Paradigma e financave

Sipas Monitor, 29 qershor 2015
qeveria-1024x682Të dhënat e fundit zyrtare nga financat po i japin formë një shqetësimi më të madh sesa ai që tregojnë shifrat. Burimet e rritjes ekonomike po zhvendosen, por aty po gjejnë një mjedis të papërgatitur dhe “armiqësor” fiskal.

Edhe si 5-mujor, të ardhurat nga tatimet dhe doganat krahasuar me pritshmëritë e qeverisë janë më të ulëta, rreth 11 miliardë lekë më pak. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat ishin në të njëjtin nivel.

Argumenti i parë lidhet me performancën e dobët të administratës, e cila, nga njëra anë, u tregua euforike në parashikime duke bërë një plan i cili nuk përputhet me realitetin ekonomik. Por qasja politike nuk e lejonte administratën të ishte më poshtë, pasi e majta e ardhur me eufori në pushtet kishte premtuar shumë. Nga ana tjetër, ky rezultat nuk justifikohet as me rritjen ekonomike që, megjithëse është e ulët, duhet të paktën të sillte të ardhura në buxhet më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Por kjo nuk po ndodh.

Administrimi i dobët fiskal është shkaku i parë më sipërfaqësor i kësaj pasqyre financiare, që vjen kur lexon shifrat. Sesa është pesha e këtij faktori kjo mbetet ende e papërcaktuar. Qeveria mundohet ta minimizojë këtë shkak, duke dhënë shpjegime të tjera për këtë performancë të dobët financiare. Sipas saj, ndryshimi i strukturës së ekonomisë është shkaku kryesor i këtij rezultati. Për shembull, rritja e prodhimit vendas të naftës nga rafineria e Ballshit i ka “mohuar” fiskut, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që më parë e vilte lehtë në dogana dhe tani e kanë më të vështirë për të kontrolluar rrugën e produktit në tregun e brendshëm. Rrjetet e tregtimit me pakicë në vend tanimë kanë rritur furnizimet me prodhim vendas dhe punojnë me autofaturë, ndërkohë që ka edhe një skemë lehtësuese TVSH-je edhe për furnizuesit. Një tjetër arsye lidhet me rënien e importeve të cigareve dhe zëvendësimin e tyre me duhanin e dredhur, që ashtu si nafta vendase është e vështirë të “kapet”. Këto arsye shpjegojnë sipas administratës rënien e të ardhurave. Përmirësimi i performancës së OSHEE dhe moti favorizues kanë ulur kërkesat për energji nga importi, pasi ajo është përballuar nga prodhimi vendas. Ka edhe të tjerë shembuj që tregojnë se ka një zhvendosje të burimeve nga mund të vijë rritja ekonomike dhe për pasojë, edhe të ardhurat buxhetore. Ekonomikisht kjo që po ndodh duket e mirëpritur, pasi rritja e prezencës së prodhimit vendas kundrejt importit dhe kalimi i stafetës në burime të tjera rritjeje, ka qenë një nga problemet e ethshme të ekonomisë. Politikisht kjo për qeverinë duket favorizuese, sepse ajo thotë se preferon më pak para në buxhet për më shumë rritje të prodhimit vendas. Mirëpo kjo nxjerr zbuluar qeverinë, sepse performanca financiare tregon se ajo është e papërgatitur për këtë tablo të re, pasi trendi nuk është ilustruar në tabelat financiare të buxhetit.

Ndaj emëruesi i përbashkët i të gjitha shkaqeve që shpjegojnë performancën e ulët fiskale nuk lidhet me strukturën e re të ekonomisë por me politikat fiskale, të cilat nuk i janë përshtatur këtij ndryshimi strukturor. Rritja e tatimit mbi të ardhurat dhe dividendit me 50 për qind për biznesin dhe zhvendosja e barrës te shtresa me konsum të ulët, është shpjegimi kryesor. Ndaj sot nuk kemi as rritje të punësimit, as rritje të të ardhurave buxhetore, sepse ekonomia po ecën në një drejtim dhe sistemi fiskal në drejtim tjetër. Dhe se kjo ka ndodhur për shkak të qeverisë që, nga njëra anë, vepron mirë kur mendon të nxisë prodhimin por, nga ana tjetër, e frenon atë me taksat.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi