedhimisht edhe piketat monumentale duhet të pasqyrojnë shtratin kombëtar të tij në të gjitha këndvështrimet, domethënë rrënjët identitare të lashtësisë, momentet shtetformuese, rrjedhat spikatëse në histori, elementët e gjuhës, kulturës, qytetërimit etj. Nëse historia e këtij kombi i gjen zanafillat në lashtësinë ilire, padyshim që projektimi monumental në mjedisin urban si një kujtesë identitare dhe si një motiv ekzistencial është i pashmangshëm. Realisht asnjë gjurmë lashtësie nuk shihet ndër sheshe, lulishte apo parqe të kryeqytetit. Evokimi i lashtësisë, me mbretërit e njohur në burimet dokumentare, si Genti, Agroni, Glauku, Bardhyli, Monuni, Teuta etj., me aspektet urbane të asaj kohe, me gjurmët qytetërimore përkatëse, nuk duhet të mungonin në kryeqytetin e një shteti kombëtar, që në historiografinë e tij mbështet vijimësinë iliro-arbërore-shqiptare, pasi duket se i shmanget pikërisht rrënjës identitare të tij.
Më tej, vërtet që qendra e kryeqytetit mban monumentin e Skënderbeut, që evokon një histori të lavdishme dhe të spikatur në një epokë të rëndësishme të zhvillimeve politike europiane, por i mbetur vetëm, ai ngjan më tepër me një “aksident historik” sesa me një rrjedhë normale dhe zhvillimore të shoqërisë arbërore-shqiptare. Skënderbeu, siç vjen dhe nga trajtimet historike, është epilogu i një periudhe historike që shkëlqen në kronologjinë shqiptare, me një plejadë princërish e zotërinjsh të njohur, të cilët u ballafaquan dhe qëndruan dinjitozë në arenën ndërkombëtare me entitetet e tyre politike shtetërore, si Balshajt, Aranitët, Muzakajt, Dukagjinët, Shpatajt etj. Por në cilët sheshe apo parqe mund të kundrohen bustet apo shtatoret e tyre?! Askund. Është po ajo periudhë në të cilën spikasin edhe njerëzit e artit, kulturës, letrave etj., gjurmë monumentale të të cilëve nuk gjenden as në ndonjë cep të harruar të planit urban të kryeqytetit shqiptar. Humanistë, piktorë, skulptorë, muzikantë, arkitektë të asaj epoke, si Barleti, Beçikemi, Andrea Aleksi etj., ndoshta i gjen të projektuar figurativisht nëpër qytete të huaja, por jo në Shqipëri.
Duke ardhur më pas në emblemat identitare të gjuhës e kulturës shqiptare, Buzuku, Bogdani, Budi, Bardhi etj., nuk zënë asnjë metër katror në mjedisin urban të kryeqytetit shqiptar, edhe pse përbëjnë një aspekt thelbësor të kujtesës identitare kombëtare.
Më tej, edhe pse kudhra pararendëse e shtetit shqiptar është vlerësuar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, asnjë aspekt përkujtimor në planin monumental nuk gjen vend në Tiranën kryeqytet të këtij shteti. Organizuesit e asaj Lidhjeje madje edhe historiografia duket se i ka lënë mënjanë, e për rrjedhojë edhe paraqitja figurative e tyre. Nga plejada e njohur e Rilindjes Kombëtare që ngjizi vetëdijen i dha frymë jetës kombëtare shqiptare deri në krijimin e shtetit, në mënyrë sporadike gjen vetëm disa figura, e disa të tjera janë eliminuar edhe pse kanë qenë diku ndër sheshe pallatesh (kujtojmë rastin e bustit të Pashko Vasës në rrugën kryesore të Tiranës së Re).
