Zgjedhjet 2015: Të gjithë humbës, të gjithë të fituar
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 25 qershor 2015
Zgjedhjet lokale 2015 janë të shtatat në 25 vjet dhe janë të parat që organizohen mbi ndarjen e re territoriale, si dhe nën përgjegjësinë e kryeministrit të ri të së majtës. Ato bazohen në dy vota, votën në mazhoritar për kryetarin e bashkisë, dhe votën në propiorcional për këshillat bashkiakë. Me ligjin e ri nuk ka më komuna dhe këshilla komunash, nuk ka më minibashki dhe këshilla përkatëse (Tiranë), si dhe votimi bëhet pothuajse me të njëjtat praktika identike të shumë viteve më parë.
Sic ndodh rëndom në zgjedhjet lokale edhe në këto zgjedhje secila parti politike kryesore gjen argumente teknike ose politike për të thejksuar fitoren në zgjedhje ose humbjen për palën tjetër. PS mbështetet në votën në koalicionin dhe në fitoren në shumicën e njësive mazhoritare, PD mbështetet në rritjen e votës kombëtare dhe në fitoren në disa bashki suprizë, LSI mbështetet në marrjen nga koalicioni i majtë të disa bashkive dhe rritjen në votën proporcionale. Në fakt, secila prej tyre ka edhe anën tjetër, – bilancin e humbjes.
PS është parti e parë por ka disa dhjetëra mijëra vota më pak si parti politike në krahasim me zgjedhjet e kaluara parlamentare e lokale, PD ka humbur tri në katër bashki dhe ka diferencë të thellë proporcionale nga partia e parë, LSI ka humbur zona strategjike elektorale dhe ka mbetur e fortë në periferinë e vendimmarrjes politike. E njëjta logjikë vlen edhe për partitë e tjera më të vogla, gjithësesi, si përherë, as tani asnjë palë politike nuk ka pranuar ende të bëjë analizë dhe as të bëjë bilancin real të zgjedhjeve.
Referuar standardeve zgjedhore, këto zgjedhjet patën një prej ditëve zgjedhore më të mira prej më shumë se një dekade, por referuar raportit të ODIHR/OSBE standardet ishin ende larg pritshmërive, premtimeve dhe nevojave të një vendi kandidat për në BE. Harta e zonave të riskut elektoral mbeti aktive dhe funksionale deri në fund, duke pasur në kryetabelë zona problematika si Vora, Kamza, Malsi e Madhe, Durrësi, Kavaja, Fieri, Pogradeci, Kruja, etj, pra zona ku ka pasur ose kontestim rezultati, ose incidente të shumta para dhe gjatë elektorale.
Për herë të parë nga 1987 në një zonë elektorale (Kurbin) nuk ka kandidat të dytë dhe zgjedhjet janë fiktive, sic për herë të parë asnjë parti nuk festoi në rrugë, nuk pati mitingje masive si dhe u shënuan modele qytetare elektorale, sidomos në zona si Tirana, Shkodra, Korca, Elbasani, etj. Në lexim elektoral demokratët konfirmuan rezultatin e thellë në aksin Shkodër – Lezhë, kurse socialistët krijuan një zonë të gjerë elektorale sidomos me Elbasanin, Fierin, Durrësin dhe Vlorën. Tirana mbetet fitorja më e madhe e të majtës, por me rezultat të pritshëm, kurse Kamza e Vora mbeten zona balancuese për të djathtën fqinjë me Tiranën.
Vetëm 1.6 milion votues, por 63 parti e 36 mijë kandidatë
Shqipëria vijon të jetë prodhuese kandidatësh dhe partish politike për numër popullësie. Në këto zgjedhje konkurruan 63 parti politike, shumë prej të cilave të panjohura dhe pa bilanc elektoral. Ato kandiduan me mbi 36 mijë emra për këshilla dhe 158 kryetarë bashkish. E majta krijoi një koalicion të madh me 37 parti, midis të cilave edhe partitë e djathta, FRD, PDIU dhe PDK. E djathta krijoi një koalicion shumë më të vogël me vetëm 15 parti, ku më e rëndësishmja prej tyre ishte PR. Në total 11 parti, përfshirë PSD dhe PBDNJ mbetën jashtë koalicioneve të mëdha.
Legjislacioni vijon të jetë pengues për shanset e kandidatëve të pavarur dhe subjekteve të reja politike. Konkretisht, për një kandidat të pavarur në Tiranë kërkohen rreth 6 mijë nënshkrime, dhe njëherësh, po kaq nënshtrime për secilin nga kandidatët e listës proporcionale. Në zgjedhjet e fundit shumë prej kandidatëve të pavarur ose të tretë morën më pak vota sesa nënshkrimet e mbledhura paraprakisht. Konkretisht, në Tiranë, kandidatët e dalë me firma mbështetëse (përvec Bojaxhiut) morën rreth 50% të votave të të gjithë nënshkruesve që ata kishin mbledhur më parë në garën për kandidim në zgjedhje. Kjo lë të kuptosh se ose mbështetësit kanë ndryshuar mendim gjatë fushatës, ose firmat fillstare kanë qenë miqësore apo spekulluese, pa ndonjë bazë mbështetëse për kandidatin apo projektin e tij politik.
Ja 5 bashkitë ku kandidatët e pavarur përcaktuan fituesin
Kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhiu me 16,303 vota shënoi rekordin e votave të marra nga një kandidat i vetëm kundër koalicioneve të mëdha në 25 vjet procese zgjedhore. Ai tejkaloi dukshëm dy politikanët e tjerë të kuotuar në Tiranë më parë, Bamir Topi (rreth 7.2 mijë mbështetur nga lista e FRD) dhe Dashamir Shehi (5,711 vota në garën për Tiranën në vitin 2000). Përvec rekordit, vota e tij nuk ndikuan në garën e Tiranës. Edhe në Fier kandidati i tretë Albert Caci mori një numër të madh votash, plot 4,173 vota, por për shkak të diferencës midis dy kandidatëve kryesorë, votat e tij nuk patën rol përcaktues. E njëjta edhe për kandidatin e tretë në Vlorë dhe në Shkodër. Në Vlorë Vasil Bedinaj mori 2,740 vota, por pa ndikim në fituesin e zgjedhjeve. Në Shkodër kandidati i tretë Vullnet Elbasani mori 1,741 vota, më shumë se cdo kandidat tjetër i pavarur në këtë qytet, gjithsesi pa ndikim në fituesin e zgjedhjeve.
Në hartën e 61 bashkive gjenden rreth pesë bashki ku fituesi është shpallur me ndihmën e kandidatëve të tretë, të pavarur ose në emër të partive jashtë koalicionit. Rasti më unikal është Bashkia Dibër. Aty kandidatët e pavarur përcaktuan fituesin e zgjedhjeve edhe sepse dy prej tyre vinin nga e djathta. Konkretisht, Ilir Krosi i PD pas tri mandateve në detyrë humbi me 429 vota ndaj kandidatit të majtë Xhelili. Secili nga dy kandidatët e djathtë morën më shumë vota se diferenca e tyre, përkatësisht Bulku (702 vota) dhe Spata (550 vota).
Gjithashtu edhe në Belsh diferenca midis dy kandidatëve ishte 814 vota, ndërkohë që kandidati i tretë, i pavarur, Besjon tafani mori 1,848 vota ose më shumë se dyfishin e votave të diferencës midis dy kandidatëve të parë. Në Memaliaj gjashtë kandidatët në garë morën secili më shumë se 500 vota, ndërkohë që fituesi i zgjedhjeve u shpall me vetëm 2,8 mijë vota ose një të tretën e votuesve. Në Dropull PBDNJ e humbi garën vetëm se votat e saj u ndanë midis kandidatit zyrtar dhe ish kryetarit H.Duci tashmë i pavarur. Në Konispol ndarja e votave PD-PDBNJ (ndërkohë që ishin në koalicion informal në Finiq, Gjirokastër apo Sarandë, solli fitoren e kandidatit të majtë.
LSI i merr PD dy zona, humbet dyfishin e tyre
Në listën e bashkive që koalicioni i majtë i besoi LSI, vetëm dy prej tyre u fituan ndërkohë që më parë qeverisesshin nga e djathta. Konkretisht, LSI dhe e majta fituan në Bulqizë dhe Përrenjas, dy bashki të reja të drejtuara më parë nga PD. Ndërkohë LSI humbi në zona të tjera me rëndësi për të majtën, sidomos në Lezhë, Pogradec, Mallakastër, Selenicë, Vorë, Kukës, etj, shumica e të cilave të njohura si bastione të së majtës. Në raportin LSI – PD në votimin mazhoritar fitoi PD, në atë proporcional rivaliteti i tyre përbën risinë kryesorë në listat e këshilltarëve.
Me këtë rezultat njësia më e afërt nga Tirana e qeverisur nga LSI mbetet Përrenjasi ose Cërriku, ndërkohë që ajo do drejtojë vetëm një qëndër prefekture, Gjirokastrën. Tri qëndra prefekture do drejtohen nga PD (Shkodër, Lezhë e Kukës), kurse tetë qëndra të tjera do drejtohen nga PS.
Bashkitë bastione 2000-2015 dhe dominimi PS-PD
Për demokratët mbeten bashki bastione Shkodra e Tropoja, kurse për socialistët dhe të majtët vijojnë të mbeten bastione me më shumë se pesë mandate rrallazi: Fieri, Vlora, Ura Vajgurore, Berati, Policani, Patos, Maliq, Kucovë, Kolonjë, Gjirokastër, Durrës, Corovodë.
Referuar qëndrave të prefekturave/qarqeve: demokratët vijojnë të jenë dominuese në Shkodër prej vitit 1990, kurse socialistët vijojnë të jenë dominuese në Gjirokastër me vetëm një mandat të humbur në shtatë zgjedhje lokale. Socialistët janë dominues edhe në Durrës, Berat e Fier me pesë nga shtatë mandate, kurse demokratët kanë rezultat të tillë vetëm në Kukës. Më të balancuara në qeverisjen 25 vjecare lokale janë Tirana, Lezha, Korca dhe Dibra, secila me raportet 4 me 3 të mandateve midis dy palëve kryesore politike.
Pjesëmarrja në zgjedhje? Më e larta në vite
Në ditën e zgjedhjeve pati kritika në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhje. Në gjysmën e parë të ditës pati raportime për pjesëmarrje minimale në disa qytete, sidomos në Vlorë, por në fund të ditës, bazuar në të dhënat e KQZ, pjesëmarrja në zgjedhjet 2015 është rreth 100 mijë më e ulët sesa në zgjedhjet 2013, por dukshëm më e lartë sesa në të gjitha zgjedhjet e mëparshme lokale.
Konkretisht, më 1992 morën pjesë 1.2 milionë votues, më 1996 dhe 2000 më shumë se 1.4 milionë votues, më 2003 u shënua pjesëmarrja më e ulët prej 1.1 milionë votues, më 2007 u rrit pjesëmarrja me 1.3 milionë dhe më 2011 akoma më tej me 1.5 milionë votues. Më 2015 kemi rreth 100 mijë më shumë votues dhe njëherësh po kaq më pak sesa në zgjedhjet parlamentare.
“Supërkryetarët” e bashkive
Kur flitet për mandatet e shumta të drejtimit vendor emri i Gëzim Topciut është unikal. Ai drejton prej pesë mandatesh në komunën dhe më pas në bashkinë e Maliqit. Në zgjedhjet e fundit ai rikandidoi dhe fitoi një mandat tjetër shtesë. Rekord në mandate është edhe Adriatik Zotkaj në Polican, Arif Tafani në Belsh dhe Fiqiri Ismaili në Vorë, secili me nga katër mandate. Nga bashkitë e mëdha rekord mbeten Qazim Sejdini në Elbasan, Vangjush Dako në Durrës, Xhelal Mziu në Kamëz, secili me nga tre mandate.
Ilir Krosi humbi në Dibër garën për mandatin e katërt, kurse Viktor Tushaj në Lezhë, Dhurim Alimani në Delvinë, Irakli Gorreja në Divjakë, Altin Como në Libohovë, humbën garën për mandatin e tretë. Nga qytetet e mëdha, Lushnja për herë të parë ka një kryetar që fiton mandat të dytë, Fatos Tushe, kurse mandate të dyta fituan edhe kryetarët e bashkive Himarë, Corovodë, Divjakë, Kavajë, Këlcyrë, Patos, Telepenë. Në Kurbin kryetari mori mandat të ri por pa garë, duke përfituar nga tërheqja e PD nga zgjedhjet aty.
Bashkitë në 25 vjet, përsëritet viti 2000
Referuar numrit të bashkive të fituara nga e djathta dhe e majta, duket se zgjedhjet e vitit 2015 prodhuan një rezultat gati identik në shifra me zgjedhjet lokale të vitit 2000. Në atë vit demokratët fituan vetëm 13 bashki kudrejt 53 të së majtës, më 2015 demokratët kanë 15 bashki ndaj 45 të palës tjetër. Dallimet gjenden vetëm në hartën e bashkive. Më 2000 demokratët fituan vetëm në zonat veriore dhe verilindore, kurse më 2015 ata kanë numër të njëjtë bashkish në veri dhe në jug. Tabela tregon edhe se demokratët kanë dominuar qeverisjen vendore në vitet 1992, 1996 dhe 2007, kurse socialistët kanë dominuar katër proceset e tjera zgjedhore lokale, përkatësisht më 2000, 2003, 2011 dhe 2015.
Në dallim nga zgjedhjet parlamentare gjithnjë në zgjedhjet lokale partitë e mëdha humbin vota dhe partitë e vogla fitojnë më shumë vota. Kjo ndodh për disa arsye. Në këto zgjedhje partitë e vogla kanë më shumë mbështetës klientelistë, komunitete lokale, bëjnë marrëveshje në mazhoritar me partitë e mëdha për shkëmbim votash në proporcional, etj. Por në asnjë rast nuk ka ndodhur që partitë të ruajnë të njëjtat vota si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe në ato lokale. Tabela ilustron votat lokale në shtatë proceset vendore. Sic shihet nga viti 2000 PS vijon të jetë parti e parë në proporcional, dhe se nga 2011 LSI vijon të jetë parti e tretë dhe konkurruese me partinë e dytë politike. Nga partitë e vjetra të tranzicionit ka mbijetuar PR, kurse është rritur ndjeshëm PDIU. Rënia e PSD, PDS, PBDNJ, PDK, PAA, etj edhe pse kanë qenë parti pjesëmarrëse në qeveri të majta ose të djathta, lidhet jo vetëm me cështje të organizimit të tyre, të identitetit dhe aftësisë konkurruese, por edhe me mungesën e identifikimit me një komunitet të caktuar lokal.
Votat dhe pazaret politike për këshillat bashkiakë
Në Selenicë (Vlorë) ku LSI humbi në votimin për kryetar bashkie, një parti e vogël si PDK ka 100 vota më shumë në proporcional sesa vetë LSI, megjithëse në këtë zonë nuk ka komunitete të besimit katolik. Në një zonë të besimit katolik, sic është Mirdita LSI është parti e parë dhe ka gjashtë herë më shumë vota sesa PDK, në Pukë LSI është parti e parë politike dhe ka më shumë se trefish vota sesa PDK. Në Mirditë ku nuk ka asnjë minoritar grek PBDNJ është parti e tretë me 1.1 mijë vota, ose 50 vota më shumë sesa PBDNJ ka marrë në një zonë 100% minoritare, sic është Dropulli. Mjafton leximi i votës proporcionale në bashki të tilla të vogla për të kuptuar se mbi cfarë baze partitë bëjnë marrëveshje politike në votimin proporcional.
Konkretisht edhe në këto zgjedhje në Pukë psh, PS e PD janë minorancë, ndërkohë që fitojnë parti të panjohura sic janë AAK apo PGJ. Në bashkinë Fush Arrës PD e PS janë jo vetëm pakicë, por janë në vendet 7 dhe 10 në listën e partive me vota!! Në Rrogozhinë kandidati fitues për bashki është ai i PDIU me 6.9 mijë vota, por në votimin proporcional PDIU ka vetëm 7% të votave totale! Në Peqin, zonë e zgjeruar e të majtës, në mazhoritar mandati iu dha PDIU në aleancë, kurse në proporcional PS është parti e pestë politike, me më pak vota edhe se PSD, e cila nuk ka asnjë post në qeveri megjithëse është në aleancë me të. Në Mallakastër PD është parti e tretë shumë pas PS e LSI, por në mazhoritar ajo fitoi kryetarin e bashkisë. E njëjta situatë edhe në Pogradec apo Selenicë.