Guri i themelit i një arsimi tërësisht të transformuar

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në tryezën e diskutimit “Shqipëria në hapësirën evropiane të arsimit të lartë”, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Komisionit Evropian, 4 korrik 2015

15-07-04-02-29-35banner_arsimi_lajm

Është një proces që, ndoshta duhet ta them pa rezervë, është procesi më i mirëorganizuar dhe më gjithëpërfshirës që qeveria shqiptare deri më sot ka organizuar në funksion të një reforme. Është një reformë që padyshim përbën një hap shumë të guximshëm përpara. Shënon një ndarje të prerë me të kaluarën, duke vendosur një vijë të qartë ndarëse mes asaj që është sot, arsimi ynë i lartë; i mbërthyer në një tërësi kthetrash dhe pamundësish për t’u zhvilluar në mënyrë të shëndetshme dhe asaj që do të jetë nesër, arsimi ynë i lartë; i gatshëm për të prodhuar jo vetëm kushtet në të cilat gjeneratat e reja do të marrin dijen në sistemin e Arsimit tonë të Lartë, por unë besoj edhe për të prodhuar një gjeneratë krejt të re shqiptarësh të arsimuar në vendin tonë.

Është një ligj, i cili niset mbi një parim shumë të thjeshtë dhe shumë të qartë, që ne e kemi vendosur mbi bazën e qasjes sonë për këtë reformë qysh në krye të herës, qysh në programin tonë të Rilindjes, përpara sesa të merrnin besimin e shqiptarëve për të qeverisur Shqipërinë. Ky prarim i thjeshtë është që nuk mund të ketë arsim shtetëror të nënës dhe arsim privat të njerkës, por duhet të ketë arsim publik të financuar nga shteti apo nga privati.

Padyshim që ne kemi besuar, sot besojmë edhe më fort, duke parë transformimin në një ligj të këtij parimi, që ky është një parim që vendos në themelin e reformës, por edhe në themelin e arsimit të lartë, domosdoshmërinë për të mos bërë kompromis në dëm të cilësisë.

Në këndvështrimin tim modest, e gjithë historia e arsimit të lartë pas ndryshimeve të mëdha politike dhe demokratike në Shqipëri ka qenë një histori kompromisesh në dëm të cilësisë. Kësaj historie, ne duam t’i japim fund, në mënyrë të prerë, duke filluar nga ndryshimi i skemës së financimit të Arsimit të Lartë dhe duke vendosur në bazë të financimit të Arsimit të Lartë konceptin e financimit në bazë të performancës. Pra, jo më financim pavarësisht asaj që marrim mbrapa si produkt, por financim bazuar në garancinë se produkti është cilësor; Jo më financim për hir të atij parimi të deformuar që përmenda më parë, sepse universitetet e shtetit janë të nënës dhe s’ka problem sesi i çojnë dëm paratë e taksapaguesve, ndërkohë që, nga ana tjetër, universitetet e financuara nga privatët janë të njerkës, kështu që s’ka pikë rëndësie sesi për të nxjerrë përfitime, cenojnë drejtpërdrejtë thelbin e sistemit, por një qasje që vendos në themel të marrëdhënies shtet a qeveri dhe sistem i Arsimit të Lartë, konkurrencën, meritën dhe cilësinë.

Sigurisht që, shteti nuk ka sesi të mos jetë gjithmonë e më shumë financuesi kryesor i arsimit të lartë, por ky është një investim të cilin shoqëria ka të drejtë që përmes përfaqësuesve të vetë të kërkojë që t’i kthehet mbrapsht, me produkt cilësor. Nuk është një investim që mund të vijojë siç ka vijuar për vite të tëra, ço paratë dhe se çfarë produkti vjen mbrapa, kjo nuk ka rëndësi dhe e vetmja gjë e rëndësishme mbetet në fjalime, në statistika, në raporte, lidhur me sa bujar është shteti me arsimin, sa vullnet ka për të rritur financimin në arsimim, pavarësisht cilësisë.

Kjo qasje përbën edhe përmbysjen e raporteve në funksion të publikut, në kuptimin të shoqërisë, duke e bazuar financimin në treguesit e përformancës së universiteteve. Vetë sistemi do t’i shtyjë ato të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin e ofruar për të qenë kompetitivë. Do t’i shtyjë të gjenerojnë më shumë kërkim shkencor dhe të synojnë më shumë bashkëpunim ndërkombëtar. Padyshim që në thelb, ky sistem do të prodhojë më shumë cilësi dhe do të garantojë reduktimin sistematik, vit pas viti, të dëmeve të mëdha që sistemi i derisotëm i ka shkaktuar vendit, popullit dhe të rinjve tanë. Ka bërë më shumë dëm se mirë. Kjo është e vërteta. Sado e hidhur qoftë dhe sado jo politikisht korrekte për t’u thënë qoftë, sistemi arsimor që u ngrit mbi deformime pas deformimesh e deformimesh për vite të tëra, më shumë ka bërë dëm sesa mirë për shoqërinë tonë.

Ligji bën me shumë të drejtë financimin publik për studentët, duke garantuar që shteti i gjendet pranë studentëve në nevojë, përmes një fondi të posaçëm bursash për të gjitha kategoritë që për pamundësi objektive financiare nuk i ndjekin dot studimet. Duke iu gjendur pranë studentëve që ndjekin degët me prioritet kombëtar, përmes një fondi të posaçëm që garanton që arsimi dhe sistemi i dhënies së dijeve nuk mund të jetë një produkt i bazuar tek dora e fshehtë e tregut, por duhet të jetë një produkt i bazuar tek vetëdija se pa një organizim të qartë të sistemit në funksion të prioriteteve kombëtare dhe në funksion të nevojave të shoqërisë, rrezikojmë të përfundojmë, ashtu sikundër shenjat janë shumë të qarta deri më sot; me sasi të mëdha fëmijësh që nuk marrin dot mësime lëndësh ekzakte për shkak se lindin dhe rriten në zona të vështira, të thella, të izoluara. Kështu kemi pranuar të kalojmë nga një gjeneratë në tjetrën duke bashkëjetuar me një cungim të madh, që ka në bazë një padrejtësi shumë të madhe, mostrajtimin e barabartë të fëmijëve dhe të rinjve dhe diskriminimin e një pjese të tyre për shkak të pamundësisë së tyre dhe për shkak të verbërisë së shtetit në raport me nevojën jetike për të garantuar që përmes sistemit arsimor të adresohen prioritetet kombëtare dhe njëkohësisht të sigurohen të gjitha nevojat për arsim, të të gjithë fëmijëve dhe të rinjve të kësaj Republike, pavarësisht nëse kanë lindur dhe rriten në qendër të qytetit apo se kanë lindur dhe rriten në zona të thella, ku kemi situata tragjike fëmijësh dhe të rinjsh të cilët janë tërësisht të shkëputur nga burimet e dijes. Situata tragjike, që fillojnë nga shkolla 9-vjeçare, ku pafundësi fëmijësh marrin shkencat ekzakte nga mësuesit e fizkulturës apo nga mësuesit e muzikës.

Së treti, ligji, padyshim, garanton financim publik për studentët e shkëlqyer përmes fondit të tretë të posaçëm, që siguron që ata që janë më të mirët nuk trajtohen si këmbët e dhisë, por iu jepet mundësia që të jenë edhe më të mirë. Në këtë mënyrë, optimizohet mbështetja me financim publik, duke e përqendruar tek ata që kanë më shumë nevojë, aty ku shoqëria ka më shumë nevojë dhe sigurisht, aty ku gjenerohet ekselenca.

Nga ana tjetër, ligji ka virtytin që rrit në mënyrë të ndjeshme autonominë universitare, duke i deleguar universiteteve publike një sërë vendimmarrjesh shumë të rëndësishme; Që nga numri i studentëve, tek kriteret e përzgjedhjes, tek përzgjedhja e studentëve, tek tarifat e studimit, tek numri i stafit akademik dhe tek niveli i pagave të tyre. Ky në fakt, është kantieri i parë i mirëfilltë i autonomisë universitare, si pjesë e një tërësie që i vendos universitetet në një balancë të re mes lirisë së vërtetë akademike, po edhe përgjegjësisë ndaj publikut për të ofruar cilësi më të mirë.

Ajo që është quajtur deri më sot autonomi universitare është një farsë. Një farsë e bazuar tek një sistem i korruptuar, medemek zgjedhjesh të lira, që nuk ka prodhuar autonomi universitarem, por ka prodhuar papërgjegjshmëri në raport me detyrimet ndaj publikut për cilësinë. Ky sistem që hyn në fuqi me ligjin e ri, faktikisht, vendos bazën e një autonomie reale universitare, por nga ana tjetër siguron që në emër të autonomisë të mos zhvillohet anarkia dhe mediokriteti maksimal.

Nga ana tjetër, ligji krijon premisat e modernizimit të qeverisjes së brendshme universitare, duke i dhënë një autoritet, më në fund të qartë, senatit akademik mbi qeverisjen akademike të institucionit të nivelit të lartë dhe duke e mbështetur punën mbi një strukturë administrative që i shërben misionit të këtyre institucioneve arsimore. Faktikisht, kemi përmes këtij ligji dy komponentë që janë komplementarë për të pasur një qeverisje moderne të universiteteve. Nga njëra anë cilësinë akademike, nga ana tjetër cilësinë administrative. Nuk mund të kemi dot cilësi akademike nëse nuk kemi cilësi administrative.

Standardizimi i të gjithë hallkave të sistemit, brenda hapësirës së veprimtarisë së universitetit dhe qasja ndaj të gjithë aktorëve, sipas një parimi shumë të thjeshtë, jo dy njësi matëse për aktorë të ndryshëm, por një njësi matëse. E njëjta njësi matëse për aktorët që janë të gjithë kontributorë në arsimin e lartë shqiptarë, në këndvështrimin tonë, pavarësisht nëse janë të shtetit apo të vetes. Sepse, në këtë ndarje unë kam besuar gjithmonë dhe jam i bindur duke pare se çfarë adreson ligji, ka qëndruar edhe problemi sistemik në arsimin tonë, që e ndau të gjithë sistemin në dy pjesë njëra më e shëmtuar se tjetra. Nga njëra anë, në një sistem publik mediokër që bashkëjetonte me mediokritetin në harmoni dhe lumturi, në emër të autonomisë dhe nga ana tjetër një sistem privat grabitësish të ëndrrave dhe të kursimeve të familjeve shqiptare. Brenda këtyre dy sistemeve burimet e shëndetshme të prodhimit të një arsimi cilësor erdhën vetëm duke u tkurrur.

Ky ligj nuk është për ata të cilët duan të shtyjnë jetën e tyre në llokoçitjen e pafundme të gjithë këtyre viteve nga ku kanë dalë gjenerata të tëra të cunguara. Ky sistem është për burimet që gjenerojnë kompeticion dhe cilësi qoftë në anën e arsimit të shtetit qoftë në anën e arsimit të privatit. Unë vazhdoj të mendoj se duke quajtur publik arsimin e shtetit dhe duke quajtur privat arsimin e privatit, ne kemi bërë një ndarje të padrejtë, e cila ka prodhuar vetëm probleme. Për ne, arsimi është një e mirë publike, pavarësisht nëse e merr në universitetet shtetërore apo private.

Ndryshimi themelor që sjell ligji është që më në arsimin e lartë shqiptar fabrika që kanë qëllim fitimin duke prodhuar diploma pa vlerë, nuk do të ketë. Të gjithë do të trajtohen si të barabartë.

Ky standardizim, faktikisht, sjell një sistem të vetëm qeverisës në arsimin e lartë, -flas për qeverisjen e brendshme, – sjell një set standardesh për të gjithë, të trupëzuar në një kod cilësie, sjell një sistem sigurie për cilësinë, sjell një sistem të unifikuar të kontrollit të ligjshmërisë dhe sjell një sistem që garanton konkurrencë.

Aty ku ka rezistencë, kam vënë re me shumë keqardhje, ka vetëm një arsye, rezistencë ndaj konkurrencës. Nuk është rezistencë në emër të asnjë parimi, në emër të asnjë ideje alternative, në emër të asnjë qasjeje të ndryshme dhe legjitime, por është rezistencë ndaj konkurrencës. Është rezistenca e pjesës së sëmurë të një trupi që duhet operuar me urgjencë, duhet operuar thellë dhe duhet operuar pa kompromis. Ne do ta operojmë me urgjencë, thellë dhe pa kompromis. Ne nuk mundet të pranojmë që të modifikojmë operacionin për të lënë në jetë pjesët e sëmura. Sepse, do të thotë të pranojmë vazhdimin e degjenerimit të këtij organizmi, që kemi humbur kaq shumë kohë si vend dhe shoqëri, duke e lënë të degradojë përpara syve tanë dhe duke pranuar që ky degradim të infektojë me gjithfarë mikrobesh, trupin e gjeneratave që kanë dalë ndërkohë nga ky sistem.

Edhe një gjë tjetër dua ta bëj shumë të qartë, se këtu ka një spekulim shumë të madh. Spekulimi i rezistencës së organizuar kundër konkurrencës. Nuk çojmë para publike në institucione private. Kjo nuk ekziston në ligj. Kush thotë këtë, thjesht e vetëm spekulon për t’i dhënë moral rezistencës, që bëhet medemek në emër të interesit publik, por që në thelb ka vetëm interesin e kastës. E një kaste, që është krijuar dhe mbahet në këmbë, vetëm sepse sistemi nuk është sistem autonomie reale universitare, nuk është sistem i administrimit real i universitetit dhe nuk është sistem që njeh konkurrencën, meritën dhe cilësinë.

Ne nuk çojmë para publike në institucione private. E kundërta është e vërtetë.

Ne pranojmë me këtë ligj, financimin privat në arsimin publik. Pavarësisht se një institucion është i varur në funksionimin e vetë nga aktorë publikë dhe tjetri është i varur në funksionimin e vetë nga aktorë privatë, të dyja palët, për ne, janë njësoj dhe të dyja palët prodhojnë të njëjtën gjë, arsimin si e mirë publike. Por para publike tek privatët nuk shkojnë. Përkundrazi, privatët bëjnë financim publik për arsimin publik. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Është një spekulim! Është për të ardhur keq, që në vitin 2015, në emër të mbrojtjes së autonomisë, lirisë dhe demokracisë vazhdon një propagandë kundër aktorëve privatë në arsimin publik, njësoj si ajo e komunistëve. E njëjta gjë, por me fjalë të tjera.

Ne besojmë dhe këtu është thelbi, që arsimi është e mirë publike. Për këtë arsye nuk kemi sesi të mos kërkojmë krijimin e kushteve për një kontroll rigoroz për të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë. Vetëkontroll dhe kontroll, se nuk mund të thuash më jep paratë ti shtet dhe nuk ke të drejtë ti të dish se çfarë bëj unë me paratë. Kjo është një qasje njësoj si qasja e Sudes. Më jep paratë dhe unë të siguroj se do të fitosh më shumë me mua, por ti nuk më pyet dot se ku i çoj unë paratë. Piramidat e arsimit tonë të lartë që vetëm në pamje janë ato që u mbyllën, se, në fakt, piramidat e arsimit tonë të lartë janë edhe në sistemin tonë publik. Edhe sistemi ynë publik ka piramida që japin diploma pa pikën e vlerës, që nuk i duhen dreqit. Pavarësisht se janë në rregull nga anët e tjera dhe paratë e studentëve nuk i marrin drejtpërdrejtë në dorë si sudet që u mbyllën, por i marrin nën dorë.

Është koha për t’i thënë qartë këto gjëra, pavarësisht se mund të tingëllojnë vrazhdë. Por e vërteta është shumë më e vrazhdë, sa ç’mund ta them unë dhe sa ç’mund ta themi të gjithë bashkë. E vërteta është shumë më e vrazhdë, sa ç’mund ta themi të gjithë bashkë në kor, sikur të ikin të gjitha kamerat e ne t’i japim fjalën njëri-tjetrit që s’do ta marri vesh njeri se çfarë themi ne, prapë s’do ta themi aq keq, sa ç’është e vërteta në sistemin e Arsimit tonë të Lartë. Ky është fakt.

Institucione publike, të themeluara dhe të financuara nga shteti, për ne, janë njëra anë. Nga ana tjetër janë institucionet publike, të iniciuara dhe financuara nga aktorët privatë. Kështu, mundësia e transformimit të institucioneve të Arsimit të Lartë publik, të pavarura, si ente publike moderne, që ofrojnë shërbim publik dhe liri më të madhe akademike, sipas modeleve më moderne dhe të suksesshme ndërkombëtare, është e garantuar.

Kërkimi shkencor është një tjetër farsë e madhe që ka vazhduar dhe që ne nuk mund ta lejojmë të vazhdojë. Në radhë të parë, duke e vendosur mbi baza të shëndetshme dhe pastaj se kur do të ketë kërkim të vërtetë shkencor në Shqipëri, kjo është për t’ia lënë kohës. Por kështu siç e kemi sot, vetëm kërkim shkencor nuk është.

Isha në Ministerialin e Rajonit dhe thashë se prej shumë kohësh, unë ruaj një zakon, që një herë në çdo stinë marr një taksi pasmesnate dhe i them taksistit ec dhe fol. Kjo është mënyra më e mirë për të kuptuar pulsin e vendit ku jeton. Asnjë raport i Bankës Botërore apo i OSBE-së nuk ta jep pamjen e vendit tënd, siç ta jep një taksist pasmesnatës, nëpër rrugët e Tiranës. U bënë vite që unë nuk gjej një taksist pa diplomë juridiku. Ju tregova historinë e një taksisti që kishte marrë masterin. Ata e dinë që unë nuk pranoj të më bëjnë xhiro falas, ndaj më tha “e ke nga unë sot, se jam bërë me master në juridik”. Ku e gjen kohën, e pyeta. “Nuk ka nevojë,” – më tha, – “në mëngjes marr fëmijët e pronarit të universitetit i çoj në shkollë dhe një herë gruan për shopping.”

Ky është sistemi që krijuam ne. Imagjinoni se ç’kërkim shkencor mund të ketë brenda këtij sistemi, të atillë që të mund t’i themi vetes se ne po financojmë kërkimin shkencor dhe me këto para, vërtet po bëhet shkencë në Shqipëri. Përjashto disa nukle të vogla që kanë mbetur në xhunglën e arsimit tonë të lartë, si ai ushtari japonez që nuk e dinte që kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore, pjesa tjetër janë para të hedhura në lumë. Më mirë të bësh çerdhe e shkolla me ato para, sesa kështu siç janë katandisur.

Ndërkohë, modernizimi i kërkimit shkencor në universitete krijohet si premisë në këtë ligj. Sigurisht që, ka një aspekt tjetër që duhet nënvizuar. Së pari, rolin rregullator për standarde dhe rregulla funksionimi që garantojnë sistemin. Së dyti, rolin financuesit dhe po flasim për rolin e shtetit.

Së treti, rolin e ofruesit të drejtpërdrejtë të shërbimit nëpërmjet institucioneve të arsimit të lartë publik. Pra, këto të treja mban shteti. T’i thuash shtetit që ti nuk mundesh dot të mbash rolin rregullator, do të thotë që t’i kërkosh shtetit që arsimin të mos e trajtojë si të mirë publike, por ta trajtojë si mall që shitet e blihet. Privatët e shesin në mënyrën më të ndershme, kurse ata tek publiku e shesin me korrupsion. Kjo është e vërteta. Por, të dyja palët prodhojnë mizerabilitet dhe gënjeshtra nëqoftëse lihen kështu siç janë lënë, pa asnjë kuadër rregullator, ku edhe ato iniciativa brenda publikut apo brenda sistemit privat që janë tregues që arsimi vërtetë mund të bëhet, vetëm mbyten, humbasin motivim dhe humbasin arsye për të ekzistuar, në një xhungël ku fiton gjithmonë më i keqi.

Për ta mbyllur, dua të them dy fjalë për Qendrën e Shërbimeve Arsimore që ofron në mënyrë të përmbledhur të gjithë shërbimet e qeverisë për nxënësit, studentët, por edhe për institucionet dhe trupat e institucioneve të rregulluara, për Agjencinë e Financimit të Arsimit të Lartë, si një ent i ri që në mënyrë transparente, profesionale dhe të paanshme financon universitetet publike. Financime, që ndahet buxheti pa ditur se ku po shkojnë dhe pastaj mbaron dhe mblidhemi prapë vitin tjetër mblidhemi prapë dhe ndajmë buxhetin, nuk ka më. Kush do para për të prodhuar cilësi në arsim, duhet të provojë që është në gjendje që të prodhojë cilësi në arsim.

Riorganizimi i Agjencisë Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit në një agjenci moderne të kërkimit shkencor dhe inovacionit dhe riorganizimi i Agjencisë së Akreditimit duke e kthyer në një agjenci për sigurimin e cilësisë dhe arsimin e lartë në bashkëpunim me Agjencinë Britanike të Sgurimit të Cilësisë. Kjo do të bëhet përgjegjëse jo vetëm për akreditimin, por edhe për vlerësimin e treguesve të performancës, nga ku do të varet niveli i financimit të çdo institucioni të arsimit të lartë publik.

Këtu nuk kemi bërë asnjë shpikje, kjo është pak ndoshta, por është e vërtetë. Në këtë dokument nuk ka shpikje dhe nuk ka propozime të reja në vazhdën e propozimeve dhe të shpikjeve alla shqiptarçe. Grupi që ka punuar për këtë ligj është një grup njerëzish me bindje të ndryshme, për sa i përket politikës, me profile të ndryshme, por që i ka bashkuar në një tavolinë vullneti për të bërë një ligj të arsimit të lartë të standardeve më të lartë europianë. Nuk i kemi mbledhur siç mblidhnin atëherë novatorët që i thoshin: “Duam të bëjmë një traktor të markës shqiptare dhe oburra tani mblidhni forcat e mbrrokllat dhe sajoni traktorin”. Por, puna e tyre e tyre ka qenë një punë e shkëlqyer e bazuar tek analiza e shumë sistemeve, tek diagnoza e sistemit tonë dhe tek arritja në konkluzione, që e përsëris, janë harmonizim i nevojave dhe i qëllimeve duke harmonizuar eksperiencat më të mira europiane.

Kush thotë se ne nuk jemi BE-ja, nuk jemi Suedia, nuk jemi Anglia, nuk jemi Danimarka dhe kjo është shumë ambicioze, ka të drejtë ta thotë, por unë i them se ne nuk jemi Republika e Kasharit. Jemi një vend që synon të bëhet pjesë e BE-së dhe nuk mund të rrisim filizat e të ardhmes siç rriteshin filizat e marjuanës në Lazarat. Nuk mund ta kemi sistemin tonë të arsimit si plantacionet e Lazaratit.

Ky është ligji. Kjo është baza dhe pa as më të voglin dyshim, në sistemin tonë sot ka burime të mjaftueshme njerëzore dhe eksperienca të mjaftueshme, qoftë në publik qoftë në privat, për të përfituar nga ky ligj dhe për të çuar përpara sistemin përmes konkurrencës. Të tjerët ose t’i ndjekin ose të vdesin. Por që të mbahen gjallë, sikur janë gjallë dhe që me sikurgjallimin e tyre të marrin në qafë gjenerata të tëra duke i dhënë sikurarsim të lartë, këtë ne nuk mund ta tolerojmë. Sepse, kjo do të ishte tradhti, pabesi ndaj prindërve që të gjithë kursimet e jetës së tyre i vënë për t’i dhënë fëmijës së tyre një diplomë reale.

Nëse prindërit shqiptarë hyjnë si komunitet si një ndër komunitetet që financojnë më shumë për arsimin, nëse një pjesë e konsiderueshme e financave të tyre shkojnë jashtë ,sepse i dërgojnë fëmijët jashtë, ky ligj do të bëj që në një 10-vjeçar një pjesë e konsiderueshme e parave që sot ikin jashtë të rrinë këtu, në Shqipëri, për faktin që arsimi këtu në Shqipëri do të jetë më kompetitiv dhe do t’i japë prindërve shumë më tepër siguri.

Edhe një herë shumë faleminderit për ftesën, për vëmendjen dhe për mundësinë që më dhatë që më në fund t’i them ato që kisha ndërmend të them lidhur me këtë proces, që e kam ndjekur me shumë vëmendje por që ka qenë një proces që, që nga fillimi dhe deri kur është vënë pika e fundit e ligjit, -ja ku janë të gjithë anëtarët e komisionit, – është bërë nga ekspertët. E vetmja gjë që kemi bërë ne është që t’i takojmë herë pas here dhe t’i sigurojmë që të mos t’i tremben politikës dhe nuk duhet të bëjnë politikanin me këtë ligj. Politika ka vetëm një detyrë, t’i japë mbështetje të plotë këtij ligji.

Ligjin e kanë bërë një grup që përfaqësojnë shumë rryma, shumë pjesë të arsimit të lartë, shumë eksperienca. Ligji është bërë nga “A”-ja tek “Zh”-ja, pikë për pikë, nga këta burra dhe gra që unë u jam shumë mirënjohës dhe që jam i bindur që do ta shënojnë këtë moment të kontributeve të tyre akademike, shkencore dhe qytetare si një moment që do t’i bëjë shumë krenarë në të ardhmen sepse ky është guri i themelit i një arsimi tërësisht të transformuar.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi