Konferenca e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama dhe Kancelares gjermane Angela Merkel
Nga Zyra e Shtypit e Kryeministrit, 8 korrik 2015
Kryeministri Edi Rama:
Mirëdita!
I jam shumë mirënjohës Kancelares Merkel që është këtu, sot, me ne, në vizitën e parë dypalëshe të një kancelari gjerman në Shqipëri.
E dinë të gjithë se sa shumë çështje dhe se sa shumë njerëz kërkojnë kohë nga e saja; Kriza e thellë në Greqi dhe sfidat e mëdha brenda për brenda Bashkimit Europian; Problematika e emigracionit që po merr trajtën e diçkaje që kërkon një përgjigje europiane dhe globale; Marrëdhëniet e Europës me Rusinë; Kërcënimi terrorist, ngrohja globale dhe me radhë, cilado qoftë çështja apo madhësia e një problemi, të gjithë duan të dinë opinionin e kancelares gjermane. Sepse ka rëndësi të dorës së parë.
Natyrshëm ka një vlerë shumë të madhe për ne, që, mes gjitha këtyre, ajo vijon të tregojë jo vetëm një vëmendje të veçantë, po mbi të gjitha, një kuptim të thellë të rëndësisë së rajonit tonë mbi çështje gjeopolitikisht më të gjera. Dhe po ashtu ka rëndësi të madhe për ne, që kancelarja, për vetë historinë e saj jetësore, i kupton thelbësisht përpjekjet e vështirësitë tona për të sjellë ndryshimet e dëshiruara, në rrugën nga kohët e zymta të diktaturës komuniste drejt një demokracie europiane.
Ne patëm përsëri sot, një diskutim të shkëlqyer, në atmosferën e miqësisë e të mirëbesimit, të cilën Kancelarja Merkel ka aftësinë të krijojë duke na mundësuar të flasim hapur dhe me vështrimin përpara mbi të ardhmen e përbashkët. Kjo ishte herë e tretë, brenda më pak se një viti, që mua më jepet kjo mundësi dhe besoj se ky fakt është kuptimplotë, për cilësinë e lartë të bashkëpunimit, si edhe për vullnetin e dyanshëm për të forcuar vazhdimisht partneritetin mes nesh.
Kancelare,
në emër të të gjithë shqiptarëve, unë dua t’ju them një faleminderit të megjithëzemërt, për mbështetjen e pandërprerë që Ju dhe Gjermania i jepni përpjekjes së Shqipërisë për të qenë pjesë e një Europe të fortë financiarisht; e një Europe të lidhur fizikisht; e një Europe të bashkuar politikisht, si komuniteti më i rëndësishëm i vlerave që kontinenti ynë ka parë. E në këto ditë të trazuara, sidomos, ka shumë rëndësi ta mbajmë fort parasysh rëndësinë jetike të Bashkimit Europian për paqen, sigurinë, mirëqenien e popujve të Europës.
Kancelarja Merkel ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme, për ta ngritur në një nivel të ri, rëndësinë e projektit të madh të Bashkimit Europian, si një projekt stimulues për paqen, sigurinë, mirëqenien e popujve të rajonit tonë.
Lidershipi i saj në ndërmarrjen e Procesit të Berlinit, që për herë të parë në historinë e vendeve të këtij rajoni i uli liderët e Ballkanit të gjithë së bashku, fundgushtin e shkuar, në tryezën e kancelerisë, përshpejtoi çeljen e një epoke të re bashkëpunimi në një zonë në mes të Europës, ku e ardhmja ka qenë historikisht peng i të shkuarës.
Takimi i radhës në këtë proces, që ka sjellë në rajonin tonë shpresë dhe komunikim si asnjëherë më parë, do të mbahet në Vjenë, në fundin e gushtit të ardhshëm. Nga ana jonë, këtu në rajon, ne kemi bërë dhe parë brenda më pak se një viti, një progres që deri një vit më parë ishte e vështirë të imagjinohej edhe nga më optimistët.
Kemi këmbyer dy vizitat e para në rang kryeministrash në historinë tonë me Serbinë dhe jemi të vendosur të ecim së bashku me fqinjët serbë, nën shembullin frymëzues të Gjermanisë e të Francës pas Luftës së Dytë Botërore, duke e forcuar marrëdhënien mes nesh përmes një bashkëpunimi gjithnjë e më intensiv, qoftë në planin dypalësh, qoftë në planin rajonal.
Modeli franko-gjerman i programit të shkëmbimeve rinore përmes një veprimi të dakordësuar së bashku me Serbinë, në funksion të krijimit të një perspektive krejt të re marrëdhëniesh mes djemve e vajzave tona dhe djemve e vajzave të fqinjëve tanë, është jo vetëm një shprehje kuptimplotë e dëshirës së përbashkët për t’i dhënë fund, përcjelljes brez pas brezi të trashëgimisë së rëndë të urrejtjes në emër të së shkuarës, por edhe e aspiratës sonë për të bërë në të ardhmen e rajonit dhe për të ardhmen e rajonit, atë që Gjermania dhe Franca bënë për të ardhmen e Europës.
Në Vjenë, ne do të shkojmë me një bilanc inkurajues për të gjithë dhe jemi shpresëplotë për hapat e mëtejshëm të procesit, në radhë të parë sepse besojmë fort në mbështetjen e Kancelares Merkes dhe të Gjermanisë përgjatë të gjithë këtij procesi të iniciuar po prej saj. Por s’ka dyshim se siç është jetike mbështetja e Gjermanisë, është e domosdoshme që i gjithë Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian të bëjnë pjesën e tyre.
Bashkimi Europian është krijuar mbi premisën se integrimi ekonomik dhe politik është alternativa më e sigurt e luftës dhe e konfliktit. I gjithë rajoni ynë është sot një dëshmitar i gjallë i fuqisë tërheqëse të BE-së si rruga e të ardhmes sonë të përbashkët, në të cilën po ecim përmes reformash transformuese për shtetet e shoqëritë tona. Por sot është e qartë po ashtu, se Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin po aq saç ka nevojë Ballkani për Bashkimin Europian. Pa fuqinë tërheqëse të Bashkimit Europian, ëndrrat tona rrezikojnë të kthehen në një boshllëk për makthet e të shkuarës, ndërsa shtysa për reforma e për bashkëpunim mes nesh rrezikon t’i lerë vendin tundimeve nacionaliste dhe ekstremiste. Një mundësi e tillë do të ishte tragjike jo vetëm për Ballkanin, por edhe për vetë Europën.
Paqja që kemi arritur deri këtu, duke kapërcyer lumenj gjaku dhe vite të tëra konfliktesh sfilitëse mes nesh, ka një fjalë çelës: Europa!
Është një paqe europiane mes popujsh të dalë nga luftëra e konflikte ballkanike, të cilët përmes reformave të vështira, por jetike të integrimit dhe projektit të përbashkët të paqes, këmbëngulin në përkatësinë e tyre tek projekti i madh i Bashkimit Europian.
Ne e dimë mirë më mirë se askush tjetër, se askush përveç nesh nuk do t’i bëjë reformat dhe hapat e nevojshëm, për t’u bërë më në fund, pjesë e Bashkimit Europian. Por edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj në këtë udhëkryq të historisë sonë të përbashkët, duke mos e trajtuar procesin e integrimit tonë në Bashkimin Europian si business as usual. Sepse koha jo e lehtë që kalojmë, për arsye të ndryshme vetëm në dukje, nuk na lejon të shikojmë fatin tonë të përbashkët si diçka që është e ndarë sot dhe që i takon vetëm të ardhmes.
Së fundi, për problemin e migrimit ndamë të njëjtin shqetësim serioz. Ne e dimë fare mirë se shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në Bashkimin Europian. Por kjo është një çështje që duhet parë jo vetëm si problem sigurie, gjë për të cilën bashkëpunimi ynë me Gjermaninë dhe me vendet e BE-së ka qenë e mbetet në nivelin më të lartë, po edhe si një problem social që mund të lehtësohet ndjeshëm përmes mbështetjes ekonomike dhe politike të BE-së ndaj vendit tonë. Shpresa për punësim real dhe mirëqenie është një shtysë e fortë në këtë drejtim dhe konfirmimi nga ana e Bashkimit Europian, i progresit të bërë nga vendi ynë pas marrjes së statusit të vendit kandidat, përmes çeljes së fazës tjetër të procesit të integrimit, do të fuqizonte shumë solidaritetin në Shqipëri dhe mes Shqipërisë e Bashkimit Europian.
Shqipëria sot është e vendosur më shumë se asnjëherë më parë në rrugën e reformave reale të modernizimit të shtetit, për të cilat vendi ynë ka merituar përgëzimet e Komisionit Europian dhe respektin e rritur të vendeve të Bashkimit Europian. Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, apo asnjë reduktim bujar kërkesash për ne, jo vetëm sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm që për çdo hap drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE duhet të flasë realiteti i transformimit të vendit në rrugën e përmbushjes së standardeve të BE-së, por sepse, mbi të gjitha, ne jemi plotësisht të bindur se ky i integrimit, nuk është një proces që Shqipëria duhet ta përmbushë me sukses në çdo aspekt sepse e kërkon Brukseli, po sepse e imponon e ardhmja e fëmijëve tanë.
Kancelare, pamja e dorështrëngimit në sfondin e kësaj konference është vepra e një bashkëkohësi të madh gjerman, Thomas Demand. Ai bujarisht pranoi të ekspozonte veprat e tij në këtë sallë, e cila do të jetë salla e ekspozitave të Qendrës për Hapje dhe Dialog, një hapësirë e re kulture dhe komunikimi, që shtrihet në gjithë katin e parë të godinës dhe do të jetë në dispozicion të publikut.
Kjo vepër, që ekspozohet për herë të parë në Shqipëri, quhet “Sign” dhe rikthen skenën e një workshop-i ku është duke u prodhuar një shenjë, për Panairin Botëror të Nju Jorkut të vitit 1939, që titullohej “Building The World of Tomorrow”. Duarshtrëngimi simbolizon ende sot “partneritetin mes popujve të botës përmes konsumit” dhe e portretizuar këtu, në këtë stad, shenja duket se është ende e pambaruar dhe vazhdon flet për vijimin, moszgjidhjen, sëkëlldinë, por edhe për shpresën që provkojnë të njëjtat gjëra që e krijuan.
Unë dua t’ju falenderoj edhe njëherë me mirënjohje të thellë, për dorështrëngimin e partneritetit të Gjermanisë si donatori numër në Shqipëri, përgjatë gjithë rrugëtimit tonë të mundimshëm nga komunizmi deri sot. Ashtu sikundër dua t’Ju siguroj se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë, dorën Tuaj të shtrirë të miqësisë e të partneritetit, në këtë kohë kaq komplekse për Europën, teksa Shqipëria gjendet në një moment kaq vendimtar të rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Europian.
Kancelarja Angela Merkel:
Jam shumë e gëzuar që sot po përmbush premtimin të cilin e kam dhënë për të qenë në tiranë, Shqipëri dhe këtë e me shumë dëshirë.
Përgjatë rrugës deri këtu, kam mundur të konstatoj që shumë njerëz kanë treguar gëzimin e tyre për vizitën time. Kjo tregon që kemi një bashkëpunim mjaft të mirë dhe të gjerë, që marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë gjithashtu shumë të mira. Një kënaqësi e madhe është gjithashtu që ndodhem këtu në konferencë shtypi, në këtë hapësirë simbolike, sepse kjo hapësirë simbolizon në një farë mënyre rrugën e Shqipërisë që prej viteve ’90 deri më sot. Një vend ku zhvillohet dialogu, një vend ku diskutohet dhe do të diskutohet në mënyrë kontroverse. Unë e di që Shqipëria për vite të tëra nuk e pati këtë mundësi diskutimi kontroversash, mendoj që ky është një progres mjaft i madh.
Sigurisht që ne kemi diskutuar për tema nga më të ndryshmet. Fillimisht për marrëdhëniet bilaterale. Unë mendoj që kemi mundësi edhe më të mëdha për të arritur rezultate edhe më të mira në bashkëpunimin tonë ekonomik. Z. Baake, Sekretar i Shtetit në Ministrinë Federale për Ekonominë dhe Energjinë, i cili drejton delegacionin e ekonomisë në konferencën e ekonomisë që do të zhvillohet, që zhvillohet sot.
Mendoj se për Shqipërinë janë mjaft të rëndësishme krijimi i kushteve ligjore të besueshme sepse mendoj se investitorët gjerman sigurisht kanë nevojën për tu besuar këtyre kushteve dhe situatës juridike. Është një aspekt i cili shënon edhe një kontribut mjaft të rëndësishëm të rrugën tuaj qw prej të marrjes të statusit të vendit kandidat deri në momentin e të bërit anëtarë të BE. Ne e mbështesim Shqipërinë në këtë drejtim.
Folëm gjithashtu edhe lidhur me reformat e sistemit të drejtësisë. Shqipëria ka mundësinë të shfrytëzoi përvojat më të mira të Europës në këtë drejtim, në mënyrë që të marrë vendimet më pozitive dhe më rëndësishme, sidomos në kuadër të luftës kundër të luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.
Unë jam shumë e sigurt që kemi mundësi të mira për të bashkëpunuar, sikurse mund të jetë sektori i turizmit, i furnizimit me energji elektrike, telekomunikacionit, vetëm për të përmendur disa prej këtyre shembujve. Mendoj që politika mund të angazhohet në krijimin e kontakteve më të shumta në këtë drejtim.
Folëm gjithashtu edhe lidhur me perspektivat e rinisë, rinia ka nevojë për perspektiva të reja.
Folëm gjithashtu për problematikën e azilkërkimit. Shqipëria ka një bashkëpunim deri tani, përsa i përket arsimit profesional, pra me landin e Baden Wurttemberg, me të cilin, me kryeministrin e të cilit, zotin Kretschmann, unë do të bisedoj se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen në këtë drejtim. Në momentin që konstatojmë mungesa të caktuara, përshembull duke bërë të qarta se cilat diploma do të ishin të nevojshme në sektorë të ndryshëm, si mund përpara në formimin e infermierëve e të tjerë. Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të njihen si azilantë, por sigurisht që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar dhe mendoj se Shqipëria bën pjesë në ata vende që mund ta ofrojë këtë fuqi punëtore. Gjithashtu kemi folur për marrdhëniet në rajon, për mua është një kënaqësi fakti që me nisjen e serisë së konferencës së vendeve të Ballkanit perëndimor kemi bërë një hap mjaft të mirë përpara.
Folëm për serinë tjetër të kësaj konference në Vjenë. Ka projekte, ka iniciativë, ka progres, për sa i përket shkëmbimeve rinore por edhe të projekteve të ndryshme konkrete. Jemi duke mbërritur në momentin që do të shikojmë diçka konkrete, në kuadër të të cilave do të bashkojmë fondet e Bashkimit Europian dhe të Private Partnership, sepse e dimë që në momentin që vendosen këto lidhje, atëherë edhe vendet mund të bëjnë përpara sëbashku.
Gjithashtu folëm edhe rreth shkëmbimit të vizitave në rajon, me kryeministrin Vuçiç në mënyrë të veçantë, pikërisht me një vend ku për vite të tëra ka pasur marrëdhënie deri diku të tensionuara, por që për fat të mirë dhe në mënyrë të suksesshme kanë arritur të kapërcehen.
Folëm gjithashtu për marrëdhëniet me Maqedoninë, me Kosovën dhe kështu hap pas hapi do të mundohemi ti sjellim gjërat përpara, dhe kjo do të jetë e suksesshme vetëm nëse vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’i sigurohet perspektiva e Bashkimit Europian, jo vetëm në letra por nëse kjo bëhet realitet.
Me anëtarësimin e Kroacisë dhe me dhënien e statusit të vendit kandidat Serbisë, më herët sesa Shqipëria. Shqipëria, po kështu, para një viti mori dhe statusin e vendit kandidat. Në momentin që diskutohet rreth procesit të anëtarësimit, dëgjoj shpesh herë që thuhet se Bashkimi Europian kërkon të ngadalësojë procesin e anëtarësimit. Por, më lejonit t’ju them se është ne interesin tonë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë të sigurt të anëtarësimit dhe ta realizojnë atë. Kjo ka të bëjë me kredibilitetitn e këtyre vendeve dhe të Bashkimit Europian, por sigurisht në këtë kontekst e rëndësishme është edhe përmbushja dhe plotësimi i kushteve të caktuara. E di që për këtë jeni duke punuar. Në këtë kontekst, ju uroj shumë sukses në përpjekjet tuaja, për vendin tuaj, për njerëzit tuaj. Ju pjesërisht keni lënë pas vetes një kohë të vështirë, rinia ka nevojë për perspektiva të reja dhe në këtë kontekst, bashkëpunimi ekonomik është një çështje me rëndësi qendrore. Në kuadër të këtij bashkëpunimi ekonomik kemi pasur mundësinë të nënshkruajmë edhe 6 marrëveshje të reja ekonomike të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës së energjisë, do të mbështesim edhe me fonde të caktuar kushtet e jetesës së studentëve dhe studenteve. Mendoj që këto janë hapa të vogla tek të cilat mund të shikohet se si mund të përmirësohen gradualisht, pak nga pak kushtet e jetesës së njerëzve.
Edhe një herë faleminderit përzemërsisht për pritjen tuaj miqësore dhe për bisedat tona.
Pyetje – përgjigje:
E nderuara Kancelarja Merkel, Shqipëria ka një vit që ka marrë statusin e vendit kandidat. Gjatë kësaj kohe, qeveria e Kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë një sërë reformash, ndërsa politika e jashtme e Shqipërisë në raport me rajonin dhe më gjerë ka qenë pothuajse në të njëjtën gjatësi vale me Bashkimin Europian. A mendoni se ka ardhur momenti në përcaktimin e një afati për rekomandimin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim?
Kancelarja Angela Merkel:
Në fakt nuk jemi duke përcaktuar afate të qartë në këtë proces. Ajo çka na e përcakton ritmin është përmbushja e standardeve apo të qëllimeve dhe të objektivave. Që prej momentit të dhënies së statusit të vendit kandidat duhet të përpunohet një program i caktuar dhe arritja e standardeve të caktuara, duhet hartuar një plan i caktuar masash dhe veprimesh. Këtu ka prioritete të caktuara, të cilat nuk i vendos unë, por është Komisioni Europian, ai që vendos nëse Shqipëria i ka përmbushur kushte apo prioritete të caktuara. Më lejoni të përmend, për shembull, prioritetin e reformës në sistemin e drejtësi. Janë bërë në fakt progrese në këtë drejtim, por nuk është realizuar në mënyrë të plotë. Sigurisht që Komisioni Europian i kushton rëndësi realizimit të plotë dhe më pas, edhe faktit nëse ajo çka është në letër zbatohet në mënyrë të plotë. Unë e di tanimë që shumë vende presin që ky proces të shkojë përpara dhe thonë pse zgjatet kaq shumë ky proces. Por do të doja t’i siguroja se ky nuk është një proces që ne e ngadalësojmë në mënyrë artificiale. Ne duam anëtarësimin e vendit tuaj dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por është një proces, i cili vlerësohet herë pas here, në momente të caktuara. Gjithsesi, në përgjithësi mund të them se Shqipëria ka bërë progres mjaft të mirë.
Zoti Kryeministër, a ka qeveria ndonjë strategji të posaçme për ta përshpejtuar procesin e çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian?
Kryeministri Edi Rama:
Duke mbështetur plotësisht atë që sapo shpjegoi Kancelarja dhe duke pasur në tryezën tonë të punës të gjithë listën e kërkesave që duhet të plotësojmë bazuar në pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Europian, ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë, që në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha, përfshirë edhe paketën e reformës në drejtësi, që do t’i kalojë parlamentit për miratim si një nga reformat më rrënjësore të bëra ndonjëherë në Shqipëri, prej çerek shekulli tanimë. Në atë moment na lind e drejta të përkojmë një datë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Unë jam i bindur që përsa na takon, ky është një proces që në radhë të parë, vlerën e ka këtu dhe e ka për ne. Gjithçka që po bëjmë nuk janë detyra që i bëjmë se na i kërkojnë në Bruksel, por janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit dhe demokratizimit të shoqërisë këtu tek ne. Me të kaluar në fazën kur ne do të kemi përmbushur të gjitha detyrat, unë kam bindjen që Kancelarja do të jetë e para që do të na mbështesë për të hapur negociatat.
Zoti Kryeministër, në Europë diskutohet momentalisht më pak për zgjerimin e BE-së, sesa për ndarjen e vendeve të caktuara, konsideruar këtu, Britaninë e Madhe apo Greqinë, si dhe për zgjidhjen e problematikave të caktuara si ajo e refugjatëve, çka duket se në Europë nuk duket se po bëhet më e lehtë. Sa të besueshme e quani perspektivën e BE që ju ofrohet?
Kryeministri Edi Rama:
Së pari, unë besoj se perspektiva e BE-së nuk është një perspektivë e ndarë për vendet që janë sot në BE dhe për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, por është një perspektivë e përbashkët. ashtu Sikundër besoj që integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është thjesht dhe vetëm një nevojë e jona, por është gjithmonë e më shumë edhe një nevojë e BE-së si projekt i paqes, si projekt i sigurisë dhe si projekt i mirëqenies së përbashkët. Nuk besoj që ka mendje normale në BE që duan ta shohim kufirin e konfliktit dhe të kërcënimit nga palë të treta në anën tjetër të Adriatikut dhe ta lënë Ballkanin, si një zonë ku sot kemi në kushtet më të mira që kemi qenë ndonjëherë, vetëm sepse kemi shtypur të gjithë një fjalë kyç, që është Europa. Por nesër, nëse ne e humbasim këtë fjalë kyç, atëherë jo nuk është keq vetëm për fëmijët tanë, por është keq edhe për fëmijët tuaj, nuk do të ishte tragjedi vetëm për Ballkanin, por për gjithë Europën. Nga ana tjetër, për të qenë i sinqertë deri në fund, unë e di që dukemi pak si jashtë mode, ne në Ballkan, që duam të hyjmë me çdo kusht në BE, ndërkohë që ka të tjerë që duan të dalin. E kuptoj këtë, por ne preferojmë të jemi jashtë mode, sesa t’i bashkohemi një vale antieuropiane, që është një valë për të dalë nga historia. Për të dalë nga historia dhe për të shkuar në një drejtim tërësisht të paditur. Për më tepër, unë besoj që pavarësisht turbullirave të sotme, ka gjithmonë një moment për t’u tërheq pak mbrapa dhe për të bërë një pyetje të thjeshtë; Europa është një forcë për mirë, apo është një forcë për keq. Besoj që të paktën unë e di përgjigjen dhe një pjesë e rëndësishme e përgjigjes është Kancelarja e Gjermanisë.
Nga ana tjetër për sa i takon çështjes së migrimit, kjo është një çështje që po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha dhe kërkon një përgjigje gjithmonë më të përbashkët. Por në në shkallën tonë modeste ne mund të themi dy gjëra; Së pari jemi në bashkëpunim intensiv qoftë me Gjermaninë, qoftë me vende të tjera për të dekurajuar çdo prurje të kësaj natyre nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.
Edhe ne e kërkojmë nga Gjermania atë që ju pyetët lidhur me origjinën e sigurtë, sepse do të ishte dekurajimi më i mirë. Por nga ana tjetër, kemi folur me Kancelaren që paralelisht na duhet tu japim njerëzve një perspektivë, qoftë të natyrës politike dhe kjo është çelja e negociatave të Shqipërisë që do të shënonte përfundimisht dështimin e të gjithë propagandës armiqësore kundër BE, se Shqipërinë dhe shqiptarët BE i refuzon, pasi nuk janë kristianë, por janë të përzier. Nga ana tjetër do të ndihmonte që për të rinjtë të ishte e hapur perspektiva për shkuar në Gjermani, si forcë e kualifikuar pune, qoftë si infermier, qoftë si IT, qoftë siç kërkohet në tregun gjerman. Kjo është rruga dhe për këtë rrugë ne do të punojmë së bashku me Gjermaninë dhe me vendet e tjera të BE. Pra përgjigja nuk është unilaterale, por është komplekse. Më shumë bashkëpunim për siguri dhe më shumë bashkëpunim për ekonomi.
Zonja Kancelare, sipas përshtypjes që ju keni fituar deri tani, sa janë shanset për ta karakterizuar Shqipërinë vend të origjinës së sigurt?
Kancelarja Angela Merkel:
Ne kemi folur rreth problematikës së azilkërkimit. Ka një bashkëpunim mjaft të mirë midis ministrive të brendshme në këtë drejtim, sikurse mes ministrit shqiptar dhe ministrit gjerman të punëve të brendshme. Nuk besoj se do të kishim gjë kundër në qoftë se Shqipëria do të kategorizohej si vend i origjinës së sigurt. Unë personalisht, qeveria federale nuk do të kishim gjë kundër kësaj, vetëm se duhet të jetë e realizueshme dhe e bazuar në bashkëpunim me landet federale. Ne duam të veprojmë, në mënyrë praktike, sa më shpejt në mënyrë që aplikimet për azilkërkim të mund të përpunohen, pra në një farë mënyrë që të rrëzohet ai efekti tërheqës i qytetarëve shqiptarë në Gjemani, duke iu ofruar atyre vende pune apo shërbime të caktuara. Mendoj se në qoftë se kjo procedurë do të shkurtohet, kjo do të japi efektet e duhura. Këtu jemi duke ndjekur të njëjtën linjë të punës sonë. Duke dëgjuar edhe fjalët e zotit kryeministër , mua më duket diçka e mirë që të flasim hapur rreth këtyre gjërave, sepse nuk mund të ndodhë që, nga njëra anë të bëjmë kërkesën për anëtarësim në BE dhe nga ana tjetër të kemi qytetarë të vendit tonë të cilët kërkojnë azil në vendet e Evropës Perëndimore. Praktika ka treguar që mund të diskutohet për një vend të origjinës së sigurt në rastin e Shqipërisë.
Zonja Kancelare është i dukshëm vullneti që ju keni treguar për të mbështetur rajonin e Ballkanit dhe këtë e keni treguar edhe me organizmin e Konferencës së Berlinit vitin e shkuar. Por ndërkohë pas kësaj konference të gjitha vendet e rajonit kanë hartuar projekte të përbashkëta të cilat duan mbështetje financiare. A ka konkretisht një projekt financiar për të mbështetur këto projekte të vendeve të rajonit apo do të mbetet në fatin e buxheteve të këtyre vendeve. Meqë jemi tek mbështetja financiare, ekonomia e Shqipërisë është një ekonomi që mbështete direkt nga kriza greke. A ka dhe për këtë një plan mbështetës financiar për Shqipërinë? Në fund të një kuriozitet ballkanik nëse ka mundësi. Të gjithë rajonet e kanë një lider edhe pse jo të zgjedhur, të gjithëpranuar. Ju sigurisht, zonja Kancelare jeni liderja e gjithëpranuar e Europës. Po Ballkani ka në këndvështrimin tuaj një lider që i përmbush këto cilësi? Sepse duket sikur ka një preferencë nga ana juaj për dy nga kryeministrat e rajonit të Ballkanit, zotin Rama dhe zotin Vuçiç. A është njëri nga këta të dy lideri i Ballkanit në këndvështrimin tuaj.
Kancelarja Angela Merkel:
Nuk ka një lider në Evropë që të jetë kompetent për të gjitha çështjet. Ka kryetarë komisionesh, ka shefa qeverish, drejtues shtetesh dhe mendoj qe e njëjta gjë vlen edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Është e arsyeshme që të ndodhë kështu. Ka projekte konkrete që janë marrë në kuadër të konferencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, ai i autostradës, përgjatë bregut Adriatiko-Jonian. Kemi diskutuar edhe rreth kësaj pike se si mund të realizojmë. Sigurisht që ka konceptime të caktuara për sa i përket mbështetjes financiare të kombinimit të fondeve të BE me fonde të tjera. Sigurisht që gjatë seancës tjetër konferencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të diskutojmë rreth këtyre mundësive. Mesazhi im është që edhe pse nuk është dikush që të jetë kompetent për të gjithë rajonin, kompetent apo përgjegjës është demokracia që garanton lindjen e projekteve të mira të bashkëpunimit.
Referuar pyetjes së mëparshme, në Shqipëri jetojnë shumë myslimanë, por po kështu edhe në Gjermani jetojnë shumë myslimanë. Kështu që mendoj se perceptimi i mosdashjes së përfshirjes së popujve myslimanë në BE është totalisht i gabuar. Jemi angazhuar në mënyrë të fuqishme për integrimin e emigrantëve të ndryshëm. Nuk duhet të ketë asnjë lloj shqetësimi publik lidhur me këtë.