Për të ardhur më pas në themelimin e shtetit shqiptar të vitit 1912. Vetëm mbas 100 vjetësh, Ismail Qemali më së fundi gjen vend në një cep lulishteje në Tiranë. Për 100 vjet ai ishte i mërguar prej shtetit që mban firmën e tij themeluese! Për protagonistët e tjerë të këtij evenimenti jetik të shtetit shqiptar, u ngrit një memorial në Parkun ‘Rinia’, për vlerat e të cilit nuk është vendi të ndalemi në këtë shkrim…
Do të vazhdonim kështu edhe për aspekte të tjera të kujtesës identitare, por brenda caqeve të këtij shkrimi, mendojmë të ndalemi shkurtimisht edhe në një aspekt funksional të objekteve monumentale që gjenden realisht në mjedisin urban të Tiranës.
I kthehemi përsëri ciceronit hipotetik që duhet t’u shpjegojë turistëve se përse vetëm në tri sheshe ka një identitet monumental dhe se çfarë dëshmojnë për historinë këto figura. Skënderbeu duket se përligj emrin e sheshit për protagonizmin e tij historik, por pas tij, në rezonimin hapësinor që kanë dhe pozicionet e rëndësishme në planin urban të Tiranës, duhet shpjeguar se përse mbas Skënderbeut pesha specifike i bie presidentit amerikan Uillson, që zë një shesh të rëndësishëm dhe Avni Rustemit që atentoi Esad Pashë Toptanin! A thua, përgjatë historisë mijëravjeçare të këtij kombi, pikat kruciale janë pikërisht allishverishet e Konferencës së Parisit dhe vrasja e një pashai po në Paris? Duke ndalur në sheshe me peshë më të vogël urbane, vërejmë se një pashë që thuhet se ka themeluar qytetin, qëndron në këmbë si një sejmen përpara monumentit të Partizanit të Panjohur, e krahas tij ngulin matrapikët punëtorët me mëditje. Mbi ç’bazë funksionale qëndrojnë këto raporte figurash historike? Apo më tej, bustit të Aleks Budës para Akademisë së Shkencave, i qëndron nga pas mbështetur pas gardhit të Kuvendit të Shqipërisë, busti i Sabri Godos, si një survejues symprehtë i Gardës së Republikës!
E shohim të arsyeshme që në sheshet apo para ambienteve të institucioneve të qëndrojnë shtatoret apo bustet e personaliteteve që shprehin një domethënie për ato institucione, pra flasin figurativisht për historinë e atyre institucioneve. Rasti i Aleks Budës është i tillë, por në këtë kontekst, a është vënë shtatorja e Fan Nolit pranë institucionit përkatës, domethënë Kishës Autoqefale Shqiptare?! Apo më tej, në krah të Presidencës, në një lulishte të këndshme, gjendet busti i Qemal Stafës. Pa paragjykuar personalitetin e tij, Qemal Stafa është vetëm shefi i rinisë komuniste, domethënë i njërës prej tri lëvizjeve politike që ishin në atë kohë. E kuptojmë se në regjimin komunist ai përbënte një piketë të rëndësishme për historinë e atij regjimi, por në ditët e sotme, kur janë “rehabilituar” edhe forcat e tjera politike të kohës, si Balli Kombëtar e Legaliteti, a mos duhet të kërkojmë që të vendosen në mjediset e kryeqytetit edhe bustet e shefave të rinisë së këtyre forcave politike. Apo ndoshta kryetarët e forumeve rinore të partive ekzistuese sot (p.sh. Pandi Majko apo Gert Bogdani)?!
Natyrisht, siç kemi thënë më lart, nuk është qëllimi për të dhënë një grafik të historisë shqiptare përmes arredimit monumental të mjedisit urban të kryeqytetit, por kemi hedhur vetëm disa mendime në bazë të një vështrimi të përgjithshëm të gjendjes aktuale. Kujtesa identitare, në funksionalitetin e vet dhe në vlerat estetike të paraqitura nga formësimet monumentale, në gjykimin tonë përbën edhe aspektin më serioz të paraqitjes karshi të huajve, por më në thelb edhe të edukimit qytetar e kombëtar përmes efektit pamor, duke hequr iluzionin dhe hamendësimin dashakeq se shqiptarët nuk janë tjetër veç një turmë barinjsh që kanë zbritur prej malesh ekzotike dhe rastësisht janë gjendur në një formacion shtetëror.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi