Fitore që nuk të emocionon
Nga Ilir Yzehiri, botuar në Shqip, 28 qershor 2015
Në të gjitha zgjedhjet që janë kryer në këta vjet në Shqipëri, vështirë të gjesh një çast që, pas përfundimit të tyre, të ndiesh emocion; pra, nga pozitat e qytetarit të paanshëm, të ndihesh i motivuar dhe me një lehtësim të kuptueshëm në shpirt. Zgjedhjet e para pluraliste e mbytën entuziazmin se ato i fitoi vazhdimi i Partisë së Punës, zgjedhjet që pasuan, vërtet u fituan në shumicë nga PD-ja, por entuziazmi zgjati pak se menjëherë në vend nisi të instalohet autoritarizmi dhe demokracia u deformua qysh në ngjizje. Pastaj erdhën zgjedhjet e vitit ’96 dhe karikatura që pasoi ato zgjedhje krijoi klimën ekonomike të piramidave dhe parapërgatiti më pas revoltat e armatosura të vitit 1997. PD-ja u largua nga pushteti dhe socialistët me Fatos Nanon e sapodalë nga burgu nuk e ruajtën gjatë entuziazmin e largimit të shtetit autoritar e kriminal, sepse në vend të tij instaluan modelin e korrupsionit masiv e galopant. Megjithëse qëndruan dy mandate në pushtet, socialistët u larguan prej tij jo aq për shkak të votave popullore sesa për shkak të përçarjeve të brendshme dhe kështu, me anë të kalkulimeve elektorale, Nano u largua nga pushteti gati me dëshirë që të hakmerrej me kundërshtarët e tij brenda PS-së dhe ia la pushtetin sivëllait të tij, Berishës, i cili nisi të qeverisë edhe ai me inatin e kohës së humbur. Në tetë vjet ai realizoi të gjitha mbrapshtitë, krimet, vjedhjet dhe shkatërrimet që nuk i kishte kryer më parë dhe realizoi ëndrrën që ka çdo shtetar ballkanas që të vjedhë e të vërë pasuri për vete dhe familjarët e tij. Berisha u bë simboli i korrupsionit oligarkik familjar dhe modeli më i shëmtuar i autoritarizmit. Ai arriti deri aty sa vrau edhe katër protestues më 21 janar.
Rikthimi i Metës ose dinjiteti i vrarë
Edi Rama në vitin 2013 u bind se nuk mund të vinte në pushtet pa aleancë me Ilir Metën. Personalisht nuk e kam mbështetur kurrë një aleancë të tillë, por e kam justifikuar politikisht, sepse loja politike ndërtohet me llogari elektorale më së shumti dhe jo me llogari morale. Ndërkaq, në këta dy vjet qeverisjeje kam pritur të shoh një raport të baraslarguar mes suksesit të garantuar elektoral dhe entuziazmit për ringjalljen morale të shtetit. E dyta, për fat të keq, nuk ka ndodhur. Nëse do të vijojmë logjikën e rrëfimit të mësipërm, do të vërejmë se në vitin 2013 aleanca PS-LSI ripërtëriu frymën e thellë qytetare dhe largoi modelin e keqqeverisjes Berisha, por përsëri nuk prodhoi entuziazëm. Treni i entuziazmit moral kishte marrë me vete edhe Ilir Metën dhe partinë e tij të cilët në perceptimin e përgjithshëm publik, por edhe realisht kishin si kauzë rrëmbimin real të pushtetit duke zaptuar administratën dhe duke ndërtuar shtetin klientelist më të shëmtuar në rajon. Edi Rama braktisi retorikën e luftës ndaj korrupsionit dhe e përqendroi vëmendjen në paraqitjen e tij formale. Në këta dy vjet ai ka qeverisur sikur nuk di asgjë se çfarë ndodh në qeverisjen e tij, por që i thotë të gjitha, tamam si titulli i librit të Pierre Richard, komikut francez, “Je sais rien, ma je dirait tout”. Dy vjet qeverisjeje nuk kanë mjaftuar për të mundur korrupsionin dhe për të ringjallur shpresën. Megjithatë, aleanca e tij me Metën është fituese dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe për shumë kohë.
Opozita po vdes – ky është një lajm i trishtë
Këto zgjedhje nuk prodhuan emocion, sepse kundërshtari i tyre, Partia Demokratike është rrudhur në mënyrë tragjike. Është e paimagjinueshme të dëgjosh sot nëpër studio televizive ligjërime që e paraqitin këtë disfatë totale si fitore dhe inkurajim të opozitës. Opozita duhet të kuptojë një gjë se është mundur dhe do të vazhdojë të mundet, sepse ajo nuk di të komunikojë, nuk di të flasë. Të pranosh humbjen, të kërkosh ndjesë, të marrësh përgjegjësi, të jesh i përunjur do të thotë të tregohesh qytetar, europian dhe serioz. Opozita jonë nga mëngjesi në darkë vetëm shan kundërshtarin, vetëm akuzon duke marrë të gjitha akuzat që i bëheshin asaj me të drejtë dikur dhe duke ia hedhur sot qeverisë. Antikët thoshin se nuk mund të kalohet dy herë në të njëjtin ujë. Nëse Berisha ka vrarë protestues para Kryeministrisë ai e meriton epitetin vrasës dhe qeveri vrastare. Mirëpo sot opozita nuk mund ta shajë Edi Ramën si vrasës apo si dyshe kriminale pa pasur asnjë provë, pa artikuluar asnjë fakt. Opozita duhet të kuptojë se qeverisja e sotme mund të konkurrohet vetëm me program dhe me një ligjërim bindës që të ketë mundësi të kthehet nesër në veprim. Duke sharë nga mëngjesi në darkë qeverinë, njerëzit lodhen dhe nuk të beson askush dhe vendi rrezikon të mbetet pa opozitë.
Drejt qeverisjes së gjatë me ngjyrë mavi
Në fillim të shkrimit thashë se këto zgjedhje nuk prodhuan emocion dhe këtu kisha parasysh disa gjëra. E para, është e papranueshme disfata totale dhe shkatërrimi i PD-së. Askush nuk duhet të gëzohet nga prepotenca elektorale e PS-LSI-së. Demokracia ka nevojë për alternim. Tjetër. Qeverisja e sotme ka filluar të shfaqë shenjat e arrogancës dhe të prepotencës dhe nuk impresionohet nga askush. E quaj të papranueshme që socialistët nuk tërhoqën nga gara dy kandidatët e përfolur si të inkriminuar. Argumenti se nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë që t’i ketë dënuar ata është cinik dhe arrogant. Në politikë konkurrohet me moral dhe jo me ligj. Ligji nuk të ndalon të konkurrosh nëse ti ke qenë i dyshuar si trafikant droge, por morali njerëzor po. Qoftë edhe i dyshuar po të kesh qenë, ti nuk ke të drejtë morale të kërkosh votat e askujt. Ti ke të drejtë të punosh në administratë, por jo të jesh i zgjedhur. Këtë kuptim ka edhe deklarata e ambasadorit Lu për përfshirjen e të inkriminuarve në fushatë. Nga ana tjetër, kjo arrogancë nuk të lejon të bësh diferencën me kandidatë të tjerë energjikë e të devotshëm si Erion Veliaj, fitoren e merituar të të cilit nuk e shijon dot deri në fund për shkak të asaj arrogance që thashë më lart. Dhe më në fund, kjo aleancë që e ka siguruar për një kohë tepër të gjatë pushtetin arrin deri aty sa një qytet të tërë si Pogradecin e detyron që njëherë ta pështyjë një kandidat dhe herën tjetër ta lëpijë atë. Ndaj këto zgjedhje me një fitore të tillë të thellë nuk më emocionojnë. Ndërsa kur mendoj se opozita po shkërmoqet trishtohem edhe më.