A duhet Shqipëria ta ndryshojë sistemin zgjedhor?

Nga Bernd Borchardt*, botuar në JavaNews, 25 stator 2019

Procesi i reformës zgjedhore në Shqipëri duhet të vijojë dhe Prezenca e OSBE-së ofron një vend për dialog, ku të gjitha forcat politike të vijojnë dhe të përmbyllin këtë proces kyç. Më vjen mirë që shoh se ajo pjesë e opozitës që doli nga parlamenti gjendet sot në këtë dialog të rëndësishëm, këtu në panel, dhe shpresoj se ky është një premtim për t’u bërë pjesë e një procesi konstruktiv.

Vendi ka nevojë për dialog dhe bashkim, në prag të marrjes së Kryesisë së Radhës të OSBE-së vitin e ardhshëm. Por kjo është e rëndësishme edhe nga një pikëpamje më e afërt. Dje, parlamenti gjerman mori një mocion, i cili ngarkon me shumë përgjegjësi parlamentin shqiptar dhe partitë shqiptare. Ai mbështet hapjen e negociatave me BE-në, por kërkon që konferenca e parë për pranimin të zhvillohet vetëm kur, mes të tjerash, të vendoset një reformë zgjedhore, gjë që është në përputhje me rekomandimin e OSBE/ODIHR-it. Po ashtu, mocioni rekomandon që ky diskutim dhe kjo vendimmarrje të zhvillohen përmes një dialogu të hapur dhe përfshirës.

Vitin e shkuar pamë përparim dhe bashkëpunim të dukshëm në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kjo ishte një nga të paktat fusha ku të gjithë aktorët politikë vërtet bashkëpunuan. Gjithçka mori fund në fund të vitit të shkuar. Deri në atë çast, kontributet e të gjitha krahëve ishin për t’u vlerësuar, pra ishin ofruar në mënyrë konstruktive dhe ishin të mira nga pikëpamja teknike.

Ju do të diskutoni sot se si një sistem i ri zgjedhor mund të kontribuojë në hapjen, përfshirjen, transparencën, llogaridhënien dhe përfaqësimin. Kjo është ajo çka pres nga të gjitha partitë: të ofrojnë propozime konkrete, të shkojnë përtej këtij kthimi të lavdërueshëm në dialog, dhe të lënë pas deklaratat retorike, duke i zëvendësuar ato me propozime konkrete. Një gjë e tillë do të ishte e mirëpritur.

Pra, shpresoj se kjo konferencë do të ngjallë edhe njëherë procesin.

Në lidhje me diskutimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, kjo është një zgjedhje që u takon partive në Shqipëri. Janë ato që vendosin. Çdo forcë politike ka të drejtën ta shtrojë këtë çështje për diskutim. Demokracia funksionale mbështetet në kundërshtimin konstruktiv dhe në pjesëmarrjen përfshirëse.

Sikurse thotë titulli i konferencës, sistemi zgjedhor në Shqipëri nuk duhet t’i mohojë asnjë force politike hyrjen në parlament, apo të mos krijojë pengesa shumë të larta për këtë dhe, nga ana tjetër, nuk duhet t’u mohojë qytetarëve shqiptarë të drejtën e përfaqësimit të gjerë e të drejtë të interesave të tyre.

Ne si Prezencë e OSBE-së në Shqipëri dhe miqtë tanë të ODIHR-it mund të ofrojmë ekspertizë në marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm. A duhet Shqipëria ta ndryshojë sistemin e saj zgjedhor apo jo? Ky është vendimi juaj. Ne mund të ndihmojmë duke vënë në pah të mirat dhe problemet e sistemeve të ndryshme zgjedhore. Por ne nuk rekomandojmë asnjë sistem specifik dhe, sigurisht, nuk imponojmë ndonjë syresh.

Në të njëjtën kohë, të mos harrojmë pritshmëritë e larta me të cilat përballeni sa u takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Këto janë procese paralele për të cilat jeni përgjegjës ndaj vendit tuaj.

Kjo konferencë është një mënyrë e mirë për të nisur këtë diskutim të rëndësishëm.

Së fundmi, kam një lutje: ju lutem, përmbajuni temës dhe lini mënjanë deklaratat e përgjithshme politike. Përdoreni mundësinë e sotme për të folur për reformën zgjedhore, me theks te sistemi zgjedhor.

*Fjala e ambasadorit të OSCE në konferencën e sotme

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi