500 miliardë, në 5 paketa shpëtimi, në 6 vite.
Sipas Corriere della Sera, botuar në bota.al, 2 qershor 2015
Askush nuk e mendonte atëherë, atë që ekonomistë të njohur, që nga Stiglitz tek Krugman, e përsërisnin: mjaftonte që borxhi fillestar, pak më shumë se 100 miliardë Euro, të merrej në ngarkim nga komuniteti ndërkombëtar, dhe gjithçka do të ishte mbyllur aty. Nuk ndodhi
Sot, Greqia u detyrohet kredidhënësve ndërkombëtarë pak më shumë se 330 miliardë Euro, por duke marrë parasysh huatë që ndërkohë janë falur ose “ristrukturuar”, bëhet fjalë për pothuajse 500 miliardë. Kjo është kostoja tërësore e krizës greke. Deri tani
“Para-falimenti” i një nate më parë kundrejt FMN, i ardhur prej mos shlyerjes së këstit prej 1.6 miliardë Eurosh që Greqia duhej t’i paguante institucionit me qendër në Uashington në fund të qershorit, rrezikon të mos mbesë pa pasoja. Dje, gjatë mbledhjes së Eurogrupit, Fondni i Shpëtimit (European Stability Fund), i cili i ka dhënë Athinës 142 miliardë Euro kredi, kundrejt 21 miliardë të FMN-së, ka bërë të ditur që rezervohet të vlerësojë nëse duhet ta konsiderojë Greqinë një vend pa aftësi paguese edhe ndaj tij, e si pasojë të vërë në veprim të gjithë procedurat e parashikuara për një rast të tillë.
Eshtë vetëm pllaka më e fundit që rëndon mbi shpatullat e Greqisë, në këtë krizë borxhesh shumë të gjatë, që nisi në 23 prill të vitit 2010, kur vendet europianë i akorduan Greqisë 110 miliardë Euro në hua bilaterale. Pak javë më herët, kryeministri socialist, papandreou kishte bërë lajmërimin, me dhëmbët shtrënguar: llogaritë e qeverive paraardhëse ishin trukuar, dhe deficiti nuk ishte 5%, por 12 % e GDP.
Agjencitë e rating-ut kishin ulur pa hezituar aspak kuotimin e bonove të Thesarit deri në nivelin e të ashtuquajturave “junk” dhe në 3 mars të 2010-ës, Papandreou ishte shfaqur i keqardhur dhe i zbehur në fytyrë, para Parlamentit, duke dhënë njoftimin: “Vendi rrezikon falimentin”. Shpëtojmë, kishte shtuar, vetëm nëse vëmë në veprim një paketë drakoniane masash dhe rishëndoshjeje financiare: shkurtime në pagat e nëpunësve publikë, me reduktim deri 30% të bonusit për Krishtlindje dhe Pashkë (një trashëgimi i vjetër), rritje të TVSH me 2% për pjesën më të madhe të mallrave, taksa më të larta mbi alkoolin, duhanin, makinat, jahtet, ngrirje e pensioneve. Ishte i pari i një serie të pafundme planesh kursimi (shtatë, bashkë me atë të diskutuar dje në Bruksel nga Eurogrupi), si dhe parakushti për apelin për solidaritet ndërkombëtar, që i ishte bërë Europës, të mbështetur nga BQE dhe FMN. Sot, Greqia u detyrohet kredidhënësve ndërkombëtarë pak më shumë se 330 miliardë Euro, por duke marrë parasysh huatë që ndërkohë janë falur ose “ristrukturuar”, bëhet fjalë për pothuajse 500 miliardë. Kjo është kostoja tërësore e krizës greke. Deri tani.
Askush nuk e mendonte atëherë, atë që ekonomistë të njohur, që nga Stiglitz tek Krugman, e përsërisnin: mjaftonte që borxhi fillestar, pak më shumë se 100 miliardë Euro, të merrej në ngarkim nga komuniteti ndërkombëtar, dhe gjithçka do të ishte mbyllur aty. Nuk ndodhi. Në 2 maj 2010, ministrat e Eurozonës i akorduan Greqisë 120 miliardë Euro hua. Raundet e financimeve janë katër në total, me një seri derdhjesh të shpërndara në kohë. Ka mbetur pezull vetëm kësti i fundit, prej 7 miliardësh. Në 7 maj 2010, një samit i jashtëzakonshëm krijon një fond shpëtimi europian, Fondi Europian i Stabilitetit Financiar, me qendër në Luksemburg dhe me një shumë antikrizë prej 750 miliardësh. Flitet për eurobono, por gjermanët bëhen pengesë. Në 24 qershor 2011, një tjetër samit dhe një tjetër paketë shpëtimi. Doza rritet dhe arrihet në marrëveshjen për 120 miliardë euro të tjera për Athinën, pjesa më e madhe nga Fondi i Stabilitetit, që ndërkohë ka hapur linja kredie më të vogla për Irlandën dhe Portugalinë. Do të mbylleshin në vitin 2012, me rikthimin e totalit prej 80 miliardësh. Sa për Athinën, paniku është i plotë: në 21 korrik 2011, ndërkohë që ndihet frika për qëndrueshmërinë e Euros, vendoset për një tjetër plan shpëtimi për Greqinë, prej 109 miliardësh.
Frikërat për shembjen e Euros penalizojnë ekonomitë më të ekspozuara, si Italia: e gjithë kjo situatë shkakton rënien e qeverisë Berluskoni në 9 nëntor.
Por të kthehemi tek Greqia. Borxhet vazhdojnë të akumulohen, dhe situata ndërlikohet për faktin që fondet e emergjencës, në dy të tretën e tyre, përfundojnë duke paguar borxhet në bankat gjermane dhe franceze – të cilat kanë financime të mëdha të bllokuara në Greqi – dhe nuk përfundojnë në ekonominë reale të vendit. Por në atë moment, pak kush e vë re dhe centrifuga greke vazhdon të thithë para nga të gjitha anët. Në 27 tetor 2011, nis shkurtimi i parë në kurriz të qeverive (BQE dhe FMN ruajnë të drejtën e shlyerjes të plotë): shkurtohet borxhi me 50%, pjesërisht i anuluar dhe pjesërisht i konvertuar në tituj me afat të gjatë skadence (deri 45 vjet), një paketë borxhesh kjo, prej 150 miliardësh. Do të pasohet pas një kohe të shkurtër nga një tjetër shkurtim: pa këto masa, borxhi do të kishte arritur në 240% të GDP, ndërkohë që mbetet në 175%.
Në 30 mars 2012, në Kopenhagë, Eurogrupi ngre Mekanizmin Europian të Stabilitetit, duke e pajisur me një tjetër mur mbrojtës prej 800 miliardësh. Greqia firmos memorandumin e dytë të angazhimit dhe nis raundi i pestë i financimeve prej 100 miliardësh. Janë tërhequr nga Greqia 93% dhe skadoi dy net më parë. Në fillim gjërat ecin mirë: në 10 prill 2014, Greqia feston rikthimin në tregjet ndërkombëtare. Por është një iluzion. Makina prishet përsëri dhe në fillim të këtij viti, me ardhjen e Syrizës në pushtet, ndalet në vend.